Të rinj, ndiqni synime që nderojnë Perëndinë
Të rinj, ndiqni synime që nderojnë Perëndinë
«Stërvitu, duke pasur si synim përkushtimin hyjnor.»—1 TIMOTEUT 4:7.
1, 2. (a) Pse e lavdëroi Pavli Timoteun? (b) Në ç’mënyrë të rinjtë sot ‘po stërviten duke pasur si synim përkushtimin hyjnor’?
«NUK kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja. . . . [Ai ] u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me të atin, për të çuar përpara lajmin e mirë.» (Filipianëve 2:20, 22) Apostulli Pavël e përfshiu këtë lavdërim të përzemërt në letrën që u dërgoi të krishterëve të shekullit të parë në Filipi. Për kë po fliste? Për Timoteun, të riun që ishte shoku i tij i udhëtimit. Kushedi sa duhet t’ia kenë ngrohur zemrën Timoteut këto fjalë që shprehnin përzemërsinë që ndiente Pavli për të dhe besimin që kishte tek ai!
2 Të rinjtë me mendje frymore si Timoteu kanë qenë gjithnjë një thesar i çmuar në popullin e Jehovait. (Psalmi 110:3) Sot, organizata e Perëndisë është bekuar me shumë të rinj që shërbejnë si pionierë, misionarë, vullnetarë ndërtimi dhe bethelitë. Janë për t’u lavdëruar shumë edhe ata që marrin pjesë me zell në veprimtaritë e kongregacionit, ndërkohë që kujdesen për përgjegjësi të tjera. Këta të rinj provojnë kënaqësinë e vërtetë që vjen kur ndiqen synime që nderojnë Atin tonë qiellor, Jehovain. Ata vërtet ‘po stërviten duke pasur si synim përkushtimin hyjnor’.—1 Timoteut 4:7, 8.
3. Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?
3 Ti si i ri, a po përpiqesh të arrish synime frymore specifike? Ku mund të gjesh ndihmë dhe inkurajim për këtë? Si t’u bësh ballë presioneve të kësaj bote materialiste? Ç’bekime mund të presësh, nëse ndjek synime që nderojnë Perëndinë? Le t’i gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve duke shqyrtuar jetën dhe shërbimin e Timoteut.
Formimi i Timoteut
4. Përshkruani shkurtimisht jetën e Timoteut si i krishterë.
4 Timoteu u rrit në Listër, një qytet i vogël në provincën romake të Galatisë. Ka mundësi të ketë mësuar për krishterimin gjatë adoleshencës, kur Pavli predikoi në Listër rreth vitit 47 të e.s. Menjëherë Timoteu fitoi një emër të mirë te vëllezërit e krishterë vendës. Kur u kthye në Listër dy vjet më vonë dhe mori vesh për përparimin e Timoteut, Pavli e zgjodhi si shokun e tij misionar. (Veprat 14:5-20; 16:1-3) Teksa piqej, Timoteut iu besuan përgjegjësi edhe më të mëdha, ku përfshiheshin detyra të rëndësishme për të forcuar vëllezërit. Kur Pavli i shkroi që nga burgu në Romë, rreth vitit 65 të e.s., Timoteu shërbente si plak i krishterë në Efes.
5. Cilët ishin dy faktorë që ndikuan në vendimin e Timoteut për të ndjekur synime frymore, sipas 2 Timoteut 3:14, 15?
5 Nga sa duket, Timoteu vendosi të ndiqte synime frymore. Por, çfarë e motivoi të vepronte kështu? Në letrën e dytë drejtuar Timoteut, Pavli përmendi dy faktorë vendimtarë. 2 Timoteut 3:14, 15) Të shqyrtojmë fillimisht rolin që luajtën të krishterët e tjerë në vendimet që mori Timoteu.
«Ti vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje,—i shkroi ai,—duke ditur se nga cilët i mësove dhe se që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta.» (Nxirrni dobi nga ndikimet pozitive
6. Çfarë stërvitjeje mori Timoteu dhe si përfitoi ai?
