Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë nga «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim»

Ndihmë nga «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim»

Ndihmë nga «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim»

RRETH 2.000 vjet më parë, një shkrimtar biblik me emrin Pavël, e përshkroi Jehovain si «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim». (Romakëve 15:5) Bibla na siguron se Jehovai nuk ndryshon me kalimin e kohës, prandaj mund të jemi të sigurt se ai vazhdon t’u japë ngushëllim atyre që i shërbejnë. (Jakovi 1:17) Në fakt, Bibla tregon se Jehovai u jep ngushëllim në mënyra të ndryshme atyre që janë të dëshpëruar. Cilat janë disa mënyra? Perëndia u jep forcë atyre që i drejtohen në lutje dhe i kërkojnë ndihmë. Gjithashtu, i nxit të krishterët e vërtetë t’u japin ngushëllim bashkëbesimtarëve. Veç kësaj, në Fjalën e tij, në Bibël, Jehovai paraqet disa ngjarje që të ngrohin zemrën e që janë sidomos forcuese për ata që janë të pikëlluar për vdekjen e një fëmije. T’i shohim një nga një këto tri mënyra ngushëllimi.

«Jehovai e dëgjoi»

Mbreti David shkroi për Krijuesin tonë, Jehovain: «Ki besim tek ai në çdo kohë, o popull! Atij zbrazja zemrën! Perëndia është streha jonë.» (Psalmi 62:8) Pse Davidi ishte kaq i sigurt për Jehovain? Duke folur për veten, ai shkroi: «Ky i munduar thirri, dhe Jehovai e dëgjoi e nga të gjitha brengat e çliroi.» (Psalmi 34:6) Në të gjitha brengat që kaloi, Davidi iu lut Perëndisë për ndihmë dhe Ai gjithnjë i erdhi në ndihmë. Davidi e dinte nga përvoja se Perëndia do ta mbështeste e do ta ndihmonte që të qëndronte i fortë.

Prindërit e pikëlluar kanë nevojë të dinë se Jehovai do t’i mbështetë në këtë periudhë trishtimi të madh, ashtu si veproi me Davidin. Ata mund t’i afrohen ‘Dëgjuesit të lutjes’, duke besuar se do t’u japë ndihmë. (Psalmi 65:2) Uilliami, për të cilin folëm në artikullin e parë, tha: «Shpesh më dukej sikur nuk do të arrija të jetoja as edhe një minutë më shumë pa tim bir, kështu që i kërkoja Jehovait të më jepte lehtësim. Ai më ka dhënë gjithnjë zemër e forcë që të vazhdoj të jetoj.» Nëse i luteni edhe ju Jehovait me besim, Perëndia i madh i qiellit do t’ju mbështetë. Në fakt, Perëndia Jehova u premton atyre që përpiqen t’i shërbejnë: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»—Isaia 41:13.

Mbështetje nga miq të vërtetë

Ata prindër, të cilëve u ka vdekur një fëmijë, shpesh kanë nevojë të rrinë pak vetëm që të vajtojnë dhe të kuptojnë ndjenjat e tyre. Megjithatë, nuk do të ishte e mençur t’i shmangnin të tjerët për një periudhë të gjatë. Sipas Proverbave 18:1, «kush veçohet» mund të dëmtojë veten. Prandaj, ata që janë të hidhëruar për vdekjen e një fëmije, duhet të bëjnë kujdes që të mos bien në kurthin e veçimit nga të tjerët.

Miqtë besimtarë mund t’i ndihmojnë në mënyra të rëndësishme ata që janë të hidhëruar. Te Proverbat 17:17 thuhet: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.» Lusi, për të cilën folëm po ashtu në artikullin e mëparshëm, e provoi ngushëllimin që japin shokët e vërtetë, pasi i vdiq i biri. Ajo tha këto fjalë për miqtë e saj në kongregacion: «Vizitat e tyre na ndihmuan shumë, edhe pse nganjëherë flitnin shumë pak. Një shoqe më vizitonte ditët kur isha vetëm. Ajo e dinte se do të isha në shtëpi duke qarë dhe shpesh vinte e qante bashkë me mua. Një tjetër më merrte në telefon çdo ditë për të më dhënë zemër. Të tjerë na ftonin në shtëpi për të ngrënë me ta, dhe ende vazhdojnë të na ftojnë.»

Edhe pse dhembja e thellë që ndiejnë prindërit kur u vdes një fëmijë nuk zhduket lehtë, lutjet që i drejtojnë Perëndisë dhe shoqërimi me miq të vërtetë të krishterë do t’u sjellë ngushëllim të vërtetë atyre që vajtojnë. Shumë prindër të krishterë të cilëve u ka vdekur një fëmijë, ndiejnë se Jehovai është me ta. Po, Jehovai «shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme».—Psalmi 147:3.

