Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rritja tetë fëmijë në rrugët e Jehovait ishte sfidë, por edhe gëzim

Të rritja tetë fëmijë në rrugët e Jehovait ishte sfidë, por edhe gëzim

Jetëshkrim

Të rritja tetë fëmijë në rrugët e Jehovait ishte sfidë, por edhe gëzim

TREGUAR NGA XHOSLIN VALENTIN

Në vitin 1989 im shoq shkoi për të punuar jashtë shtetit. Premtoi se do të sillte para që të rritja tetë fëmijët tanë. Kaluan javë, por nuk mora asnjë lajm prej tij. Javët u bënë muaj dhe akoma nuk dija ç’bëhej me të. Jetoja me shpresë e i thosha vetes: ‘Kur punët t’i shkojnë mirë, ai do të kthehet.’

RASHË në dëshpërim se nuk kisha me se t’i rritja fëmijët. Nuk arrija ta besoja atë që po ndodhte dhe gjatë netëve të pagjumë pyesja veten: ‘Si mund t’ia bëjë këtë familjes së tij?’ Megjithatë e pranova të vërtetën e hidhur që im shoq na kishte braktisur. Sot, gati 16 vjet pasi u largua, ai nuk është kthyer ende. Kështu i rrita fëmijët pa ndihmën e bashkëshortit. Në këtë kuptim ka qenë një sfidë, por ishte një gëzim i madh për mua të shihja fëmijët që përqafonin rrugët e Jehovait. Por, para se t’ju them se si dolëm nga ajo situatë e vështirë, më lejoni t’ju tregoj për fëmijërinë time.

Në kërkim të udhëheqjes biblike

Linda në vitin 1938 në ishujt Karaibe të Xhamajkës. Megjithëse babai nuk ishte pjesëtar i ndonjë kishe, ai e konsideronte veten si njeri me frikë Perëndie. Në mbrëmje, ai shpesh më kërkonte që t’i lexoja nga Bibla, nga libri i psalmeve. Shumë shpejt disa psalme i mësova përmendësh. Nëna ishte pjesëtare e një kishe aty ku banonim ne dhe ndonjëherë më merrte me vete në mbledhjet fetare.

Në ato mbledhje thuhej se Perëndia i merrte njerëzit e mirë në qiell, kurse të këqijtë i hidhte në zjarrin e përjetshëm në ferr. Gjithashtu thuhej se Jezui ishte Perëndia dhe se i donte fëmijët. Nuk dija ç’të mendoja për Perëndinë dhe kisha frikë prej tij. Më mundonte pyetja: ‘Nëse Perëndia i do njerëzit, si mund t’i torturojë në ferr?’

Ideja e ferrit të zjarrtë më bënte të shihja ëndrra të këqija. Me kalimin e kohës, fillova një kurs biblik me korrespondencë në Kishën Adventiste të Ditës së Shtatë. Ata na mësonin se njerëzit e këqij nuk do të torturoheshin përgjithmonë, por do të digjeshin e do të ktheheshin në hi. Kjo dukej më e arsyeshme, prandaj fillova të shkoja në mbledhjet e tyre fetare. Por mësimet e tyre sikur po më ngatërronin më shumë, dhe ajo që mësova nuk më ndihmoi t’i ndreqja pikëpamjet e mia të gabuara për moralin.

Në ato kohë, njerëzit në përgjithësi e pranonin se kurvëria ishte diçka e gabuar. Por, unë e shumë të tjerë besonim se vetëm ata që kryenin marrëdhënie seksuale me shumë partnerë ishin kurvarë. Pra, besonim se dy të pamartuar nuk mëkatonin për aq kohë sa kryenin marrëdhënie vetëm me njëri-tjetrin. (1 Korintasve 6:9, 10; Hebrenjve 13:4) Për shkak të kësaj pikëpamjeje përfundova nënë e pamartuar me gjashtë fëmijë.

Përparoj nga ana frymore

Në vitin 1965, Vaslin Gudisoni dhe Ethel Çembërsi u transferuan në komunitetin e Bathit që ndodhej aty afër. Ishin pioniere, siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait që shërbenin në kohë të plotë, dhe një ditë ato folën me babanë tim. Ai e pranoi ftesën e tyre për të bërë një studim biblik në shtëpi. Nëse qëlloja të isha në shtëpi në kohën që ato vinin, flisnin edhe me mua. Megjithëse i shihja Dëshmitarët e Jehovait me mosbesim, vendosa të studioja Biblën me ta vetëm që t’u tregoja se gaboheshin.

