Jehovai kurrsesi nuk do të të lërë
Jehovai kurrsesi nuk do të të lërë
TË KRISHTERËT në Jude po hasnin një kundërshtim të egër dhe duhej të përballeshin me pikëpamjen materialiste të njerëzve përreth. Për t’i inkurajuar, apostulli Pavël përmendi fjalët që Jehovai u tha izraelitëve para se të hynin në Tokën e Premtuar. Ai shkroi: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5; Ligji i përtërirë 31:6) Pa dyshim që ky premtim i forcoi të krishterët hebrenj të shekullit të parë.
I njëjti premtim duhet të na forcojë edhe ne për të përballuar ankthet e jetës që vijnë si pasojë e këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’. (2 Timoteut 3:1) Nëse i besojmë Jehovait dhe veprojmë në përputhje me këtë besim, ai do të na mbështetë edhe në rrethanat më të vështira. Le të shohim, për shembull, si e përmbush Jehovai këtë premtim, kur humbasim papritur mjetet e jetesës.
Përballë një ndryshimi të papritur
Në mbarë botën po rritet numri i të papunëve. Sipas një reviste polake, papunësia konsiderohet si «një nga problemet më të vështira social-ekonomike». Ajo ka prekur edhe vendet e industrializuara. Për shembull, në vitin 2004, edhe në vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit dhe të Zhvillimit Ekonomik, numri i të papunëve «i kaloi 32 milionë, më shumë se gjatë Krizës së Madhe të viteve 30» të shekullit të 20-të. Në Poloni, Zyra Qendrore e Statistikave raportoi tre milionë të papunë në dhjetor të vitit 2003, të cilët «përbënin 18 për qind të shtetasve në moshë për punë». Sipas një burimi informacionesh, në vitin 2002, niveli i papunësisë në popullsinë zezake të Afrikës së Jugut kishte arritur 47,8 për qind.
Të gjendesh papritur i papunë ose të të pushojnë nga puna është një rrezik real për shumë njerëz, përfshirë edhe shërbëtorët e Jehovait. Të gjithëve u rastis «të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». (Eklisiastiu 9:11) Mund të gjendemi në një situatë ku shprehemi si psalmisti David: «Brengat e zemrës më janë shtuar.» (Psalmi 25:17) A do të ishe në gjendje t’i përballoje këto vështirësi? Ato mund të ndikonin në mirëqenien tënde emocionale, frymore dhe materiale. Nëse do të mbetesh pa punë, a do të jesh në gjendje ta rimarrësh përsëri veten?
Të përballosh tensionin emocional
Psikologu Janush Vjetzhinski shpjegon se «humbja e punës lëndon më shumë burrat», meqë zakonisht ata e sigurojnë bukën e gojës për familjen. Ai thotë se humbja e punës mund të shkaktojë një gjendje të trazuar emocionale te burrat, që shkon nga zemërimi e deri te dorëzimi. Pasi e pushojnë nga puna, një baba mund të humbasë vlerësimin për veten dhe të fillojë «të grindet me pjesëtarët e familjes».
Adami, një baba i krishterë me dy fëmijë, shpjegon si u ndie kur humbi punën: «Nervozohesha shpejt; çdo gjë më acaronte. Edhe natën ëndërroja vetëm për punën, si të kujdesesha për fëmijët e gruan time, të cilën, po ashtu, e pushuan papritur nga puna.» Rishardi dhe Mariola, një çift me një fëmijë, nuk e kishin shlyer ende kredinë e madhe bankare kur humbën mjetet e jetesës. Gruaja tregon: «Shqetësohesha vazhdimisht; ndërgjegjja më thoshte se bëmë gabim që e morëm atë kredi. Mendoja gjithnjë se tërë fajin e kisha unë.» Në një situatë të tillë, mund të zemërohemi shpejt, të jemi në ankth, të hidhërohemi dhe mund të na mposhtin ndjenjat negative. Atëherë, si t’i kontrollojmë këto ndjenja negative që gufojnë brenda nesh?
