Sjellja e mirë jep fryt
Sjellja e mirë jep fryt
NË NJË ishull të vogël pranë bregut jugor të Japonisë, një nënë dhe tre fëmijët e saj të vegjël filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Fqinjët në atë zonë të izoluar dhe shumë tradicionale, kur panë këtë, filluan ta shpërfillnin nënën sa herë që e shihnin. «Ajo që më lëndoi më shumë se shpërfillja e tyre, ishte se silleshin ftohtë me burrin dhe fëmijët e mi»,—tregon ajo. Megjithatë, u tha fëmijëve të saj: «Duhet të vazhdojmë t’i përshëndetim fqinjët tanë për hir të Jehovait.»—Mateu 5:47, 48.
Në shtëpi, i mësoi fëmijët të ishin të sjellshëm, pavarësisht nga mospranimi i njerëzve. Gjatë rrugës për te burimet termale, ku shkonin rregullisht, fëmijët i përsëritnin përshëndetjet e tyre në makinë. Sapo hynin në ndërtesë, gjithmonë thoshin buzagaz: «Konnichiwa!»—«Mirëdita!» Edhe pse fqinjët tregoheshin të ftohtë, familja përshëndeste me durim këdo që shihte. Megjithatë, njerëzit e vunë re sjelljen e mirë të fëmijëve.
Më në fund, herë një fqinj, herë një tjetër, iu përgjigjën «Konnichiwa». Pas dy vjetësh, pothuajse të gjithë në qytet u përgjigjeshin kur i përshëndetnin. Gjithashtu fqinjët nisën të përshëndetnin njëri-tjetrin dhe u bënë më miqësorë. Zëvendëskryetari i bashkisë dëshironte t’i nderonte fëmijët për këtë ndryshim që sollën. Por, nëna e siguroi se thjesht po bënin atë që duhet të bëjnë të krishterët. Më pas, në një konkurs oratorie që u zhvillua për të gjithë ishullin, një nga djemtë tregoi se si nëna e stërviti familjen që t’i përshëndeste me mirësjellje të tjerët, pavarësisht nga reagimi i tyre. Fjalimi i tij fitoi çmimin e parë dhe u botua në gazetën e qytetit. Sot familja është shumë e lumtur për rezultatet e mira që solli ndjekja e parimeve të krishtere. Kur njerëzit janë miqësorë, është më e lehtë të flasësh për lajmin e mirë.