Pika kryesore nga libri i dytë i Mbretërve
Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i dytë i Mbretërve
LIBRI i dytë i Mbretërve e vazhdon historinë aty ku e ka lënë libri i parë i Mbretërve. Flet për 29 mbretër—12 nga mbretëria veriore e Izraelit dhe 17 nga mbretëria jugore e Judës. Gjithashtu, libri i dytë i Mbretërve tregon për veprimtarinë e profetëve Elija, Elise dhe Isaia. Ndonëse s’është tamam sipas rendit kronologjik, tregimi arrin deri në kohën e shkatërrimit të Samarisë dhe të Jerusalemit. Në tërësi, libri i dytë i Mbretërve përshkruan një periudhë 340-vjeçare: nga viti 920 p.e.s. deri në vitin 580 p.e.s., kur profeti Jeremia përfundoi shkrimin e këtij libri.
Ç’vlerë ka për ne libri i dytë i Mbretërve? Çfarë na mëson për Jehovain dhe për mënyrën si vepron ai? Ç’mësime mund të nxjerrim nga veprimet e mbretërve, profetëve dhe të tjerëve që përmenden në libër? Le të shohim se çfarë mund të mësojmë nga libri i dytë i Mbretërve.
ELISEU ZËVENDËSON ELIJAN
Ahaziahu, mbreti i Izraelit, bie nga tarraca e shtëpisë dhe vritet keq. Ai merr nga profeti Elija lajmin se do të vdesë. Ahaziahu vdes dhe në fron hipën i vëllai, Jehorami. Ndërkohë, në Judë është mbret Jehozafati. Elija ngrihet në qiell me anë të një stuhie, dhe vendin e tij si profet e zë Eliseu, ndihmësi i tij. Gjatë 60 viteve që shërben si profet, ai kryen shumë mrekulli.—Shih kutinë «Mrekullitë që kreu Eliseu».
Kur një mbret moabit rebelohet kundër Izraelit, Jehorami, Jehozafati dhe mbreti i Edomit dalin kundër tij në betejë dhe arrijnë fitoren ngaqë Jehozafati është një njeri besnik. Më vonë, mbreti i Sirisë bën një plan për të sulmuar papritur Izraelin. Megjithatë, Eliseu ia prish këtë plan. Mbreti sirian është shumë i zemëruar dhe dërgon «kuaj, qerre dhe një ushtri të madhe» për të kapur Eliseun. (2 Mbretërve 6:14) Eliseu kryen dy mrekulli dhe i largon në paqe sirianët. Pas njëfarë kohe, Ben-Hadadi, mbreti i Sirisë, rrethon Samarinë. Kjo sjell si pasojë një zi buke të madhe, por Eliseu parathotë që zia e bukës do të mbarojë.
Ca kohë më vonë, Eliseu shkon në Damask. Mbreti Ben-Hadad, që tani është i sëmurë, dërgon Hazaelin për ta pyetur nëse do të shërohet nga kjo sëmundje. Eliseu profetizon se mbreti do të vdesë dhe në vend të tij do të mbretërojë Hazaeli. Ditën tjetër, Hazaeli e mbyt mbretin me «një batanije» të lagur dhe shtie në dorë mbretërinë. (2 Mbretërve 8:15) Në Judë bëhet mbret Jehorami, i biri i Jehozafatit, dhe pas tij vjen i biri, Ahaziahu.—Shih kutinë «Mbretërit e Judës dhe të Izraelit».
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:9—Pse Eliseu kërkoi ‘një pjesë të dyfishtë të frymës së Elijas’? Që të përmbushte caktimin si profet në Izrael, Eliseut do t’i duhej të kishte të njëjtën frymë që kishte treguar Elija, domethënë, një frymë guximi dhe trimërie. Meqë e kuptonte këtë, Eliseu kërkoi një pjesë të dyfishtë të frymës së Elijas. Vetë Elija e kishte caktuar si pasardhësin e vet Eliseun, dhe ky i kishte shërbyer si ndihmës për gjashtë vjet, prandaj e shihte Elijan si babanë e tij në kuptimin frymor. Ndërsa Eliseu ishte si një bir frymor i parëlindur për Elijan. (1 Mbretërve 19:19-21; 2 Mbretërve 2:12) Prandaj, ashtu si një fëmijë i parëlindur merrte dy pjesë nga trashëgimia e të atit, Eliseu kërkoi dhe mori nga Elija dy pjesë të trashëgimisë frymore.
