Projekt pa Projektues?
Projekt pa Projektues?
KANË kaluar pothuajse 150 vjet që kur Çarls Darvini propozoi teorinë e përzgjedhjes natyrore si shpjegim pse jeta është kaq e ndërlikuar dhe e shumëllojshme. Gjithsesi, kohët e fundit teoria e evolucionit që propozoi ai dhe variantet e saj moderne janë sulmuar nga ata që besojnë se struktura e përshtatur në mënyrë të përkryer e organizmave të gjalla tregon për një projektim të qëllimshëm. Madje ka edhe shkencëtarë shumë të respektuar që nuk e pranojnë idenë se shumëllojshmëria e llojeve që shohim në tokë mund të shpjegohet me anë të evolucionit.
Disa nga këta shkencëtarë propozojnë një argument tjetër, të njohur si projektimi inteligjent, dhe pohojnë se biologjia, matematika dhe logjika e mbështetin fortësisht projektin që gjendet në krijim. Duan ta përfshijnë trajtimin e kësaj ideje në lëndët shkencore në shkollë. «Lufta» kundër evolucionit po bëhet kryesisht në Shtetet e Bashkuara, por prirje të ngjashme raportohen edhe në Angli, Holandë, Pakistan, Serbi dhe Turqi.
Një boshllëk pështjellues
Por, zakonisht, në mbrojtjen e projektimit inteligjent, për të cilën përdoren fjalë të zgjedhura me kujdes, ka një boshllëk mjaft të dukshëm. Nuk përmendet ndonjë projektues. A besoni se mund të konceptohet një projekt pa pasur një projektues? Siç thuhej edhe në The New York Times Magazine, ata që përkrahin projektimin inteligjent «nuk bëjnë deklarata të hapura se kush ose çfarë mund të jetë ky projektues». Shkrimtarja Klaudia Uallis tha se përkrahësit e projektimit inteligjent «bëjnë kujdes që të mos flasin për Perëndinë». Po ashtu, revista Newsweek komentonte se «projektimi inteligjent nuk përmend ekzistencën dhe identitetin e projektuesit».
Por ju e kuptoni se është e kotë të përpiqesh t’i shmangesh çështjes së projektuesit. A do të ishte i plotë shpjegimi për projektin në univers dhe për vetë jetën, nëse fshihet ose nuk trajtohet fare ekzistenca dhe identiteti i projektuesit?!
Deri diku, debati për të pranuar ose jo që ka një projektues, vërtitet rreth këtyre pyetjeve: Mos vallë pranimi i ekzistencës së një projektuesi mbinjerëzor do të pengonte përparimin shkencor dhe intelektual? A duhet përdorur ideja e një projektuesi inteligjent vetëm kur nuk ka shpjegim tjetër? Dhe, a ka vërtet kuptim që nga projekti të nxjerrim përfundimin se ka një projektues? Në artikullin vijues do të shqyrtohen këto pyetje dhe të tjera që lidhen me to.
[Figurat në faqen 3]
Çarls Darvini besonte se përzgjedhja natyrore shpjegonte pse jeta është e ndërlikuar
[Burimi]
Darvini: nga një fotografi e Mrs. J. M. Cameron/U.S. National Archives photo