Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krishterimi përhapet ndër judenjtë e shekullit të parë

Krishterimi përhapet ndër judenjtë e shekullit të parë

Krishterimi përhapet ndër judenjtë e shekullit të parë

NJË mbledhje e rëndësishme u mbajt në Jerusalem rreth vitit 49 të e.s. «Ata që ishin të pranuar si shtylla» të kongregacionit të krishterë në shekullin e parë, Gjoni, Pjetri dhe Jakovi, vëllai i Jezuit nga nëna, ishin atje. Dy të tjerët që përmenden mes të pranishmëve në atë mbledhje, ishin apostulli Pavël dhe shoku i tij, Barnaba. Një nga çështjet që u diskutua, lidhej me ndarjen e territorit të madh për veprën e predikimit. Pavli shpjegoi: «Na dhanë mua dhe Barnabës dorën e djathtë, për të treguar se ishin dakord që ne të shkonim te kombet, kurse ata te të rrethprerët.»​—Galatasve 2:1, 9. *

Si duhet ta kuptojmë këtë marrëveshje? Mos vallë territori ku duhej të predikohej lajmi i mirë ishte i ndarë në judenj e prozelitë nga njëra anë dhe johebrenj nga ana tjetër? Apo marrëveshja kishte të bënte më tepër me një ndarje gjeografike të territorit? Për të marrë një përgjigje të arsyeshme, nevojiten disa informacione historike për diasporën, domethënë komunitetin e judenjve që banonin jashtë Palestinës.

Bota judaike në shekullin e parë

Sa ishte numri i judenjve në diasporë, gjatë shekullit të parë? Me sa duket, shumë studiues janë dakord me botimin Atlasi i botës judaike (anglisht), ku thuhet: «Është e vështirë të arrish në numra konkretë, por, sipas llogarive është e arsyeshme të besohet se pak para vitit 70, dy milionë e gjysmë judenj jetonin në Jude dhe mbi katër milionë në diasporën romake. . . . Ka mundësi që judenjtë të përbënin një të dhjetën e të gjithë popullsisë në atë perandori. Gjithashtu, në vendet ku ishte përqendruar shumica e tyre, në qytetet e provincave lindore, ata përbënin një të katërtën e banorëve a ndoshta më tepër.»

Qendrat kryesore ishin në Siri, në Azinë e Vogël, në Babiloni e në Egjipt, në Lindje dhe disa komunitete të vogla ndodheshin në Evropë. Disa nga të krishterët e parë të mirënjohur judenj kishin jetuar në diasporë, si për shembull Barnaba që ishte nga Qiproja, Prishila dhe Akuila që ishin nga Ponti dhe pastaj shkuan në Romë, Apoli nga Aleksandria dhe Pavli nga Tarsi.​—Veprat 4:36; 18:2, 24; 22:3.

Izraelitët e diasporës mbanin mjaft lidhje me atdheun e tyre. Një prej këtyre ishte taksa vjetore që dërgonin në tempullin e Jerusalemit, një mënyrë për të marrë pjesë në veprimtaritë dhe adhurimin në tempull. Për këtë, studiuesi Xhon Barklei thotë: «Ka mjaft prova se mbledhja e parave, bashkë me dhuratat e tjera që jepnin të pasurit, bëhej me shumë kujdes nga komunitetet në diasporë.»

Diçka tjetër që i lidhte ishin dhjetëra mijë pelegrinët që shkonin çdo vit në Jerusalem me rastin e festave. Kjo tregohet mjaft qartë te Veprat 2:9-11, ku flitet për Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. Pelegrinët judenj që ishin të pranishëm, kishin ardhur nga Parta, Media, Elami, Mesopotamia, Kapadokia, Ponti, Azia, Frigjia, Pamfilia, Egjipti, Libia, Roma, Kreta dhe Arabia.