Gjatë studimit, bëja një mori pyetjesh dhe përgjigjen ma jepnin gjithmonë nga Bibla. Me ndihmën e tyre, mësova se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm dhe se nuk vuajnë në ferr. (Eklisiastiu 9:5, 10) Gjithashtu mësova edhe për shpresën e jetës së përhershme në një Parajsë tokësore. (Psalmi 37:11, 29; Zbulesa 21:3, 4) Megjithëse babai e ndërpreu studimin biblik, unë fillova të ndiqja mbledhjet me kongregacionin lokal të Dëshmitarëve të Jehovait. Mënyra paqësore dhe e rregullt se si drejtoheshin mbledhjet më ndihmoi të mësoja më shumë për Jehovain. Shkoja edhe në asamble dhe kongrese krahinore, mbledhje akoma më të mëdha të organizuara nga Dëshmitarët. Nga mësimet e Biblës më lindi një dëshirë e fortë që ta adhuroja Jehovain ashtu siç duhej. Por diçka më pengonte.

Në atë kohë, bashkëjetoja me babanë e tre prej gjashtë fëmijëve të mi, por nuk ishim martuar. Nga Bibla mësova se Perëndia i dënonte marrëdhëniet seksuale jashtë martese dhe prandaj filloi të më vriste ndërgjegjja. (Proverbat 5:15-20; Galatasve 5:19) Ndërsa dashuria ime për të vërtetën rritej, dëshiroja fort që të jetoja në harmoni me ligjin e Perëndisë. Si përfundim, vendosa. I thashë burrit me të cilin bashkëjetoja që ose të martoheshim, ose marrëdhënia jonë nuk do të vazhdonte më. Megjithëse nuk kishte të njëjtin besim me mua, ai pranoi të martoheshim zyrtarisht më 15 gusht të vitit 1970, pesë vjet pasi kisha folur për herë të parë me Dëshmitarët. U pagëzova në ujë në dhjetor të vitit 1970 duke simbolizuar kështu kushtimin tim ndaj Jehovait.

Për sa i përket shërbimit, nuk do ta harroj kurrë ditën që dola për herë të parë. Isha në tension dhe nuk dija si të filloja një bisedë për Biblën. Por u lehtësova kur i zoti i shtëpisë që takuam të parin, i dha fund bisedës shumë shpejt. Pas pak kohe, nuk isha më në tension. Në fund të ditës, isha shumë e lumtur, pasi shkurtimisht kisha folur me disa njerëz për Biblën dhe u kisha lënë disa botime biblike.

Përpiqem që familja të jetë frymësisht e fortë

Në vitin 1977, familja jonë ishte shtuar, pasi tani kisha tetë fëmijë. Isha e vendosur të bëja çmos që ta ndihmoja familjen t’i shërbente Jehovait. (Josiu 24:15) Prandaj punoja shumë që të mbaja një studim të rregullt biblik. Kishte raste kur nga rraskapitja më merrte gjumi ndërsa një nga fëmijët lexonte me zë paragrafin dhe ishin fëmijët që më zgjonin. Por lodhja fizike nuk na pengonte që ta studionim Biblën si familje.

Gjithashtu luteshim shumë shpesh si familje. Sapo rriteshin pak, i mësoja që t’i luteshin vetë Jehovait. Sigurohesha që secili prej tyre të bënte lutjen para se të flinte. Lutesha individualisht me secilin fëmijë që ishte shumë i vogël për t’u lutur vetë.

Në fillim im shoq nuk donte që t’i merrja fëmijët në mbledhjet e kongregacionit. Por u zbut pak, ngaqë i binte atij të kujdesej për ta kur unë isha në mbledhje. Natën i pëlqente që të dilte me shokët, prandaj nuk i dukej ide shumë e mirë të dilte i shoqëruar nga tetë fëmijë. Madje më vonë, ai filloi të më ndihmonte ndërsa bëja fëmijët gati për të shkuar në Sallën e Mbretërisë.