6 Timoteu u rrit në një familje të ndarë nga ana fetare. I ati ishte grek, kurse e ëma, Eunika, dhe gjyshja, Loida, ishin me origjinë judeje. (Veprat 16:1) Eunika dhe Loida i mësuan Timoteut të vërtetat nga Shkrimet Hebraike, që kur ishte foshnjë. Pasi u bënë të krishtere, ato me siguri e ndihmuan që të bindej për mësimet e krishtere. Është e qartë se Timoteu përfitoi plotësisht nga kjo stërvitje e shkëlqyer. Pavli u shpreh: «Sjell ndër mend besimin tënd pa asnjë hipokrizi, që në fillim e kishte gjyshja jote Loida dhe nëna jote Eunika, e që jam i sigurt se e ke edhe ti.»—2 Timoteut 1:5.
7. Si janë bekuar shumë të rinj dhe si mund të jetë me dobi kjo gjë për ta?
7 Sot, shumë të rinj janë bekuar me prindër dhe gjyshër të devotshëm që, ashtu si Loida dhe Eunika, e kuptojnë rëndësinë e synimeve frymore. Për shembull, Samira i kujton edhe sot e kësaj dite bisedat e gjata që bënte me prindërit kur ishte adoleshente. Ajo tregon: «Mami dhe babi më mësuan t’i shoh gjërat nga pikëpamja e Jehovait dhe ta konsideroj si parësore veprën e predikimit. Ata gjithnjë më nxitnin të filloja shërbimin e plotkohor.» Samira e priti mirë nxitjen që i dhanë prindërit dhe tani ka privilegjin të shërbejë si anëtare e familjes Bethel në vendin e saj. Nëse prindërit të nxitin të përqendrohesh te synimet frymore, mendo seriozisht për këshillat e tyre, pasi ata duan më të mirën për ty.—Proverbat 1:5.
8. Si nxori dobi Timoteu nga shoqëria ndërtuese e krishterë?
8 Është e rëndësishme edhe që të kërkosh shoqëri ndërtuese brenda vëllazërisë së krishterë. Timoteu u bë shumë i njohur te pleqtë e krishterë në kongregacionin e tij dhe te vëllezërit në Ikoni, rreth 30 kilometra larg. (Veprat 16:1, 2) Ai zuri miqësi të ngushtë me Pavlin, i cili ishte njeri dinamik. (Filipianëve 3:14) Letrat e Pavlit tregojnë se Timoteu i mirëpriste këshillat që i jepnin dhe se imitonte me gatishmëri shembujt e besimit. (1 Korintasve 4:17; 1 Timoteut 4:6, 12-16) Pavli shkroi: «Ti ke ndjekur hap pas hapi mësimin tim, mënyrën time të të jetuarit, qëllimin tim, besimin tim, shpirtgjerësinë time, dashurinë time, qëndrueshmërinë time.» (2 Timoteut 3:10) Po, Timoteu ndiqte me kujdes shembullin e Pavlit. Edhe ti, nëse u rri afër pjesëtarëve të kongregacionit që janë të fortë frymësisht, do të zhvillosh synime të mira frymore.—2 Timoteut 2:20–22.
Studioni «shkrimet e shenjta»
9. Përveçse të zgjidhni shoqëritë e duhura, çfarë duhet të bëni ‘për t’u stërvitur duke pasur si synim përkushtimin hyjnor’?
9 A arrihen synimet frymore thjesht duke zgjedhur shoqëritë e duhura? Jo. Ashtu si Timoteu, duhet të shqyrtosh me kujdes «shkrimet e shenjta». Ndoshta nuk të pëlqen shumë të studiosh, por mos harro se Timoteu duhej ‘të stërvitej duke pasur si synim përkushtimin hyjnor’. Shpesh atletët stërviten me të gjitha forcat për muaj të tërë, që të arrijnë synimin e tyre. Po kështu, arritja e synimeve frymore kërkon sakrifica dhe përpjekje serioze. (1 Timoteut 4:7, 8, 10) ‘Po si mund të më ndihmojë studimi i Biblës që të arrij synimet e mia?’—mund të pyesësh. Le të shohim tri mënyra.