2:11, BR—Çfarë ishin ‘qiejt’ në të cilët ‘u ngjit Elija, me anë të një stuhie’? Nuk ishin pjesë të largëta të universit fizik e as vendi frymor ku banon Perëndia dhe bijtë e tij engjëllorë. (Ligji i përtërirë 4:19; Psalmi 11:4; Mateu 6:9; 18:10) ‘Qielli’ në të cilin u ngjit Elija, ishte atmosfera e Tokës. (Psalmi 78:26; Mateu 6:26) Duke rendur përmes atmosferës, me sa duket, karroca e zjarrtë e transferoi Elijan në një pjesë tjetër të tokës, ku jetoi edhe për ca kohë. Në fakt, vite më vonë, Elija i shkroi një letër Jehoramit, mbretit të Judës.—2 Kronikave 21:1, 12-15.
5:15, 16—Pse nuk e pranoi Eliseu dhuratën e Naamanit? Eliseu nuk e pranoi dhuratën, sepse e dinte që mrekullinë e shërimit të Naamanit e kishte kryer me fuqinë e Jehovait, jo me fuqinë e vet. Për të do të kishte qenë e pamendueshme të përfitonte nga pozita që i kishte dhënë Perëndia. Sot, adhuruesit e vërtetë nuk synojnë përfitime personale nga shërbimi që i bëjnë Jehovait. Ata e dinë dhe e zbatojnë këshillën e Jezuit: «Falas morët, falas jepni.»—Mateu 10:8.
5:18, 19—A po kërkonte falje Naamani për faktin që duhej të merrte pjesë në një rit fetar? Me sa duket, mbreti i Sirisë ishte i moshuar dhe i dobët, prandaj duhej të mbështetej te Naamani kur ecte. Kur mbreti përkulej për të adhuruar Rimonin, edhe Naamani duhej të përkulej. Por, për Naamanin, ky ishte vetëm një veprim mekanik, sepse thjesht duhej të mbante mbretin të mos binte, jo sepse ai vetë do të adhuronte. Naamani po i kërkonte Jehovait ta falte që po kryente këtë shërbim për mbretin. Eliseu e besoi Naamanin, prandaj i tha: «Shko i qetë!»
Mësime për ne:
1:13, 14. Mund të shpëtojmë jetë njerëzish nëse mësojmë duke vëzhguar dhe nëse veprojmë me përulësi.
2:2, 4, 6. Edhe pse Eliseu kishte qenë për afro gjashtë vjet ndihmësi i Elijas, nguli këmbë që të mos e linte atë vetëm. Ç’shembull i mrekullueshëm besnikërie dhe miqësie!—Fjalët e urta 18:24.
2:23, 24. Arsyeja kryesore për talljen që i bënë Eliseut, duket se ishte fakti që një njeri tullac, kishte veshur rrobën zyrtare të Elijas. Fëmijët e kuptuan që Eliseu ishte përfaqësues i Jehovait, por nuk donin ta kishin pranë. Ata i thanë «ngjitu», domethënë, të vazhdonte të ecte lart për në Bethel ose të ngjitej në qiell si Elija. Me sa duket, fëmijët pasqyruan qëndrimin armiqësor të prindërve të tyre. Sa jetësore është që prindërit t’i mësojnë fëmijët të respektojnë përfaqësuesit e Perëndisë!
3:14, 18, 24. Fjala e Jehovait del gjithnjë e vërtetë.
