«Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit»
«Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit»
«Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.»—JAKOVI 5:11.
1, 2. Çfarë sprove hasi një çift në Poloni?
HARALT APTI s’kishte as një vit që ishte Dëshmitar i Jehovait, kur ushtria e Hitlerit mori nën kontroll Dancigun (tani Gdansku) në veri të Polonisë. Më pas situata u bë e vështirë dhe shumë e rrezikshme për të krishterët e vërtetë që ndodheshin atje. Gestapoja u përpoq ta detyronte Haraltin të firmoste një dokument ku deklaronte se hiqte dorë nga besimi i tij, por ai nuk pranoi. Pas disa javësh në burg, Haraltin e çuan në kampin e përqendrimit në Zaksenhauzen, ku vazhdimisht e kërcënonin dhe e rrihnin. Një oficer drejtoi gishtin nga oxhaku i krematorit dhe i tha Haraltit: «Brenda 14 ditësh, nëse nuk heq dorë nga besimi, do të ngjitesh që andej për te Jehovai yt.»
2 Kur Haraltin e arrestuan, gruaja e tij, Elsa kishte ende në gji vajzën e tyre dhjetëmuajshe. Por Gestapoja nuk e la në harresë Elsën. Shumë shpejt ia morën foshnjën dhe atë vetë e dërguan në kampin e shfarosjes në Aushvic. Megjithatë, ajo ia doli të mbijetonte për vite të tëra, ashtu si Haralti. Në Kullën e Rojës të 15 prillit 1980 (anglisht) mund të lexoni më shumë se si qëndruan të fortë ata. Haralti shkroi: «Gjithsej kam kaluar 14 vjet të jetës sime në kampe përqendrimi dhe burgje për shkak të besimit te Perëndia. Më kanë pyetur: ‘A të ndihmoi gruaja që t’u qëndroje gjithë këtyre sprovave?’ Po, më ka ndihmuar vërtet! E dija që në fillim se ajo nuk do të bënte kurrë kompromis me besimin e saj, dhe kjo më mbështeste. E dija se do të donte që më mirë të më shihte të vdekur në një vig, sesa të merrte vesh që isha liruar ngaqë kisha bërë kompromis. . . . Elsa kaloi shumë vështirësi gjatë viteve në kampet gjermane të përqendrimit.»
3, 4. (a) Cilët shembuj mund t’u japin zemër të krishterëve të qëndrojnë? (b) Pse Bibla na nxit të shqyrtojmë përvojën e Jobit?
3 Vuajtjet nuk janë aspak të lehta, siç mund të dëshmojnë shumë Dëshmitarë. Për këtë arsye, Bibla i këshillon gjithë të krishterët: «Merrni si shembull të vuajtjes dhe të durimit profetët që folën në emër të Jehovait.» (Jakovi 5:10) Gjatë shekujve, shumë shërbëtorë të Perëndisë i përndoqën pa shkak. Shembulli i lënë nga kjo ‘re e madhe dëshmitarësh’ mund të na japë zemër që të vazhdojmë të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën tonë të krishterë.—Hebrenjve 11:32-38; 12:1.
4 Në Bibël Jobi dallohet si model qëndrueshmërie. Jakovi shkroi: «Ja, ne shpallim të lumtur ata që qëndruan. Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai, se Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm.» (Jakovi 5:11) Përvoja e Jobit na tregon paraprakisht se ç’shpërblim i pret njerëzit besnikë, të cilët Jehovai i bekon. Ajo që është më e rëndësishme, kjo përvojë zbulon të vërteta që do të jenë një ndihmë për ne në kohë vuajtjesh. Libri i Jobit na ndihmon t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Pse, kur jemi nën sprovë, duhet të përpiqemi të kuptojmë çështjet kryesore që janë përfshirë? Cilat cilësi dhe qëndrime do të na ndihmojnë të qëndrojmë pa u lëkundur? Si mund t’i forcojmë të bashkëkrishterët që po vuajnë?
