Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni të besueshëm në çdo gjë?

A jeni të besueshëm në çdo gjë?

A jeni të besueshëm në çdo gjë?

«Ai që është i besueshëm në pak, është i besueshëm edhe në shumë.»​—LUKA 16:10.

1. Cila është një ndër mënyrat se si është i besueshëm Jehovai?

A KENI parë ndonjëherë se çfarë ndodh me hijen e një peme, ndërkohë që dielli lëviz në kupën qiellore? Hija ndryshon vazhdimisht përmasat dhe drejtimin. Shpeshherë, veprat dhe premtimet njerëzore janë po kaq të paqëndrueshme sa hija e një peme. Kurse Perëndia Jehova nuk ndryshon me kalimin e kohës. Duke iu referuar atij si «Ati i dritave qiellore», dishepulli Jakov thotë: «Tek ai nuk ka ndryshim të rrotullimit të hijes.» (Jakovi 1:17) Jehovai është i pandryshueshëm dhe besnik, deri në hollësitë më të vogla. Ai është «një Perëndi i besueshëm».​—Ligji i përtërirë 32:4, BR.

2. (a) Pse duhet ta analizojmë veten për të parë nëse jemi të besueshëm? (b) Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë për besueshmërinë?

2 Çfarë mendon Perëndia për besueshmërinë e adhuruesve të tij? Të njëjtën gjë si Davidi, i cili tha për ta: «Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.» (Psalmi 101:6) Po, Jehovai kënaqet me besueshmërinë e shërbëtorëve të tij. Apostulli Pavël kishte arsye të forta kur shkroi: «Ajo që kërkohet nga kujdestarët, është që secili të gjendet i besueshëm.» (1 Korintasve 4:2) Çfarë përfshin të jemi të besueshëm? Në cilat fusha të jetës duhet të sillemi me besueshmëri? Çfarë bekimesh vijnë kur ‘ecim me ndershmëri’?

Çfarë do të thotë të jesh i besueshëm?

3. Nga se përcaktohet nëse jemi të besueshëm?

3 Te Hebrenjve 3:5 thuhet: «Moisiu si shërbëtor ishte i besueshëm.» Si e tregoi besueshmërinë profeti Moisi? Gjatë ndërtimit dhe ngritjes së tabernakullit, «Moisiu . . . bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar». (Eksodi [Dalja] 40:16) Si adhurues të Jehovait, ne tregojmë besueshmëri duke i shërbyer atij të bindur. Kjo patjetër përfshin t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, kur hasim sprova ose vështirësi të mëdha. Megjithatë, përballimi me sukses i sprovave të mëdha, nuk është i vetmi faktor që përcakton nëse jemi të besueshëm. Jezui tha: «Ai që është i besueshëm në pak, është i besueshëm edhe në shumë dhe ai që është i padrejtë në pak, është i padrejtë edhe në shumë.» (Luka 16:10) Duhet të jemi të besueshëm edhe në gjërat që mund të duken të vogla.

4, 5. Çfarë zbulon besueshmëria jonë «në pak»?

4 Bindja jonë çdo ditë edhe «në pak», domethënë në gjëra të vogla, është e rëndësishme për dy arsye. Së pari, tregon se çfarë mendojmë për sovranitetin e Jehovait. Të analizojmë provën e besnikërisë që iu vu përpara çiftit të parë njerëzor, Adamit dhe Evës, një kërkesë që nuk u krijonte asnjë vështirësi. Ata mund të hanin çdo lloj ushqimi që gjendej në kopshtin e Edenit, vetëm nga fryti i një peme të vetme, i ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’, nuk duhej të hanin. (Zanafilla 2:16, 17) Duke iu bindur atij urdhri të thjeshtë me besueshmëri, çifti i parë njerëzor do të kishte treguar se pranonte sundimin e Jehovait. Kur ndjekim udhëzimet e Jehovait në jetën tonë të përditshme, tregojmë se jemi në anën e sovranitetit të Jehovait.

5 Së dyti, sjellja jonë në gjëra të vogla, pra «në pak», ndikon në mënyrën se si do të reagojmë «në shumë», pra kur të hasim sprova më të mëdha në jetë. Në lidhje me këtë, shqyrtoni çfarë i ndodhi Danielit dhe tre shokëve të tij besnikë hebrenj, Hananiahut, Mishaelit dhe Azariahut. Këta i çuan në mërgim në Babiloni në vitin 617 p.e.s. Ende të rinj, ndoshta në moshën e adoleshencës, ata u gjendën në oborrin mbretëror të mbretit Nabukodonosor. Mbreti «u caktoi atyre një racion të përditshëm ushqimesh të shijshme nga ato të mbretit dhe verë nga ajo që ai vetë pinte; ata duhet të edukoheshin në tre vjet, në mbarim të të cilëve do të kalonin në shërbim të mbretit».​—Danieli 1:3-5.

