Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos e ndani atë që Perëndia e ka bashkuar

Mos e ndani atë që Perëndia e ka bashkuar

Mos e ndani atë që Perëndia e ka bashkuar

«Nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—MATEU 19:6.

1, 2. Pse themi që edhe sipas Shkrimeve, edhe sipas realitetit, çiftet e martuara mund të presin që të kenë probleme hera-herës?

MENDONI sikur po niseni për një udhëtim të gjatë me makinë. A do t’ju dalin vështirësi gjatë rrugës? Do të ishte naive të mendonit ndryshe! Për shembull, mund të hasni mot të keq, e kështu do t’ju duhet të ulni shpejtësinë dhe të ecni me kujdes. Gjatë udhëtimit mund të lindë një problem mekanik që nuk e zgjidhni dot, e kështu do t’ju duhet të ndaloni anës rrugës e të kërkoni ndihmë. Por, a duhet që, për shkak të këtyre situatave, të mendoni se bëtë gabim që u nisët në këtë udhëtim dhe se duhet ta braktisni makinën? Jo. Kur bëni udhëtime të gjata, ju e dini se mund të lindin probleme dhe me mençuri kërkoni mënyra se si t’i përballoni.

2 E njëjta gjë vlen për martesën. Problemet janë të pashmangshme dhe do të ishte naive për një çift që po mendon të martohet, të presë një jetë me lumturi të plotë. Te 1 Korintasve 7:28, Bibla e thotë hapur se bashkëshortët do të kenë «shtrëngim në mish». Përse ndodh kështu? Thjesht sepse janë të papërsosur si burrat, dhe gratë, e po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1; Romakëve 3:23) Kështu, edhe çiftet që shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe që kanë mendje frymore, do të hasin hera-herës probleme.

3. (a) Si e shohin martesën shumë veta në botë? (b) Pse të krishterët përpiqen ta ruajnë martesën e tyre?

3 Në botën e sotme, reagimi i parë i disa çifteve kur hasin probleme, është t’i japin fund martesës. Në shumë vende, numri i divorceve po del jashtë kontrollit. Kurse të krishterët e vërtetë përpiqen t’i zgjidhin problemet, e jo t’u bëjnë bisht. Përse? Sepse e shohin martesën si një dhuratë të shenjtë nga Jehovai. Jezui tha për të martuarit: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:6) Është e vërtetë se të jetosh sipas kësaj norme nuk është gjithnjë e lehtë. Për shembull, të afërmit e të tjerët, (madje edhe disa këshilltarë martesorë), të cilët nuk i pranojnë parimet biblike, shpesh i nxitin çiftet që të ndahen ose të divorcohen edhe për arsye jobiblike. * Por të krishterët e dinë se është shumë më mirë ta ndreqin e ta ruajnë martesën, sesa ta prishin me nxitim. Po, është jetësore që, nga fillimi, të vendosim t’i bëjmë gjërat siç do Jehovai, jo sipas këshillave të të tjerëve.—Proverbat 14:12.

Kapërcimi i vështirësive

4, 5. (a) Çfarë vështirësish hasen në martesë? (b) Pse parimet që gjenden në Fjalën e Perëndisë janë vërtet praktike, edhe kur lindin probleme në martesë?

4 E vërteta është se herë pas here çdo martesë ka nevojë për vëmendje të veçantë. Në shumicën e rasteve, kjo përfshin që të zgjidhen mosmarrëveshjet e vogla. Kurse në disa martesa mund të ketë vështirësi më të mëdha që kërcënojnë themelin e marrëdhënies. Nganjëherë mund t’ju duhet t’i kërkoni ndihmë një plaku të krishterë që është i martuar e me përvojë. Gjithsesi, këto situata nuk nënkuptojnë se martesa juaj ka dështuar. Ato vetëm nxjerrin në pah sa e rëndësishme është t’u përmbahemi ngushtësisht parimeve biblike për të gjetur zgjidhje.