10, 11. Përse Shkrimet do t’ju motivojnë të arrini synimet frymore? Jepni një shembull.
10 Së pari, Shkrimet do të të japin motivin e duhur. Në to zbulohet personaliteti i mrekullueshëm i Atit tonë qiellor, shprehja më e madhe e dashurisë së tij për ne dhe bekimet e përjetshme që do t’u japë shërbëtorëve të tij besnikë. (Amosi 3:7; Gjoni 3:16; Romakëve 15:4) Sa më shumë ta njohësh Jehovain, aq më shumë do ta duash dhe do të dëshirosh t’ia kushtosh jetën atij.
11 Shumë të rinj të krishterë thonë se studimi i rregullt personal i Biblës ka qenë thelbësor, sepse i ka ndihmuar që ta bëjnë të tyren të vërtetën. Për shembull, Adela u rrit në një familje të krishterë, por nuk kishte vënë kurrë synime frymore. Ajo tregon: «Prindërit më merrnin me vete në Sallën e Mbretërisë, por unë vetë nuk bëja studim personal e nuk kushtoja vëmendje në mbledhje.» Pasi iu pagëzua e motra, Adela nisi ta merrte më seriozisht të vërtetën. «Vendosa të lexoja të gjithë Biblën. Lexoja një pjesë të vogël e pastaj shkruaja një koment për atë që kisha lexuar. I kam akoma të gjitha shënimet. E lexova gjithë Biblën brenda një viti.» Si rrjedhojë, Adela u motivua t’ia kushtonte jetën Jehovait. Pavarësisht nga një gjymtim i rëndë fizik, tani ajo është pioniere ose ungjillëzuese në kohë të plotë.
12, 13. (a) Ç’ndryshime do të bëjë një i ri falë studimit të Biblës dhe si? (b) Jepni shembuj të mençurisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë.
12 Së dyti, Bibla do të të ndihmojë të bësh ndryshimet e duhura në personalitet. Pavli i tha Timoteut se «shkrimet e shenjta» janë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Timoteut 3:16, 17) Duke medituar rregullisht rreth Fjalës së Perëndisë dhe duke zbatuar parimet biblike, do ta lejosh frymën e Perëndisë të të përmirësojë personalitetin. Do të zhvillosh cilësi të domosdoshme, si: përulësia, ngulmimi, papërtueshmëria dhe dashuria e sinqertë për të bashkëkrishterët. (1 Timoteut 4:15) Timoteu i kishte këto cilësi, të cilat e bënë shumë të vlefshëm për Pavlin dhe për kongregacionet të cilave u shërbeu.—Filipianëve 2:20-22.
13 Së treti, Fjala e Perëndisë është një thesar mençurie. (Psalmi 1:1-3; 19:7; 2 Timoteut 2:7; 3:15) Ajo do të të ndihmojë t’i zgjedhësh me mençuri shokët, të zgjedhësh zbavitje të shëndetshme dhe të përballosh shumë e shumë vështirësi të tjera. (Zanafilla 34:1, 2; Psalmi 119:37; 1 Korintasve 7:36) Është e rëndësishme të marrësh vendime të mençura tani, nëse do që të arrish synimet frymore.
‘Bëni luftën e shkëlqyer të besimit’
14. Pse ndjekja e synimeve frymore nuk është gjëja më e lehtë?
14 T’u japësh përparësi synimeve që nderojnë Jehovain është gjëja më e mençur, por sigurisht jo më e lehta. Për shembull, kur duhet të zgjedhësh ç’të bësh me jetën tënde, mund të hasësh presione të mëdha nga të afërmit, shokët dhe mësuesit qëllimmirë, të cilët besojnë se arsimi i lartë dhe një karrierë fitimprurëse janë çelësi i suksesit e lumturisë së vërtetë. (Romakëve 12:2) Ashtu si Timoteu, do të të duhet ‘të bësh luftën e shkëlqyer të besimit’, me qëllim që ‘të rrokësh jetën e përhershme’ që Jehovai të ofron.—1 Timoteut 6:12; 2 Timoteut 3:12.
