A bisedoni me njerëzit e afërt?
A bisedoni me njerëzit e afërt?
«AFTËSIA jonë për të komunikuar me njerëzit e afërt ka rënë ndjeshëm»,—raporton gazeta e përjavshme polake Polityka. Në Shtetet e Bashkuara, është llogaritur se bashkëshortët bëjnë biseda domethënëse me njëri-tjetrin vetëm gjashtë minuta në ditë. Disa autoritete mendojnë se gjysma e ndarjeve dhe divorceve vijnë si rezultat i kësaj rënieje të komunikimit.
Po për bisedat prind—fëmijë, ç’mund të themi? I njëjti artikull thotë se, në shumicën e rasteve, «këto nuk janë biseda, por marrje në pyetje: ‘Si ia kalove në shkollë? Ç’thonë shokët?’» Pastaj ngrihej pyetja: «Atëherë, si do të mësojnë fëmijët tanë të krijojnë lidhje emocionale?»
Meqenëse aftësia për të komunikuar nuk vjen vetvetiu, si mund të përmirësohemi në këtë drejtim? Jakovi, një dishepull i krishterë, na dha një këshillë të rëndësishme: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur, i ngadalshëm për t’u zemëruar.» (Jakovi 1:19) Po, për të bërë një bisedë ndërtuese, duhet të dëgjojmë me vëmendje, të mos e ndërpresim me padurim atë që flet dhe të mos arrijmë menjëherë në përfundime. Shmangni kritikat, sepse mund ta ndrydhin lehtë një bisedë. Përveç kësaj, duhet të imitojmë Jezuin, i cili pyeste me takt dhe nuk bënte pyetje si në hetuesi, por kishte si qëllim të nxirrte çka kishin në zemër dëgjuesit dhe të forconte lidhjen me ta.—Fjalët e urta 20:5; Mateu 16:13-17; 17:24-27.
Duke zbatuar parimet që gjenden në Bibël, merr iniciativën për të biseduar dhe për të komunikuar me njerëzit e tu të afërt. Kjo mund të krijojë një marrëdhënie të ngrohtë, që mund të zgjatë për shumë vjet, madje për gjithë jetën.