Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një ngjarje e shënuar!

Një ngjarje e shënuar!

Një ngjarje e shënuar!

Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta në shqip

NË DATËN 5 gusht 2005 ndodhi një ngjarje e shënuar: dolën në shqip Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re.

Përkthimi Bota e Re ka zënë tani vendin e tij përkrah Biblave të tjera që janë përdorur prej kohësh në Shqipëri nga njerëzit me frikë Perëndie. Gjithsesi, përse ishte i nevojshëm një tjetër përkthim i Biblës? Kush qëndron pas këtij përkthimi? Si mund të jeni të sigurt se Përkthimi Bota e Re është i besueshëm?

Përse kaq shumë përkthime të Biblës?

Vitet e fundit janë botuar shumë versione të reja të Biblës. Disa nga këto versione kanë bërë që Fjala e Perëndisë të jetë në dispozicion për herë të parë në disa gjuhë. Megjithatë, përkthime të reja po dalin edhe në ato gjuhë që kanë pasur tashmë versione të mirënjohura. Cila është arsyeja? Në librin e tyre Pse kaq shumë versione? (anglisht), Sakae Kubo dhe Valter Spekt shpjegojnë: «Asnjë përkthim i Biblës nuk mund të quhet asnjëherë përfundimtar. Përkthimet duhet të ecin me të njëjtin hap me rritjen e njohurisë biblike dhe me ndryshimet gjuhësore.»

Gjatë këtij shekulli është rritur ndjeshëm njohuria për hebraishten, aramaishten dhe greqishten, gjuhë në të cilat u shkrua fillimisht Bibla. Po ashtu janë zbuluar dorëshkrime biblike më të vjetra e më të sakta se ato që kanë qenë në përdorim nga brezat e mëparshëm të përkthyesve të Biblës. Kështu, sot Fjala e Perëndisë mund të përkthehet shumë më saktë se kurrë më parë.

Duke iu referuar përpjekjeve të bëra për qëllime fitimi, revista The Atlantic Monthly thotë: «Botimi i Biblave është një biznes i madh—çuditërisht i madh.» Disa herë dëshira për të prodhuar një libër që shitet, e zbeh merakun për të bërë diçka të saktë. Një version i ri i Biblës merr guximin të fshijë disa pjesë që për botuesit ishin tepër «të mërzitshme». Një Bibël tjetër i ndryshon fjalët apo shprehjet që mund të fyejnë lexuesit e sotëm. Për shembull, ky version përpiqet të fitojë pëlqimin e feministeve, duke e quajtur Perëndinë «Atë-Nënë».

Fshehja e emrit të Perëndisë

Ndoshta prirja më shqetësuese, ka të bëjë me emrin personal të Perëndisë: Jehova. (Disa dijetarë thonë «Jahveh».) Në kopjet e lashta të Biblës, emri i Perëndisë paraqitet me katër bashkëtingëllore hebraike, të cilat mund të transliterohen YHWH ose JHVH. Ky emër dallues shfaqet rreth 7.000 herë vetëm në atë që quhet Besëlidhja e Vjetër. (Dalja 3:15; Psalmi 83:18) Është e qartë pra, se Krijuesi ynë kishte për qëllim që adhuruesit e tij ta njihnin dhe ta përdornin atë emër!

Gjithsesi, shekuj më parë, për shkak të frikës nga besëtytnitë, judenjtë filluan të mos e përmendnin më emrin e Perëndisë. Më vonë, këto pikëpamje besëtyte prekën edhe krishterizmin. (Krahaso Veprat 20:29, 30; 1 Timoteut 4:1.) Për përkthyesit e Biblës u kthye në një praktikë të zakonshme të zëvendësonin emrin e Perëndisë me titullin «Zoti». Sot shumica e Biblave e heqin fare emrin e Perëndisë. Madje disa versione moderne në shqip heqin edhe vetë fjalën «emër» te Gjoni 17:6, ku Jezui tha: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve.» Versioni shqip ECM, i vitit 1993, e përkthen këtë varg: «Të bëra të njohur me njerëzit.»