Ngjarje biblike që sjellin ngushëllim

Përveç lutjeve dhe shoqërisë ndërtuese, edhe Fjala e shkruar e Perëndisë është burim ngushëllimi për ata që vajtojnë. Nga tregimet biblike kuptojmë se Jezui ka edhe dëshirën e fortë, edhe aftësinë për t’ua hequr prindërve dhembjen që provojnë, duke i sjellë prapë në jetë të vdekurit. Këto tregime u japin ngushëllim të vërtetë atyre që janë të pikëlluar. Le të shqyrtojmë dy tregime të tilla.

kapitullin e shtatë të Ungjillit sipas Lukës, përshkruhet ç’ndodhi kur Jezui hasi një kortezh që po dilte nga qyteti i Nainit. Po çonin për të varrosur djalin e vetëm të një vejushe. Në vargun 13 thuhet: «Sa e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja për të dhe i tha: ‘Mos qaj më!’»

Janë të paktë ata që do të guxonin t’i thoshin një nëne, në varrimin e djalit të saj, të mos qante më. Po pse tha ashtu Jezui? Sepse e dinte që hidhërimi i asaj nëne do të merrte fund shpejt. Tregimi vazhdon: «[Jezui] u afrua, preku arkivolin dhe ata që e mbanin, u ndalën, kurse ai tha: ‘Djalosh, ty po të them: ngrihu!’ I vdekuri u çua ndenjur e nisi të fliste, dhe ai ia dha së ëmës.» (Luka 7:14, 15) Atë çast ajo nënë duhet të ketë qarë përsëri, por kësaj here ishin lot gëzimi.

Në një rast tjetër, Jezuit iu afrua një burrë me emrin Jair, i cili i kërkoi ndihmë se kishte vajzën 12-vjeçare të sëmurë rëndë. Pak më pas, i çuan fjalë se e bija kishte vdekur. Ky lajm ia copëtoi zemrën Jairit, por Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm trego besim.» Pastaj shkuan te shtëpia e Jairit dhe Jezui hyri aty ku ishte vajza e pajetë. Ai e kapi për dore dhe i tha: «Vashëz, po të them: ngrihu!» Çfarë ndodhi? «Menjëherë vashëza u ngrit e nisi të ecte.» E si reaguan prindërit e saj? «Mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh.» Ç’lumturi të madhe që ndien Jairi dhe e shoqja tek përqafuan përsëri vajzën e tyre. U dukej sikur ishin në ëndërr!—Marku 5:22-24, 35-43.

Këto tregime biblike të hollësishme për ringjallje fëmijësh, u tregojnë prindërve të pikëlluar sot, se çfarë mund të presin në të ardhmen. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Jehovai ka si qëllim që Biri i tij t’u japë përsëri jetë atyre që kanë vdekur. Miliona fëmijë që kanë vdekur, «do ta dëgjojnë zërin e tij» kur t’u thotë: «Po të them: ngrihu!» Ata do të mund të ecin e të flasin përsëri. E si Jairi dhe e shoqja, prindërit e atyre fëmijëve do të mbeten «gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh».

Nëse ju ka vdekur një fëmijë, ju lutemi mbani në mend se Jehovai mund t’jua kthejë hidhërimin në gëzim, me anë të ringjalljes. Që të shihni përmbushjen e kësaj shprese të mrekullueshme, bindjuni thirrjes së psalmistit: «Kërkoni Jehovain dhe forcën e tij! Kërkoni vazhdimisht pëlqimin e tij! Kujtoni veprat e mrekullueshme që ka kryer, mrekullitë [e tij].» (Psalmi 105:4, 5) Po, shërbejini Perëndisë së vërtetë, Jehovait, dhe adhurojeni në mënyrën që i pëlqen atij.

Cili do të jetë rezultati i menjëhershëm nëse «kërkoni Jehovain»? Do të merrni forcë me anë të lutjeve drejtuar Perëndisë, do të ndiheni të ngushëlluar nga interesimi i dashur i miqve të vërtetë të krishterë dhe do të merrni zemër duke studiuar Fjalën e Perëndisë. Për më tepër, në të ardhmen e afërt, do të përjetoni ‘veprat e mrekullueshme dhe mrekullitë’ që do të bëjë Jehovai për dobinë tuaj të përjetshme dhe për fëmijën që ju ka vdekur.

