Pika kryesore nga libri i Ezdrës
Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Ezdrës
LIBRI biblik i Ezdrës e vazhdon historinë aty ku e lë libri i dytë i Kronikave. Shkrimtari i tij, prifti Ezdra, i nis ngjarjet me daljen e një dekreti nga mbreti Kir i Persisë, që lejon të kthehet në atdhe një mbetje e judenjve të mërguar në Babiloni. Historia përfundon me masat që merr Ezdra për të pastruar ata që janë ndotur me popullin e vendit. Libri përfshin gjithsej një periudhë prej 70 vjetësh: nga viti 537 p.e.s. deri në vitin 467 p.e.s.
Në këtë libër, Ezdra ka një synim të qartë: të tregojë si e mbajti Jehovai premtimin se do ta çlironte popullin e Tij nga robëria në Babiloni dhe do të rivendoste në Jerusalem adhurimin e vërtetë. Prandaj Ezdra përqendrohet vetëm tek ato ngjarje që lidhen me këtë qëllim. Në librin e Ezdrës tregohet si u rindërtua tempulli dhe si u rivendos adhurimi i Jehovait, me gjithë kundërshtimin dhe papërsosmërinë e popullit të Perëndisë. Kjo histori është me mjaft interes për ne, pasi edhe ne po jetojmë në një kohë rivendosjeje. Shumë njerëz po vërshojnë drejt ‘malit të Jehovait’ dhe, së shpejti, krejt toka «do të mbushet me njohurinë e lavdisë së Jehovait».—Isaia 2:2, 3; Habakuku 2:14.
TEMPULLI RINDËRTOHET
Pas dekretit të Kirit që i çliron, rreth 50.000 të mërguar judenj kthehen në Jerusalem, të udhëhequr nga guvernatori Zorobabel ose ndryshe Sheshbazar. Me t’u kthyer, ata ngrenë altarin në vendin e vet dhe nisin t’i bëjnë flijime Jehovait.
Vitin tjetër, izraelitët hedhin themelet e shtëpisë së Jehovait. Armiqtë i futin hundët vazhdimisht në punën e rindërtimit dhe, së fundi, ia dalin të nxjerrin një urdhër nga mbreti për ta ndalur punën. Profetët Hage dhe Zakaria i japin zemër popullit, kështu që, pavarësisht nga urdhri i ndalimit, ndërtimi i tempullit nis sërish. Kundërshtarët i frenon frika se po i kundërvihen një dekreti të pandryshueshëm pers, të nxjerrë më parë nga Kiri. Nga një hetim zyrtar del në dritë urdhri i Kirit «lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jerusalem». (Ezdra 6:3) Puna ecën mirë dhe përfundon.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:3-6—A kishin besim të dobët ata izraelitë që s’dolën vullnetarë të ktheheshin në vendlindje? Disa mund të mos jenë kthyer në Jerusalem, ngaqë ishin materialistë ose s’kishin çmueshmëri për adhurimin e vërtetë. Por nuk ishte kështu në çdo rast. Një problem ishte që udhëtimi për në Jerusalem zgjaste katër a pesë muaj dhe ishin 1.600 kilometra rrugë. Veç kësaj, duhej të ishe goxha i fortë fizikisht që të vendoseshe me banim në një vend që ishte i shkretuar prej 70 vjetësh e të merrje pjesë në punën e rindërtimit. Prandaj, patjetër që rrethanat e pafavorshme, si ndonjë sëmundje, mosha e thyer a detyrimet familjare, nuk i lejonin disa izraelitë të ktheheshin.
2:43—Cilët ishin nethinimët? Ata s’kishin origjinë izraelite dhe shërbenin si skllevër ose shërbëtorë të tempullit. Ndër ta ishin pasardhësit e gibeonitëve të kohës së Josiut, si edhe të tjerë «që Davidi dhe princat i dhanë në shërbim të levitëve».—Ezdra 8:20.
2:55—Cilët ishin bijtë e shërbëtorëve të Solomonit? Ishin joizraelitë, të cilëve u ishin dhënë privilegje të veçanta në shërbim të Jehovait. Mund të kenë shërbyer si skribë a si kopistë në tempull, ose mund të kenë pasur detyra administrative.