Shumë shpejt fëmijët u mësuan me mendimin se duhej të shkonin në çdo mbledhje dhe të merrnin pjesë në shërbim. Gjatë pushimeve verore, ata shpesh dilnin në predikim me ata që shërbenin si pionierë ose shërbëtorë të plotkohorë në kongregacion. Kjo i ndihmoi të vegjëlit e mi që ta donin me zemër kongregacionin dhe veprën e predikimit.​—Mateu 24:14.

Kohë sprovash

Që të ishim më mirë nga ana financiare, burri filloi të shkonte jashtë shtetit për të punuar. Qëndronte andej për periudha të gjata, por kthehej në intervale të rregullta. Por në vitin 1989, iku dhe nuk u kthye më. Ashtu siç thashë në fillim, humbja e burrit më shkatërroi fare. Netë me radhë qaja, i përgjërohesha Jehovait dhe ai iu përgjigj lutjeve të mia. Shkrime të tilla, si Isaia 54:4 dhe 1 Korintasve 7:15 më dhanë paqe mendore dhe forcën për të ecur para. Gjithashtu, të afërmit dhe miqtë në kongregacionin e krishterë më mbështetën, si nga ana emocionale, ashtu edhe materiale. I jam kaq mirënjohëse Jehovait dhe popullit të tij për ndihmën e tyre.

Por sprovat nuk mbaronin këtu. Njëherë, një nga vajzat e mia u përjashtua nga kongregacioni për sjellje jobiblike. Fëmijët janë të shtrenjtë për mua, por e para është besnikëria ime ndaj Jehovait. Prandaj, gjatë asaj kohe, unë dhe fëmijët e tjerë iu përmbajtëm me rreptësi drejtimit që jepte Bibla se si duhej të silleshim me të përjashtuarit. (1 Korintasve 5:11, 13) Morëm shumë kritika nga njerëzit që nuk e kuptonin pozicionin tonë në këtë mes. Por, pasi vajza u pranua sërish në kongregacion, burri i saj më tha që i kishte bërë përshtypje qëndrimi ynë i patundur ndaj parimeve biblike. Tani, ai i shërben Jehovait bashkë me familjen e tij.

Hasim probleme financiare

Kur na la burri, nuk kishim të ardhura të qëndrueshme dhe ai nuk na ndihmoi më. Nga kjo situatë mësuam të kënaqeshim me një jetë të thjeshtë dhe të vlerësonim pasuritë frymore më shumë se gjërat materiale. Fëmijët u lidhën shumë ndërsa mësonin ta donin dhe ta ndihmonin njëri-tjetrin. Kur fëmijët më të mëdhenj fillonin punë, ata ndihmonin vëllezërit më të vegjël. Vajza më e madhe, Marseri, e ndihmoi motrën më të vogël, Nikolën, të mbaronte shkollën tetëvjeçare. Përveç kësaj, kisha mundësi të mbaja një dyqan të vogël ushqimor. Të ardhurat e pakta më ndihmonin të plotësoja disa nga nevojat tona.

Jehovai nuk na ka braktisur kurrë. Njëherë i thashë një motre të krishterë që për shkak të gjendjes sonë financiare nuk mund të shkonim në kongresin krahinor. Ajo u përgjigj: «Motër Vali, kur dëgjon që do të mbahet një kongres, fillo të bëhesh gati! Jehovai nuk do të të lërë.» Ndoqa këshillën e saj. Jehovai më ndihmoi në atë rast dhe vazhdon të më ndihmojë. Familja jonë nuk ka humbur asnjë asamble apo kongres për shkak të parave.

Në vitin 1988, Xhamajka u përfshi nga Uragani Gilbert dhe ikëm nga shtëpia që të gjenim një strehë më të sigurt. Gjatë një ndërprerjeje të stuhisë, unë dhe një nga djemtë dolëm nga vendstrehimi për të parë shtëpinë tashmë të shkatërruar. Ndërsa rrëmoja nëpër rrënojat e shtëpisë, më zuri syri diçka që doja ta merrja. Papritur era filloi të ulërinte sërish, por nuk e lëshoja kurrsesi atë që kisha marrë. «Mama, lëshoje televizorin. Gruaja e Lotit je ti?» (Luka 17:31, 32) Këto fjalë të djalit më sollën në vete. E hodha televizorin e bërë qull nga shiu dhe vrapuam për te vendstrehimi.