Të kuptojmë çështjet që përfshihen
5. Cila është çështja kryesore që duhet të mbajmë në mend kur hasim sprova ose tundime?
5 Që të ruajmë ekuilibrin frymor kur vuajmë, kemi nevojë të kuptojmë çështjet që janë përfshirë. Përndryshe problemet personale mund të na bëjnë që të mos kemi më një këndvështrim të qartë për gjërat frymore. Çështja e besnikërisë ndaj Perëndisë është me rëndësi parësore. Ati ynë qiellor bën një thirrje që secili prej nesh mund ta marrë për zemër: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Proverbat 27:11) Ç’privilegj i pashoq është ky! Me gjithë dobësitë dhe papërsosmëritë që kemi, mund ta gëzojmë Krijuesin. Ia gëzojmë zemrën Jehovait kur dashuria jonë për të na ndihmon t’u qëndrojmë sprovave dhe tundimeve. Dashuria e krishterë e vërtetë i qëndron çdo gjëje. Ajo nuk shuhet kurrë.—1 Korintasve 13:7, 8.
6. Si e sfidon Satanai Jehovain dhe cilët përfshijnë këto sfida?
6 Libri i Jobit e identifikon qartë Satanain si ai që sfidon Jehovain. Gjithashtu zbulon natyrën e ligë të këtij armiku të padukshëm dhe dëshirën e tij për të prishur marrëdhënien tonë me Perëndinë. Siç ilustrohet në rastin e Jobit, në thelb Satanai i padit të gjithë shërbëtorët e Jehovait se kanë motive egoiste dhe përpiqet të tregojë se dashuria e tyre për Perëndinë mund të ftohet. Ai e ka sfiduar Perëndinë për mijëra vjet. Kur Satanai u flak poshtë në tokë, një zë nga qielli e përshkroi atë si «paditësi i vëllezërve tanë» dhe tha se ai i bën këto padi «ditë e natë para Perëndisë tonë». (Zbulesa 12:10) Me anë të qëndrueshmërisë sonë me besnikëri mund të tregojmë se paditë e tij janë të pabazuara.
7. Si mund t’i kundërpërgjigjemi sa më mirë çdo dobësie fizike?
7 Duhet të kujtojmë që Djalli do të përfitojë nga çdo shtrëngim që mund të hasim, për të na larguar nga Jehovai. Për shembull, kur e tundoi ai Jezuin? Atëherë kur Jezuin e mori uria pasi kishte agjëruar për shumë ditë. (Luka 4:1-3) Megjithatë, falë forcës frymore që kishte, Jezui i hodhi poshtë me vendosmëri tundimet e Djallit. Sa e rëndësishme është që t’i kundërpërgjigjemi me forcë frymore çdo dobësie fizike që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë sëmundje ose nga mosha e thyer! Edhe pse «njeriu i jashtëm po tretet», ne nuk dorëzohemi, sepse «njeriu i brendshëm po përtërihet nga dita në ditë».—2 Korintasve 4:16.
8. (a) Si mund të kenë ndjenjat negative një ndikim minues? (b) Ç’prirje mendore kishte Jezui?
8 Përveç kësaj, ndjenjat negative mund të na dëmtojnë frymësisht. ‘Pse e lejon këtë Jehovai?’—mund të pyesë dikush. ‘Si mund të më trajtojë kështu një vëlla?’—mund të pyesë një tjetër pasi dikush nuk është sjellë mirë me të. Ndjenja të tilla mund të na bëjnë që t’i lëmë pas çështjet kryesore dhe të përqendrohemi tërësisht te rrethanat tona individuale. Shkurajimi që pësoi Jobi nga tre shokët që jepnin këshilla të gabuara, duket se e dëmtoi emocionalisht, po aq sa e dëmtoi fizikisht sëmundja. (Jobi 16:20; 19:2) Po kështu, apostulli Pavël tregoi se zemërimi i zgjatur mund ‘t’i lërë vend [ose t’i japë rast] Djallit’. (Efesianëve 4:26, 27) Në vend që të shfrejnë shkurajimin ose zemërimin te të tjerët ose të përqendrohen tepër te padrejtësia e një situate, të krishterët bëjnë mirë të imitojnë Jezuin, ‘duke e lënë veten në duart e atij që gjykon me drejtësi’. (1 Pjetrit 2:21-23) Të kemi ‘prirjen mendore’ të Jezuit mund të jetë një mbrojtje e madhe kundër sulmeve të Satanait.—1 Pjetrit 4:1.
