Jeta ime ndryshoi kur mësova se përse i lejon Perëndia vuajtjet
Jetëshkrim
Jeta ime ndryshoi kur mësova se përse i lejon Perëndia vuajtjet
TREGUAR NGA HERI PELOJANI
Pse i lejon Perëndia vuajtjet? Kjo pyetje më mundonte qëkur isha fëmijë. Prindërit e mi ishin njerëz të ndershëm, punëtorë dhe bënin shumë për familjen. Por babai nuk ishte fetar, kurse mamaja besonte vetëm pak. Kështu që ata nuk mund të më jepnin dot përgjigje.
KJO pyetje më mundonte edhe më shumë gjatë dhe pas Luftës II Botërore, kur isha ushtar për më shumë se tre vjet në Marinën e Shteteve të Bashkuara. Pasi mbaroi lufta, më caktuan në një anije me ndihma që nisej për në Kinë. Qëndrova atje gati një vit dhe pashë shumë njerëz që vuanin jashtë mase.
Kinezët janë shumë punëtorë dhe të zgjuar. Por shumë prej tyre po vuanin nga varfëria dhe dhuna që shkaktoi Lufta II Botërore. Më këputnin shpirtin ata fëmijë të bukur, shumë prej të cilëve të kequshqyer e të rreckosur, që kërkonin lëmoshë kur zbrisnim në breg.
Përse?
Që kur linda, në vitin 1925, isha rritur në Kaliforni, SHBA, prandaj ajo që po shihja në Kinë ishte e pazakontë për mua. Herë pas here pyesja veten: ‘Nëse ka një Krijues të plotfuqishëm, pse lejon që kaq shumë njerëz, e sidomos fëmijë të pafajshëm, të jetojnë në kushte të tilla?’
Gjithashtu pyesja veten se përse Perëndia, nëse vërtet ekzistonte, i mbyllte sytë para atij
shkatërrimi, atyre vrasjeve në masë, vdekjes dhe vuajtjeve që kishte kaluar njerëzimi gjatë gjithë historisë, e sidomos në Luftën II Botërore, ku më shumë se 50 milionë njerëz humbën jetën. Pastaj, pse njerëz të së njëjtës fe, të nxitur nga kleri i tyre, vrisnin njëri-tjetrin në luftë vetëm sepse i përkitnin kombësive të ndryshme?Teleskopi
Kur në vitin 1939 filloi Lufta II Botërore dhe familja njerëzore u përfshi në një masakër të përgjithshme, mendova që s’mund të kishte Perëndi. Në atë kohë, në shkollë të mesme, në një lëndë shkencore kishim si detyrë të ndërtonim një objekt shkencor çfarëdo. Meqë më pëlqente astronomia, mora përsipër që të bëja një teleskop të madh me pasqyrë, ku diametri i pasqyrës ishte 20 centimetra.
Për të ndërtuar teleskopin, bleva një copë xham rreth 3 centimetra të trashë dhe 20 centimetra të gjerë dhe e çova te xhamaprerësi për ta bërë të rrumbullakët. Pastaj fillova ta gërryeja për ta kthyer në thjerrë, dhe kjo gjë nuk ishte e lehtë. Më mori gjithë kohën e lirë gjatë semestrit. Kur mbarova punë me pasqyrën, e vura në një tub metalik dhe e pajisa teleskopin me lente dytësore me forcë të ndryshme.
Një natë, kur qielli ishte i pastër dhe pa hënë, e nxora teleskopin jashtë për herë të parë dhe e drejtova nga yjet dhe planetët e sistemit tonë diellor. U mahnita nga gjithë ata trupa qiellorë dhe organizimi i mirë i gjithçkaje. Por u mrekullova edhe më shumë kur mësova që disa nga këto «yje», në të vërtetë, ishin galaktika me miliarda yje, si galaktika jonë «Udha e Qumështit».
‘Sigurisht,—mendova,—të gjitha këto nuk janë krijuar vetë. Diçka e organizuar nuk mund të ndodhë rastësisht. Universi është kaq i organizuar, sa duket sikur e ka bërë një gjeni. Mos vallë, i ka krijuar një Perëndi?’ Përvoja e teleskopit më bëri që të hiqja dorë nga pikëpamja ateiste që kisha më parë.
Pastaj pyeta veten: ‘Nëse vërtet ekziston një Perëndi aq i fuqishëm dhe aq i mençur sa të krijojë këtë univers të shkëlqyer, nuk mund ta përmirësojë gjendjen e mjerë në të cilën ndodhet toka? Po, para së gjithash, pse i kishte lejuar gjithë këto vuajtje?’ Kur ua bëja këto pyetje njerëzve të fesë, nuk më jepnin përgjigje bindëse.
