Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të marrin fund mizoritë?

A do të marrin fund mizoritë?

A do të marrin fund mizoritë?

SHUMË veta do ta pranonin menjëherë se shkaku kryesor i mizorive në botën e sotme është egoizmi. Farat e mbjella dhjetëvjeçarë më parë nga «brezi i unit», kanë prodhuar një shoqëri ku shumica e njerëzve mendojnë për veten e tyre në radhë të parë. Shumë veta janë gati të bëjnë gjithçka për të marrë atë që duan, dhe shpesh kjo çon në akte mizorie. Një gjë e tillë ndodh jo vetëm me individët, por edhe me kombe të tëra.

Sot duket sikur jeta e të tjerëve s’ka më vlerë. Madje disave u pëlqen të jenë mizorë. U duket zbavitëse, si ata kriminelë që pohojnë se u bëjnë dëm të tjerëve vetëm për emocionet që provojnë. Të mos flasim pastaj për ata miliona veta që pëlqejnë filmat me dhunë e mizori, duke e nxitur industrinë e filmit që të nxjerrë fitime nga filma të tillë. Shumë vetave u janë mpirë ndjenjat, ngaqë shohin vazhdimisht akte brutale nëpërmjet zbavitjes apo në lajme.

Shpesh mizoria i dëmton njerëzit psikologjikisht dhe vë në lëvizje një rreth vicioz. Noemí Díaz-Marrokíni, e cila jep mësim në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, thotë kështu për dhunën e shkaktuar nga viktimat e mizorive: «Dhuna është diçka e mësuar, është pjesë e kulturës së një vendi . . . Mësojmë të sillemi dhunshëm kur ambienti ku jetojmë e lejon dhe e inkurajon këtë sjellje.» Kështu, ata që kanë qenë viktima të keqtrajtimit mund të fillojnë të keqtrajtojnë të tjerët, ndoshta edhe në të njëjtat mënyra si ishin keqtrajtuar ata vetë.

Në raste të tjera, ata që e teprojnë me alkoolin ose përdorin droga, pastaj mund të kryejnë akte mizore. Janë për t’u përmendur edhe individët që janë të pakënaqur me qeverinë e tyre, sepse nuk ka plotësuar nevojat e popullit. Disa nga këta, ngaqë duan me çdo kusht t’i bëjnë të njohura pikëpamjet e tyre, u drejtohen akteve mizore dhe nxitin terrorizmin, ku shpesh e pësojnë të pafajshmit.

Por ju mund të pyesni: ‘A kanë mësuar vetë njerëzit të sillen mizorisht? Pse është krijuar kjo situatë sot?’

Kush qëndron në të vërtetë pas mizorive?

Bibla na thotë se Satana Djalli ushtron një ndikim të fortë mbi këtë botë. Ajo e quan Satanain «perëndia i kësaj bote». (2 Korintasve 4:4) Ai është personi më egoist e më mizor në gjithë universin. Jezui e përshkroi më së miri si «vrasës» dhe «ati i gënjeshtrës».—Gjoni 8:44.

Që nga mosbindja e Adamit dhe e Evës, njerëzimi ka qenë nën ndikimin e fuqishëm të Satanait. (Zanafilla 3:1-7, 16-19) Rreth 15 shekuj pasi çifti i parë njerëzor i ktheu shpinën Jehovait, disa engjëj rebelë morën trupa njerëzorë, patën marrëdhënie me gratë dhe sollën në jetë një racë hibride, nefilimët. Cili ishte tipari i tyre dallues? Vetë emri na jep përgjigjen. Nefilim do të thotë «rrëzues» ose «ata që rrëzojnë të tjerët». Siç duket, ata ishin individë të dhunshëm që shkaktuan një mizori e imoralitet të tillë, sa vetëm një përmbytje e dërguar nga Perëndia mund t’i jepte fund. (Zanafilla 6:4, 5, 17, shënimi) Edhe pse nefilimët u zhdukën gjatë Përmbytjes, etërit e tyre u kthyen në qiell si demonë të padukshëm.—1 Pjetrit 3:19, 20.

Prirja ndaj mizorisë që kanë këta engjëj rebelë u bë e qartë në ditët e Jezuit, në rastin e një djali që e kishte zaptuar një demon. Ai demon vazhdimisht e bënte fëmijën të përpëlitej, duke e hedhur në zjarr e në ujë, për ta vrarë. (Marku 9:17-22) Është e qartë se këto ‘forca të liga frymore’ pasqyrojnë personalitetin e pamëshirshëm të udhëheqësit të tyre mizor, Satana Djallit.—Efesianëve 6:12.