Tani më dridhet mishi kur kujtoj se rrezikova jetën për një televizor. Por gëzohem kur mendoj për paralajmërimin aq frymor që bëri djali në atë rast. Falë stërvitjes biblike që kishte marrë në kongregacionin e krishterë, mundi të më ndihmonte të shmangia dëme të mëdha fizike, e ndoshta edhe frymore.

Nga stuhia humbëm shtëpinë e gjithçka kishime, dhe zemra na lëshoi fare. Por pastaj erdhën vëllezërit tanë të krishterë. Ata na inkurajuan ta përballonim humbjen me besim te Jehovai dhe të vazhdonim të ishim aktivë në shërbim, e madje na ndihmuan të rindërtonim shtëpinë. Na preku thellë puna vetëmohuese dhe me shumë dashuri që bënë Dëshmitarët vullnetarë nga Xhamajka dhe nga vende të tjera.

Vëmë Jehovain në vend të parë

Pasi mbaroi shkollën, vajza e dytë, Meleina, filloi shërbimin si pioniere. Pastaj pranoi ftesën për të shërbyer si pioniere në një kongregacion tjetër, dhe kjo do të thoshte se duhej të linte punën. Megjithëse kjo punë ishte një ndihmë e madhe për familjen tonë nga ana financiare, ne kishim besim se Jehovai do të kujdesej, nëse secili prej nesh do të vinte interesat e Mbretërisë në vend të parë. (Mateu 6:33) Më vonë, edhe djali, Euani, mori ftesën për të shërbyer si pionier. Edhe ai ishte një ndihmë për familjen, por ne e nxitëm ta pranonte ftesën dhe i uruam bekimet e Jehovait. Nuk i kam penguar kurrë fëmijët që të zgjerojnë shërbimin e tyre ndaj Mbretërisë, dhe neve që mbeteshim në shtëpi nuk na kanë munguar kurrë gjërat më të rëndësishme. Përkundrazi, gëzimi ynë shtohej dhe ka pasur raste që edhe kemi ndihmuar ata që kanë pasur nevojë.

Sot jam shumë e lumtur kur shoh fëmijët që «ecin në të vërtetën». (3 Gjonit 4) Një nga vajzat, Meleina, tani shoqëron burrin e saj që shërben si mbikëqyrës qarkor. Vajza tjetër, Andrea, dhe burri i saj shërbejnë si pionierë specialë, dhe kur burri i saj viziton kongregacionet si zëvendësmbikëqyrës qarkor, ajo e shoqëron. Një nga djemtë, Euani, është plak kongregacioni dhe bashkë me gruan shërbejnë si pionierë specialë. Ava-Gei punon me burrin në Zyrën e Degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Xhamajkë. Xheniferi, Xheniva dhe Nikola, bashkë me burrat dhe fëmijët e tyre, shërbejnë me zell në kongregacionet e tyre. Ndërsa Marseri jeton me mua, dhe të dyja jemi në kongregacionin Port Morant. Bekimet janë të mëdha, sepse të tetë fëmijët vazhdojnë të adhurojnë Jehovain.

Vitet ikin dhe bashkë me plakjen vijnë edhe problemet shëndetësore. Vuaj nga artriti reumatoid, e megjithatë vazhdoj të shërbej si pioniere. Por, para ca kohësh, për mua u bë e vështirë të ngjitesha nëpër rrugët e lagjes ku banoj. E kisha të vështirë të shkoja në shërbim. Provova të lëvizja me biçikletë dhe kuptova që ishte më e lehtë për mua sesa në këmbë. Kështu që bleva një biçikletë të përdorur. Në fillim, fëmijët e kishin të vështirë të shihnin mbi biçikletë nënën e tyre me artrit. Megjithatë, ishin të kënaqur që unë vazhdoja të predikoja, ashtu siç ma donte zemra.

Është gëzim i madh kur shoh ata që kanë studiuar me mua të përqafojnë të vërtetën biblike. Gjithmonë lutem që Jehovai ta ndihmojë të gjithë familjen time t’i qëndrojë besnike atij në këto kohë të fundit e deri në përjetësi. Lavdëroj dhe falënderoj Jehovain, ‘Dëgjuesin e lutjes’, që më dha forcën të kaloja sprovat që hasa gjatë rritjes së tetë fëmijëve në rrugët e tij.​—Psalmi 65:2.

[Figura në faqen 10]

Me fëmijët e mi, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre

[Figura në faqen 12]

Tani përdor biçikletë për të dalë në shërbim