Mund t’u bësh ballë padrejtësive!
Mund t’u bësh ballë padrejtësive!
KUSH nuk ka provuar ndonjë padrejtësi gjatë jetës së vet? Ndoshta disa padrejtësi janë vetëm në mendjen tonë, por disa të tjera janë shumë reale.
Sa herë na bëhet një padrejtësi, vuajmë përbrenda. Por ekziston edhe rreziku që të na dëmtojë frymësisht. Ndoshta na lind një dëshirë e fortë për ta ndrequr situatën. Përse? Një arsye është se Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, «tek i cili nuk ka padrejtësi», vendosi te njerëzit një ndjenjë të fortë drejtësie. (Ligji i përtërirë 32:4; Zanafilla 1:26) Gjithsesi, mund të gjendemi në disa situata ku mendojmë se nuk ka drejtësi. Një herë, një njeri i mençur tha: «Solla përsëri ndër mend të gjitha shtypjet që po bëhen nën diell. Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues. Fuqia ishte në anën e shtypësve të tyre, kështu që s’kishte kush t’i ngushëllonte.» (Eklisiastiu 4:1) Atëherë, si t’u bëjmë ballë padrejtësive?
Çfarë është një padrejtësi?
Padrejtësia është gjendja që krijohet kur mungon drejtësia ose kur shkelen standardet e drejtësisë. Cili është standardi i drejtësisë për njerëzit? Pa dyshim, Krijuesi ynë i drejtë që nuk ndryshon kurrë, ka të drejtën të vendosë standardin se ç’është e drejtë dhe ç’është e padrejtë. Nga pikëpamja e tij, të ecësh «sipas ligjeve që japin jetë» nënkupton ‘të mos bësh padrejtësi’. (Ezekieli 33:15) Kështu, kur Jehovai krijoi njeriun e parë, vendosi tek ai ndërgjegjen, domethënë zërin e brendshëm që mund ta ndihmonte të dallonte të drejtën nga e gabuara. (Romakëve 2:14, 15) Gjithashtu, Jehovai vendosi në Fjalën e tij, në Bibël, shprehje që e bëjnë të qartë ç’është e drejtë ose e padrejtë.
Po në rast se mendojmë që na është bërë një padrejtësi? Duhet ta vlerësojmë objektivisht çështjen, për të parë nëse ishte vërtet padrejtësi. Le të marrim, për shembull, situatën në të cilën u gjend Jonai, një profet hebre. Jehovai e ngarkoi t’u shpallte ninevitëve gjëmën që po u afrohej. Fillimisht Jonai ia mbathi, pa e përmbushur caktimin. Por në fund shkoi në Ninevi dhe i paralajmëroi banorët e qytetit për gjëmën që u kanosej. Kur pa reagimin e tyre pozitiv, Jehovai vendosi ta ruante qytetin dhe të shpëtonte banorët e tij. Si u ndie Jonai? «Kjo nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u nxeh.» (Jonai 4:1) Ai mendonte se Jehovai po bënte një padrejtësi të madhe.
Natyrisht, Jehovai, i cili mund të lexojë zemrën dhe i cili «e do të drejtën dhe drejtësinë», nuk kishte vepruar gabim. (Psalmi 33:5) Jonai thjesht duhej të mësonte se mënyra që zgjodhi Jehovai, ishte në përputhje me drejtësinë e përsosur. Kur na duket sikur na është bërë një padrejtësi, të pyesim veten: ‘Mos vallë Jehovai do ta shihte ndryshe çështjen?’
T’i bëjmë ballë padrejtësisë
Bibla përmban shumë raste të njerëzve që vuajtën për shkak të padrejtësive. Mund të mësojmë shumë duke shqyrtuar se si u bënë ballë ata problemeve të vështira që hasën. Mendo për Jozefin, të cilin vëllezërit e tij xhelozë e shitën skllav në Egjipt. Atje, gruaja e pronarit të tij u përpoq ta joshte e, kur Jozefi e refuzoi, ajo gënjeu dhe e akuzoi se i kishte bërë propozime imorale. Si pasojë, Jozefin e hodhën në burg. Por, besimi i tij ishte më i fortë se zinxhirët e hekurt me të cilët e kishin lidhur. Ai nuk lejoi që padrejtësitë t’ia zbehnin karakterin frymor e t’ia dobësonin besimin te Jehovai.—Zanafilla 37:18-28; 39:4-20; Psalmi 105:17-19.
Një burrë tjetër që pësoi padrejtësi, ishte Naboti. Ai ra viktimë e pabesisë së urryer që thuri Jezebela, gruaja e Akabit, mbretit të Izraelit. Ky mbret dëshironte të kishte tokën e Nabotit që ishte pranë pallatit të tij, por Naboti e kishte trashëgimi. Izraelitëve u ishte ndaluar ta shitnin përgjithmonë tokën që kishin si trashëgimi, kështu që Naboti nuk e pranoi propozimin e mbretit që t’i blinte tokën. (Levitiku 25:23) Sakaq, gruaja e ligë e Akabit gjeti dëshmitarë të rremë që e akuzuan Nabotin se kishte blasfemuar kundër Perëndisë dhe mbretit. Kështu, Nabotin dhe djemtë e tij i vranë. Mendo si duhet të jetë ndier Naboti ndërsa njerëzit po merrnin gurët për ta vrarë!—1 Mbretërve 21:1-14; 2 Mbretërve 9:26.
