Kristof Plonteja—Një pionier në shtypjen e Biblës
Kristof Plonteja—Një pionier në shtypjen e Biblës
JOHAN GUTENBERGU (rreth 1397-1468) është i famshëm ngaqë shtypi Biblën e parë duke përdorur shkronjat e lëvizshme. Por pak njerëz e njohin Kristof Plontenë. Ai ishte një pionier në shtypjen e librave dhe luajti një rol të rëndësishëm në shekullin e 16-të, sepse u krijoi mundësi njerëzve në mbarë botën të kishin libra dhe Bibla.
Kristof Plonteja lindi rreth vitit 1520 në Sen-Averten, Francë. Meqë parapëlqente një vend ku klima fetare të ishte më tolerante dhe mundësitë ekonomike të ishin më premtuese se në Francë, kur ishte afër moshës tridhjetëvjeçare, Plonteja u shpërngul në Anversë, në Vendet e Ulëta. *
Plonteja e nisi karrierën e tij si libralidhës dhe punues objektesh prej lëkure. Punimet e tij prej lëkure, të zbukuruara me mjeshtëri, kërkoheshin shumë nga të pasurit. Por një ndodhi në vitin 1555 bëri që Plonteja të ndryshonte zanat. Ndërsa shkonte që të dorëzonte një kuti prej lëkure që ishte porositur për sundimtarin e Vendeve të Ulëta, mbretin e Spanjës, Filipin II, Plontenë e sulmuan në një rrugë në Anversë. Disa të dehur i ngulën shpatën në shpatull. Edhe pse Plonteja u shërua nga ajo plagë, nuk ishte më në gjendje të bënte punë fizike dhe kështu u detyrua të hiqte dorë nga zanati. Me mbështetjen financiare të Hendrik Niklasit, udhëheqësit të një grupi anabaptist, Plonteja filloi të shtypte libra.
«Punë dhe qëndrueshmëri»
Plonteja e quajti shtypshkronjën e tij De Gulden Passer (Kompasi i Artë). Marka e tij ishin dy kompasë të artë me mbishkrimin «Labore et Constantia», që do të thotë «Punë dhe qëndrueshmëri». Kjo markë dukej se i shkonte për shtat këtij njeriu të papërtuar.
Meqë jetonte në një epokë me trazira të mëdha fetare dhe politike në Evropë, Plonteja u përpoq t’u shmangej telasheve. Për të shtypja e librave ishte më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ndonëse simpatizonte Reformën Protestante, ai «kishte një qëndrim të paqartë ndaj çështjes së fesë», siç thotë autori Maurits Sabe. Për shkak të kësaj, për Plontenë u përhapën thashetheme se shtypte libra heretikë. Për shembull, në vitin 1562 u detyrua të ikte në Paris për më shumë se një vit.
Kur Plonteja u kthye në Anversë në vitin 1563, u bë ortak me tregtarë të pasur, disa prej të cilëve njiheshin për bindjet e tyre kalviniste. Gjatë një periudhe pesëvjeçare, nga makinat e shtypit të Plontesë dolën 260 botime. Në këto përfshiheshin botime të Biblës në hebraisht, greqisht dhe latinisht, si edhe botimet luksoze me zbukurime të Biblës katolike holandeze të Luvenit.