Administrata e tempullit në Jerusalem komunikonte me anë të letrave me judenjtë në diasporë. Dihet që Gamalieli, mësuesi i ligjit që përmendet te Veprat 5:34, dërgonte letra në Babiloni dhe në pjesë të tjera të botës. Kur apostulli Pavël mbërriti si i burgosur në Romë, aty rreth vitit 59 të e.s., «të parët e judenjve» i thanë: «Ne as kemi marrë letra për ty nga Judea, dhe as ka ardhur ndonjë nga vëllezërit të na tregojë a të na thotë gjë të ligë për ty.» Kjo tregon se në Romë dërgoheshin shpesh letra dhe lajme nga atdheu.​—Veprat 28:17, 21.

Bibla që përdornin judenjtë e diasporës, ishte një përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike, që njihej si Septuaginta. Një vepër referimi shkruan: «Është më se e arsyeshme të arrijmë në përfundimin se LXX [Septuaginta] lexohej dhe pranohej në të gjithë diasporën si Bibla Judaike e diasporës ose ‘shkrimi i shenjtë’.» Të njëjtin përkthim përdornin gjerësisht edhe të krishterët e hershëm, në mësimdhënie.

Anëtarët e trupit udhëheqës të krishterë në Jerusalem i njihnin mirë këto rrethana. Lajmi i mirë tashmë kishte mbërritur te judenjtë e diasporës në Siri e më larg, përfshirë Damaskun dhe Antiokinë. (Veprat 9:19, 20; 11:19; 15:23, 41; Galatasve 1:21) Në mbledhjen e vitit 49 të e.s., me sa duket, të pranishmit po planifikonin për punën që do të bënin në të ardhmen. Le të shqyrtojmë vargjet biblike që flasin për përhapjen e lajmit të mirë te judenjtë dhe prozelitët.

Udhëtimet e Pavlit dhe judenjtë e diasporës

Caktimi fillestar i apostullit Pavël ishte ‘t’u çonte emrin e [Jezu Krishtit] kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit’. * (Veprat 9:15) Pas mbledhjes në Jerusalem, Pavli vazhdoi të fliste me judenjtë e diasporës kudo që shkonte. (Shih kutinë në faqen 14.) Kjo tregon se ndarja në territore ka shumë të ngjarë të jetë bërë në kuptimin gjeografik. Pavli dhe Barnaba e zgjeruan veprën e tyre misionare në perëndim, ndërsa të tjerët shërbyen në Jude dhe në komunitetet e mëdha judaike në botën lindore.

Kur Pavli dhe shokët e tij filluan udhëtimin e dytë misionar nga Antiokia në Siri, fryma i drejtoi për në perëndim duke kaluar përmes Azisë së Vogël dhe deri në Troadë. Që atje shkuan në Maqedoni, sepse dolën në përfundimin se ‘Perëndia i kishte thirrur për t’u shpallur lajmin e mirë maqedonasve’. Më vonë, u formuan kongregacione të krishtere edhe në qytete të tjera të Evropës, përfshirë Athinën e Korintin.​—Veprat 15:40, 41; 16:6-10; 17:1–18:18.

Rreth vitit 56 të e.s., në fund të udhëtimit të tretë misionar, Pavli planifikoi të shkonte më në perëndim dhe të zgjeronte territorin që i ishte caktuar gjatë mbledhjes në Jerusalem. Ai shkroi: «Prandaj kam dëshirë të zjarrtë t’jua shpall lajmin e mirë edhe juve atje në Romë» dhe «do të nisem për në Spanjë dhe rrugës do të kaloj edhe nga ju». (Romakëve 1:15; 15:24, 28) Po ç’mund të themi për komunitetet e mëdha të diasporës në Lindje?

Komunitetet judaike në Lindje

Gjatë shekullit të parë të erës sonë, komuniteti më i madh i diasporës ndodhej në Egjipt, kryesisht në kryeqytetin e tij, në Aleksandri. Në këtë qendër tregtie e kulture banonin qindra mijë judenj, dhe sinagogat e tyre i gjeje në të gjithë qytetin. Filoja, një jude nga Aleksandria, pretendonte se në tërë Egjiptin, në atë kohë jetonin të paktën një milion judenj. Një numër i konsiderueshëm ishte vendosur edhe në Libi aty afër, në qytetin e Kirenës dhe në afërsi të saj.