Kur mbarova shkollën e mesme, bëra disa vjet në kolegj dhe pastaj u futa në Marinën Amerikane. Por as klerikët që kishim atje në ushtri nuk mund t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve. Shpeshherë, ata të fesë thoshin
diçka të tillë, si: ‘Zoti vepron në mënyrë misterioze.’Kërkimi vazhdon
Edhe pasi u larguam nga Kina, më mundonte ende pyetja se përse i lejon Perëndia vuajtjet. Kjo pyetje nuk më shqitej nga mendja, sidomos kur shihja varret e ushtarëve në ishujt e ndryshëm përgjatë Paqësorit, ku ndalonim gjatë kthimit për në shtëpi. Pothuajse të gjithë ishin djelmosha.
Kur u lirova nga ushtria dhe u ktheva në Shtetet e Bashkuara, më kishte mbetur një vit për të mbaruar Universitetin e Harvardit në Kembrixh, Masaçusets. Pas atij viti, u diplomova, por nuk u ktheva në shtëpinë time, në Kaliforni. Vendosa të qëndroja për pak kohë në shtetet lindore të Amerikës që të gjeja përgjigjet e pyetjeve të mia. Kisha ndër mend të shkoja në Nju-Jork, ku kishte shumë fe, dhe të ndiqja disa shërbesa fetare për të parë se çfarë mësonin.
Në Nju-Jork, tezja ime, Izabela Kapixhën, më ftoi të rrija në shtëpinë e saj. Ajo bashkë me dy vajzat, Roza dhe Rutha, ishin Dëshmitare të Jehovait. Nuk mendoja se do të më interesonin bindjet e tyre, kështu që fillova të shkoja në shërbesat e feve të tjera, flisja me njerëzit që takoja atje dhe lexoja literaturën e tyre. I pyesja se përse i lejonte Perëndia vuajtjet, po as ata nuk dinin më shumë se unë. Pastaj arrita në përfundimin që, në fund të fundit, ndoshta nuk kishte fare Perëndi.
Më në fund marr përgjigje
Pastaj i kërkova tezes dhe vajzave të saj që të lexoja ndonjë gjë nga literatura e tyre, për të parë pikëpamjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Kur lexova botimet e tyre, e kuptova menjëherë se Dëshmitarët e Jehovait ishin krejt ndryshe nga fetë e tjera. Përgjigjet vinin nga Bibla dhe ishin mjaft bindëse. Brenda një kohe të shkurtër, pyetjet e mia morën përgjigje.
Jo vetëm kaq, por e shihja që Dëshmitarët e Jehovait i mbështetnin përgjigjet e bazuara në Bibël edhe me mënyrën e jetesës. Për shembull,
e pyeta tezen se çfarë bënin djemtë Dëshmitarë në Gjermani gjatë Luftës II Botërore. A shkuan në ushtri, a thoshin «Hail Hitler!» dhe a e nderonin flamurin nazist? Ajo mu përgjigj jo, nuk i kishin bërë këto gjëra. Dhe për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës, i dërguan në kampe përqendrimi, ku shumë prej tyre i vranë. Ajo më shpjegoi se gjatë luftës, Dëshmitarët e Jehovait kudo që ndodheshin mbanin të njëjtin qëndrim, atë të asnjanësisë. Edhe në vendet demokratike, të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait u burgosën për shkak të qëndrimit të tyre asnjanës.Pastaj tezja më kërkoi që të lexoja Gjonin 13:35 që thotë: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» Të krishterët e vërtetë duhet ta kenë këtë shenjë dalluese të dashurisë në shkallë ndërkombëtare. Ata nuk do të viheshin kurrë në luftë kundër njëri-tjetrit, të vrisnin njëri-tjetrin vetëm sepse i përkasin kombësive të ndryshme. Ajo më pyeti: «A e imagjinon dot Jezuin dhe dishepujt e tij kundër njëri-tjetrit në luftërat romake, duke vrarë njëri-tjetrin?»
Pas kësaj e hapi Biblën te 1 Gjonit 3:10-12. Aty lexova: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e tij. . . . Duhet të kemi dashuri për njëri-tjetrin, jo si Kaini që vinte nga i ligu dhe vrau vëllanë e tij.»
Bibla flet qartë. Të krishterët e vërtetë e duan njëri-tjetrin, pavarësisht se në ç’vend jetojnë. Pra nuk do ta vrisnin kurrë vëllanë e tyre të besimit apo dikë tjetër. Ja pse Jezui u tha ithtarëve të tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.»—Gjoni 17:16.