Sot, demonët vazhdojnë të ndikojnë te njerëzit që të jenë sa më mizorë, dhe kjo ishte parathënë në Bibël: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, . . . mendjemëdhenj, fodullë, . . . mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.»—2 Timoteut 3:1-5.

Profecitë e Biblës tregojnë se kohët tona janë veçanërisht kritike, sepse, pasi u vendos në vitin 1914 Mbretëria e Perëndisë me Krishtin Jezu si Mbret, Satanai dhe hordhitë e tij demonike u dëbuan nga qielli. Bibla thotë: «Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!»—Zbulesa 12:5-9, 12.

A do të thotë kjo se situata nuk mund të përmirësohet? Díaz-Marrokíni, e përmendur më parë, thotë se «njerëzit janë të aftë ta çmësojnë» sjelljen e padëshirueshme. Por, duke qenë se ndikimi i Satanait është kudo sot në tokë, një njeri mund ta çmësojë atë sjellje vetëm nëse lejon që një forcë tjetër më e lartë të ndikojë në mendimet dhe veprimet e tij. Çfarë është kjo forcë?

Mund të bëhen ndryshime, por si?

Sa mirë që fryma e shenjtë e Perëndisë është forca më e fuqishme që ekziston dhe që mund të mposhtë çdo ndikim demonik! Ajo nxit dashurinë dhe punon për të mirën e njerëzve. Për të pasur frymën e Perëndisë, cilido që dëshiron t’i pëlqejë Jehovait duhet të shmangë sjelljen që ka qoftë edhe një grimë mizorie. Kjo kërkon që ai njeri ta shndërrojë personalitetin e tij, për ta përputhur me vullnetin e Perëndisë. E cili është vullneti i Perëndisë për ne? Të imitojmë sa më shumë që të mundemi mënyrën si vepron ai. Kjo përfshin t’i shohim të tjerët siç i sheh Perëndia.—Efesianëve 5:1, 2; Kolosianëve 3:7-10.

Duke studiuar mënyrën si vepron Perëndia, do të bindesh se ai kurrë nuk ka treguar mungesë interesi për të tjerët. Jehovai kurrë nuk ka trajtuar padrejtësisht ndonjë njeri ose qoftë edhe ndonjë kafshë. * (Ligji i përtërirë 22:10; Psalmi 36:7; Proverbat 12:10) Ai ka neveri për mizorinë dhe për të gjithë ata që e praktikojnë. (Proverbat 3:31, 32) Personaliteti i ri që duhet të zhvillojnë të krishterët, sipas kërkesave të Jehovait, i ndihmon që t’i shohin të tjerët si më të lartë se veten dhe t’i respektojnë. (Filipianëve 2:2-4) Në këtë personalitet të ri të krishterë përfshihet ‘dhembshuria e butë, mirëdashja, përulësia e mendjes, butësia dhe shpirtgjerësia’. Nuk duhet harruar as dashuria, «pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:12-14) A nuk mendon edhe ti se bota do të ishte krejt ndryshe, nëse këto cilësi do të ishin me bollëk?

Por ndoshta ti pyet veten nëse mund të ndodhin vërtet ndryshime rrënjësore në personalitetin e njerëzve. Atëherë, shiko një shembull real. Martini * e kishte zakon t’i bërtiste së shoqes para fëmijëve dhe ta zhdëpte në dru. Një herë, situata u keqësua kaq shumë, sa u desh që fëmijët të rendnin te fqinjët për të kërkuar ndihmë. Pas disa vitesh, familja filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Martini mësoi se ç’lloj njeriu duhej të ishte dhe si duhej t’i trajtonte të tjerët. A arriti të ndryshonte? Gruaja e tij përgjigjet: «Në të kaluarën, im shoq bëhej tjetër njeri kur nxehej. Për shkak të kësaj, jeta jonë ishte copë-copë për shumë kohë. S’më mjaftojnë fjalët për ta falënderuar Jehovain që e ndihmoi Martinin të ndryshonte. Tani është baba i mirë dhe një burrë i shkëlqyer.»

Ky është veçse një rast. Përreth botës, miliona veta që kanë studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, kanë hequr dorë nga mizoria. Po, njerëzit mund të ndryshojnë!

