Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është Jezu Krishti?

Kush është Jezu Krishti?

Kush është Jezu Krishti?

IMAGJINONI se sa i emocionuar duhet të ketë qenë judeu me emrin Andrea kur dëgjoi për herë të parë fjalët e Jezuit nga Nazareti! Bibla thotë se Andrea vrapoi për tek i vëllai dhe i tha: «Kemi gjetur Mesinë [ose Krishtin].» (Gjoni 1:41) Në gjuhën hebraike dhe greke, fjalët që zakonisht përkthehen «Mesia» dhe «Krishti» kanë kuptimin «i Mirosuri». Jezui ishte i Mirosuri ose i Zgjedhuri i Perëndisë, Udhëheqësi i premtuar. (Isaia 55:4) Shkrimet përmbanin shumë profeci në lidhje me të, dhe në atë kohë judenjtë po e prisnin.​—Luka 3:15.

Si e dimë se Jezui ishte vërtet i Zgjedhuri i Perëndisë? Ja çfarë ndodhi në vitin 29 të e.s., kur Jezui ishte 30 vjeç. Ai shkoi te Gjon Pagëzori për t’u pagëzuar në ujërat e lumit Jordan. Bibla tregon: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe Gjoni pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin porsi një pëllumb. U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.’» (Mateu 3:16, 17) Pasi dëgjoi këto fjalë miratimi, Gjoni nuk kishte asnjë arsye pse të dyshonte që Jezui ishte i Zgjedhuri i Perëndisë. Duke derdhur frymën e shenjtë mbi Jezuin, Perëndia Jehova e mirosi ose e caktoi si Mbretin e Mbretërisë së Tij të ardhshme. Pra, Jezui u bë Krishti, domethënë i Mirosuri. Por, në çfarë kuptimi ishte Jezui Biri i Perëndisë? Nga kishte ardhur?

Prejardhja e tij ishte «nga kohët e hershme»

Jeta e Jezuit mund të ndahet në tri faza. Faza e parë filloi shumë kohë para se të lindte si njeri. Siç thuhet te Mikea 5:2, BR, prejardhja e tij ishte që «nga kohët e hershme, që nga ditët e kohëve të pacaktuara». Vetë Jezui tha: «Unë jam nga atje lart», që do të thotë nga qielli. (Gjoni 8:23) Ai kishte jetuar në qiell si një krijesë frymore e fuqishme.

Meqë të gjitha krijesat kanë pasur një fillim, ka qenë një kohë kur Perëndia ishte vetëm fare. Por, mijëra e mijëra epoka më parë, Perëndia filloi të krijonte. Cili ishte krijimi i tij i parë? Në librin e fundit të Biblës, Jezui identifikohet si «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Zbulesa 3:14) Jezui është «i parëlinduri i gjithë krijimit». Kjo «sepse, me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë, gjërat e dukshme dhe të padukshme». (Kolosianëve 1:15, 16) Po, Jezu ishte i vetmi që Perëndia krijoi drejtpërdrejt. Prandaj, ai quhet ‘Biri i vetëmlindur’ i Perëndisë. (Gjoni 3:16) Biri i parëlindur quhet edhe «Fjala». (Gjoni 1:14) Përse? Sepse para se të vinte në tokë si njeri, ai kishte shërbyer në qiell si zëdhënës i Perëndisë.

«Fjala» ishte me Perëndinë Jehova «në fillim» kur u krijuan ‘qiejt dhe toka’. Atij i tha Perëndia: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.» (Gjoni 1:1; Zanafilla 1:1, 26, BR) Biri i parëlindur i Jehovait ishte aty në krah të Atit të tij, duke punuar me zell. Te Proverbat 8:22-31, BR, ai paraqitet me këto fjalë: «Unë isha përkrah [Krijuesit] si një kryemjeshtër dhe ai më kishte veçanërisht për zemër ditë për ditë. Gëzohesha para tij gjithë kohës.»

