Ernst Glyku dhe puna e tij e vështirë
Ernst Glyku dhe puna e tij e vështirë
PARA më shumë se 300 vjetësh, Ernst Glyku mori përsipër një punë që pak njerëz në histori kanë guxuar ta nisin. Ai vendosi të përkthente Biblën në një gjuhë që nuk e dinte.
Glyku lindi rreth vitit 1654 në qytezën e vogël të Vetinit, pranë Hallesë, në Gjermani. I ati shërbente si pastor luteran dhe atmosfera fetare në shtëpi bëri që Ernsti i vogël të zhvillonte prirje fetare. Në moshën 21-vjeçare, ai mbaroi studimet teologjike në Gjermani dhe u transferua në vendin që sot quhet Letoni. Atëherë, shumica e banorëve atje nuk ishin të arsimuar dhe në gjuhën e tyre kishte pak libra. Glyku shkruante: «Kur isha i ri dhe mbërrita në këtë vend, si mangësi të parë vura re se kishës letone i mungonte Bibla. . . . Kjo më nxiti të merrja një vendim para Perëndisë se do ta studioja këtë gjuhë dhe do ta zotëroja mirë.» Ishte i vendosur t’i jepte popullit leton një Bibël në gjuhën amtare.
Përgatitjet për përkthimin
Zona ku u vendos me banim ne atë kohë Glyku, njihej me emrin Livonia dhe sundohej nga Suedia. Mëkëmbësi i mbretit të Suedisë ishte një vendës, Johan Fisheri. Atij i interesonte të ngrinte nivelin arsimor të vendit, si edhe të bënte para. Glyku foli me Fisherin për përkthimin e Biblës në gjuhën letone. Fisheri ishte pronar i një shtypshkronje në kryeqytetin e vendit, në Rigë. Duke shtypur Biblën letone, ai mund të çonte përpara punën e tij për arsimimin e kombit e, në të njëjtën kohë, të shpresonte për një fitim të majmë. Fisheri i kërkoi mbretit Karl XI të Suedisë një autorizim
për përkthimin dhe mbreti i dha leje për projektin, madje propozoi të financonte për të. Me një rezolutë mbretërore me datë 31 gusht 1681, u dha leja që të fillonte puna për përkthimin.Ndërkohë Glyku bënte përgatitjet. Meqë si gjuhë amtare kishte gjermanishten, po të donte mund të përdorte si bazë për Biblën letone përkthimin e Martin Luterit. Por Glyku donte të nxirrte versionin më të mirë të mundshëm, e, sipas tij, kjo kërkonte që përkthimi të bëhej nga gjuhët origjinale hebraike dhe greke. Njohuria që kishte ai për gjuhët biblike nuk ishte shumë e mirë, prandaj Glyku shkoi në Hamburg të Gjermanisë, për të studiuar hebraisht dhe greqisht. Me sa duket, atje, një klerik livonian me emrin Janis Rejters e ndihmoi për gjuhën letone dhe për greqishten biblike.
Vite pune, vite pritjeje
Pasi e mbaroi studimin e gjuhëve në vitin 1680, Glyku u kthye në Letoni dhe nisi të shërbente si pastor. Jo shumë kohë më pas, filloi punën e përkthimit. Në vitin 1683, Glyku mori një caktim të ri si pastor i famullisë së madhe të Aluksnes, vend që u bë i njohur pasi aty bëri përkthimin e tij.
Në atë kohë, në gjuhën letone s’kishte fjalë për shumë terma dhe koncepte biblike. Prandaj, në përkthimin e tij Glyku përdori disa fjalë gjermane. Por bëri çmos që ta përcillte Fjalën e Perëndisë në letonisht, dhe specialistët janë të një mendimi se përkthimi i tij është i një cilësie të lartë. Madje Glyku shpiku fjalë të reja dhe disa prej tyre tani përdoren gjerësisht në letonisht. Ndër to janë fjalët letone për «shembull», «gosti», «gjigant», «të spiunosh» dhe «të dëshmosh».
Johan Fisheri e mbante të informuar mbretin e Suedisë për ecurinë e përkthimit dhe nga korrespondenca e tyre del se në vitin 1683, Glyku kishte përkthyer Shkrimet e Krishtere Greke. Të gjithë Biblën e përfundoi në vitin 1689, duke e mbaruar këtë punë shumë të vështirë vetëm për tetë vjet. * Për ta shtypur pati vonesa të gjata, por ai ia arriti synimit në vitin 1694, pasi qeveria autorizoi shpërndarjen publike të Biblës letone.