Përse ekziston kjo antipati ndaj emrit të Perëndisë? Vini re këto pohime të bëra në gazetën Kumtesë praktike për përkthyesit e Biblës. (volumi 43, numri 4, 1992, anglisht) Kjo gazetë botohet nga Shoqatat e Bashkuara të Biblës (UBS), një organizëm që koordinon pjesën më të madhe të përpjekjeve që bëhen në shkallë globale për përkthimin e Biblës. Në një artikull thuhej: «Përderisa JHVH është pa dyshim një emër i përveçëm, në parim, transliterimi do të ishte mënyra më e logjikshme për ta përkthyer.» Megjithatë, artikulli paralajmëronte: «Gjithsesi, ka disa të vërteta që duhen mbajtur parasysh.»

Sa të përligjura janë këto «të vërteta»? Sipas kësaj gazete, disa studiues arsyetojnë: «Po t’u paraqitnim emrin Jahveh [jo të krishterëve], kjo do të përçonte ide të gabuara . . . , sikur ‘Jahveh’ të jetë një Perëndi i huaj apo një Perëndi i ri dhe i panjohur, i ndryshëm nga Perëndia që ata tashmë njohin.» Sidoqoftë, Bibla mëson me forcë se Perëndia Jehova është i ndryshëm nga perënditë që adhurojnë ata që nuk janë të krishterë!—Isaia 43:10-12; 44:8, 9.

Disa studiues të tjerë pretendojnë se thjesht po ndjekin traditën, kur e zëvendësojnë emrin e Perëndisë me titullin «Zoti». Mirëpo Jezui i dënoi tradita të tilla që çnderojnë Perëndinë. (Mateu 15:6) Veç kësaj, në tërësi ideja për të zëvendësuar një emër me një titull, nuk mbështetet në Shkrime. Jezu Krishti ka tituj të ndryshëm, si «Fjala e Perëndisë» dhe «Mbret i mbretërve». (Zbulesa 19:11-16) Mos u dashka ta zëvendësojmë emrin Jezu me një nga këta tituj?!

Një artikull tjetër i gazetës së lartpërmendur thoshte: «Normalisht, forma ‘Jehova’ duhet shmangur.» Përse? «Në përgjithësi, studiuesit besojnë që shqiptimi fillestar paraqitet më mirë nga forma ‘Jahveh’.» Megjithatë, edhe emra të tillë të njohur biblikë, si Jeremia, Isaia dhe Jezu, shkruhen në një mënyrë shumë pak të ngjashme me shqiptimin e tyre origjinal në hebraisht (Jirmejáh, Jeshaʽjáhu dhe Jehohshúaʽ). Meqë forma «Jehova» është një mënyrë e përligjur e shkrimit të emrit të Perëndisë—si dhe e njohur nga shumë njerëz—kundërshtimet ndaj përdorimit të saj tingëllojnë të pakuptimta. Faktikisht, ngurrimi në përdorimin e emrit të Perëndisë duket se bazohet më shumë në emocione dhe paragjykime, sesa në studime.

Gjithsesi, kjo nuk është thjesht një çështje akademike. Për shembull, një ekspert i UBS-së në Indi shkroi për pasojat e heqjes së emrit të Perëndisë nga botime në të cilat më parë figuronte. Ai pranon: «Hinduistëve nuk u intereson titulli i Perëndisë; ata duan të njohin emrin e tij personal, dhe po të mos e dinë, nuk mund të lidhen me personin që e mban atë emër.» Në të vërtetë, këto fjalë mund të thuhen për të gjithë ata që e kërkojnë Perëndinë. Të dish emrin e Perëndisë, është mjaft e rëndësishme për ta njohur atë, jo si ndonjë forcë të papërcaktuar, por si një person, të cilin ne mund ta njohim. (Dalja 34:6, 7) Bibla thotë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Romakëve 10:13) Adhuruesit duhet ta përdorin atë!

Një përkthim që nderon Perëndinë

Ja përse viti 1950 ishte një ngjarje historike, kur për herë të parë u botuan në anglisht Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Gjatë dhjetëvjeçarit që e pasoi, librat e asaj pjese që quhet zakonisht Besëlidhja e Vjetër apo Shkrimet Hebraike, u botuan pjesë-pjesë. Në vitin 1961, e gjithë Bibla në anglisht u botua në një përmbledhje të vetme. Në mënyrë domethënëse, Përkthimi Bota e Re e vendos emrin e Perëndisë, Jehova, në të gjitha ato raste kur shfaqet në Besëlidhjen e Vjetër, pothuajse 7.000 herë. Të bën sidomos përshtypje që emri i Perëndisë është rivendosur 237 herë në Besëlidhjen e Re ose në Shkrimet e Krishtere Greke.