Pse i lejon?
Shumë shpejt mësova se Bibla na tregon pse i ka lejuar Perëndia vuajtjet. Ajo shpjegon se kur Perëndia krijoi prindërit e parë njerëzorë, ata ishin të përsosur dhe i vuri të jetonin në një kopsht parajsor. (Zanafilla 1:26; 2:15) Ai u dha edhe një dhuratë të mrekullueshme—vullnetin e lirë. Por duhet ta përdornin me përgjegjësi këtë vullnet të lirë. Për aq kohë sa do t’i bindeshin Perëndisë dhe ligjeve të tij, do të vazhdonin të jetonin në përsosmëri dhe në parajsë. Do t’i zgjeronin kufijtë e asaj parajse derisa e gjithë toka të bëhej e tillë. Edhe pasardhësit e tyre do të ishin të përsosur, e kështu toka do të bëhej një parajsë e lavdishme e banuar nga njerëz të përsosur e të lumtur.—Zanafilla 1:28.
Por, nëse Adami dhe Eva do të zgjidhnin të ishin të pavarur nga Perëndia, ata nuk do të ishin më të përsosur. (Zanafilla 2:16, 17) Mjerisht, prindërit e parë njerëzorë abuzuan me vullnetin e lirë dhe zgjodhën të ishin të pavarur nga Perëndia. Një krijesë frymore rebele, që më vonë u njoh si Satana Djalli, i tundoi. Ai donte të ishte i pavarur nga Perëndia dhe lakmonte adhurimin që me të drejtë i takonte vetëm Perëndisë.—Zanafilla 3:1-19; Zbulesa 4:11.
Kështu Satanai u bë «perëndia i kësaj bote». (2 Korintasve 4:4) Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Jezui e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30) Mosbindja e Satanait dhe e prindërve tanë të parë solli papërsosmëri, dhunë, vdekje, dhembje dhe vuajtje për gjithë njerëzimin.—Romakëve 5:12.
«Nuk i përket njeriut»
Për të treguar se çfarë solli për familjen njerëzore shpërfillja e ligjeve të Krijuesit, Perëndia ka i lejuar pasojat e kësaj mosbindjeje për mijëra vjet. Gjatë kësaj kohe, gjithë njerëzimi ka pasur mundësinë të shohë vërtetësinë e asaj që thotë Bibla: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet. Më ndreq o Jehova.»—Jeremia 10:23, 24.
Tani, pas gjithë këtyre shekujve, e kuptojmë se sundimi i pavarur nga Perëndia ka dështuar. Prandaj, Perëndia ka si qëllim që t’i japë fund këtij eksperimenti shkatërrimtar të njeriut për të qenë të pavarur nga ai dhe ligjet e Tij.
Një e ardhme e mrekullueshme
Sipas profecive biblike, Perëndia shumë shpejt do t’i japë fund këtij sistemi mizor dhe të lig. «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:10, 11.
Profecia e Danielit 2:44 deklaron: «Në ditët e atyre mbretërve [të gjitha format sunduese që ekzistojnë tani], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» Qeverisja njerëzore nuk do të lejohet më kurrë. E gjithë toka do të qeveriset nga Mbretëria e Perëndisë. Nën drejtimin e saj, e gjithë toka do të kthehet në një parajsë dhe njerëzimi do të shkojë drejt përsosmërisë dhe do të jetojë përgjithmonë i lumtur. Bibla premton: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» (Zbulesa 21:4) Ç’të ardhme të mrekullueshme ka planifikuar Perëndia për ne!
Një jetë tjetër
Jeta ime ndryshoi kur pyetjet e mia morën përgjigje bindëse. Që nga ajo kohë, doja t’i shërbeja Perëndisë dhe të ndihmoja edhe të tjerë që të merrnin këto përgjigje. Kuptova seriozitetin e asaj që thotë 1 Gjonit 2:17: «Bota [ky sistem i qeverisur nga Satanai] po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» E dëshiroja vërtet jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë. Vendosa të qëndroja në Nju-Jork e fillova të shoqërohesha me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait atje dhe pata shumë përvoja të bukura duke ndihmuar të tjerët të mësonin atë që kisha mësuar edhe unë.