Bibla na jep këshilla të efektshme si të mbajmë një qëndrim pozitiv. «Mos jini në ankth për asgjë,—këshilloi apostulli Pavël,—por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filipianëve 4:6, 7) Nëse i afrohemi Jehovait në lutje, do të kemi ‘paqen e tij’, një qëndrim të qetë mendor të bazuar në besimin tek ai. E shoqja e Adamit, Irena, thotë: «I folëm Jehovait në lutje për situatën tonë dhe si do ta thjeshtonim jetën. Burri, të cilin zakonisht e zinte shpejt ankthi, nisi të mendonte se do të kishte një zgjidhje.»
Nëse papritur ke humbur punën, ke rastin të zbatosh këshillën që dha Jezu Krishti gjatë Predikimit në Mal: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupat tuaj, se ç’do të vishni. . . . Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:25, 33) Rishardi dhe Mariola e zbatuan këtë këshillë për të përballuar ndjenjat tyre. Mariola kujton: «Burri gjithmonë më ngushëllonte dhe theksonte që Jehovai nuk do të na braktiste.» Burri i saj shton: «Lutjet e vazhdueshme së bashku, na kanë afruar më shumë me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, dhe kjo gjë na dha ngushëllimin e nevojshëm.»
Një ndihmë tjetër është fryma e shenjtë e Perëndisë. Vetëkontrolli që prodhon fryma te ne, do të na ndihmojë të jemi të qetë dhe të kontrollojmë ndjenjat tona. (Galatasve 5:22, 23) Ndoshta s’është e lehtë, por është e mundur, sepse Jezui premtoi: «Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»—Luka 11:13; 1 Gjonit 5:14, 15.
Mos i lër pas dore nevojat frymore
Pushimi i papritur nga puna, fillimisht mund të shqetësojë edhe të krishterin më të ekuilibruar, por gjithsesi nuk duhet t’i lëmë pas dore nevojat tona frymore. Le të marrim shembullin e 40-vjeçarit Moisi, të cilit i ndryshoi krejt jeta pasi humbi pozitën si aristokrat dhe iu desh të bëhej bari, një punë që egjiptianët e përçmonin. (Zanafilla 46:34) Moisiut iu desh të përshtatej me rrethanat e reja. Për 40 vjet, e lejoi Jehovain ta modelonte dhe ta përgatiste për detyrat e reja që e prisnin. (Dalja 2:11-22; Veprat 7:29, 30; Hebrenjve 11:24-26) Pavarësisht nga vështirësitë që hasi, Moisiu u përqendrua te gjërat frymore dhe e pranoi me gatishmëri stërvitjen e Jehovait. Kurrë të mos lejojmë që vështirësitë të na errësojnë parimet morale dhe bindjet tona!
Megjithëse mund të jetë diçka tronditëse, humbja e papritur e punës na jep një mundësi të mirë të forcojmë lidhjet me Perëndinë Jehova dhe me popullin e tij. Adami, i përmendur më sipër, e provoi këtë. Ai thotë: «Kur unë dhe gruaja humbëm punën, as e çuam ndër mend të braktisnim mbledhjet e krishtere ose të dilnim më pak në veprën e ungjillëzimit. Ky ekuilibër na mbrojti që të mos shqetësoheshim së tepërmi për të nesërmen.» Edhe Rishardi ndihet po kështu: «Pa mbledhjet dhe shërbimin, nuk do t’ia kishim dalë mbanë kurrë; pa dyshim që do të na kishte përpirë ankthi. Bisedat frymore me të tjerët janë ndërtuese, sepse e drejtojnë vëmendjen te nevojat Filipianëve 2:4.
e tyre, jo te nevojat tona.»—Po, në vend që të shqetësohesh për punën, përdore kohën e lirë për aktivitete frymore si: studimi personal, aktivitetet me kongregacionin dhe zgjerimi i shërbimit. Në vend që të rrish kot, si i papunë, do të kesh «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»—e cila do të të sjellë gëzim ty dhe njerëzve të sinqertë që i përgjigjen predikimit të mesazhit të Mbretërisë.—1 Korintasve 15:58.
