Si ta bëjmë të vlefshme çdo ditë të jetës?
Si ta bëjmë të vlefshme çdo ditë të jetës?
«NA MËSO, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë [të mençur, BR].» (Psalmi 90:12) Këtë lutje e bëri me përulësi Moisiu, një shkrimtar i Biblës. Çfarë po kërkonte në mënyrë specifike në këtë lutje? A duhet të bëjmë edhe ne një kërkesë të tillë me përkushtim?
Në vargun 10, Moisiu vajton për shkurtësinë e jetës së njeriut. Në një rast tjetër, ai dokumentoi fjalët e Jobit, i cili tha: «Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.» (Jobi 14:1) Është e qartë se Moisiu ishte në dijeni të plotë të natyrës kalimtare të jetës së papërsosur njerëzore. Prandaj, ai e shihte çdo ditë të jetës si një dhuratë të çmuar. Duke iu lutur Perëndisë, Moisiu shprehu dëshirën e tij për t’i jetuar me mençuri ditët që i kishin mbetur, në një mënyrë që do të ishte e pëlqyeshme para Krijuesit të tij. A nuk duhet që edhe ne të kërkojmë që t’i jetojmë ditët tona në mënyrë sa më domethënëse? Ky duhet të jetë synimi ynë, nëse duam të kemi miratimin e Perëndisë.
Por kishte edhe një gjë tjetër që e motivonte si Moisiun, ashtu edhe Jobin. E njëjta gjë duhet të na motivojë edhe neve. Të dy këta burra të përkushtuar i kishin sytë te shpërblimi që do të merrnin në të ardhmen, pra te jeta në tokë në kushte më të mira. (Jobi 14:14, 15; Hebrenjve 11:26) Kur të vijë ajo kohë, vdekja nuk do të ndërpresë më veprat e mira të askujt. Qëllimi i Krijuesit tonë është që njerëzit besnikë të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. (Isaia 65:21-24; Zbulesa 21:3, 4) Kjo mund të jetë edhe e ardhmja jote, nëse ‘i numëron ditët e tua, që të kesh një zemër të urtë’, të mençur.