2:61-63—A i kishin të mërguarit e kthyer Urimin dhe Thumimin, që përdoreshin kur kërkohej përgjigje nga Jehovai? Ata që pohuan se kishin origjinë priftërore dhe që nuk e vërtetuan dot gjenealogjinë e tyre, mund ta provonin këtë duke përdorur Urimin dhe Thumimin. Ezdra e përmend këtë thjesht si një mundësi. Shkrimet nuk thonë asgjë për përdorimin e Urimit dhe Thumimit në atë kohë ose më pas. Sipas gojëdhënave judaike, Urimi dhe Thumimi u zhdukën kur u shkatërrua tempulli, në vitin 607 p.e.s.
3:12—Pse qanin ‘të moshuarit që kishin parë shtëpinë e mëparshme’ të Jehovait? Ata burra mund të sillnin ndër mend sa madhështor kishte qenë tempulli i ndërtuar nga Solomoni. Në krahasim me të, themelet e tempullit të ri që kishin përpara, ishin «asgjë në sytë [e tyre]». (Hageu 2:2, 3) Vallë, a do të arrinin ta kthenin dot lavdinë e tempullit të mëparshëm?! Ata duhet të jenë ndier të shkurajuar e prandaj qanë.
3:8-10; 4:23, 24; 6:15, 16—Sa vjet u deshën për të rindërtuar tempullin? Themelet e tempullit u hodhën në vitin 536 p.e.s.—«vitin e dytë të ardhjes së tyre». Puna e ndërtimit u ndal në kohën e mbretit Artakserks, në vitin 522 p.e.s., dhe kjo vazhdoi deri në vitin 520 p.e.s., viti i dytë i mbretit Dar. Tempulli përfundoi vitin e gjashtë të mbretërimit të tij, në vitin 515 p.e.s. (Shih kutinë «Mbretërit e Persisë gjatë viteve 537 p.e.s.-467 p.e.s.») Pra, për ndërtimin e tempullit u deshën afro 20 vjet.
4:8–6:18—Kjo pjesë e librit të Ezdrës u shkrua në gjuhën aramaike. Pse? Kjo pjesë përmban kryesisht kopje të letrave që disa nëpunës qeveritarë u dërguan mbretërve, si dhe përgjigjet e këtyre të fundit. Ezdra i kopjoi ato nga regjistrimet publike, të shkruara në gjuhën aramaike—gjuha e botës tregtare dhe e botës diplomatike të asaj kohe. Pjesë të tjera të Biblës të shkruara në atë gjuhë të lashtë semitike janë Ezdra 7:12-26, Jeremia 10:11 dhe Danieli 2:4b–7:28.
Mësime për ne:
1:2. Ajo çka profetizoi Isaia rreth 200 vjet përpara, doli e vërtetë. (Isaia 44:28) Profecitë që përmban Fjala e Jehovait nuk mbeten kurrë pa u plotësuar.
1:3-6. Ashtu si disa nga izraelitët që mbetën në Babiloni, shumë Dëshmitarë të Jehovait s’mund të fillojnë shërbimin e plotkohor ose të shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë. Megjithatë, mbështetin e inkurajojnë ata që munden ta bëjnë këtë, si edhe japin kontribute vullnetare për të çuar përpara veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve.
3:1-6. Izraelitët besnikë të kthyer nga mërgimi e bënë flijimin e parë në muajin e shtatë të vitit 537 p.e.s. (muaji tishër, që korrespondon me muajt shtator-tetor). Babilonasit kishin hyrë në Jerusalem muajin e pestë (muaji ab, që korrespondon me muajt korrik-gusht) të vitit 607 p.e.s. dhe dy muaj më pas qyteti ishte krejtësisht i rrënuar. (2 Mbretërve 25:8-17) Siç qe parathënë, 70 vjetët, gjatë të cilave Jerusalemi do të ishte një shkreti, përfunduan tamam në kohë. (Jeremia 25:11; 29:10) Çdo gjë që parathuhet në Fjalën e Jehovait, del gjithnjë e vërtetë.