9. Çfarë sigurie na jep Perëndia për barrët që na duhet të mbajmë ose tundimet që hasim?
9 Mbi të gjitha, kurrë nuk duhet t’i shohim problemet që kemi si provë e sigurt se Perëndia nuk është i kënaqur me ne. Një keqkuptim i tillë i solli dhembje Jobit në një kohë kur po e sulmonin me fjalë të ashpra ata që gjoja duhej të ishin ngushëlluesit e tij. (Jobi 19:21, 22) Bibla na siguron me këto fjalë: «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Përkundrazi, Jehovai premton se do të na ndihmojë që të mbajmë çfarëdo barre që do të na bjerë dhe se do të na sigurojë çlirim nga çdo tundim që hasim. (Psalmi 55:22; 1 Korintasve 10:13) Duke iu afruar Perëndisë kur jemi duke vuajtur, mund të mbajmë pikëpamjen e duhur për gjërat dhe t’i kundërvihemi me sukses Djallit.—Jakovi 4:7, 8.
Ndihmë për të treguar qëndrueshmëri
10, 11. (a) Çfarë e ndihmoi Jobin të qëndronte? (b) Si e ndihmoi Jobin një ndërgjegje e pastër?
10 Me gjithë gjendjen e tmerrshme të Jobit, që përfshinte edhe keqtrajtimin me fjalë nga «ngushëlluesit» dhe pështjellimin që kishte ai vetë për shkakun e vërtetë të gjëmës së tij, prapëseprapë Jobi e ruajti integritetin. Çfarë mund të mësojmë nga qëndrueshmëria e tij? Pa dyshim, besnikëria ndaj Jehovait ishte arsyeja kryesore që e ndihmoi të përballonte këtë sprovë. Ai «kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes». (Jobi 1:1) Kjo ishte mënyra e tij e jetesës. Jobi nuk pranoi t’ia kthente shpinën Jehovait, madje edhe kur nuk e kuptonte pse gjërat papritur kishin shkuar keq. Jobi besonte se duhej t’i shërbente Perëndisë në kohë të mira dhe në kohë të këqija.—Jobi 1:21; 2:10.
11 Një ndërgjegje e pastër ishte gjëja tjetër që e ngushëlloi Jobin. Kur dukej se jeta e tij po merrte fund, atë e ngushëllonte dijenia se kishte bërë më të mirën për të ndihmuar të tjerët, u ishte përmbajtur normave të drejta të Jehovait dhe kishte shmangur çdo formë adhurimi të rremë.—Jobi 31:4-11.
12. Si reagoi Jobi ndaj ndihmës që i dha Elihu?
12 Por sigurisht mbetet fakti që Jobi kishte nevojë për ndihmë që të ndreqte pikëpamjen për disa gjëra. Ai e pranoi me përulësi këtë ndihmë, dhe ky ishte çelësi tjetër që ia doli mbanë të qëndronte. Jobi i dëgjoi me respekt këshillat e mençura të Elihut dhe reagoi mirë ndaj ndreqjes së Jehovait. «Unë fola, por pa i kuptuar,—pranoi ai.—I tërheq ato që thashë, pendohem e ulem në pluhur dhe në hi.» (Jobi 42:3, 6) Pavarësisht nga sëmundja që e mundonte ende, Jobi u gëzua që kjo ndreqje në mënyrën e të menduarit e kishte afruar më shumë me Perëndinë. «Tani e di se ti [Jehova] je në gjendje të bësh gjithçka»,—tha Jobi. (Jobi ) Falë përshkrimit që i dha Jehovai për madhështinë e Tij, Jobi e kuptoi shumë më qartë pozitën e tij në krahasim me Krijuesin. 42:2
13. Si i solli dobi Jobit shfaqja e mëshirës?
13 Së fundi, Jobi është një shembull i jashtëzakonshëm mëshire. Ngushëlluesit e tij të rremë e lënduan thellë, megjithatë Jehovai i kërkoi Jobit që të lutej për ta, dhe ai veproi pikërisht ashtu. Më pas Jehovai ia riktheu shëndetin Jobit. (Jobi 42:8, 10) Është e qartë, pra, se mëria nuk do të na ndihmojë të qëndrojmë, kurse dashuria dhe mëshira po. Kur nuk mbajmë mëri, freskohemi frymësisht, dhe ky është një qëndrim që Jehovai e bekon.—Marku 11:25.