Gjithsesi, sa u tha më lart duket gjë e vogël para padrejtësive që i bënë Krishtit Jezu. Dënimi me vdekje që iu dha atij, përfshinte mashtrime dhe një gjyq të paligjshëm. Guvernatori romak që e gjykoi ishte njeri me karakter të dobët që i mungonte guximi për të mbrojtur të drejtën. (Gjoni 18:38-40) Po, ndaj Krishtit Jezu, Satanai bëri padrejtësitë më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë dikujt!
Isaia 55:8, 9) Jozefi u shit si skllav, por falë kësaj arriti të shpëtonte familjen e tij. Ai u bë administratori i ushqimit në Egjipt para se të pllakoste një zi e madhe buke, që goditi edhe familjen e tij. Mendo për këtë: sikur Jehovai të mos e kishte lejuar atë padrejtësi, Jozefi nuk do të kishte qenë në burg. Pikërisht atje ai interpretoi ëndrrat e dy të burgosurve të tjerë, njëri prej të cilëve më vonë i tregoi faraonit për Jozefin, e si pasojë Jozefi u bë administrator i ushqimit.—Zanafilla 40:1; 41:9-14; 45:4-8.
A tregojnë këto raste se Jehovai është i pandjeshëm ndaj padrejtësive? Jo! Jehovai nuk i pa ato raste thjesht nga këndvështrimi njerëzor. (Po në rastin e Nabotit? Edhe këtu, përpiqu ta shohësh çështjen si Jehovai. Për Jehovain, i cili mund të ringjallë të vdekurit, Naboti ishte gjallë edhe kur kufoma e tij dergjej në tokë. (1 Mbretërve 21:19; Luka 20:37, 38) Naboti duhet të presë deri në kohën e duhur sipas Jehovait, kur ai ta sjellë prapë në jetë, por kjo periudhë kohe është si një çast, sepse të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë. (Eklisiastiu 9:5) Përveç kësaj, Jehovai ia mori hakun Nabotit, duke gjykuar Akabin dhe shtëpinë e tij.—2 Mbretërve 9:21, 24, 26, 35, 36; 10:1-11; Gjoni 5:28, 29.
Edhe Jezui vdiq. Por Perëndia e ringjalli dhe e vuri në një pozitë që është «shumë më lart se çdo qeveri, autoritet, fuqi, pushtet sundues dhe çdo emër që përmendet». (Efesianëve 1:20, 21) Padrejtësitë që vuajti Krishti Jezu në duart e Satanait, nuk mund ta pengonin Jehovain që ta shpërblente Birin e vet. Jezui ishte i sigurt se Jehovai mund ta zhbënte në çast padrejtësinë e arrestimit të paligjshëm, po të ishte ky vullneti i Tij. Por e dinte edhe se Jehovai ka një kohë të caktuar për të përmbushur Shkrimet dhe për të zhbërë padrejtësitë.
Satanai dhe pasuesit e tij u bënë padrejtësi njerëzve të drejtë, por, së fundi, Jehovai e rregulloi situatën dhe e zhbëri ose do ta zhbëjë një herë e mirë padrejtësinë. Prandaj, që të vihet në vend një padrejtësi, duhet të presim Perëndinë.—Ligji i përtërirë 25:16; Romakëve 12:17-19.
Pse mund t’i lejojë Jehovai padrejtësitë?
Jehovai mund të ketë madje disa arsye pse nuk e ndreq një situatë. Ai mund të lejojë që të hasim padrejtësi, si pjesë e stërvitjes sonë të krishterë. Natyrisht, ‘Perëndia nuk sprovon njeri me gjëra të liga’. (Jakovi 1:13) Gjithsesi, mund të lejojë të krijohet një situatë pa ndërhyrjen e tij e të mbështetë ata që i përgjigjen pozitivisht kësaj stërvitjeje. Bibla na siguron: «Pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i gjithë dashamirësisë së pamerituar . . . do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë.»—1 Pjetrit 5:10.
Veç kësaj, kur Jehovai lejon një padrejtësi, kjo mund t’u japë kohë atyre që kanë bërë padrejtësinë të pendohen. Vetëm disa javë pasi ishte ekzekutuar Jezui, disa judenjve «u sëmboi në zemër» kur dëgjuan fjalët e Pjetrit. Ata e përqafuan me zemër fjalën e Perëndisë dhe u pagëzuan.—Veprat 2:36-42.
Qartë, jo të gjithë ata që bëjnë padrejtësi do të pendohen. Disa madje mund të marrin guxim për të bërë padrejtësi edhe më të mëdha. Gjithsesi, te Proverbat 29:1 thuhet: «Njeriu që qortohet herë pas here, por që e forcon qafën, befas do të thyhet dhe s’do të ketë shërim.» Po, herët a vonë, Jehovai do të veprojë e do t’i shfarosë ata që ngulmojnë në sjellje të papërshtatshme.—Eklisiastiu 8:11-13.
Sado kohë të duhet për ta marrë veten nga një padrejtësi, mund të jemi të sigurt se Jehovai di se si të na ndihmojë që ta marrim veten. Ai do ta zhbëjë patjetër çdo padrejtësi që mund të kemi pësuar në këtë botë të ligë. Për më tepër, na ka premtuar shpërblimin përfundimtar, jetën e përhershme në botën e re, në të cilën «do të banojë drejtësia».—2 Pjetrit 3:13.
[Figura në faqet 16, 17]
Si duhet të jetë ndier Naboti përballë padrejtësisë së madhe që iu bë?