3:22. Pasqyrimi në ujë i dritës së agimit krijonte imazhin sikur uji ishte gjak, ndoshta sepse dheu në kanalet e sapohapura kishte argjilë të kuqe. Jehovai mund të përdorë dukuritë natyrore për të përmbushur qëllimet e tij.
4:8-11. Duke e kuptuar se Eliseu ishte «njeri i shenjtë i Perëndisë», një grua në Shunem e mikpriti. A nuk duhet të veprojmë edhe ne njësoj me adhuruesit besnikë të Jehovait?
5:3. Vajza e vogël izraelite kishte besim se Perëndia mund të kryente mrekulli. Gjithashtu, ajo kishte guxim të fliste për besimin e saj. A përpiqeni ju të rinj, të forconi besimin tuaj në premtimet e Perëndisë dhe të merrni guxim për t’u folur rreth të vërtetës mësuesve dhe shokëve të shkollës?
5:9-19. A nuk tregon shembulli i Naamanit se një njeri krenar mund të mësojë të jetë i përulur?—1 Pjetrit 5:5.
5:20-27. Sa çmim të lartë që pagoi Gehazi, ngaqë veproi me mashtrim! Në qoftë se mendojmë që më përpara për dhembjet dhe për pasojat tragjike që mund të sjellë një jetë e dyfishtë, do ta shmangim këtë drejtim.
IZRAELI DHE JUDA ÇOHEN NË MËRGIM
Jehu miroset mbret i Izraelit. Pa humbur kohë, ai fillon fushatën për të shfarosur shtëpinë e Akabit. Me mjeshtëri, Jehu ‘bën të zhduket 2 Mbretërve 10:28) Kur merr vesh që Jehu i ka vrarë të birin, e ëma e Ahaziahut, Atalia, ‘ngrihet dhe zhduk tërë pasardhësit mbretërorë të Judës’ dhe merr me forcë fronin. (2 Mbretërve 11:1) Shpëton vetëm një djalë i vogël i Ahaziahut, Jehoasi, dhe gjashtë vjet pasi kishte qenë i fshehur, caktohet mbret në Judë. Me udhëheqjen e priftit Jehojada, Jehoasi bën atë që është e drejtë në sytë e Jehovait.
adhurimi i Baalit nga Izraeli’. (Pas Jehut, të gjithë mbretërit që sundojnë në Izrael bëjnë atë që është e keqe në sytë e Jehovait. Eliseu vdes nga një vdekje natyrore, në kohën e mbretërimit të nipit të Jehut. Mbreti i katërt i Judës, që pason Jehoasin, është Akazi, i cili ‘nuk bën atë që është e drejtë në sytë e Zotit’. (2 Mbretërve 16:1, 2) Kurse i biri, Hezekia, është një mbret që ‘mbetet i lidhur me Zotin’. (2 Mbretërve 17:20; 18:6) Në vitin 740 p.e.s., kur Hezekia është mbret në Judë dhe Hoshea mbretëron në Izrael, Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, ‘pushton Samarinë dhe i shpërngul izraelitët në Asiri’. (2 Mbretërve 17:6) Më pas, në territorin e Izraelit sjellin banorë të huaj, dhe kështu lind feja samaritane.
Nga shtatë mbretërit që mbretërojnë në Judë pas Hezekisë, vetëm Josia ndërmerr veprime për të hequr nga vendi adhurimin e rremë. Së fundi, në vitin 607 p.e.s., babilonasit e pushtojnë Jerusalemin dhe ‘Juda internohet larg vendit të tij’.—2 Mbretërve 25:21.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
13:20, 21—A e mbështet kjo mrekulli adhurimin e relikeve fetare? Jo, nuk e mbështet. Bibla nuk thotë se kockat e Eliseut u adhuruan në ndonjë rast. Ishte fuqia e Perëndisë që bëri të mundur këtë mrekulli, siç ndodhi edhe me të gjitha mrekullitë që kreu Eliseu kur ishte gjallë.