Këshillues të mençur që na ndihmojnë të qëndrojmë
14, 15. (a) Cilat cilësi do ta ndihmojnë një këshillues që të shërojë të tjerët? (b) Shpjegoni pse Elihu arriti ta ndihmonte Jobin.
14 Një mësim tjetër që mund të nxjerrim nga tregimi i Jobit është vlera e këshilluesve të mençur. Këta janë si vëllezër «në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Gjithsesi, siç tregon përvoja e Jobit, disa këshillues, në vend që të shërojnë, dëmtojnë. Një këshillues i mirë duhet të tregojë empati, respekt dhe mirëdashje, ashtu si Elihu. Pleqve dhe të krishterëve të tjerë të pjekur mund t’u duhet që të ndreqin mënyrën e të menduarit të vëllezërve që janë të rënduar nga problemet dhe, në këtë rast, këta këshillues mund të mësojnë shumë nga libri i Jobit.—Galatasve 6:1; Hebrenjve 12:12, 13.
15 Ka shumë mësime të shkëlqyera në mënyrën si e trajtoi çështjen Elihu. Ai dëgjoi mirë e mirë para se t’u përgjigjej vërejtjeve të gabuara të tre shokëve të Jobit. (Jobi 32:11; Proverbat 18:13) Elihu e thirri me emër Jobin dhe i bëri thirrje atij si një mik. (Jobi 33:1) Ndryshe nga tre ngushëlluesit e rremë, Elihu nuk e konsideronte veten më të lartë se Jobi. «Nga argjila jam bërë edhe unë»,—tha ai. Nuk donte t’ia shtonte vuajtjet Jobit me fjalë të pamenduara. (Jobi 33:6, 7; Proverbat 12:18) Në vend që ta kritikonte Jobin për sjelljen e mëparshme, Elihu e lavdëroi për drejtësinë e tij. (Jobi 33:22) Ajo që ka më tepër rëndësi është se Elihu i shihte gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë dhe e ndihmoi Jobin të përqendrohej te fakti që Jehovai nuk vepron kurrë me padrejtësi. (Jobi 34:10-12) Ai e inkurajoi Jobin të priste Jehovain, e jo të përpiqej të tregonte drejtësinë e tij. (Jobi 35:2; 37:14, 23) Pleqtë e krishterë dhe të tjerët mund të nxjerrin me siguri dobi nga këto mësime.
16. Në ç’mënyrë u bënë vegla të Satanait tre ngushëlluesit e rremë të Jobit?
16 Këshillat e mençura të Elihut janë krejt ndryshe nga fjalët lënduese të Elifazit, Bildadit dhe Zofarit. «[Ju] nuk thatë të vërtetën për mua»,—u tha Jehovai atyre. (Jobi 42:7) Edhe pse thoshin se kishin qëllime të mira, vepruan si vegla të Satanait, e jo si shokë besnikë. Të tre nxorën që në fillim përfundimin se Jobi ishte fajtor vetë për gjëmat e tij. (Jobi 4:7, 8; 8:6; 20:22, 29) Sipas Elifazit, Perëndia nuk ka besim te shërbëtorët e tij dhe Atij nuk i intereson nëse jemi apo jo të drejtë. (Jobi 15:15; 22:2, 3) Madje Elifazi e akuzoi Jobin për gabime që nuk kishte kryer. (Jobi 22:5, 9) Kurse Elihu e ndihmoi Jobin frymësisht, dhe ky është gjithnjë synimi i një këshilluesi të dashur.
17. Çfarë duhet të sjellim ndër mend kur jemi nën sprova?
