‘Dashuria e të gjithëve ju po shtohet’
‘Dashuria e të gjithëve ju po shtohet’
NË VITIN 2004, Japonia pësoi njërën pas tjetrës disa katastrofa natyrore. Ndër to kishte tajfune, përmbytje dhe tërmete. Ato ndikuan jashtë mase në jetën e shumë njerëzve, përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait. (Eklisiastiu 9:11) Megjithatë, këto vështirësi u dhanë mundësi Dëshmitarëve të tregonin përzemërsi vëllazërore për njëri-tjetrin.—1 Pjetrit 1:22.
Për shembull, në korrik, një lum në Japoninë Qendrore doli nga shtrati, si pasojë e reshjeve të mëdha. Përmbytja dëmtoi më shumë se 20 shtëpi të Dëshmitarëve të Jehovait. Ujërat arritën gati një metër lartësi mbi dyshemenë e një Salle Mbretërie. Dëshmitarë nga kongregacionet fqinje erdhën menjëherë në ndihmë. Qindra vullnetarë pastruan baltën që kishte hyrë nëpër shtëpi. Salla e Mbretërisë u pastrua plotësisht dhe u riparua vetëm për dy javë.
Më 23 tetor, në të njëjtën zonë ra një tërmet prej 6,8 ballësh të shkallës Rihter. Të paktën 40 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 100.000 të tjerë duhej të largoheshin menjëherë nga shtëpitë. Uji, gazi dhe energjia elektrike u ndërprenë. Megjithëse epiqendra e tërmetit ishte vetëm 50 kilometra larg, Salla e rindërtuar nuk u dëmtua. Atë e kthyen menjëherë në një qendër të përkohshme ndihmash. Pa humbur kohë, mbikëqyrësit e krishterë kontrolluan gjendjen e bashkëbesimtarëve dhe u lehtësuan kur mësuan se nuk ishte dëmtuar e nuk ishte vrarë asnjeri. Ditën tjetër, herët në mëngjes, gjashtë Dëshmitarë që kishin qenë viktima të përmbytjes së korrikut, me dëshirë të madhe dolën vullnetarë për të shpërndarë ushqim dhe ujë në zonën e prekur nga katastrofa. Brenda pak orësh pas tërmetit, ndihmat ishin gati.
Një mbikëqyrës tregon: «Viktimat e përmbytjes e konsideruan ndihmën që u dhanë viktimave të tërmetit si një shprehje mirënjohjeje për ndihmën që kishin marrë. Ata punuan shumë, që herët në mëngjes deri natën vonë. Fytyrat u shkëlqenin nga lumturia!»
As përmbytjet, as tërmetet nuk mund të prishin lidhjen e dashurisë që bashkon vëllazërinë e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Përkundrazi, kur ndodhin katastrofa të tilla, të krishterët përjetojnë atë që u tha apostulli Pavël bashkëbesimtarëve në Selanik: «Dashuria e të gjithëve ju për njëri-tjetrin po shtohet.»—2 Selanikasve 1:3.