«Arritja më e rëndësishme tipografike»
Në vitin 1567, në Vendet e Ulëta po rritej rezistenca kundër sundimit spanjoll. Mbreti i Spanjës, Filipi II, dërgoi dukën e Albës që të shërbente atje si guvernator. Me autoritet të plotë nga mbreti, duka u përpoq të shuante rezistencën
protestante që po rritej. Për këtë arsye, Plonteja filloi një projekt madhështor që shpresonte se do të fshinte të gjitha dyshimet për herezi që ekzistonin për të. Ai dëshironte fort të shtypte një botim akademik të teksteve të Biblës në gjuhët origjinale. Për këtë botim të ri, Plonteja arriti të siguronte mbështetjen e Filipit II. Mbreti i premtoi ndihmë financiare dhe dërgoi humanistin e shquar Arias Montanon që të mbikëqyrte projektin.Montanoja kishte dhunti për gjuhët dhe punonte për 11 orë në ditë. Atë e ndihmonin gjuhëtarë spanjollë, belgë dhe francezë. Synimi i tyre ishte që të përgatitnin një version të ri të së famshmes Bibël Shumëgjuhëshe Komplutense. * Në Biblën e re Shumëgjuhëshe të Plontesë, përveç Vulgatës latine, Septuagintës greke dhe tekstit origjinal hebraik, përfshihej edhe një Targum aramaik dhe Peshita siriake, bashkë me përkthimet përkatëse fjalë për fjalë në latinisht.
Shtypja filloi në vitin 1568. Kjo vepër kolosale përfundoi më 1573 dhe ishte një punë e shpejtë për atë kohë. Në një letër drejtuar mbretit Filipi II, Montanoja shkroi: «Më shumë gjëra bëhen këtu për një muaj, sesa në Romë për një vit.» Plonteja shtypi 1.213 kopje të Biblës së re Shumëgjuhëshe dhe secila kopje përbëhej nga një seri me tetë vëllime të mëdha. Në faqen e botuesit ishte një ilustrim me një luan, një dem, një ujk dhe një qengj që po hanin të qetë në të njëjtin lug, dhe ky ishte një përshkrim i Isaisë 65:25. Çmimi i një serie që nuk ishte lidhur ende në një vëllim të vetëm ishte 70 gulden, dhe kjo ishte një shumë goxha e madhe, meqë në atë kohë të ardhurat e një familjeje të zakonshme ishin rreth 50 gulden në vit. Seria e plotë u bë e njohur me emrin Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës. Ajo u quajt edhe Biblia Regia (Bibla Mbretërore), sepse e financoi mbreti Filipi II.
Megjithëse papa Gregori XIII e miratoi këtë Bibël, Arias Montanon e kritikuan ashpër për punën e tij. Një arsye ishte se Montanoja e konsideronte tekstin origjinal hebraik si më të lartë se Vulgatën latine. Kundërshtari i tij kryesor ishte Leon de Kastroja, një teolog spanjoll që e konsideronte Vulgatën latine si autoritetin absolut. De Kastroja e akuzoi Montanon se e kishte infektuar tekstin me filozofi antitrinitare. Për shembull, De Kastroja tha në veçanti se në Peshitën siriake nuk përmendej ajo fraza e sajuar që ishte shtuar te 1 Gjonit 5:7, «në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një». (Diodati i Ri) Megjithatë Inkuizicioni spanjoll e nxori të pafajshëm Montanon nga çdo akuzë për herezi. Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës konsiderohet nga disa si «arritja më e rëndësishme tipografike e një tipografi të vetëm gjatë shekullit të 16-të».
Një kontribut jetëgjatë
Shumica e tipografëve të asaj kohe kishin vetëm dy ose tri makina shtypi. Por, kur Plonteja ishte në kulmin e aktivitetit të tij, ka mundësi të kishte të paktën 22 makina shtypi dhe 160 punëtorë. Në gjithë botën spanjishtfolëse ai fitoi reputacionin si tipografi më i madh.
Ndërkohë, në Vendet e Ulëta po rritej rezistenca ndaj sundimit spanjoll. Anversa u përfshi në konflikt. Në vitin 1576, mercenarët spanjollë që nuk kishin marrë rrogën u rebeluan dhe plaçkitën qytetin. U dogjën më tepër se 600 shtëpi dhe u vranë mijëra banorë të Anversës. Tregtarët ikën nga qyteti. Kjo i solli humbje të mëdha financiare Plontesë. Për më tepër, ai u detyrua t’u paguante rebelëve një haraç shumë të lartë.