Në vitin 1949, njoha Roza-Maria Ljuisin. Ajo, mamaja e saj, Sadija, dhe gjashtë motrat e saj ishin të gjitha Dëshmitare të Jehovait. Roza i shërbente në kohë të plotë Perëndisë në veprën e predikimit. Ajo kishte shumë cilësi të mira, dhe më tërhoqi menjëherë. U martuam në qershor të vitit 1950 dhe qëndruam në Nju-Jork. Ishim të lumtur për atë që po bënim dhe na gëzonte shpresa për të jetuar përgjithmonë në botën e re të Perëndisë.
Në vitin 1957, Roza-Marinë dhe mua na ftuan të shërbenim në kohë të plotë në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, në Bruklin, Nju-Jork. Në qershor 2004 bëmë
54 vjet martesë, një martesë vërtet e lumtur, 47 vjet prej të cilave i kemi kaluar në selinë e Bruklinit. Ishin vite të bekuara në shërbim të Jehovait dhe në bashkëpunim me mijëra bashkëkrishterë të tjerë.Dhembja ime më e madhe
Mjerisht, në fillim të dhjetorit 2004, u zbulua që Roza-Maria kishte tumor në një nga mushkëritë. Doktorët thanë që tumori po rritej shpejt dhe duhej hequr. E operuan aty nga fundi i dhjetorit dhe pas një jave, kirurgu erdhi në dhomën e Rozës, kur unë isha aty, dhe i tha: «Roza-Mari, shko në shtëpi. Je shëruar.»
Por vetëm disa ditë pasi doli nga spitali, Roza-Maria pati dhembje të forta në pjesën e stomakut dhe në vende të tjera. Dhembjet nuk i pushonin kështu që shkoi prapë në spital për të bërë analiza të tjera. Panë që disa nga organet e saj më jetësore prodhonin lëndë që shkaktonin trombozë dhe nuk i linin këto organe të merrnin oksigjenin e nevojshëm. Doktorët bënë gjithçka brenda mundësive njerëzore, por nuk patën sukses. Vetëm disa javë më vonë, më 30 janar 2005, mora goditjen më të madhe të jetës sime. Roza-Maria ime e shtrenjtë vdiq.
Në atë kohë, isha rreth 80 vjeç dhe gjatë gjithë jetës kisha parë njerëz që vuanin, por këtë radhë ishte ndryshe. Roza-Maria dhe unë ishim ashtu siç thotë Bibla, «një mish i vetëm». (Zanafilla 2:24) Kisha parë vuajtjet e të tjerëve e kisha vuajtur edhe vetë kur më kishin vdekur miqtë dhe të afërmit. Por dhembja që provova kur më vdiq gruaja ka qenë më e fortë dhe më e gjatë. Tani e kuptoj tamam se çfarë dhembjeje të tmerrshme ka pasur njerëzimi për kaq kohë nga humbja e njerëzve të dashur.
Megjithatë, e di pse ekzistojnë vuajtjet dhe si do të marrin fund, dhe kjo njohuri ka qenë një shpëtim për mua. Psalmi 34:18 thotë: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» Ajo që të ndihmon më shumë për të duruar dhembjen është premtimi i Biblës, që do të ketë një ringjallje dhe të vdekurit do të kthehen në jetë për të jetuar përgjithmonë në botën e re të Perëndisë. Te Veprat 24:15 thuhet: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» Roza-Maria e donte shumë Perëndinë. Dhe jam i sigurt që edhe ai e donte shumë, dhe se do ta kujtojë dhe do ta sjellë në jetë në kohën e caktuar, shpresojmë sa më shpejt.—Luka 20:38; Gjoni 11:25.
Edhe pse dhembja e humbjes së një të afërmi është e madhe, gëzimi që do të provojmë kur ta takojmë sërish pas ringjalljes do të jetë edhe më i madh. (Marku 5:42) Fjala e Perëndisë premton: «Të vdekurit e tu do të jetojnë. . . . Toka do të lindë edhe ata që vdekja i ka bërë të pafuqishëm.» (Isaia 26:19) Shumë ndër «të drejtët» që përmenden te Veprat 24:15 ndoshta do të ringjallen në fillim. Sa e mrekullueshme do të jetë ajo kohë! Ndër ata që do të ringjallen do të jetë edhe Roza-Maria. Sigurisht që të afërmit e saj do ta presin me padurim. Sa bukur do të jetë të jetosh në një botë pa vuajtje!
[Figurat në faqen 9]
Sytë e mi panë shumë vuajtje kur isha në Kinë
[Figurat në faqen 10]
Që në vitin 1957, kam shërbyer në selinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin
[Figura në faqen 12]
Në vitin 1950 u martova me Roza-Marinë
[Figura në faqen 13]
Në vitin 2000, në 50-vjetorin tonë të martesës