Disa judenj që u bënë të krishterë, vinin nga këto zona. Për shembull, lexojmë për ‘Apolin, që kishte lindur në Aleksandri’, për «disa njerëz nga Qiproja dhe Kirena» dhe për ‘Lucin nga Kirena’ që mbështeti kongregacionin në Antiokinë e Sirisë. (Veprat 2:10; 11:19, 20; 13:1; 18:24) Përveç këtyre rasteve dhe rastit të Filipit që i predikon eunukut etiopas, Bibla nuk tregon më për veprën e të krishterëve të hershëm në Egjipt dhe në vendet përreth tij.​—Veprat 8:26-39.

Babilonia, që kishte shtrirje deri në Partë, Medi dhe Elam, përbënte një tjetër qendër kryesore. Një historian thotë se «popullsinë judeje e gjeje në çdo territor në rrafshnaltën e Tigrit dhe Eufratit, që nga Armenia e deri në Gjirin Persik, po kështu edhe në verilindje, drejt Detit Kaspik e drejt lindjes, në Medi». Sipas një enciklopedie (Encyclopaedia Judaica), numri i tyre ishte 800.000 a më shumë. Jozefi, historian jude i shekullit të parë, na tregon se me dhjetëra mijë judenj me banim në Babiloni udhëtonin për në Jerusalem për festat vjetore.

A kishte pelegrinë babilonas që u pagëzuan në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s.? Kjo nuk dihet, por ndër ata që e dëgjuan apostullin Pjetër atë ditë, ishin edhe pelegrinët nga Mesopotamia. (Veprat 2:9) Dihet se apostulli Pjetër ishte në Babiloni aty rreth viteve 62-64 të e.s. Pikërisht kur ndodhej atje, shkroi letrën e tij të parë e ndoshta edhe të dytën. (1 Pjetrit 5:13) Kuptohej se Babilonia, me numrin e madh të judenjve, konsiderohej pjesë e territorit që i ishte caktuar Pjetrit, Gjonit dhe Jakovit në mbledhjen për të cilën flitet në letrën drejtuar Galatasve.

Kongregacioni në Jerusalem dhe judenjtë e diasporës

Jakovi, që po ashtu ishte i pranishëm në mbledhjen ku u përmendën territoret, shërbeu si mbikëqyrës në kongregacionin e Jerusalemit. (Veprat 12:12, 17; 15:13; Galatasve 1:18, 19) Ai ishte dëshmitar okular kur, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., mijëra judenj të ardhur nga diaspora, e pranuan lajmin e mirë dhe u pagëzuan.​—Veprat 1:14; 2:1, 41.

Pas kësaj, me dhjetëra mijë judenj vinin për festat vjetore. Qyteti mbushej plot me njerëz dhe vizitorëve u duhej të strehoheshin në fshatrat përreth ose të flinin në çadra. Encyclopaedia Judaica shpjegon se pelegrinët jo vetëm takonin miqtë, por hynin edhe në tempull për të adhuruar, paraqitnin flijime dhe studionin Torën.

Pa dyshim, Jakovi dhe pjesëtarë të tjerë të kongregacionit të Jerusalemit i shfrytëzonin këto raste për t’u dëshmuar judenjve të diasporës. Ndoshta apostujt predikonin me shumë maturi pasi, gjatë asaj periudhe, «u bë përndjekje e madhe kundër kongregacionit që ishte në Jerusalem» si pasojë e vdekjes së Stefanit. (Veprat 8:1) Bibla tregon se para dhe pas kësaj ngjarjeje, zelli i të krishterëve në predikim solli një rritje progresive.​—Veprat 5:42; 8:4; 9:31.

Çfarë mund të mësojmë?