15. Çfarë kundërshtimi mund të ketë hasur Timoteu?
15 Sprova mund të jetë veçanërisht e vështirë kur familjarët e tu që s’kanë të njëjtin besim, nuk janë dakord me zgjedhjet që bën. Ndoshta edhe Timoteut iu desh të kapërcente një kundërshtim të tillë. Sipas një vepre referimi, familja e Timoteut ka mundësi që «t’i përkiste shtresës së pasur e të arsimuar». Ndoshta i ati priste që ai të ndiqte një arsim të mëtejshëm dhe të vazhdonte biznesin e familjes. * Mendo si mund të ketë reaguar babai i Timoteut kur ka marrë vesh se ai pëlqente më shumë veprën misionare me Pavlin, që kishte rreziqe dhe ishte e pasigurt nga ana financiare!
16. Si e përballoi një i ri kundërshtimin nga i ati?
16 Sot, të rinjtë e krishterë hasin vështirësi të ngjashme. Methju, i cili shërben në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait, kujton: «Kur fillova shërbimin si pionier, babai u zhgënjye shumë. I dukej sikur unë e kisha ‘çuar dëm’ arsimin tim, duke punuar si pastrues që të arrija të vazhdoja shërbimin. Më tallte dhe gjithnjë ma kujtonte sa shumë do të fitoja po të gjeja një punë tetorëshe.» Si e përballoi Methju këtë kundërshtim? «Kisha një program të rreptë për leximin e Biblës dhe lutesha vazhdimisht, sidomos në çastet kur mund ta humbja lehtë gjakftohtësinë.» Vendosmëria e tij u shpërblye. Me kalimin e kohës, edhe lidhja e tij me babanë u përmirësua. Gjithashtu, Methju i është afruar më shumë Jehovait. Ai thotë: «E kam provuar vetë se Jehovai është kujdesur për nevojat e mia, më ka inkurajuar dhe më ka mbrojtur nga vendimet jo të mençura. Po të mos ndiqja synimet frymore, nuk do t’i kisha provuar kurrë këto gjëra.»
Përqendrohuni te synimet frymore
17. Çfarë mund të thonë disa pa u menduar, duke i shkurajuar ata që po planifikojnë të fillojnë shërbimin e plotkohor? (Mateu 16:22)
17 Një sprovë e paqëllimshme lidhur me ndjekjen e synimeve frymore mund të vijë edhe nga bashkëbesimtarët. Disa mund të pyesin: ‘E pse duhet të jesh pionier? Mund të bësh një jetë normale e të marrësh pjesë gjithsesi në
veprën e predikimit. Gjej një punë të mirë, që të kesh siguri financiare.’ Kjo ndoshta duket si një këshillë praktike, por, nëse do ta ndiqje, a do të stërviteshe vërtet duke pasur si synim përkushtimin hyjnor?18, 19. (a) Si mund të vazhdoni të përqendruar te synimet frymore? (b) Shpjego çfarë sakrificash po bën ti si i ri për hir të Mbretërisë.
18 Me sa duket, disa të krishterë në kohën e Timoteut kishin mendime të ngjashme. (1 Timoteut 6:17) Për ta ndihmuar Timoteun që të ishte i përqendruar te synimet frymore, Pavli i dha zemër me këto fjalë: «Kush është ushtar, nuk përzihet në çështjet tregtare të jetës, me qëllim që të fitojë miratimin e atij që e ka marrë ushtar.» (2 Timoteut 2:4) Një ushtar që është në detyrë, s’mund të shpërqendrohet nga gjërat me të cilat merren civilët. Jeta e tij dhe e të tjerëve varet nga gatishmëria e tij e përhershme për të vepruar sipas urdhrave të komandantit. Si ushtar i Krishtit, edhe ti duhet të jesh po njësoj i përqendruar e të mos ngatërrohesh me gjëra të panevojshme materiale, të cilat mund të të pengojnë që të kryesh plotësisht shërbimin tënd jetëshpëtues.—Mateu 6:24; 1 Timoteut 4:16; 2 Timoteut 4:2, 5.