6. Çfarë sprove hasën në oborrin mbretëror babilonas Danieli dhe tre shokët e tij hebrenj?

6 Mirëpo, për katër të rinjtë hebrenj, ushqimet e mbretit babilonas përbënin një problem. Në këto ushqime të shijshme të mbretit me siguri që përfshiheshin edhe ushqime të ndaluara në Ligjin e Moisiut. (Ligji i përtërirë 14:3-20) Kafshëve të therura mund të mos u ishte hequr gjaku dhe, po të hanin nga ky mish, ata do të shkelnin Ligjin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 12:23-25) Gjithashtu, ushqimi mund t’u ishte ofruar idhujve, siç e kishin zakon adhuruesit babilonas para se të hanin.

7. Çfarë tregoi bindja e Danielit dhe e tre shokëve të tij?

7 Me siguri, për oborrtarët e mbretit babilonas s’kishte ndonjë rëndësi të madhe se çfarë ushqimesh hanin. Kurse, Danieli dhe shokët e tij kishin vendosur në zemrën e tyre që të mos ndoteshin duke ngrënë ushqime që ndaloheshin në Ligjin e Perëndisë për Izraelin. Kjo çështje cenonte besnikërinë dhe besueshmërinë e tyre ndaj Perëndisë. Prandaj kërkuan t’u jepeshin vetëm perime dhe ujë, kërkesë që iu plotësua. (Danieli 1:9-14) Për disa njerëz sot, ajo që bënë këta katër të rinj mund të duket e parëndësishme. Por, bindja e tyre ndaj Perëndisë tregoi se në cilën anë qëndronin në çështjen e sovranitetit të Jehovait.

8. (a) Çfarë sprove vendimtare besnikërie hasën tre hebrenjtë? (b) Si përfundoi kjo sprovë dhe çfarë ilustron një gjë e tillë?

8 Besueshmëria në ato gjëra që mund të jenë dukur të parëndësishme, i përgatiti tre shokët e Danielit për të përballuar një sprovë edhe më të madhe. Hapeni Biblën në kapitullin e tretë të Danielit dhe lexoni se si tre hebrenjtë u gjendën përballë dënimit me vdekje, ngaqë nuk donin të adhuronin shëmbëlltyrën prej ari që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor. Kur i sollën para mbretit, ata e shprehën pa u lëkundur vendimin që kishin marrë: «Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur.» (Danieli 3:17, 18) A i çliroi Jehovai? Rojat që i hodhën të rinjtë në furrën e zjarrtë u dogjën nga flakët, kurse tre hebrenjtë besimplotë dolën gjallë prej andej, madje as ishin djegur fare nga nxehtësia e furrës! Ngaqë ishin treguar vazhdimisht të besueshëm, kjo i kishte përgatitur për të qenë të besueshëm edhe në këtë sprovë vendimtare. A nuk e ilustron më së miri kjo rëndësinë për të qenë të besueshëm në gjëra të vogla?

Të besueshëm me «pasuritë e padrejta»

9. Cili është konteksti i fjalëve të Jezuit që gjejmë te Luka 16:10?

9 Para se të thoshte parimin se ai që është i besueshëm në gjëra që duken të vogla, është i besueshëm edhe në çështje të rëndësishme, Jezui i këshilloi dëgjuesit e tij: «Bëni miq për vete me anë të pasurisë së padrejtë, me qëllim që kur kjo të mbarojë, ata t’ju pranojnë në vendbanimet e përhershme.» Pastaj vazhdoi me pohimin për të qenë të besueshëm në pak. Më tej, tha: «Pra, nëse nuk jeni treguar të besueshëm për pasurinë e padrejtë, kush do t’ju besojë atë që është e vërtetë? . . . Asnjë shërbyes shtëpie nuk mund t’u shërbejë si skllav dy zotërinjve; sepse, ose do të urrejë njërin dhe do të dojë tjetrin, ose do t’i ngjitet njërit dhe do të përbuzë tjetrin. Ju nuk mund t’i shërbeni si skllevër Perëndisë dhe Pasurisë.»​—Luka 16:9-13.