Më 1583 Plonteja u shpërngul në Lajden, një qytet rreth 100 kilometra në veri të Anversës. Atje ngriti një shtypshkronjë dhe u caktua si tipograf i Universitetit të Lajdenit, një institucion i themeluar nga protestantët kalvinistë. Akuzat e vjetra për herezi ndaj Kishës Katolike u shfaqën përsëri. Prandaj Plonteja u kthye në Anversë në fund të vitit 1585, pak kohë pasi qyteti u rivendos nën sundimin spanjoll. Në atë kohë ai ishte te të gjashtëdhjetat dhe numri i punëtorëve të «Kompasit të Artë» ishte pakësuar dhe përbëhej vetëm nga katër punëtorë që punonin në një makinë të vetme shtypi. Plonteja nisi të rindërtonte shtypshkronjën, por ajo kurrë nuk e arriti gjendjen e mëparshme. Më 1 korrik 1589 Plonteja vdiq.
Gjatë një periudhe 34-vjeçare Kristof Plonteja shtypi 1.863 botime, rreth 55 në vit. Edhe sot kjo do të ishte një arritje mahnitëse për një tipograf të pavarur! Ndonëse Plonteja vetë nuk pati një qëndrim të vendosur fetar, vepra e tij i dha shtysë jo vetëm shtypjes e tipografisë, por edhe studimit të Shkrimeve të frymëzuara. (2 Timoteut 3:16) Po, Plonteja dhe tipografët e kohës së tij kontribuan shumë që në fund Biblën ta kishte edhe njeriu më i thjeshtë.
[Shënimet]
^ par. 3 Termi «Vende të Ulëta» i referohet zonës bregdetare midis Gjermanisë dhe Francës, e cila përfshin Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun e ditëve të sotme.
^ par. 11 Kjo Bibël shumëgjuhëshe u botua në vitin 1517. Ajo përmbante tekstin në hebraisht, greqisht dhe latinisht, si edhe disa pjesë në aramaisht. Shih artikullin «Bibla shumëgjuhëshe komplutense—Një mjet përkthimi me rëndësi historike», që gjendet në Kullën e Rojës të 15 prillit 2004, faqet 28-31.
[Kutia dhe figura në faqen 15]
MUZEU PLONTE-MORETUS
Në vitin 1877 ndërtesa në qytetin e Anversës, ku kishin jetuar e punuar Plonteja dhe pasardhësit e tij, u kthye në muze për publikun. Asnjë shtëpi tjetër botuese e asaj kohe nuk ka mbetur e padëmtuar. Në muze shihen pesë makina shtypi të shekullit të 17-të dhe të 18-të. Dy të tjera, më të vjetrat që njihen në botë, janë pothuajse të kohës së Plontesë. Në muze ndodhen rreth 15.000 matrica për derdhjen e shkronjave, 15.000 klishe druri dhe 3.000 lastra bakri me gdhendje. Biblioteka e muzeut përmban 638 dorëshkrime që nga shekulli i 9-të e deri në shekullin e 16-të, si edhe 154 libra të shtypur para vitit 1501. Në këto përfshihet një Bibël origjinale e Gutenbergut që daton para vitit 1461, si edhe një kopje nga e famshmja Bibël Shumëgjuhëshe e Anversës, që shtypi Plonteja.
[Figura në faqen 15]
Arias Montanoja
[Figura në faqen 16]
Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës përmban tekstin hebraik, «Vulgatën» latine, «Septuagintën» greke, si edhe «Peshitën» siriake e një Targum aramaik, bashkë me përkthimet përkatëse në latinisht
[Burimi]
Me mirësjelljen e Museum Plantin-Moretus/Stedelijk Prentenkabinet Antwerpen
[Burimi i figurës në faqen 15]
Të dyja figurat: me mirësjelljen e Museum Plantin-Moretus/Stedelijk Prentenkabinet Antwerpen