5 Si Krijuesi i njerëzve dhe Nismëtari i martesës, Jehovai e di më mirë se kushdo tjetër çfarë na duhet për të pasur një martesë të suksesshme. Pyetja është: A do t’i dëgjojmë këshillat që gjenden në Fjalën e tij dhe a do t’i zbatojmë? Me siguri që do të nxjerrim dobi, nëse veprojmë kështu. Jehovai i tha popullit të tij të lashtë: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:18) Nëse bashkëshortët u përmbahen udhëzimeve që ka Bibla, mund ta bëjnë të suksesshme martesën. Le të shqyrtojmë në fillim këshillat që u jep Bibla burrave.

«Vazhdoni t’i doni gratë tuaja»

6. Ç’këshillë jep Bibla për burrat?

6 Letra e apostullit Pavël drejtuar efesianëve përmban udhëzime të qarta për burrat. Pavli shkroi: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të. Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin. Megjithatë, secili nga ju ta dojë gruan si veten.»—Efesianëve 5:25, 28, 29, 33.

7. (a) Çfarë duhet të jetë pjesë kryesore e themelit në një martesë të krishterë? (b) Si mund të vazhdojnë t’i duan burrat gratë e tyre?

7 Pavli nuk trajton çdo problem të mundshëm që ka për të lindur mes burrit dhe gruas. Jo, ai shkon në rrënjë të çështjes duke treguar se cila duhet të jetë pjesë kryesore e themelit në çdo martesë të krishterë: dashuria. Madje dashuria përmendet gjashtë herë në vargjet e mësipërme. Shikoni edhe se Pavli u thotë burrave: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja.» Pa dyshim, Pavli e kuptonte se të biesh në dashuri me dikë është shumë më e lehtë se të vazhdosh ta duash atë. Kjo po ndodh sidomos në këto ‘ditë të fundit’, kur shumë veta janë «të dashuruar me veten» dhe ‘nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje’. (2 Timoteut 3:1-3) Cilësi të tilla negative po gërryejnë shumë martesa sot, por një burrë i dashur nuk do të lejojë që tiparet egoiste të botës të ndikojnë në mendimet dhe në veprimet e tij.—Romakëve 12:2.

Si të kujdesesh për nevojat e gruas?

8, 9. Në cilat mënyra një burrë i krishterë i siguron gjërat e nevojshme gruas së tij?

8 Nëse je një burrë i krishterë, si t’u rezistosh prirjeve egoiste dhe të shfaqësh dashuri të sinqertë për gruan tënde? Në fjalët e mësipërme që u tha efesianëve, Pavli tregoi dy gjëra që duhet të bësh: t’i sigurosh gruas gjërat e nevojshme dhe të përkujdesesh për të siç bën për trupin tënd. Si mund t’i sigurosh gjërat e nevojshme gruas sate? Ndër të tjera, duhet t’i sigurosh anën materiale, pra të kujdesesh për nevojat fizike të gruas. Pavli i shkroi Timoteut: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.»—1 Timoteut 5:8.

9 Por kjo s’do të thotë se mjafton që t’i sigurojë gruas ushqim, veshje dhe strehim. Përse jo? Sepse një burrë mund të jetë shumë i zoti për t’i siguruar gruas gjërat e nevojshme materiale, e megjithatë të mos i plotësojë asaj nevojat frymore dhe emocionale. Është thelbësore që ai t’i plotësojë gruas edhe këto nevoja. Vërtet, shumë burra të krishterë janë mjaft të zënë me punë sepse kujdesen për çështjet e kongregacionit. Por përgjegjësitë e mëdha në kongregacion nuk nënkuptojnë se një burrë duhet të lërë pas dore përmbushjen e detyrimeve që i ka dhënë Perëndia si kryefamiljar. (1 Timoteut 3:5, 12) Duke komentuar për këtë çështje, disa vjet më parë në këtë revistë bëhej ky pohim: «Në përputhje me kërkesat biblike, mund të thuhet se ‘kullotja nis në shtëpi’. Nëse një plak lë pas dore familjen e vet, mund të vërë në pikëpyetje emërimin që ka.» * Pra, është e domosdoshme që t’i plotësosh gruas nevojat fizike, emocionale dhe, më e rëndësishmja, nevojat frymore.

Ç’do të thotë të përkujdesesh për gruan tënde?