Disa historianë kanë vënë në dyshim nëse Bibla e Glykut është përkthyer tërësisht nga ai. S’diskutohet se ai është konsultuar me përkthimin e Luterit dhe ka vënë në versionin e tij, me disa ndryshime, disa pjesë të Biblës që tashmë ekzistonin në gjuhën letone. Por këto përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të përkthimit të tij. A punuan edhe përkthyes të tjerë bashkë me të? Glyku pati një ndihmës ndërsa përkthente dhe të tjerë e ndihmuan me redaktimin dhe kontrollin e cilësisë. Por, duket se ndihma e tyre nuk përfshinte përkthimin e drejtpërdrejtë. Prandaj, ka shumë mundësi që Glyku të ketë qenë i vetmi përkthyes.
Përkthimi i Glykut ishte një vepër historike në zhvillimin e gjuhës së shkruar letone, e megjithatë pati një rezultat shumë më të rëndësishëm. Më në fund, populli leton mund ta lexonte Fjalën e Perëndisë në gjuhën amtare dhe të merrte mësimet e saj jetëdhënëse. Ata nuk e kanë harruar ç’bëri Ernst Glyku për ta. Për 300 vjet, populli i Aluksnes është kujdesur për dy lisa të njohura si Glika ozoli ose lisat e Glykut. Ai i mbolli ata lisa për të përkujtuar Biblën letone. Në Aluksne ka një muze të vogël që përmban versione të ndryshme të Biblës, ndër to edhe një kopje të botimit të parë të përkthimit të Glykut. Gjithashtu, në stemën e qytetit të Aluksnes paraqitet Bibla dhe viti 1689, në të cilin Glyku e mbaroi punën e tij.
Vepra të mëvonshme
Jo shumë kohë pasi mbërriti në Letoni, Glyku nisi të mësonte rusishten. Në vitin 1699, ai shkroi se po përmbushte një dëshirë tjetër, përkthimin e Biblës në atë gjuhë. Në një letër që ka si datë vitin 1702, ai shkruante se kishte nisur një rishikim të Biblës letone. Por kushtet e favorshme për përkthimin e Biblës po veniteshin. Pas shumë viteve me paqe, Letonia u bë një shesh beteje. Në vitin 1702 ushtritë ruse mundën suedezët dhe morën nën kontroll Aluksnen. Glykun dhe familjen e tij i syrgjynosën në Rusi. * Në ato kohë të turbullta, Glyku humbi dorëshkrimet e Biblës së re letone me të cilën po punonte, si edhe të përkthimit rus. Ai vdiq në Moskë në vitin 1705.
Zhdukja e versionit të mëvonshëm leton dhe e përkthimit rus, ishte një humbje e madhe. Por edhe sot e kësaj dite, kushdo që lexon Biblën letone nxjerr dobi nga përkthimi i parë i Glykut.
Ernst Glyku është vetëm një prej njerëzve të shumtë që kanë ndërmarrë punën e jashtëzakonshme për të përkthyer Biblën në gjuhët vendëse. Si rrjedhim, pothuajse çdo grup gjuhësor në tokë mund ta lexojë Fjalën e Perëndisë dhe të marrë ujërat e çmuara të së vërtetës që gjenden në të. Po, me anë të Biblës të botuar në më shumë se 2.000 gjuhë, Jehovai vazhdon t’u bëhet i njohur njerëzve kudo që ndodhen.
[Shënimet]
^ par. 10 Në krahasim me të, 47 studiues u munduan për shtatë vjet që të përfundonin versionin anglisht Authorized Version ose King James Version, në vitin 1611.
^ par. 14 Vajza të cilën Glyku e kishte rritur si vajzën e vet, pas vdekjes së tij u martua me carin rus Pjetrin e Madh. Në vitin 1725, kur vdiq Pjetri, ajo u bë Katerina I, perandoresha e Rusisë.
[Figura në faqen 13]
Përkthimi i Glykut
[Figura në faqen 14]
Dëshmitarët e Jehovait u flasin të tjerëve për Biblën në qytetin ku e përktheu Glyku