Cilët janë të krishterë të vërtetë?
Cilët janë të krishterë të vërtetë?
«KRISHTËRIMI ekziston vetëm aty ku njohuria për Jezu Krishtin u mësohet njerëzve dhe zbatohet në praktikë.» (Ç’do të thotë të jesh i krishterë?, anglisht) Me këto fjalë, teologu zviceran Hans Kyng pohon një të vërtetë që s’ka nevojë të provohet: krishterimi i vërtetë ekziston vetëm aty ku individë të sinqertë i vënë në praktikë mësimet e Krishtit.
Atëherë, çfarë do të ndodhë me ata individë ose institucione që pretendojnë se ndjekin Krishtin, por në të vërtetë nuk e zbatojnë atë që mësoi ai? Vetë Jezui tha se shumë do të thoshin se ishin të krishterë. Ata do të nxirrnin në pah veprat e ndryshme për të provuar se i shërbyen atij dhe do të thoshin: «A nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë Mateu 7:22, 23.
vepra të fuqishme në emrin tënd?» Por, si do të përgjigjej Jezui? Fjalët e tij tronditëse e tregojnë gjykimin e tij: «Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!»—Çfarë paralajmërimi i fortë për ‘ata që bëjnë paligjshmëri’, të cilët thonë se ndjekin Jezuin! Le të shqyrtojmë dy kushte thelbësore që vë Jezui për ata njerëz të cilët duan që ai t’i pranojë si të krishterë të vërtetë, e jo t’i hedhë poshtë si ata që bëjnë paligjshmëri.
«Nëse keni dashuri për njëri-tjetrin»
Njëri kusht që vë Jezui është ky: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:34, 35.
Jezui kërkon nga ithtarët e tij që të kenë dashuri të vërtetë për njëri-tjetrin dhe për njerëzit e tjerë. Shumë individë të krishterë e kanë plotësuar këtë kusht gjatë shekujve pas ardhjes së Jezuit në tokë. Por ç’të themi për shumicën e organizatave fetare që kanë pohuar se përfaqësonin Krishtin? A është karakterizuar nga dashuria historia e tyre? Patjetër që jo. Ato përkundrazi kanë qenë në ballë të luftërave dhe të konflikteve të panumërta në të cilat është derdhur gjak të pafajshmish.—Zbulesa 18:24.
Kjo ka qenë e vërtetë deri në kohët tona. Kombe që pohonin se ishin të krishtere udhëhoqën kasaphanën që karakterizoi dy luftërat botërore të shekullit të 20-të. Kohët e fundit, pjesëtarë të të ashtuquajturave kisha të krishtere ishin në ballë të mizorive barbare dhe të përpjekjeve për gjenocid, që ndodhën në Ruandë më 1994. «Ata që iu kundërvunë njëri-tjetrit në këtë sjellje të përgjakur,—shkruan ish-kryepeshkopi anglikan Dezmond Tutu,—kishin të njëjtin besim. Shumica ishin të krishterë.»
«Nëse qëndroni në fjalën time»
Jezui e bëri të qartë një kërkesë të dytë thelbësore për krishterimin e vërtetë, kur tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:31, 32.
Jezui pret që ithtarët e vet të qëndrojnë në fjalën e tij, domethënë, t’u përmbahen mësimeve të tij. Por, në vend të kësaj, siç vëren edhe teologu Kyng, mësuesit fetarë që pohojnë se ndjekin Krishtin, kanë «përvetësuar gjithnjë e më tepër koncepte greke». Ata i kanë zëvendësuar mësimet e Jezuit, midis të tjerash, edhe me ide si pavdekësia e shpirtit, besimi te purgatori, adhurimi i Marisë dhe me një klasë klerikale. Këto ide janë huazuar nga fe dhe filozofë paganë.—1 Korintasve 1:19-21; 3:18-20.