19 Në vend që të vësh si synim të kesh një jetë të rehatshme, zhvillo frymën e vetëmohimit. «Ji gati të jetosh pa rehatitë e jetës, si ushtar i armatës së Krishtit Jezu.» (2 Timoteut 2:3, The English Bible in Basic English) Duke u shoqëruar me Pavlin, Timoteu mësoi sekretin që të ishte i kënaqur, edhe në rrethanat më të vështira. (Filipianëve 4:11, 12; 1 Timoteut 6:6-8) Edhe ti mund të bësh po njësoj. A je i gatshëm të bësh sakrifica për hir të Mbretërisë?
Bekime tani dhe në të ardhmen
20, 21. (a) Përshkruani disa bekime që vijnë kur ndiqen synime frymore. (b) Çfarë jeni të vendosur të bëni?
20 Timoteu punoi pa u lodhur bashkë me Pavlin për rreth 15 vjet. Ai pa me sytë e vet formimin e kongregacioneve të reja, ndërkohë që lajmi i mirë u përhap pothuajse në gjithë zonën veriore të Mesdheut. Jeta e tij ishte më interesante dhe më e kënaqshme se ç’do të kishte qenë po të kishte zgjedhur një jetë «normale». (2 Korintasve 11:26, 27) Duke ndjekur synimet frymore, edhe ti do të kesh bekime frymore të pashoqe. Do t’i afrohesh Jehovait dhe do të fitosh dashurinë e respektin e të krishterëve të tjerë. Në vend të dhembjes dhe zhgënjimit që vijnë kur rend pas pasurisë, do të kesh lumturinë e vërtetë që vjen kur u jep të tjerëve me bujari. Më i çmuari ndër bekimet do të jetë se ‘do të rrokësh jetën e vërtetë’, jetën e përhershme në një tokë parajsore.—1 Timoteut 6:9, 10, 17-19; Veprat 20:35.
21 Prandaj të nxitim me përzemërsi që të nisësh të stërvitesh menjëherë duke pasur si synim përkushtimin hyjnor, nëse ende s’ke filluar. Afrohu me ata njerëz në kongregacion që mund të të ndihmojnë të arrish synimet frymore dhe kërko drejtimin e tyre. Jepi përparësi studimit të rregullt personal të Biblës. Ji i vendosur t’i bësh ballë frymës materialiste të kësaj bote. Dhe mbaj gjithnjë në mend se Perëndia «që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë», premton se mund të kesh bekime të shumta tani dhe në të ardhmen, nëse zgjedh synime që e nderojnë atë.—1 Timoteut 6:17.
[Shënimi]
^ par. 15 Në shoqërinë greke arsimi vlerësohej shumë. Plutarku, bashkëkohës i Timoteut, shkroi: «Të marrësh një arsim të mirë, është burimi dhe rrënja e të gjitha të mirave. . . . Them se pikërisht kjo kontribuon dhe ndihmon për virtytin moral dhe për lumturinë. . . . Të gjitha përfitimet e tjera janë thjesht njerëzore e të parëndësishme, dhe nuk meritojnë interesimin tonë.»—Moralia, I, «Edukimi i fëmijëve».
A ju kujtohet?
• Ku mund të gjejnë ndihmë të rinjtë për të arritur synimet frymore?
• Pse është kaq i rëndësishëm studimi i kujdesshëm i Biblës?
• Si mund t’i bëjnë ballë të rinjtë ndikimit materialist të kësaj bote?
• Çfarë bekimesh vijnë kur ndjekim synime frymore?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 24]
Timoteu ndoqi synime të shkëlqyera
[Figurat në faqen 25]
Cilat ndikime pozitive e ndihmuan Timoteun?
[Figurat në faqen 26]
A po ndiqni synime frymore?