Rivendosja e këtij emri jo vetëm që i sjell lavdi Perëndisë, por hap edhe horizonte të reja kuptueshmërie. Sa për ta ilustruar, në shumë përkthime te Mateu 22:44 lexojmë: «Zoti i ka thënë Zotit tim.» Por, kush po flet dhe me kë po flet? Përkthimi Bota e Re thotë: «Jehovai i tha Zotërisë tim» duke cituar kështu në mënyrë të saktë Psalmin 110:1. Kështu, lexuesit mund të vërejnë dallimin e rëndësishëm mes Perëndisë Jehova dhe Birit të tij.

Kush qëndron pas këtij përkthimi?

Përkthimi Bota e Re botohet nga Shoqata Watch Tower Bible and Tract, enti përfaqësues ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait. Për më tepër se njëqind vjet, kjo Shoqatë ka shtypur dhe ka shpërndarë Bibla në mbarë botën. Ky version i veçantë iu parashtrua Shoqatës nga një grup të krishterësh, të njohur si Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re. Duke mos dashur të nxirrnin në pah veten, anëtarët e këtij komiteti kërkuan të mbeteshin anonimë, madje edhe pas vdekjes së tyre.—Krahaso 1 Korintasve 10:31.

Por, përse kjo vepër u quajt Përkthimi Bota e Re? Kjo pasqyron bindjen e fortë se njerëzimi është «në prag të botës së re», të premtuar te 2 Pjetrit 3:13. Sikurse shkruan vetë komiteti, gjatë kësaj «kohe tranzicioni nga bota e vjetër» është e rëndësishme që përkthimet e Biblës ta lënë të ndriçojë «të vërtetën e kulluar të Fjalës së Perëndisë».—Shih parathënien e botimit të vitit 1950.

Një përkthim i saktë

Në këtë mënyrë iu dha përparësi saktësisë. Përkthyesit e botimit në anglisht punuan drejtpërdrejt nga gjuhët origjinale, hebraisht, aramaisht dhe greqisht, duke përdorur tekstet më të mira që kishin. * Një vëmendje e veçantë iu kushtua përkthimit fjalë për fjalë të tekstit të lashtë, për aq sa ishte e mundur, e megjithatë në një gjuhë që të ishte lehtësisht e kuptueshme nga lexuesit e sotëm.

S’është për t’u habitur që shumë studiues e kanë lavdëruar Përkthimin Bota e Re për integritet dhe saktësi. Në vitin 1989, profesori Benjamin Kedar, studiues i hebraishtes në Izrael, tha: «Gjatë kërkimeve të mia gjuhësore në lidhje me hebraishten e Biblës dhe përkthimet, shpesh i referohem një versioni në anglisht, të njohur si Përkthimi Bota e Re. Sa herë që e bëj këtë, bindem gjithnjë e më shumë se kjo vepër pasqyron një përpjekje të sinqertë për të arritur një saktësi të tekstit, sa më të saktë që të jetë e mundur.»

Dalin botime të tjera

Me të drejtë, Dëshmitarët e Jehovait e kanë vënë Përkthimin Bota e Re në dispozicion edhe përtej botës anglishtfolëse. Për momentin, ky përkthim, plotësisht ose pjesërisht, është botuar në 54 gjuhë. Për të lehtësuar gjithë këtë punë, u zhvillua një metodë për përkthimin e Biblës, e cila kombinon studimin e fjalëve biblike me teknologjinë kompjuterike. Gjithashtu u formua një repart i quajtur Shërbimi i Përkthimit, që të ndihmonte përkthyesit. Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait e mbikëqyr nga afër punën për përkthimin e Biblës me anë të Komitetit të Shkrimit. Por, si bëhet puna?