Sigurimi i nevojave materiale të familjes
Megjithatë, ushqimi frymor nuk e ngop stomakun bosh. Duhet të mbajmë në mendje këtë parim: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Timoteut 5:8) Adami pranon: «Pavarësisht se vëllezërit na vijnë menjëherë në ndihmë për nevojat materiale, përsëri e kemi për detyrë të kërkojmë punë.» Mund të mbështetemi te ndihma e Jehovait dhe e popullit të tij, por nuk duhet të harrojmë se jemi ne që duhet të marrim iniciativën për të gjetur punë.
Ç’mund të bësh? Adami shpjegon: «Mos prit duarkryq ndihmën e Perëndisë e mos shpreso për ndonjë mrekulli. Kur kërkon punë, mos ngurro të identifikohesh si Dëshmitar i Jehovait. Zakonisht punëdhënësit e vlerësojnë këtë gjë.» Rishardi jep këtë këshillë: «Pyet këdo që njeh, nëse di ndonjë vend pune. Vazhdo të kërkosh në agjencitë e punësimit. Lexo lajmërimet për punë, si: ‘Kërkohet një grua që të kujdeset për një të moshuar’; ‘Punë e përkohshme për të mbledhur bimë mjekësore’. Vazhdo të kërkosh! Mos bëj shumë naze, edhe nëse të duhet të bësh diçka të rëndomtë ose diçka që nuk i plotëson ambiciet e tua.»
Po, «Jehovai është ai që [të] ndihmon». Ai ‘kurrsesi nuk do të të lërë dhe kurrsesi nuk do të të braktisë’. (Hebrenjve 13:5, 6) Nuk ke pse të jesh tepër në ankth. Psalmisti David shkroi: «Lëre udhën tënde në dorë të Jehovait e mbështetu tek ai, dhe ai do të veprojë.» (Psalmi 37:5) ‘Ta lëmë udhën tonë në dorë të Jehovait’ do të thotë të mbështetemi tek ai dhe të veprojmë siç do ai, edhe kur rrethanat mund të mos na duken të favorshme.
Adami dhe Irena ia dolën të siguronin nevojat e tyre duke larë dritare, duke pastruar shkallët e duke kursyer kur blinin gjërat. Gjithashtu, shkonin rregullisht në agjencinë e punësimit. «Ndihma na vinte gjithnjë atëherë kur na duhej»,—tregon Irena. Burri i saj shton: «Koha tregoi se çështjet që përmendnim në lutje, nuk ishin gjithmonë sipas vullnetit të Perëndisë. Kjo na mësoi të mbështeteshim te mençuria e tij dhe të mos vepronim sipas kuptueshmërisë sonë. Është më mirë të presësh me qetësi zgjidhjen që do të japë Perëndia.»—Jakovi 1:4.
Rishardi dhe Mariola bënin punë të përkohshme, por ndërkohë filluan të dëshmonin në territore ku kishte më shumë nevojë. Rishardi thotë: «Gjenim punën e nevojshme pikërisht kur s’kishim më asgjë për të ngrënë. I refuzonim punët me rrogë të mirë, të cilat do të na pengonin për përgjegjësitë teokratike. Mendonim më mirë të pritnim Jehovain.» Ata mendojnë se ishte Jehovai që u krijoi mundësinë të gjenin një apartament me çmim shumë të lirë, dhe më në fund Rishardi të gjente punë.
Mund të jetë shumë shqetësuese të humbasësh mjetet e jetesës, por, përse të mos e shohësh si një rast për ta provuar vetë se Jehovai nuk do të të braktisë kurrë? Ai kujdeset për ty. (1 Pjetrit 5:6, 7) Nëpërmjet profetit Isaia, ai ka premtuar: «Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.» (Isaia 41:10) Mos lejo asnjë të papritur, përfshirë edhe humbjen e punës, që të të paralizojë. Bëj gjithçka që ke mundësi, dhe të tjerat lërja në dorë Jehovait. Prite Jehovain «në heshtje», domethënë pa u ankuar. (Vajtimet 3:26) Atëherë do të kesh vërtet shumë bekime.—Jeremia 17:7.
[Figura në faqen 9]
Përdore kohën për aktivitete frymore
[Figurat në faqen 10]
Mëso të kursesh dhe mos bëj shumë naze kur kërkon punë