10. Si mund të përkujdeset një burrë për gruan e tij?

10 Nëse përkujdesesh për gruan, i tregon kujdes sepse e do. Ka disa mënyra se si mund ta bësh këtë. Së pari, kalo kohë të mjaftueshme me bashkëshorten. Nëse e lë pas dore gruan në këtë drejtim, dashuria e saj për ty mund të ftohet. Gjithashtu, mbaj parasysh se pikëpamja jote se sa kohë dhe vëmendje i nevojitet gruas mund të jetë e ndryshme nga pikëpamja e saj. Nuk mjafton të thuash se përkujdesesh për gruan tënde. Ajo duhet ta ndiejë se ti përkujdesesh për të. Pavli shkroi: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:24) Si burrë i dashur që je, duhet të sigurohesh se i kupton nevojat që ka vërtet gruaja jote.—Filipianëve 2:4.

11. Si mund të ndikojë mënyra si e trajton një burrë gruan, në marrëdhënien e tij me Perëndinë dhe me kongregacionin?

11 Një mënyrë tjetër për të treguar se përkujdesesh për gruan tënde, është duke e trajtuar me butësi, si me fjalë, edhe me veprime. (Proverbat 12:18) Pavli u shkroi kolosianëve: «Ju, burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) Sipas një vepre referimi, pjesa e dytë e pohimit të Pavlit mund të përkthehet «mos e trajto si shërbyese» ose «mos e bëj skllaven tënde». Një burrë që sillet me tirani, qoftë në publik, qoftë vetëm për vetëm, nuk po tregon aspak se përkujdeset për të shoqen. Duke e trajtuar ashpër gruan, ai mund të dëmtojë marrëdhënien e vet me Perëndinë. Apostulli Pjetër u shkroi burrave: «Vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me [gratë tuaja] sipas njohurisë, duke i nderuar gratë si një enë më të dobët, përderisa edhe ju jeni trashëgimtarë me to të hirit të pamerituar të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.» *1 Pjetrit 3:7.

12. Ç’mund të mësojë një burrë i krishterë nga mënyra se si e trajtonte Jezui kongregacionin?

12 Mos mendo kurrë se dashuria që ndien gruaja për ty është automatike. Siguroje se ti vazhdon ta duash. Jezui la shembullin për burrat e krishterë me mënyrën si e trajtoi kongregacionin. Ai ishte i butë, i dashur dhe falte, edhe kur ithtarët e tij shfaqnin herë pas here tipare negative. Kështu Jezui mund t’u thoshte të tjerëve: «Ejani tek unë, . . . sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mateu 11:28, 29) Një burrë i krishterë imiton Jezuin dhe e trajton gruan njësoj siç e trajtonte ai kongregacionin. Burri që përkujdeset vërtet për gruan e tij, duke e treguar këtë me fjalë e me veprime, do të jetë për gruan një burim freskimi të vërtetë.

Gra që jetojnë sipas parimeve biblike

13. Cilat parime të Biblës mund t’i ndihmojnë gratë?

13 Bibla ka parime që mund të ndihmojnë edhe gratë. Tek Efesianëve 5:22-24, 33 thuhet: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit, duke qenë shpëtimtari i këtij trupi. Po, ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit, ashtu të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në gjithçka. . . . Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»

14. Pse parimi biblik i nënshtrimit nuk i poshtëron gratë?

14 Shikoni se sa shumë e vuri theksin Pavli te nënshtrimi dhe te respekti. U kujtoi grave se duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre. Kjo është në përputhje me rregullin që ka vendosur Perëndia. Çdo krijesë e gjallë në qiell e në tokë i nënshtrohet dikujt. Edhe Jezui i nënshtrohet Perëndisë Jehova. (1 Korintasve 11:3) Natyrisht, burri që e ushtron siç duhet kryesinë do t’ia bëjë më të lehtë gruas së tij që të jetë gjithnjë e nënshtruar.

15. Cilat janë disa këshilla biblike për gratë?

15 Pavli tha edhe se gruaja «duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj». Gruaja e krishterë duhet të shfaqë ‘një frymë të qetë e të butë’ e jo të sfidojë me arrogancë të shoqin ose të veprojë gjithnjë me kokën e saj. (1 Pjetrit 3:4) Gruaja me frikë Perëndie punon pa u lodhur për të mirën e familjes dhe i sjell nderim kreut të saj. (Titit 2:4, 5) Ajo përpiqet të flasë mirë për të shoqin e të mos bëjë asgjë që do t’i nxiste të tjerët të mos e respektonin burrin e saj. Gjithashtu punon pa u lodhur që vendimet e tij të dalin me sukses.—Proverbat 14:1.