15:1-6—Pse Jehovai e goditi me lebër Azariahun (Uziahun, 15:6, shënimi, BR)? «Mbasi [Uziahu] u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare . . . dhe ai mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan në altarin e temjanit.» Kur priftërinjtë «iu kundërvunë mbretit Uziah» dhe i thanë ‘të dilte nga vendi i shenjtë’, ai u inatos kundër priftërinjve dhe si pasojë, Jehovai e goditi me lebër.—2 Kronikave 26:16-20.
18:19-21, 25, BR—A kishte bërë vërtet aleancë Hezekia me Egjiptin? Jo. Akuza e Rabshakehut ishte e rreme, siç ishte edhe pretendimi i tij se kishte ardhur me «lejen e Jehovait». Mbreti besnik Hezekia mbështetej vetëm te Jehovai.
Mësime për ne:
9:7, 26. Gjykimi i ashpër për shtëpinë e Akabit tregon se Jehovai e urren adhurimin e rremë dhe derdhjen e gjakut të pafajshëm.
9:20. Nami i Jehut, si një njeri që e ngiste karrocën si i çmendur, tregonte zellin e tij për të kryer detyrën që i ishte caktuar. A të njohin edhe ty si një lajmëtar të zellshëm të Mbretërisë?—2 Timoteut 4:2.
9:36, 37; 10:17; 13:18, 19, 25; 14:25; 19:20, 32-36; 20:16, 17; 24:13. Mund të jemi të sigurt se ‘fjala që del nga goja e Jehovait, gjithmonë realizohet plotësisht’.—Isaia 55: 10, 11.
10:15. Ashtu si Jehonadabi, që e pranoi me gjithë zemër ftesën e Jehut për të hipur në karrocë bashkë me të, ‘shumica e madhe’ e mbështet me gatishmëri Jezu Krishtin, Jehun më të Madh, dhe ithtarët e tij të mirosur.—Zbulesa 7:9.
10:30, 31. Ndonëse Jehu nuk ishte i pagabueshëm, Jehovai tregoi vlerësim për gjithçka që bëri ai. Vërtet, ‘Perëndia nuk është i padrejtë, që ta harrojë veprën tonë’.—Hebrenjve 6:10.
13:14-19. Meqë Jehoasi, nipi i Jehut, nuk u përpoq më shumë, por e goditi vetëm tri herë tokën me shigjeta, suksesi i tij në luftën me sirianët qe i kufizuar. Jehovai pret nga ne, ta bëjmë me gjithë zemër dhe me zell veprën që na ka caktuar.
20:2-6. Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’.—Psalmi 65:2, BR.
24:3, 4. Për shkak të fajit të gjakut që derdhi Manaseu, Jehovai «nuk deshi ta falë» Judën. Perëndia e çmon gjakun e të pafajshëmve. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të hakmerret për gjakun e pafajshëm, duke i shkatërruar ata që janë përgjegjës për derdhjen e tij.—Psalmi 37:9-11; 145:20.
Me vlerë për ne
Libri i dytë i Mbretërve e paraqet Jehovain si Ai që plotëson premtimet. Robëria e banorëve të dy mbretërive, në fillim të Izraelit dhe pastaj të Judës, na tregon shumë qartë se si u plotësua gjykimi profetik i dokumentuar te Ligji i përtërirë 28:15–29:28. Libri i dytë i Mbretërve e përshkruan Eliseun si një profet shumë të zellshëm për emrin e Jehovait dhe për adhurimin e vërtetë. Hezekia dhe Josia paraqiten si mbretër të përulur, që e respektonin Ligjin e Perëndisë.
Kur meditojmë për qëndrimin dhe për mënyrën se si kanë vepruar mbretërit, profetët dhe njerëz të tjerë, për të cilët flitet në librin e dytë të Mbretërve, a nuk nxjerrim mësime të vlefshme se çfarë duhet të bëjmë e çfarë duhet të shmangim? (Romakëve 15:4; 1 Korintasve 10:11) Po, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi».—Hebrenjve 4:12.