Sa ngushtë u lidhën Perëndia Jehova dhe Biri i tij i vetëmlindur ndërsa punonin krah për krah njëri-tjetrit! Kjo shoqëri kaq e ngushtë me Jehovain për shekuj e shekuj me radhë ndikoi thellë te Biri i tij. Ky Bir i bindur u bë pikërisht si Ati i tij, Jehovai. Në fakt, te Kolosianëve 1:15, Jezui quhet «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm». Kjo është një arsye pse njohuria për Jezuin është mjaft e rëndësishme për plotësimin e nevojës sonë frymore dhe të dëshirës së natyrshme për të njohur Perëndinë. Gjithçka që bëri Jezui kur ishte këtu në tokë, ishte pikërisht ajo që priste Jehovai prej tij. Pra, nëse njohim Jezuin, do të thotë se kemi njohur më shumë Jehovain. (Gjoni 8:28; 14:8-10) Por, si erdhi në tokë Jezui?

Jeta e tij si njeri

Faza e dytë e jetës së Jezuit filloi kur Perëndia e dërgoi Birin e tij në tokë. Jehovai e bëri këtë me anë të një mrekullie, duke e transferuar jetën e Jezuit nga qielli në barkun e një virgjëreshe besnike judeje që quhej Maria. Jezui nuk trashëgoi papërsosmërinë, sepse nuk pati baba njerëzor. Fryma e shenjtë e Jehovait, ose forca e tij vepruese, erdhi te Maria dhe fuqia e saj ‘e mbuloi’ atë, duke bërë që me anë të një mrekullie të mbetej shtatzënë. (Luka 1:34, 35) Kështu, Maria lindi një fëmijë të përsosur. I birësuar nga marangozi me emrin Jozef, ai u rrit në një familje të thjeshtë dhe, pas tij, Jozefi me Marinë patën disa fëmijë të tjerë.​—Isaia 7:14; Mateu 1:22, 23; Marku 6:3.

Nuk dihet shumë rreth fëmijërisë së Jezuit, por vlen të përmendet një rast. Kur Jezui ishte 12 vjeç, prindërit e morën me vete kur shkuan në Jerusalem për Pashkën e përvitshme. Ndërsa ishte atje, ai kaloi mjaft kohë në tempull i «ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste». Dhe «të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij». Po, Jezui i vogël jo vetëm që bënte pyetje me karakter fetar që të futnin në mendime, por edhe jepte përgjigje të mençura që i mahnitnin të tjerët. (Luka 2:41-50) Ndërsa rritej në qytetin e Nazaretit, mësoi zanatin e marangozit, pa dyshim nga babai i tij birësues, Jozefi.​—Mateu 13:55.

Jezui jetoi në Nazaret deri në moshën 30-vjeçare. Pastaj shkoi te Gjoni për t’u pagëzuar. Menjëherë pas pagëzimit, Jezui filloi shërbimin e tij të zellshëm. Për tre vjet e gjysmë, i ra kryq e tërthor vendlindjes së tij, duke shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Dha prova se ishte dërguar nga Perëndia. Si? Duke kryer shumë mrekulli, vepra të fuqishme që ishin përtej fuqisë njerëzore.​—Mateu 4:17; Luka 19:37, 38.

Jezui ishte edhe shumë i butë e i ndjeshëm. Butësia e tij dukej sidomos në mënyrën se si i konsideronte dhe i trajtonte të tjerët. Ngaqë ishte i afrueshëm dhe mirëdashës, njerëzit tërhiqeshin drejt tij. Madje edhe fëmijët ndiheshin mirë pranë tij. (Marku 10:13-16) Jezui i trajtonte gratë me respekt, edhe pse, në ato ditë, disa i përbuznin. (Gjoni 4:9, 27) Ndihmonte të varfrit dhe të shtypurit që ‘të gjenin freskim për shpirtin’. (Mateu 11:28-30) Mësimet e tij ishin të qarta, të thjeshta dhe praktike. Dhe ajo që u mësonte njerëzve, tregonte dëshirën e tij të sinqertë që ata të njihnin Perëndinë e vërtetë, Jehovain.​—Gjoni 17:6-8.