[Kutia në faqen 5]

«Më sill gruan që i kanë vdekur dy fëmijë»

Kehindes dhe Bintusë, një çift Dëshmitarësh të Jehovait nga Nigeria, u vdiqën dy fëmijë në një aksident automobilistik. Dhembjen e shkaktuar nga ajo humbje e tmerrshme vazhdojnë ta ndiejnë ende. Por besimi te Jehovai i mban të fortë dhe vazhdojnë t’u japin fqinjëve të tyre mesazhin shpresëdhënës të Biblës.

Të tjerët e kanë vënë re qetësinë dhe forcën që shfaqin Kehindja dhe Bintuja. Një grua, zonja Ukoli, i tha një ditë një shoqes së Bintusë: «Më sill gruan që i kanë vdekur dy fëmijë dhe që vazhdon të predikojë mesazhin e Biblës. Dua të di nga e merr fuqinë për të mos u dorëzuar.» Kur shkoi Bintuja, zonja Ukoli i tha: «Dua të di pse vazhdon të predikosh për Perëndinë që të mori fëmijët. Mua Perëndia më mori vajzën e vetme. Që nga ajo kohë, për Perëndinë s’dua të dëgjoj më.» Bintuja përdori Biblën për të shpjeguar arsyen pse vdesin njerëzit dhe përse mund të kemi shpresën e sigurt se njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur, do të ringjallen.—Veprat 24:15; Romakëve 5:12.

Atëherë zonja Ukoli tha: «Më parë mendoja se Perëndia i bën njerëzit të vdesin. Tani e di të vërtetën.» Ajo vendosi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, që të mësonte më shumë për premtimet e Perëndisë.

[Kutia në faqen 6]

‘Dua të ndihmoj, por s’di se si’

Kur vdes një fëmijë, prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij ndiejnë një hidhërim të madh, kurse miqtë mund të ndihen paksa në merak. Ata duan ta mbështetin familjen, por kanë frikë se mos thonë a bëjnë ndonjë gjë të gabuar që do ta keqësonte situatën e dhembshme. Më poshtë janë disa sugjerime për ata që mendojnë: ‘Dua të ndihmoj, por s’di se si.’

❖ Mos e shmang atë që i ka vdekur një i afërm, vetëm sepse nuk di ç’të thuash ose ç’të bësh! Edhe vetë prania jote u jep forcë atyre. Nuk di ç’të thuash? Atëherë, një përqafim dhe një «më vjen keq» e thënë sinqerisht, u tregon atyre se interesohesh për ta. A ke frikë se mos fillon të qash, dhe kështu ua shton pikëllimin? Bibla thotë: «Qani me ata që qajnë.» (Romakëve 12:15) Lotët e tu do të tregojnë se edhe ti je i pikëlluar, e kjo do t’i ngushëllojë.

❖ Merr iniciativën! A mund të gatuash ndonjë ushqim të thjeshtë për familjen? A mund të lash pjatat që janë grumbulluar në lavaman? A mund t’u bësh pazarin? Mos thuaj: «Po të kini nevojë për ndonjë gjë, më thoni.» Edhe kur thuhen me gjithë mend, shpesh këto fjalë u lënë të kuptojnë prindërve të pikëlluar se jeni të zënë me punë e s’i ndihmoni dot. Më mirë, pyet: «Ç’të bëj për t’ju ndihmuar tani?» dhe pastaj bëj atë që të kërkojnë. Por mos u fut në ato pjesë të shtëpisë ku s’të takon ose në çështjet personale të jetës së tyre.

❖ Mos thuaj: «E di se si ndihesh.» Çdo njeri reagon ndryshe kur i vdes një i afërm. Edhe sikur të të ketë vdekur një fëmijë, nuk mund ta dish me saktësi se si ndihen ata.

❖ Do të kalojë shumë kohë para se në shtëpinë e tyre të rikthehet disi normaliteti. Vazhdo t’i ndihmosh sa më shumë të mundesh. Shpeshherë, në fillim i kushtohet shumë vëmendje familjes së cilës i ka ndodhur një vdekje, por ata nuk kanë nevojë vetëm ditët ose javët e para. Mendo për nevojat e tyre edhe në javët e në muajt në vazhdim. *

[Shënimi]

^ par. 29 Për më tepër informacion se si të ndihmosh ata që po vajtojnë për vdekjen e një fëmije, shih kapitullin «Si mund të ndihmojnë të tjerët?», në faqet 20-24 të broshurës Kur të vdes një njeri i dashur . . . , botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 7]

Tregimet biblike bëjnë të qartë se Jezui ka fuqinë dhe dëshirën për t’i sjellë prapë në jetë fëmijët