4:1-3. Mbetja besnike e izraelitëve hodhi poshtë një ofertë që do të nënkuptonte aleancë fetare me adhurues të rremë. (Dalja 20:5; 34:12) Në mënyrë të ngjashme, adhuruesit e Jehovait sot nuk marrin pjesë në asnjë lëvizje për bashkimin e feve.
5:1-7; 6:1-12. Jehovai mund t’i manovrojë gjërat, në mënyrë që populli i tij të ketë sukses.
6:14, 22. Pjesëmarrja me zell në veprën e Jehovait sjell miratimin dhe bekimet e tij.
6:21. Ngaqë e panë me sytë e tyre se si eci përpara vepra e Jehovait, samaritanët që jetonin asokohe në atdheun e judenjve, si dhe ata mërgimtarë të kthyer që kishin rënë pre e ndikimeve pagane, u ndien të nxitur të bënin ndryshime në jetë. A nuk duhet të marrim pjesë me gjithë shpirt në çdo caktim që na jep Perëndia, përfshirë edhe veprën e shpalljes së Mbretërisë?
EZDRA SHKON NË JERUSALEM
Kanë kaluar 50 vjet që kur u përurua shtëpia e rindërtuar e Jehovait. Është viti 468 p.e.s. Pasi merr me vete një mbetje nga populli i Perëndisë dhe disa kontribute, Ezdra shkon nga Babilonia në Jerusalem. Çfarë gjen atje?
Princat i thonë Ezdrës: «Populli i Izraelit, priftërinjtë dhe levitët nuk janë ndarë nga popujt e vendeve për sa u përket gjërave të tyre të pështira.» Për më tepër, «të parët që kanë pasur dorë në këtë pabesi, ishin princat dhe mëkëmbësit». (Ezdra 9:1, 2) Ezdra tronditet. Atij i jepet inkurajimi: «Ji i fortë dhe vepro.» (Ezdra 10:4) Ezdra merr masa për t’i ndrequr gjërat, dhe populli reagon mirë.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
7:1, 7, 11—A e kanë fjalën këto vargje për Artakserksin që urdhëroi të ndalej puna e ndërtimit? Jo. Artakserks është një emër ose një titull i dy mbretërve persë. Ai që urdhëroi të ndalej ndërtimi i tempullit në vitin 522 p.e.s. ishte ose Bardijai, ose Gaumata. Artakserksi i kohës kur shkoi Ezdra në Jerusalem ishte Artakserks Dorëgjati.
7:28–8:20—Pse shumë judenj në Babiloni ngurronin të ngjiteshin në Jerusalem me Ezdrën? Edhe pse kishin kaluar më shumë se 60 vjet që kur grupi i parë i judenjve ishte kthyer në atdhe, në Jerusalem ishin bërë vetëm ca rregullime tek-tuk. Të ktheheshe në Jerusalem do të thoshte ta nisje jetën nga e para në rrethana të vështira e të rrezikshme. Jerusalemi i asaj kohe nuk i tërhiqte nga ana materiale ata judenj që me sa duket ishin të begatë në Babiloni. Edhe udhëtimi i rrezikshëm nuk ishte gjë e vogël. Ata që do të ktheheshin, duhej të kishin besim të fortë te Jehovai, zell për adhurimin e vërtetë dhe guxim për të bërë atë transferim. Ezdra vetë u forcua ngaqë mbi të ishte dora e Jehovait. Me inkurajimin e Ezdrës, 1.500 familje—ndoshta 6.000 veta—dolën vullnetare të ktheheshin. Pasi Ezdra ndërmori disa hapa të tjerë, me ta u bashkuan 38 levitë dhe 220 nethinimë.
9:1, 2—Sa të rrezikshme ishin krushqitë me popujt e vendit? Kombit të rivendosur i qe besuar adhurimi i Jehovait, që ta ruante derisa të vinte Mesia. Martesat e përziera me banorë të vendit ishin një kërcënim i madh për adhurimin e vërtetë. Ngaqë disa kishin lidhur krushqi me adhurues të idhujve, tërë kombin mund ta përpinin dalëngadalë kombet pagane. Adhurimi i pastër mund të zhdukej nga faqja e dheut. Te cilët do të vinte atëherë Mesia?! Kuptohet pse Ezdra u trondit, kur pa ç’kishte ndodhur!