[Kutia dhe figura në faqen 10]
MREKULLITË QË KREU ELISEU
1. Ndahen ujërat e Jordanit.—2 Mbretërve 2:14
2. Uji i keq i Jerikosë kthehet në ujë të mirë.—2 Mbretërve 2:19-22
3. Disa keqbërës të rinj në moshë sulmohen nga arinjtë.—2 Mbretërve 2:23, 24
4. Ushtrive u jepet ujë.—2 Mbretërve 3:16-26
5. Një vejushe i jepet vaj për të gatuar.—2 Mbretërve 4:1-7
6. Një shunamite që s’bënte fëmijë, ngjizet dhe lind një djalë.—2 Mbretërve 4:8-17
7. Një fëmijë që kishte vdekur, ringjallet.—2 Mbretërve 4:18-37
8. Një gjellë e helmuar, bëhet e ngrënshme.—2 Mbretërve 4:38-41
9. Njëqind burra ushqehen me 20 bukë.—2 Mbretërve 4:42-44
10. Naamani shërohet nga lebra.—2 Mbretërve 5:1-14
11. Lebra e Naamanit i ngjitet Gehazit.—2 Mbretërve 5:24-27
12. Koka e një sëpate del mbi ujë.—2 Mbretërve 6:5-7
13. Një shërbëtor sheh karrocat engjëllore.—2 Mbretërve 6:15-17
14. Ushtria siriane goditet me verbëri.—2 Mbretërve 6:18
15. Ushtrisë siriane i rikthehet shikimi.—2 Mbretërve 6:19-23
16. Një njeri i vdekur kthehet prapë në jetë.—2 Mbretërve 13:20, 21
[Tabela dhe figurat në faqen 12]
MBRETËRIT E JUDËS DHE TË IZRAELIT
Sauli/Davidi/Solomoni: 1117/1077/1037 p.e.s. *
MBRETËRIA E JUDËS DATA (P.E.S.) MBRETËRIA E IZRAELIT
Rehoboami ․․․․ 997 ․․․․ Jeroboami
Abijahu/Asa ․․․․ 980/978 ․․․․
․․ 976/975/952 ․․ Nadabi/Baasha/Elahu
․․ 951/951/951 ․․ Zimri/Omri/Tibni
․․․․․․ 940 ․․․․․․ Akabi
Jehozafati ․․․․․․ 937 ․․․․․․
․․․․ 920/917 ․․․․ Ahaziahu/Jehorami
Jehorami ․․․․․․ 913 ․․․․․․
Ahaziahu ․․․․․․ 906 ․․․․․․
(Atalia) ․․․․․․ 905 ․․․․․․ Jehu
Jehoasi ․․․․․․ 898 ․․․․․․
․․․․ 876/859 ․․․․ Jehoahazi/Jehoasi
Amaziahu ․․․․․․ 858 ․․․․․․
․․․․․․ 844 ․․․․․․ Jeroboami II
Azariahu (Uziahu) ․․․․․․ 829 ․․․․․․
․․ 803/791/791 ․․
Zakaria/Shalumi/Menahemi
․․․․ 780/778 ․․․․ Pekahiahu/Pekahu
Jotami/Akazi ․․․․ 777/762 ․․․․
․․․․․․ 758 ․․․․․․ Hoshea
Hezekia ․․․․․․ 746 ․․․․․․
․․․․․․ 740 ․․․․․․ pushtohet Samaria
Manaseu/Amoni/Josia ․․ 716/661/659 ․․
Jehoahazi/Jehojakimi ․․․․ 628/628 ․․․․
Jehojakini/Zedekia ․․․․ 618/617 ․․․․
shkatërrohet Jerusalemi ․․․․․․ 607 ․․․․․․
[Shënimi]
^ par. 66 Disa data shënojnë me përafërsi vitin kur ka filluar mbretërimi.
[Figura në faqet 8, 9]
Naamani u përul dhe u shërua, me fuqinë e Jehovait
[Figura në faqet 8, 9]
Çfarë ndodhi me Elijan kur ‘u ngjit në qiej me anë të një stuhie’?