A mund të ekzistojë fryma e Krishtlindjeve gjatë gjithë vitit?
A mund të ekzistojë fryma e Krishtlindjeve gjatë gjithë vitit?
«Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij.»—Luka 2:14.
MILIONA njerëz i njohin këto fjalë që thanë engjëjt e Perëndisë kur i njoftuan barinjtë që po ruanin kopetë natën, për lindjen e Jezuit. Kur afron data që kishat thonë se ka lindur Jezui, shumë veta që e quajnë veten të krishterë bëjnë përpjekje të veçanta për të përmirësuar sjelljen e tyre. Vëmendja e madhe që tregohet në atë periudhë për gëzimin, paqen dhe miratimin e Perëndisë, cilësi që përmendën engjëjt në fjalët e tyre, shpesh quhet fryma e Krishtlindjes.
Madje, këto ndjenja të lavdërueshme bëjnë për vete edhe njerëz që s’i festojnë Krishtlindjet si festë fetare. Edhe ata i vlerësojnë ndjenjat e përzemërta që me sa duket zgjon kjo festë. Në vendet ku fëmijët dhe punonjësit marrin pushime për Krishtlindje, kjo festë u jep mundësi njerëzve të çlodhen, të kalojnë kohë me familjen dhe me miqtë ose thjesht të kalojnë një kohë të këndshme. Natyrisht, shumë njerëz të sinqertë i shohin Krishtlindjet kryesisht si një kohë kur duhet të nderojnë Jezu Krishtin.
Çfarëdo kuptimi të kenë marrë Krishtlindjet për njerëzit, shumica e pranojnë se ato ndjenja të lavdërueshme që zgjon kjo festë, zakonisht e kanë jetën të shkurtër. Njerëzit menjëherë i rikthehen sjelljes normale të mëparshme. Në një ese me titull «Fryma e Krishtlindjeve», botuar nga Banka Mbretërore e Kanadasë, thuhej: «Janë të shumtë ‘të krishterët’ që përpiqen të jenë të tillë vetëm për disa javë në vit, duke shfaqur vullnet të mirë ndaj të tjerëve derisa kalon Viti i Ri. Pastaj kthehen në ekzistencën e tyre egoiste të pamëshirshme, pa e vrarë mendjen për mirëqenien e qenieve të tjera njerëzore.» Në të njëjtën ese thuhej se ajo që është «e gabuar, në thelb» në frymën e Krishtlindjeve, është se njerëzit nuk e kanë «gjatë gjithë vitit».
E pranoni ose jo shqyrtimin që bën kjo ese, pyetjet që ngrihen prej saj janë të rëndësishme. A do të jenë ndonjëherë të aftë njerëzit të shfaqin në mënyrë të vazhdueshme bujari dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit? A ka ndonjë shpresë reale se fjalët e engjëjve, që u thanë natën kur lindi Jezui, do të përmbushen? Apo shpresa për paqe të vërtetë është thjesht një ëndërr?