10:3, 44—Pse, bashkë me gratë, ata burra larguan edhe fëmijët? Sikur fëmijët të mbeteshin atje, do të kishte më shumë të ngjarë që gratë e larguara të ktheheshin për shkak të tyre. Veç kësaj, të vegjlit zakonisht kanë nevojë për kujdesin e nënës.
Mësime për ne:
7:10. Si studiues i zellshëm dhe mësues i mirë i Fjalës së Perëndisë, Ezdra na lë një shembull. Me lutje, ai e përgatiste zemrën për t’u këshilluar me Ligjin e Jehovait. E kur këshillohej me të, gjithë vëmendjen e kishte tek ajo që thoshte Jehovai. Pastaj e zbatonte dhe përpiqej t’ua mësonte të tjerëve.
7:13. Jehovai do që t’i shërbejmë me dëshirë.
7:27, 28; 8:21-23. Ezdra ia dha meritën Jehovait, iu përgjërua me gjithë zemër para udhëtimit të gjatë e të rrezikshëm për në Jerusalem dhe qe gati të rrezikonte veten për hir të lavdisë së Perëndisë. Kështu, la një shembull të shkëlqyer për ne.
9:2. Duhet ta marrim seriozisht këshillën për t’u martuar «vetëm në Zotërinë».—1 Korintasve 7:39.
9:14, 15. Shoqëritë e këqija mund të çojnë në humbjen e miratimit të Jehovait.
10:2-12, 44. Ata që kishin marrë gra të huaja, u penduan me përulësi dhe u kthyen nga udha e gabuar. Qëndrimi i tyre dhe mënyra si vepruan janë shembull i mirë.
Jehovai i mban premtimet
Sa shumë vlerë ka për ne libri i Ezdrës! Jehovai e përmbushi tamam në kohë premtimin se do ta çlironte popullin e tij nga robëria në Babiloni dhe do të rivendoste adhurimin e vërtetë në Jerusalem. A nuk na e forcon kjo besimin te Jehovai dhe te premtimet e tij?
Të mendojmë për shembujt që gjejmë në librin e Ezdrës. Ezdra dhe mbetja që u kthye për të rivendosur adhurimin e pastër në Jerusalem, janë një shembull i shkëlqyer për përkushtimin që treguan ndaj Perëndisë. Në këtë libër del në pah edhe besimi i të huajve që i frikësoheshin Perëndisë, si edhe qëndrimi i përulur i fajtorëve të penduar. Vërtet, fjalët e frymëzuara të Ezdrës janë provë e qartë se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi».—Hebrenjve 4:12.
[Tabela dhe figura në faqen 18]
MBRETËRIT E PERSISË GJATË VITEVE 537 P.E.S.-467 P.E.S.
Kiri i Madh (Ezdra 1:1) vdiq në vitin 530 p.e.s.
Kambisi ose Asueri (Ezdra 4:6) 530 p.e.s.-522 p.e.s.
Artakserksi—Bardijai ose Gaumata (Ezdra 4:7) 522 p.e.s. (E vranë pasi kishte mbretëruar vetëm për shtatë muaj.)
Dari I (Ezdra 4:24) 522 p.e.s.-486 p.e.s.
Kserksi ose Asueri * 486 p.e.s.-475 p.e.s. (Qeverisi si bashkëregjent me Darin I gjatë viteve 496 p.e.s.-486 p.e.s.)
Artakserks Dorëgjati (Ezdra 7:1) 475 p.e.s.-424 p.e.s.
[Shënimi]
^ par. 50 Kserksi nuk përmendet në librin e Ezdrës. Ai përmendet me emrin Asuer në librin biblik të Esterës.
[Figura]
Asueri
[Figura në faqen 17]
Kiri
[Figura në faqen 17]
Cilindri i Kirit tregon se politika që ndiqte ai, ishte t’i kthente robërit në atdheun e tyre
[Burimi]
Cilindri: fotografuar me mirësjelljen e Muzeut Britanik
[Figura në faqen 20]
A e dini pse Ezdra ishte mësues i mirë?