Po afrohet fundi i të gjitha mizorive

Në të ardhmen e afërt, Mbretëria e Perëndisë—një qeveri tashmë të vendosur në qiell me një Mbret të dhembshur, Krishtin Jezu—do të ushtrojë autoritet të plotë në tokë. Kjo qeveri tashmë e ka pastruar qiellin nga Satanai, që është burimi i të gjitha mizorive, dhe nga demonët e tij. Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të plotësojë nevojat e nënshtetasve të saj paqedashës këtu në tokë. (Psalmi 37:10, 11; Isaia 11:2-5) Kjo është e vetmja zgjidhje e vërtetë për problemet e botës. Por, si duhet të veprosh nëse, ndërkohë që pret këtë Mbretëri, bie viktimë e mizorisë?

T’i përgjigjesh mizorisë me mizori nuk të ndihmon. Kjo vetëm sa sjell më shumë mizori. Bibla na fton të kemi besim te Jehovai, i cili, në kohën e duhur, ‘do t’i japë secilit sipas udhëve të veta, sipas frytit të veprimeve të tij’. (Jeremia 17:10) (Shih kutinë shoqëruese: «Si të reagosh ndaj mizorive?») Është e vërtetë se mund të vuash kur bëhesh viktimë e një krimi mizor. (Eklisiastiu 9:11) Por Perëndia është i aftë t’i zhbëjë pasojat e çfarëdo mizorie, madje edhe vdekjen. Ai premton se ata që janë në kujtesën e tij dhe që kanë humbur jetën për shkak të akteve mizore, do të kthehen prapë në jetë.—Gjoni 5:28, 29.

Edhe pse mundësia për të rënë viktimë e mizorive mbetet ende, gjejmë ngushëllim duke pasur një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë dhe besim të patundur në premtimet e tij. Shqyrto rastin e Sarës, e cila i rriti dy djemtë e saj pa ndihmën e të shoqit, dhe u sigurua që të merrnin arsim të mirë. Kur ajo ishte në moshë të thyer, djemtë e braktisën dhe as e mbështetnin financiarisht, as kujdeseshin për të kur ishte sëmurë. Megjithatë, Sara, e cila tani është e krishterë, thotë: «Edhe pse është e pamundur të mos ndihem e trishtuar, Jehovai nuk më ka braktisur. E ndiej mbështetjen e tij nëpërmjet vëllezërve dhe motrave në besim, të cilët gjithnjë kujdesen për mua. Kam besim të patundur se së shpejti ai do të zgjidhë jo vetëm problemet e mia, po edhe të të gjithë atyre që kanë besim te fuqia e tij dhe bëjnë ç’urdhëron ai.»

Cilët janë këta vëllezër e motra në besim, për të cilët foli Sara? Janë miqtë e saj të krishterë, të cilët janë Dëshmitarë të Jehovait. Ata përbëjnë një vëllazëri mbarëbotërore me njerëz të dhembshur, që janë të bindur se mizoria do të marrë fund së shpejti. (1 Pjetrit 2:17) Nuk do të ekzistojë më as përgjegjësi kryesor për gjithë mizoritë, Satana Djalli, dhe as ndonjë që vepron si ai. Kjo «epokë mizore», siç e quan një shkrimtar, do të marrë fund. Përse të mos mësosh për këtë shpresë duke biseduar me një Dëshmitar të Jehovait?

[Shënimet]

^ par. 16 Për një shqyrtim më të thellë të cilësive e të personalitetit të Perëndisë, shih librin T’i afrohemi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 17 Disa emra janë ndryshuar.

[Kutia në faqen 6]

Si të reagosh ndaj mizorive?

Në Fjalën e Perëndisë ka këshilla praktike se si duhet të veprojmë kur ndodhin mizori. Shqyrto se si mund t’i zbatosh fjalët e mençura që gjenden më poshtë:

«Mos thuaj: ‘Do ta kthej të keqen!’ Shpreso te Jehovai, dhe ai do të të shpëtojë.»—Proverbat 20:22.

«Nëse sheh . . . se të vobektit shtypen dhe se gjykimi e drejtësia hiqen me dhunë, mos u habit nga kjo, sepse një që është më i lartë se i larti po vëzhgon.»—Eklisiastiu 5:8.

«Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»—Mateu 5:5.

«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Bëni gjëra të shkëlqyera sipas nevojës që kanë të gjithë njerëzit. Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.”»—Romakëve 12:17-19.

«Edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij. . . . Kur e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.»—1 Pjetrit 2:21-23.

[Figurat në faqen 7]

Jehovai u ka mësuar shumë vetave që të heqin dorë nga mizoria