Fillimisht, caktohet një grup të krishterësh të kushtuar, që do të shërbejnë në skuadrën e përkthimit. Përvoja ka treguar se, kur përkthyesit punojnë së bashku si një skuadër dhe jo në mënyrë të pavarur, rezultati është një përkthim më i mirë dhe më i ekuilibruar. (Krahaso Proverbat 11:14.) Përgjithësisht, secili pjesëtar i skuadrës ka tashmë përvojë si përkthyes i botimeve të Dëshmitarëve të Jehovait. Më pas, skuadra merr një stërvitje të plotë për parimet bazë të përkthimit të Biblës dhe për të përdorur programe kompjuterike të ndërtuara për këtë qëllim të veçantë.

Skuadra e Biblës udhëzohet të nxjerrë një Bibël, që të jetë (1) e saktë, (2) koherente, (3) sa më fjalë për fjalë që e lejon gjuha, e megjithatë (4) lehtësisht e kuptueshme nga njerëzit e zakonshëm. Si arrihet një gjë e tillë? T’i hedhim një sy kësaj Bible që sapo ka dalë. Skuadra e Biblës ia nisi punës, duke përzgjedhur barasvlerësit në shqip të të gjitha termave kryesore biblike, që përdoren në Përkthimin Bota e Re. Kompjuteri është programuar që të shfaqë fjalët që lidhen me këto terma biblike dhe sinonimet. Gjithashtu, ai tregon edhe fjalët origjinale në greqisht ose hebraisht, nga të cilat janë përkthyer fjalët në anglisht. Në këtë mënyrë, përkthyesi mund të studiojë se si janë përkthyer këto fjalë greke ose hebraike në vende të tjera. E gjithë kjo dha një ndihmesë të madhe në përzgjedhjen e termave në gjuhën shqipe. Pasi skuadra ra dakord për të gjitha këto fjalë, filloi përkthimi i Biblës, dhe ndërsa përkthehej çdo varg, kompjuteri tregonte fjalët shqipe që ishin zgjedhur.

Gjithsesi, të përkthesh do të thotë më shumë se vetëm të zëvendësosh një grup fjalësh me ca fjalë të tjera. Shumë punë është bërë për t’u siguruar që fjalët e zgjedhura në shqip, të përçonin mendimin e saktë biblik në çdo kontekst. Është treguar kujdes që gramatika dhe sintaksa të jenë të pëlqyeshme dhe të natyrshme. Puna e madhe që është bërë për këtë projekt, flet vetë. Botimi shqip i Përkthimit Bota e Re e përkthen Fjalën e Perëndisë në një mënyrë të lehtë për t’u lexuar, të qartë, të kuptueshme dhe me besnikëri ndaj tekstit të lashtë.

Ne ju nxitim ta shqyrtoni vetë Përkthimin Bota e Re. Mund ta merrni nga botuesit e kësaj reviste ose në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Mund ta lexoni me sigurinë se ky përkthim i përcjell besnikërisht thëniet e Perëndisë në gjuhën tuaj. S’kemi dyshim që shumë shpejt do të jeni të një mendjeje se dalja e këtij botimi ishte vërtet një ngjarje e shënuar!

[Shënimi]

^ par. 24 Si bazë për tekstin në greqisht shërbeu The New Testament in the Original Greek, të autorëve Uestkot dhe Hort. Për Shkrimet Hebraike u mor për bazë teksti i Biblia Hebraica, nga R. Kitel.

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

Disa aspekte të Përkthimit Bota e Re

I shtypur qartë dhe lexueshëm

Vargjet janë grupuar në paragrafë: Në vend që çdo varg të jetë një paragraf më vete, vargjet janë grupuar në paragrafë. Kjo e ndihmon lexuesin të ndjekë zhvillimin e mendimit të shkrimtarëve të Biblës.

Frazat në krye të faqeve: Ato gjenden në krye të pjesës më të madhe të faqeve, dhe ndihmojnë për të gjetur me shpejtësi tregimet biblike.

Referimet: Çdo faqe përmban referime, që e drejtojnë lexuesin në shkrime të tjera që lidhen me vargun.

Treguesi alfabetik: Aty nga fundi i librit ka një pjesë që titullohet «Renditja e fjalëve biblike». Janë renditur fjalë të zgjedhura dhe vendndodhja e tyre në Bibël, zakonisht bashkë me një fragment të shkurtër që tregon kontekstin.

Shtojcat: Një seri me artikuj të shkurtër për doktrinat bazë të Biblës dhe për çështje që lidhen me to.