Mësuesit fetarë futën edhe doktrinën e pakuptueshme të Trinitetit, duke e ngritur Jezuin në një pozitë që ai kurrë nuk e pretendoi. Me këtë doktrinë, ata i larguan njerëzit nga adhurimi i atij tek i cili Jezui e drejtoi gjithnjë vëmendjen: tek Ati i tij, Jehovai. (Mateu 5:16; 6:9; Gjoni 14:28; 20:17) Hans Kyngu shkruan: «Kur Jezui flet për Perëndinë, ai e ka fjalën për Perëndinë e lashtë të patriarkëve Abraham, Isak dhe Jakob: Jahveun . . . Për të Ai është një dhe i vetmi Perëndi.» Sa njerëz sot e lidhin menjëherë Perëndinë dhe Atin e Jezuit me Jahveun ose Jehovain, siç shkruhet zakonisht emri i tij në shqip?
Udhëheqësit fetarë e kanë shpërfillur fare urdhrin e Jezuit për të qëndruar asnjanës në çështjet politike. Shkrimtari Trevor Morou thotë se, në ditët e Jezuit, Galilea «ishte zemra e nacionalizmit etnik». Shumë patriotë hebrenj morën armët për të fituar liri politike dhe fetare. A u tha Jezui dishepujve të tij të përziheshin në beteja të tilla? Jo. Përkundrazi, ai u tha atyre: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19; 17:14) Por krerët e kishave, në vend që të qëndronin asnjanës, zhvilluan atë që shkrimtari irlandez Hjubert Batler e përshkruan «klerikalizëm militant dhe politik». Ai shkruan: «Krishterimi politik është pothuajse gjithnjë edhe krishterim militarist, dhe kur pushtetarët e klerikët bëjnë marrëveshje mes tyre, ndodh gjithmonë që, në këmbim të disa privilegjeve, Kisha u jep bekimin e saj forcave ushtarake të shtetit.»
Mësuesit e rremë e mohojnë Jezuin
Apostulli Pavël paralajmëroi për një largim nga krishterimi i vërtetë. Ai tha se pas vdekjes së tij, «ujqër të ligj» mes të të ashtuquajturve të krishterë, ‘do të thoshin gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt’. (Veprat 20:29, 30) Ata ‘do të shpallnin publikisht se e njihnin Perëndinë’, por në të vërtetë ‘do ta mohonin atë me veprat e tyre’. (Titit 1:16) Po ashtu apostulli Pjetër paralajmëroi se mësues të rremë ‘do të futnin tinëzisht sekte shkatërruese e do të mohonin madje edhe pronarin që i bleu’. Ai tha se për shkak të sjelljes së tyre të keqe, njerëzit ‘do të shanin udhën e së vërtetës’. (2 Pjetrit 2:1, 2) Të mohosh Krishtin në këtë mënyrë, thotë studiuesi i greqishtes U. E. Vajn, do të thotë «të mohosh Atin dhe Birin, duke bërë apostazi dhe duke përhapur mësime shkatërrimtare».
Si do të reagonte Jezui sikur njerëzit që e quanin veten dishepuj të tij, me dashje ‘të mos qëndronin në fjalën e tij’ dhe të mos i plotësonin kërkesat e tjera që caktoi ai? Ai paralajmëroi: «Këdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim, që është në qiej.» (Mateu 10:33) Sigurisht Jezui nuk e mohon dikë që bën një gabim, e që megjithatë ka një dëshirë të zjarrtë t’i qëndrojë besnik. Për shembull, ndonëse apostulli Pjetër e mohoi Jezuin tri herë, ai u pendua dhe Jezui e fali. (Mateu 26:69-75) Megjithatë Jezui i mohon ata individë ose institucione që veprojnë si ujqër të veshur si dele: pra, që hiqen sikur ndjekin Krishtin, por me dashje dhe vazhdimisht i hedhin poshtë mësimet e tij. Jezui tha për këta mësues të rremë: «Do t’i njihni nga frytet e tyre.»—Mateu 7:15-20.