10. Si mund të tregohemi të besueshëm në përdorimin e ‘pasurive të padrejta’?

10 Sipas kontekstit, zbatimi fillestar i fjalëve të Jezuit që gjejmë te Luka 16:10 ka të bëjë me përdorimin e ‘pasurive të padrejta’, domethënë të burimeve ose zotërimeve materiale që kemi. Quhen të padrejta sepse pasuria materiale, e sidomos paratë, është nën kontrollin e njerëzve mëkatarë. Për më tepër, dëshira për t’u pasuruar mund të çojë në veprime të padrejta. Besueshmërinë tonë e tregojmë duke qenë të mençur në mënyrën si i përdorim zotërimet materiale. Në vend që t’i përdorim për qëllime egoiste, duam t’i përdorim për të çuar përpara interesat e Mbretërisë dhe për të ndihmuar nevojtarët. Duke u treguar të besueshëm në këtë mënyrë, bëjmë miq Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin, ata që zotërojnë «vendbanimet e përhershme». Ata do të na pranojnë në këto vende, duke na dhënë jetën e përhershme, ose në qiell, ose në parajsën në tokë.

11. Pse nuk duhet të ngurrojmë që t’u shpjegojmë të zotërve të shtëpive se pranojmë kontribute për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait?

11 Mendoni edhe për mundësinë që u japim njerëzve kur u shpallim mesazhin e Mbretërisë dhe u lëmë Bibla ose literaturë biblike, duke u shpjeguar se pranojmë kontribute për veprën mbarëbotërore që kryen populli i Jehovait. A nuk po u ofrojmë një mundësi që t’i përdorin me mençuri burimet e tyre materiale? Por, edhe pse zbatimi fillestar i Lukës 16:10 ka të bëjë me përdorimin e pasurive materiale, parimi i shprehur aty zbatohet edhe në fusha të tjera të jetës.

Ndershmëria është e rëndësishme

12, 13. Në cilat fusha mund të tregojmë ndershmëri?

12 Apostulli Pavël shkroi: «Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, duke qenë se duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Te «çdo gjë» futet patjetër gjithçka që përfshin mënyrën si i përdorim paratë. Ne i paguajmë me përpikëri dhe me ndershmëri borxhet dhe taksat. Përse? Për shkak të ndërgjegjes sonë dhe kryesisht nga dashuria për Perëndinë, si edhe ngaqë u bindemi urdhërimeve të tij. (Romakëve 13:5, 6) Si veprojmë kur gjejmë ndonjë gjë që nuk është e jona? Përpiqemi t’ia kthejmë pronarit të vet. Sa dëshmi e mirë jepet kur shpjegojmë se çfarë na shtyu t’ia kthejmë të zotit atë send të humbur!

13 Të jemi të besueshëm dhe të ndershëm në çdo gjë, kërkon ndershmëri në vendin e punës. Ndershmëria jonë në shprehitë e punës i bën të tjerët të mendojnë për Perëndinë që përfaqësojmë. Ne nuk ‘vjedhim’ kohën, duke qenë dembelë. Përkundrazi, punojmë pa u lodhur, si për Jehovain. (Efesianëve 4:28; Kolosianëve 3:23) Është llogaritur se në një vend evropian, nga gjithë punëtorët që marrin raport nga mjeku për sëmundje, një e treta në fakt mashtrojnë. Shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë nuk sajojnë justifikime për të mos shkuar në punë. Nganjëherë, Dëshmitarëve të Jehovait u ofrohet ngritje në përgjegjësi, sepse punëdhënësit e vënë re ndershmërinë dhe punën e tyre të palodhur.​—Fjalët e urta (Proverbat) 10:4.

Të besueshëm në shërbimin tonë të krishterë

14, 15. Cilat janë disa mënyra se si tregohemi të besueshëm në shërbimin e krishterë?

14 Si tregohemi të besueshëm në shërbimin që na është besuar? Bibla thotë: «Le t’i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që deklarojnë publikisht emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15) Mënyra kryesore për të treguar besueshmëri në shërbim është të marrim pjesë rregullisht në të. E pse të lëmë të na kalojë një muaj pa dhënë dëshmi për Jehovain e për qëllimin e tij?! Kur dalim rregullisht në predikim, kjo na ndihmon edhe të përmirësojmë aftësitë dhe efektshmërinë tonë.

