Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga rrotullat te kodiku​—Ja si u bë Bibla libër

Nga rrotullat te kodiku​—Ja si u bë Bibla libër

Nga rrotullat te kodiku​—Ja si u bë Bibla libër

GJATË shekujve, njerëzit i kanë ruajtur informacionet në shumë mënyra. Në të kaluarën, shkrimtarët i shkruanin fjalët nëpër monumente, nëpër pllaka druri ose guri, nëpër pergamenë dhe në materiale të tjera. Aty nga shekulli i parë i erës sonë, në Lindjen e Mesme, forma më e pranuar dhe e vendosur për të shkruar ishte rrotulla. Më pas erdhi kodiku, i cili me kalimin e kohës e zëvendësoi rrotullën dhe u bë mjeti më i përdorur për të ruajtur materialet e shkruara. Gjithashtu kodiku ndihmoi shumë që të përhapej Bibla. Çfarë ishte kodiku dhe si u fut në përdorim?

Kodiku ishte prototipi ose forma më e hershme e librit të sotëm. Përbëhej nga fletë që paloseshin, mblidheshin dhe lidheshin bashkë nga ana ku përthyheshin. Fletët ishin shkruar nga të dyja anët dhe mbroheshin me anë të një kapaku. Kodiku i hershëm nuk ngjante shumë me librat e sotëm, por, ashtu si me shumicën e shpikjeve të tjera, u zhvillua e u modifikua sipas nevojave dhe preferencave të atyre që e përdornin.

Dru, dyll dhe pergamenë

Fillimisht kodikët bëheshin me pllaka druri të lyera me dyll. Disa poliptikë të shkruar e të dyllosur ose pllaka të kapura me mentesha në gjatësinë e tyre, u gjetën në Herkulan, një qytet që u shkatërrua së bashku me Pompein nga shpërthimi i vullkanit Vezuv në vitin 79 të e.s. Me kalimin e kohës, pllakat e ngurta u zëvendësuan me materiale që mund të paloseshin. Në latinisht, këta kodikë ose libra u quajtën membranae ose ndryshe pergamenë, sepse në përgjithësi për fletët përdorej lëkurë.

Disa kodikë që kanë mbijetuar deri sot, ishin prej papirusi. Kodikët më të lashtë të krishterë që njihen sot, të cilët ishin ruajtur në klimën e thatë të disa zonave të Egjiptit, janë papiruse. *

Rrotulla apo kodiku?

Duket se të krishterët përdornin kryesisht rrotullat, të paktën deri aty nga fundi i shekullit të parë të e.s. Nga fundi i shekullit të parë deri në shekullin e tretë të e.s., pati një betejë mes atyre që propozonin kodikun dhe atyre që donin rrotullat. Konservatorët që ishin mësuar me rrotullat, nuk donin të hiqnin dorë nga zakonet dhe traditat e rrënjosura thellë. Por mendoni sa shumë përpjekje duheshin për të lexuar një rrotull. Në përgjithësi rrotulla përbëhej nga një numër i përcaktuar fletësh papirusi ose pergamene, të cilat ngjiteshin bashkë dhe formonin një shirit të gjatë, që mblidhej duke e rrotulluar. Teksti shkruhej në kolona, në faqen e brendshme të rrotullës. Dikush që donte ta lexonte, e çmbështillte rrotullën derisa gjente pjesën që kërkonte. Pas leximit, e mbështillte përsëri. (Luka 4:16-20) Shpesh duhej më shumë se një rrotull për një vepër letrare, e kjo e bënte edhe më të pavolitshme për t’i përdorur. Edhe pse të krishterët e shekullit të dytë e më tej duket se pëlqenin më shumë t’i kopjonin Shkrimet në kodikë, përdorimi i rrotullave vazhdoi për shekuj. Gjithsesi, specialistët besojnë se përdorimi i kodikut nga të krishterët luajti një rol domethënës që ai të pranohej gjerësisht.

Përparësitë e kodikut dukeshin qartë: kapaciteti, leverdia dhe lehtësia me të cilën mbahej. Edhe pse disa në kohët e hershme i kuptuan këto përparësi, shumica nuk ishte e gatshme të hiqte dorë nga përdorimi i rrotullave. Por, me kalimin e disa shekujve, faktorë të ndryshëm çuan dalëngadalë në fitoren e kodikut.

Në krahasim me rrotullat, kodiku ishte më ekonomik. Fletët mund të shkruheshin në të dyja anët dhe disa libra mund të lidheshin në një vëllim të vetëm. Sipas disave, lehtësia me të cilën mund të gjenin pjesë specifike në kodik ishte thelbësore për suksesin që pati ai te të krishterët dhe te profesionistë si avokatët. Për të krishterët, kodikët me përmasa të vogla ose edhe thjesht një listë e volitshme me citime biblike, ishin shumë të dobishme për veprën e ungjillëzimit. Për më tepër, kodiku kishte kapak, shpesh prej druri, prandaj rronte më shumë se rrotulla.

Kodikët ishin praktikë edhe për leximin individual. Aty nga fundi i shekullit të tretë, mes atyre që pohonin se ishin të krishterë qarkullonin Ungjij xhepi prej pergamene. Që nga ajo kohë, miliarda kopje të Biblës së plotë ose të pjesëve të ndryshme të saj, janë prodhuar në formë kodiku.

Sot, shumë mjete kanë hapur udhën që njerëzit ta gjejnë më lehtë e më shpejt mençurinë hyjnore që gjendet në Bibël. Biblën mund ta gjesh në kompjuter, të incizuar dhe në fletë të shtypur. Sido që t’ju pëlqejë ta keni Biblën, zhvilloni dashurinë për Fjalën e Perëndisë, duke e mbajtur mendjen atje çdo ditë.—Psalmi 119:97, 167.

[Shënimi]

^ par. 6 Shih artikullin «Kodiku i hershëm i krishterë», në Kullën e Rojës, 15 gusht 1962, faqet 501-505, anglisht.

[Figurat në faqen 15]

Kodiku ndihmoi jashtë mase për shpërndarjen e Biblës