Duke përdorur frymën e shenjtë të Perëndisë për të kryer mrekulli, Jezui me dhembshuri shëroi të sëmurët dhe të vuajturit. (Mateu 15:30, 31) Për shembull, një i lebrosur iu afrua dhe i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» Çfarë bëri Jezui? Shtriu dorën, e preku dhe i tha: «Dua. Pastrohu.» Dhe i sëmuri u shërua.​—Mateu 8:2-4.

Mendoni pak për rastin kur turma që ishte me Jezuin qëndroi me të për tri ditë dhe s’kishin ç’të hanin. Atij i erdhi keq për ta dhe, me anë të një mrekullie, ushqeu «katër mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve». (Mateu 15:32-38) Një herë tjetër, Jezui pushoi një stuhi që vinte në rrezik jetën e shokëve të tij. (Marku 4:37-39) Ringjalli, ose ktheu në jetë, disa që kishin vdekur. * (Luka 7:22; Gjoni 11:43, 44) Me vullnet të plotë dha jetën e tij të përsosur, në mënyrë që njerëzimi i papërsosur të kishte shpresë për të ardhmen. Sa shumë i donte Jezui njerëzit!

Ku është Jezui sot?

Jezui vdiq në një shtyllë torture kur ishte 33 vjeç e gjysmë. * Por ky nuk ishte fundi i ekzistencës së tij. Faza e tretë e jetës së tij filloi rreth tri ditë më vonë, kur Perëndia Jehova e ringjalli Birin e tij si një krijesë frymore. Pas ringjalljes, Jezui iu shfaq qindra vetave që jetuan në shekullin e parë të erës sonë. (1 Korintasve 15:3-8) Pastaj, «u ul në të djathtën e Perëndisë» në pritje për të marrë pushtetin si mbret. (Hebrenjve 10:12, 13) Dhe kur erdhi momenti, Jezui filloi të sundonte si Mbret. Atëherë, si duhet ta imagjinojmë Jezuin sot? A duhet ta mendojmë si dikush që po vuan në agoninë e vdekjes? Apo duhet ta konsiderojmë si dikush që duhet adhuruar? Jezui sot nuk është as njeri e as Perëndia i Plotfuqishëm. Përkundrazi, ai është një krijesë frymore e fuqishme, një Mbret që sundon. Shumë shpejt, ai do ta ushtrojë sundimin e tij mbi këtë tokë të mbushur me probleme.

Duke përdorur një gjuhë të figurshme, Zbulesa 19:11-16 e përshkruan Jezu Krishtin si mbret mbi një kalë të bardhë që vjen për të gjykuar e për të luftuar me drejtësi. Ai ka ‘një shpatë të gjatë dhe të mprehtë, që me të të godasë kombet’. Po, Jezui do të përdorë fuqinë e tij të madhe për të shkatërruar të ligjtë. Por, çfarë do të ndodhë me ata që përpiqen të ndjekin modelin që ai la kur ishte këtu në tokë? (1 Pjetrit 2:21) Ai dhe Ati i tij do t’i mbrojnë gjatë ‘luftës së ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, që shpesh quhet Harmagedon, në mënyrë që të jetojnë përgjithmonë si nënshtetas tokësorë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë.​—Zbulesa 7:9, 14; 16:14, 16; 21:3, 4.