17 Nga libri i Jobit mund të nxjerrim edhe një mësim tjetër për qëndrueshmërinë. Perëndia ynë i dashur e vëzhgon gjendjen tonë dhe është i gatshëm e në gjendje të na ndihmojë në mënyra të ndryshme. Më parë lexuam përvojën e Elsa Aptit. Mendoni për përfundimin që nxori ajo: «Para se të arrestohesha kisha lexuar letrën e një motre që thoshte se kur jemi nën një sprovë të rëndë, fryma e Jehovait bën që të na pushtojë një ndjenjë paqeje. Mendova se po e tepronte pak. Por, kur kalova vetë sprova, e kuptova se ajo që kishte thënë ishte e vërtetë. Ndodh vërtet kështu. Është e vështirë ta përfytyrosh nëse nuk e ke provuar. Por mua më ndodhi vërtet. Jehovai të ndihmon!» Elsa nuk po fliste për atë që Jehovai ishte në gjendje të bënte ose bëri mijëra vjet më parë, në ditët e Jobit. Ajo po fliste për kohën tonë. Po, «Jehovai të ndihmon»!
Lum kush qëndron!
18. Çfarë dobish pati Jobi duke treguar qëndrueshmëri?
18 Pak prej nesh do t’u duhet të hasin shtrëngim aq të rëndë sa Jobi. Por pavarësisht se çfarë sprovash mund të sjellë mbi ne kjo botë, kemi arsye të vlefshme që të ruajmë integritetin, ashtu si Jobi. Në fakt, falë qëndrueshmërisë, jeta e Jobit u pasurua. Qëndrueshmëria e bëri Jobin të përkryer dhe të plotë. (Jakovi 1:2-4) Ajo ia forcoi marrëdhënien me Perëndinë. «Veç kisha dëgjuar për ty, por tani syri im të sheh»,—tha Jobi. (Jobi 42:5) Satanai doli gënjeshtar, sepse nuk arriti t’ia thyente integritetin Jobit. Qindra vjet më vonë, Jehovai e konsideronte ende shërbëtorin e tij Job si shembull drejtësie. (Ezekieli 14:14) Jeta e tij me integritet dhe qëndrueshmëri e motivon popullin e Perëndisë edhe sot.
19. Pse mendoni se ia vlen të shfaqim qëndrueshmëri?
19 Kur Jakovi u shkroi të krishterëve të shekullit të parë për qëndrueshmërinë, ai foli për kënaqësinë që sjell ajo. E ai përmendi shembullin e Jobit për t’u kujtuar atyre se Jehovai i shpërblen me bollëk shërbëtorët e tij besnikë. (Jakovi 5:11) Te Jobi 42:12 lexojmë: «Jehovai i bekoi vitet e mëvonshme të jetës së Jobit më shumë se të mëparshmet.» Perëndia i dha Jobit dyfishin e asaj që kishte humbur dhe ai jetoi gjatë e i lumtur. (Jobi 42:16, 17) Po kështu, çdo dhembje, vuajtje ose brengë që mund të kalojmë gjatë fundit të këtij sistemi, do të zhduket dhe do të harrohet në botën e re të Perëndisë. (Isaia 65:17; Zbulesa 21:4) Kemi dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe jemi të vendosur që, me ndihmën e Jehovait, të imitojmë shembullin e Jobit. Bibla premton: «Lum kush vazhdon të qëndrojë në sprovë, sepse, kur të miratohet, do të marrë kurorën e jetës, që Jehovai ua premtoi atyre që e duan!»—Jakovi 1:12.
Si do të përgjigjeshit?
• Si mund t’ia gëzojmë zemrën Jehovait?
• Pse nuk duhet të nxjerrim përfundimin që problemet tona janë provë se Perëndia nuk është i kënaqur me ne?
• Cilët faktorë e ndihmuan Jobin të qëndronte?
• Si mund ta imitojmë Elihun që të forcojmë bashkëbesimtarët?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 28]
Një këshillues i mirë tregon empati, respekt dhe mirëdashje
[Figurat në faqen 29]
Elsa dhe Haralt Apti