Të rinj, ju ndikoni në zemrën e prindërve
Të rinj, ju ndikoni në zemrën e prindërve
«NUK kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi vazhdojnë të ecin në të vërtetën»,—shkroi apostulli i moshuar Gjon. (3 Gjonit 4) Edhe pse bijtë e përmendur në këtë varg biblik janë dishepujt e krishterë, një prind me frikë Perëndie provon pak a shumë të njëjtat ndjenja si ato që shprehu Gjoni. Ashtu si prindërit ndikojnë jashtë mase në jetën e fëmijëve të tyre, po ashtu fëmijët ndikojnë shumë në jetën e prindërve.
Solomoni, mbret i Izraelit, e vuri re sa mund të ndikojnë fëmijët te prindërit. Ai shkroi: «Biri i mençur është ai që e gëzon të atin, ndërsa biri budalla është hidhërimi i nënës së tij.» (Proverbat 10:1) Prandaj, të gjithë fëmijët—edhe ata që janë në moshë madhore—duhet të shqyrtojnë se si do të ndikojnë veprimet e tyre te babai dhe nëna. Pse është e përshtatshme kjo?
Mendoni pak për gjithë atë kujdes që ju kanë kushtuar prindërit tuaj besimtarë për t’ju rritur. Meraku i tyre dhe lutjet për ju filluan shumë kohë para se të lindnit. Pasi lindët, të dy prindërit donin të formonin një lidhje të ngushtë me ju dhe me siguri e falënderonin Perëndinë për privilegjin e mrekullueshëm dhe përgjegjësinë e madhe si prindër. Tani kishin në ngarkim një foshnjë të vockël që varej plotësisht prej tyre dhe, si adhurues të Jehovait, e morën seriozisht këtë detyrë.
Si të krishterë të vërtetë, prindërit tuaj kërkuan udhëheqje të besueshme në Bibël dhe në literaturën biblike, si dhe pyetën për këshilla ata që kishin rritur fëmijë. Gjithashtu, vazhduan t’ia shprehnin shqetësimet e tyre në lutje Perëndisë. (Gjykatësit 13:8) Ndërsa rriteshit, prindërit i dallonin cilësitë tuaja të mira, por shikonin edhe dobësitë tuaja. (Jobi 1:5) Bashkë me vitet e adoleshencës, erdhën edhe sfida të reja. Nganjëherë, mund të jeni rebeluar, prandaj prindërit tuaj janë lutur më shumë, kanë lexuar më shumë dhe kanë menduar më shumë se si t’ju ndihmonin që të vazhdonit t’i shërbenit Atit tuaj qiellor, Jehovait.
Prindërit mbeten gjithnjë prindër. Meraku i tyre për mirëqenien tuaj fizike, mendore, emocionale dhe frymore vazhdon edhe kur jeni të rritur. Por, ndërkohë, ata mbajnë
parasysh se ju keni vullnet të lirë dhe nuk ka asnjë garanci se si do të dalë jeta juaj. Së fundi, ju do të vendosni vetë cilin drejtim të ndiqni.Por, atëherë, a nuk është e arsyeshme që, nëse për prindërit ‘nuk ka shkak të madh për gëzim’ sesa të dëgjojnë që fëmijët e tyre ‘po ecin në të vërtetën’, mund të thuhet edhe e kundërta? Në fakt, fëmijët që veprojnë me marrëzi, i pikëllojnë prindërit. Solomoni tha: «Një bir budalla është vrer për të atin dhe hidhësi për atë që e ka lindur.» (Proverbat 17:25) Sa hidhërim të thellë provojnë prindërit kur fëmija i tyre braktis adhurimin e Perëndisë së vërtetë!
Pra është e qartë se ju mund të ndikoni ndjeshëm në familjen tuaj dhe më gjerë. Mënyra se si silleni ndikon thellë në zemrën e prindërve tuaj. Nëse i ktheni shpinën Perëndisë dhe parimeve të tij, prindërit tuaj do të vuajnë. Por mund të themi edhe të kundërtën: në qoftë se vazhdoni të jeni besnikë e të bindur ndaj Jehovait, prindërit tuaj do të gëzojnë. Prandaj, jini të vendosur që t’ua gëzoni zemrën prindërve! A ka dhuratë më të çmuar për t’u dhënë atyre që ju kanë rritur, ju mbrojnë dhe ju duan?!