Po, të krishterët e hershëm bënë përpjekje të sinqerta për t’u predikuar judenjve kudo që ishin. Në të njëjtën kohë, Pavli dhe apostujt e tjerë vajtën të flitnin me johebrenjtë, në vendet evropiane. Ata iu bindën urdhrit që Jezui u dha ithtarëve të tij, para se të ngjitej në qiell, për të bërë dishepuj «njerëz nga të gjitha kombet».​—Mateu 28:19, 20.

Nga shembulli i tyre mësojmë sa rëndësi ka predikimi në mënyrë të organizuar, me qëllim që të kemi mbështetjen e frymës së Jehovait. Gjithashtu, është shpërblyese kur takojmë njerëz që respektojnë Fjalën e Perëndisë, sidomos në territoret ku nuk ka shumë Dëshmitarë të Jehovait. Në kongregacionin tuaj, a ka pjesë të territorit që janë më frytdhënëse se të tjerat? Ndoshta do të ishte mirë që këto pjesë të predikoheshin më shpesh. A ka ndodhur ndonjë ngjarje publike në lagjen tuaj nga mund të merrni shkas për të dëshmuar sidomos në mënyrë joformale dhe në rrugë?

Nxjerrim mjaft dobi nëse, jo vetëm lexojmë në Bibël për të krishterët e hershëm, por edhe njihemi me disa hollësi historike dhe gjeografike. Një mjet që mund ta përdorim për të zgjeruar njohuritë tona është broshura «Të shohim vendin e mirë», me hartat dhe fotografitë e saj të shumta.

[Shënimet]

^ par. 2 Ndoshta kjo mbledhje u mbajt në kohën a në rastin kur trupi udhëheqës i shekullit të parë diskutoi për çështjen e rrethprerjes.​—Veprat 15:6-29.

^ par. 13 Ky artikull përqendrohet në dëshminë që Pavli u dha judenjve, e jo në veprimtaritë e tij si «një apostull i kombeve».​—Romakëve 11:13.

[Tabela në faqen 14]

INTERESIMI I APOSTULLIT PAVËL PËR JUDENJTË E DIASPORËS

PARA MBLEDHJES NË JERUSALEM, NË VITIN 49 TË E.S.

Veprat 9:19, 20 Damask — «filloi të predikonte . . . nëpër

sinagoga»

Veprat 9:29 Jerusalem — «fliste . . . me judenjtë që flitnin

greqisht»

Veprat 13:5 Salaminë, Qipro — «shpallnin fjalën e Perëndisë

në sinagogat e judenjve»

Veprat 13:14 Antioki e Pisidisë — «hynë . . . në sinagogë»

Veprat 14:1 Ikoni — «hynë në sinagogën e judenjve»

PAS MBLEDHJES NË JERUSALEM, NË VITIN 49 TË E.S.

Veprat 16:14 Filipi — «një grua me frikë Perëndie që quhej

Lidia»

Veprat 17:1 Selanik — «një sinagogë judenjsh»

Veprat 17:10 Bere — ‘sinagoga e judenjve’

Veprat 17:17 Athinë — «arsyetonte në sinagogë me judenjtë»

Veprat 18:4 Korint — «bënte një fjalim në sinagogë»

Veprat 18:19 Efes — «hyri në sinagogë dhe arsyetoi me

judenjtë»

Veprat 19:8 Efes — «shkoi për tre muaj rresht në sinagogë

dhe foli me guxim»

Veprat 28:17 Romë — «mblodhi të parët e judenjve»

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ata që morën lajmin e mirë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., vinin nga një zonë mjaft e gjerë

ILIRI

ITALI

Romë

MAQEDONI

GREQI

Athinë

KRETË

Kirenë

LIBI

BITINI

GALATI

AZI

FRIGJI

PAMFILI

QIPRO

EGJIPT

ETIOPI

PONT

KAPADOKI

KILIKI

MESOPOTAMI

SIRI

SAMARI

Jerusalem

JUDE

MEDI

Babiloni

ELAM

ARABI

PARTË

[Masa ujore]

Deti Mesdhe

Deti i Zi

Deti i Kuq

Gjiri Persik