16. Ç’mund të mësojnë gratë e krishtere nga shembulli i Sarës dhe i Rebekës?

16 Fryma e qetë dhe e butë nuk nënkupton që një grua e krishterë nuk ka mendime të sajat ose që ato mendime nuk janë të rëndësishme. Në kohët e lashta, gratë e devotshme si Sara dhe Rebeka morën nismën e shprehën merakun për disa çështje dhe Bibla tregon se Jehovai e miratoi këtë. (Zanafilla 21:8-12; 27:46–28:4) Edhe gratë e krishtere mund t’i shprehin ndjenjat e tyre. Megjithatë, këtë duhet ta bëjnë me mirësjellje, jo me ton poshtërues. Me siguri do të shohin se ky lloj komunikimi do të jetë më i këndshëm dhe më i efektshëm.

Roli që luan angazhimi

17, 18. Cilat janë disa mënyra se si burrat dhe gratë mund t’i kundërvihen përpjekjeve të Satanait për të shkatërruar lidhjen martesore?

17 Martesa është një angazhim që merret për gjithë jetën. Prandaj, si burri dhe gruaja duhet të kenë dëshirë të vërtetë për ta bërë të suksesshme martesën. Mungesa e komunikimit të hapur i ndërlikon dhe i rëndon problemet. Shumë shpesh, kur lindin probleme bashkëshortët ndërpresin komunikimin, dhe kjo shkakton mëri. Disa bashkëshortë madje nisin të kërkojnë ndonjë mënyrë për t’i dhënë fund lidhjes, ndoshta duke zhvilluar interes romantik për dikë jashtë martese. Jezui paralajmëroi: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.»—Mateu 5:28.

18 Apostulli Pavël i këshilloi të gjithë të krishterët, ku përfshihen edhe ata që janë të martuar: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efesianëve 4:26, 27) Armiku ynë kryesor, Satanai, përpiqet të përfitojë nga mosmarrëveshjet që mund të lindin mes të krishterëve. Mos e lejoni që t’ia dalë mbanë! Kur lindin probleme, bëni kërkime në botimet biblike se si mendon Jehovai për atë çështje, sipas Biblës. Diskutojini me qetësi dhe me zemër të hapur mosmarrëveshjet. Përputhini veprimet tuaja me atë që dini për normat e Jehovait. (Jakovi 1:22-25) Kur bëhet fjalë për martesën tuaj, jini të vendosur që të vazhdoni të ecni me Perëndinë si çift dhe mos lini askënd ose asgjë të ndajë atë që ai e ka bashkuar!—Mikea 6:8.

[Shënimet]

^ par. 3 Shih kutinë «Divorci dhe ndarja», te Zgjohuni!, 8 shkurt 2002, faqja 10, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 9 Shih Kullën e Rojës, 15 maj 1989, faqja 12, anglisht.

^ par. 11 Që të kualifikohet për privilegje në kongregacionin e krishterë, një burrë nuk duhet të jetë «njeri që godet» të tjerët, qoftë fizikisht, qoftë me fjalë. Kështu, në Kullën e Rojës, 1 shtator 1990, anglisht, në faqen 25 thuhej: «Një burrë nuk kualifikohet nëse me të tjerët sillet si njeri i devotshëm, por në shtëpi është tiran.»—1 Timoteut 3:2-5, 12.

A ju kujtohet?

• Pse mund të lindin probleme edhe në martesat e krishtere?

• Si mund t’i sigurojë një burrë gjërat e nevojshme gruas së tij dhe të tregojë se përkujdeset për të?

• Ç’mund të bëjë një grua për të treguar se ka respekt të thellë për burrin e saj?

• Si mund ta forcojnë angazhimin e tyre burri dhe gruaja?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 20]

Burri duhet të jetë i zoti për të plotësuar jo vetëm nevojat materiale, por edhe frymore

[Figura në faqen 21]

Burri që përkujdeset për gruan e tij është burim freskimi për të

[Figura në faqen 23]

Gratë e krishtere i shprehin me respekt ndjenjat e tyre