15 Një mënyrë tjetër e mirë për të treguar besueshmëri në shërbim, është të zbatojmë sugjerimet që gjenden në Kullën e Rojës dhe te Shërbimi ynë i Mbretërisë. A nuk është e vërtetë se shërbimi bëhet më i frytshëm kur përgatitim dhe përdorim prezantimet e sugjeruara ose prezantime të tjera praktike? Kur takojmë dikë që tregon interes për mesazhin e Mbretërisë, a e ndjekim interesin pa humbur kohë? Ç’të themi për studimet biblike që mund të fillojmë me njerëzit e interesuar? A jemi të besueshëm, duke i drejtuar rregullisht këto studime? Nëse jemi të besueshëm në shërbim, kjo mund të nënkuptojë jetë për ne dhe për ata që na dëgjojnë.​—1 Timoteut 4:15, 16.

Të qëndrojmë të ndarë nga bota

16, 17. Si e tregojmë se jemi të ndarë nga bota?

16 Në një lutje që i bëri Perëndisë, Jezui tha për ithtarët e tij: «U kam dhënë atyre fjalën tënde, por bota i ka urryer, sepse nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës. Të kërkoj, jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14-16) Ne mund të jemi të patundur e të vendosur që të qëndrojmë të ndarë nga bota për sa u përket çështjeve të mëdha, si asnjanësia, festat dhe zakonet fetare, si dhe imoraliteti. Por, ç’të themi për gjërat më të vogla? Mos ndoshta, edhe pa e kuptuar vetë, jemi të ndikuar nga mënyrat si vepron bota? Për shembull, sa lehtë mund të bëhet e papërshtatshme dhe e pahijshme veshja jonë, po të mos bëjmë kujdes! Të jemi të besueshëm kërkon «modesti dhe mendje të shëndoshë» në mënyrën si vishemi dhe rregullohemi. (1 Timoteut 2:9, 10) Po, «në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë, që në shërbimin tonë të mos gjendet e metë; por në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si administrues të Fjalës së Perëndisë».​—2 Korintasve 6:3, 4.

17 Ngaqë dëshirojmë ta nderojmë Jehovain, vishemi në mënyrë dinjitoze kur jemi në mbledhjet e kongregacionit. Po njësoj është edhe për grumbullimet e mëdha në asamble e në kongrese. Veshja jonë duhet të jetë praktike dhe e paraqitshme. Kjo shërben si dëshmi për ata që na shohin. Edhe engjëjt e shohin me interes aktivitetin tonë, siç vepruan me aktivitetin e Pavlit dhe të shokëve të tij të krishterë. (1 Korintasve 4:9) Në fakt, duhet të jemi gjithnjë të veshur në mënyrë të përshtatshme. Disave mund t’u duket gjë e vogël besueshmëria në çështjen e veshjes, por në sytë e Perëndisë është e rëndësishme.

Bekimet që sjell besueshmëria

18, 19. Çfarë bekimesh vijnë nga besueshmëria?

18 Për të krishterët e vërtetë thuhet se janë «kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme». Si të tillë, ata ‘varen nga forca që jep Perëndia’. (1 Pjetrit 4:10, 11) Për më tepër, si kujdestarë, na është besuar diçka që nuk na përket personalisht, domethënë shprehjet e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, ku përfshihet edhe shërbimi. Që të jemi kujdestarë të shkëlqyer, varemi nga forca që jep Perëndia, nga «fuqia përtej asaj që është normale». (2 Korintasve 4:7) Kjo është një stërvitje vërtet e mirë për të përballuar çdo lloj sprove që mund të sjellë e ardhmja.

19 Psalmisti këndoi: «Duajeni Jehovain, të gjithë ju besnikët e tij! Jehovai i mbron ata që janë të besueshëm.» (Psalmi 31:23, BR) Le të jemi të vendosur që të tregohemi të besueshëm, duke qenë plotësisht të sigurt se Jehovai është «Shpëtimtar i njerëzve të çdo lloji, sidomos i atyre që janë të besueshëm».​—1 Timoteut 4:10.

A ju kujtohet?

• Pse duhet të jemi «të besueshëm në pak»?

• Si mund të tregohemi të besueshëm

lidhur me ndershmërinë?

në shërbim?

duke qëndruar të ndarë nga bota?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 26]

Të besueshëm në pak, të besueshëm edhe në shumë

[Figura në faqen 29]

‘Sillu me ndershmëri në çdo gjë’

[Figura në faqen 29]

Një mënyrë e mirë për të treguar besueshmëri është të përgatitemi mirë para se të dalim në shërbim

[Figura në faqen 30]

Ji modest në mënyrën si vishesh e rregullohesh