Sa shumë mrekulli do të kryejë Jezui për njerëzimin gjatë sundimit të tij paqësor! (Isaia 9:6, 7; 11:1-10) Do të shërojë të sëmurët dhe do t’i japë fund vdekjes. Perëndia do ta përdorë Jezuin që të ringjallë miliarda të vdekur, duke u dhënë kështu mundësinë të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Gjoni 5:28, 29) Ne as mund ta imagjinojmë se sa e mrekullueshme do të jetë jeta jonë nën sundimin e kësaj Mbretërie. Prandaj, është e rëndësishme që të vazhdojmë të marrim njohuri nga Bibla dhe ta njohim më mirë Jezu Krishtin.

[Shënimet]

^ par. 15 Të gjithë i dinin mrekullitë që kreu Jezui. Madje edhe armiqtë e tij e pranonin se ai ‘kryente shumë shenja’.​—Gjoni 11:47, 48.

^ par. 17 Për të kuptuar nëse Krishti vdiq në shtyllë apo në kryq, shih kapitullin «Kryqi» në librin Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 7]

A ËSHTË JEZUI PERËNDIA I PLOTFUQISHËM?

Shumë njerëz fetarë thonë se Jezui është Perëndia. Disa thonë se Perëndia është një Trinitet. Sipas kësaj doktrine, «Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi, e megjithatë nuk janë tre Perëndi, por një». Besohet se këta të tre «janë njësoj të përhershëm e të barabartë». (The Catholic Encyclopedia) A janë të sakta këto pikëpamje?

Perëndia Jehova është Krijuesi. (Zbulesa 4:11) Ai nuk ka fillim apo fund, dhe është i plotfuqishëm. (Psalmi 90:2) Ndërsa Jezui pati një fillim. (Kolosianëve 1:15, 16) Duke iu referuar Perëndisë si Ati i tij, Jezui tha: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Jezui shpjegoi gjithashtu se kishte disa gjëra që as ai e as engjëjt nuk i dinin, por vetëm Ati i tij i dinte.​—Marku 13:32.

Për më tepër, Jezui iu lut Atit të tij: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Kujt po i lutej Jezui përveçse një Personi më të lartë se vetvetja? Për më tepër, Jezui nuk u ringjall vetë nga të vdekurit, por ishte Perëndia ai që e ringjalli. (Veprat 2:32) Është e qartë se Ati dhe Biri nuk ishin të barabartë para se Jezui të zbriste në tokë dhe as gjatë jetës së tij tokësore. Po pasi Jezui u ringjall dhe shkoi në qiell? Te 1 Korintasve 11:3 thuhet: «Kreu i Krishtit është Perëndia.» Në të vërtetë, Biri do të jetë gjithmonë i nënshtruar ndaj Perëndisë. (1 Korintasve 15:28) Pra, Shkrimet tregojnë se Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm. Përkundrazi, ai është Biri i Perëndisë.

I ashtuquajturi person i tretë i Trinitetit, domethënë fryma e shenjtë, nuk është një person. Duke iu drejtuar Perëndisë në lutje, psalmisti tha: «Kur dërgon frymën tënde, ato krijohen.» (Psalmi 104:30, BR) Kjo frymë nuk është vetë Perëndia, por forca vepruese që ai dërgon ose përdor për të përmbushur atë që dëshiron. Me anë të saj, Perëndia krijoi qiellin, tokën dhe të gjitha gjallesat. (Zanafilla 1:2; Psalmi 33:6) Perëndia e përdori frymën e tij të shenjtë për të frymëzuar ata që shkruan Biblën. (2 Pjetrit 1:20, 21) Për më tepër, Triniteti nuk është një mësim që vjen nga Shkrimet. * Bibla thotë: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.»​—Ligji i përtërirë 6:4, BR.

[Shënimi]

^ par. 28 Për të mësuar më shumë, shih broshurën A duhet të besosh në Trinitet?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 5]

Kur u pagëzua, Jezui u bë i Mirosuri i Perëndisë

[Figura në faqen 7]

Gjithë energjitë e tij Jezui ia kushtoi veprës që i kishte caktuar Perëndia

[Figura në faqen 7]

Sot, Jezui është një Mbret i fuqishëm