Pas vdekjes së apostujve zhvillohet apostazia
Kur filluan ta mohonin Krishtin të krishterët e rremë? Shumë shpejt pas vdekjes së tij. Vetë Jezui paralajmëroi se Satana Djalli do të mbillte me të shpejtë «egjër» ose të krishterë të rremë, nëpër ‘farën e mirë’ ose të krishterët e vërtetë që Jezui mbolli gjatë shërbimit të tij. (Mateu 13:24, 25, 37-39) Apostulli Pavël paralajmëroi se mësues mashtrues tashmë vepronin në ditët e tij. Ai tha se arsyeja kryesore pse u larguan nga mësimet e Jezu Krishtit ishte se nuk e «donin të vërtetën».—2 Selanikasve 2:10.
Apostujt e Jezu Krishtit vepruan si forcë frenuese ndaj kësaj apostazie, sa ishin gjallë. Por pas vdekjes së tyre, disa udhëheqës fetarë, duke përdorur ‘çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe . . . çdo mashtrim që mund të sillte padrejtësia’, për të çuar në udhë të gabuar shumë veta, larguan gjithnjë e më tepër njerëz nga të vërtetat që mësuan Jezui dhe apostujt. (2 Selanikasve 2:3, 6-12) Me kalimin e kohës, shkruan filozofi anglez Bertrand Rasëll, kongregacioni i hershëm i krishterë u shndërrua në një organizatë fetare që «do ta kishte habitur shumë Jezuin, e madje edhe Pavlin».
Rivendoset krishterimi i vërtetë
Të gjitha faktet flasin qartë. Që pas vdekjes së apostujve, mësimet e Krishtit nuk janë pasqyruar në shumë nga gjërat që kanë ndodhur në emër të krishterimit. Por kjo nuk do të thotë se Jezui nuk ka arritur ta mbajë premtimin se do të ishte me ithtarët e vet «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mateu 28:20) Mund të jemi të sigurt se që kur tha këto fjalë, ka pasur individë besnikë të cilët ‘njohurinë për Jezu Krishtin ua kanë mësuar njerëzve dhe e kanë zbatuar në praktikë’. Jezu Krishti e ka mbajtur premtimin për t’i mbështetur këta ndërsa janë përpjekur të shfaqin atë dashuri që karakterizon të krishterët e vërtetë dhe të qëndrojnë besnikë ndaj të vërtetave që mësoi ai.
Për më tepër, Jezui premtoi se në ditët e fundit të këtij sistemi ai do t’i mblidhte dishepujt e tij besnikë në një kongregacion të krishterë që do të identifikohej qartë dhe të cilin do ta përdorte për të përmbushur vullnetin e tij. (Mateu 24:14, 45-47) Ai po e përdor tani atë kongregacion për të mbledhur «një shumicë të madhe» me burra, gra dhe fëmijë «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» dhe po i bashkon ata nën kryesinë e tij, në ‘një kope të vetme’ nën «një bari të vetëm».—Zbulesa 7:9, 14-17; Gjoni 10:16; Efesianëve 4:11-16.
Prandaj largohuni nga çdo institucion ose organizatë që ka njollosur emrin e Krishtit dhe të krishterimit gjatë dy mijë vjetëve të shkuar. Përndryshe, siç i tha Jezu Krishti apostullit Gjon, mund «të merrni nga plagët» e tyre kur, në të ardhmen e afërt, Perëndia të ekzekutojë gjykimin ndaj tyre. (Zbulesa 1:1; 18:4, 5) Vendosni që të jeni mes atyre për të cilët foli profeti Mikea kur tha se «në ditët e fundit», adhuruesit e vërtetë, pra pjesëtarët e krishterimit të vërtetë, do t’i dëgjonin udhëzimet e Perëndisë dhe ‘do të ecnin në shtigjet’ e adhurimit të pastër të rivendosur. (Mikea 4:1-4) Botuesit e kësaj reviste do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë që t’i identifikoni këta adhurues të vërtetë.
[Figurat në faqen 5]
Pse të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në luftë?
[Burimet]
Ushtarë, majtas: fotografi e Arkivave Kombëtarë të SHBA-së; flakëhedhës, djathtas: fotografi e Ushtrisë së SHBA-së
[Figurat në faqen 7]
‘Kini dashuri për njëri-tjetrin’ dhe «qëndroni në fjalën time» janë kushte thelbësore që vë Jezui për të krishterët e vërtetë