Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Danielit

Pika kryesore nga libri i Danielit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Danielit

«LIBRI i Danielit është një ndër librat më interesantë në Bibël,—thuhet në Fjalorin biblik me ilustrime të Holmanit (anglisht).—Faqet e tij janë plot me të vërteta të përjetshme.» Tregimi i Danielit nis në vitin 618 p.e.s., kur Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, vjen në Jerusalem, rrethon qytetin dhe merr robër në Babiloni «disa të rinj nga bijtë e Izraelit». (Danieli 1:1-3) Ndër ta është edhe i riu Daniel, me siguri në vitet e adoleshencës. Në përfundim të librit, Danieli është ende në Babiloni. Tashmë pothuajse 100 vjeç, Danieli merr këtë premtim nga Perëndia: «Do të prehesh, por do të çohesh për të marrë pjesën tënde në fund të ditëve.»​—Danieli 12:13.

Pjesa e parë e librit të Danielit është paraqitur në radhë kronologjike, në vetën e tretë njëjës, kurse pjesa e dytë është shkruar në vetën e parë njëjës. Ky libër i shkruar nga Danieli përmban profeci për ngritjen dhe rënien e fuqive botërore, për kohën e mbërritjes së Mesisë dhe për ngjarjet që ndodhin në ditët tona. * Veç kësaj, profeti i moshuar mendon për jetën e tij të gjatë dhe tregon ndodhi që na nxitin të jemi burra e gra me frikë Perëndie, njerëz me integritet. Mesazhi i Danielit është i gjallë dhe ushtron fuqi.​—Hebrenjve 4:12.

ÇFARË MËSOJMË NGA TREGIMI KRONOLOGJIK?

(Danieli 1:1–6:28)

Është viti 617 p.e.s. Danieli dhe tre shokë të tij të rinj, Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja, ndodhen në oborrin babilonas. Gjatë tri viteve që stërviten për jetën e oborrit, këta të rinj mbajnë integritetin ndaj Perëndisë. Rreth tetë vjet më vonë, mbreti Nabukodonosor sheh një ëndërr të mistershme. Danieli ia tregon ëndrrën dhe pastaj e interpreton. Mbreti e pranon se Jehovai është «Perëndi i perëndive, Zot i mbretërve dhe Zbulues i të fshehtave». (Danieli 2:47) Por s’kalon shumë dhe, me sa duket, Nabukodonosori e harron çka mësoi. Kur tre shokët e Danielit nuk pranojnë të adhurojnë një shëmbëlltyrë gjigante, mbreti urdhëron t’i hedhin në një furrë të zjarrtë. Perëndia i vërtetë i shpëton të tre shërbëtorët e tij besnikë dhe Nabukodonosori detyrohet të pranojë se «nuk ka asnjë perëndi tjetër që të jetë në gjendje të çlirojë si ky».​—Danieli 3:29.

Nabukodonosori sheh edhe një ëndërr tjetër të rëndësishme. Ai sheh një pemë tejet të madhe, të cilën e presin dhe ia lidhin kërcurin, që të mos rritet. Danieli i tregon interpretimin e ëndrrës, e cila përmbushet pjesërisht kur Nabukodonosori çmendet dhe pastaj e merr veten prapë. Dhjetëra vite më vonë, mbreti Belshazar shtron një gosti të madhe për fisnikët e tij dhe pa pikë respekti përdor enët që ishin marrë nga tempulli i Jehovait. Po atë natë, Belshazarin e vrasin dhe mbretërinë e merr medi Dar. (Danieli 5:30, 31) Në ditët e Darit, profeti i moshuar Daniel, që tashmë i ka kaluar të 90-at, bëhet shënjestër e një komploti vrastar nga disa zyrtarë xhelozë. Por Jehovai e çliron profetin «nga panxha e luanëve».​—Danieli 6:27.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:11-15—A ishte meritë e dietës vegjetariane që fytyrat e katër të rinjve judenj dukeshin më mirë? Jo, nuk ishte kjo. S’ka dietë që të sjellë ndryshime të tilla vetëm për dhjetë ditë. Merita për pamjen e ndryshme të të rinjve hebrenj i takon Jehovait, i cili i bekoi sepse patën besim tek ai.​—Proverbat 10:22.

2:1—Kur e pa Nabukodonosori ëndrrën për shëmbëlltyrën gjigante? Tregimi thotë se ishte në «vitin e dytë të mbretërimit» të Nabukodonosorit. Ai u bë mbret në vitin 624 p.e.s. Viti i dytë i mbretërimit të tij do të ketë filluar më 623 p.e.s., pra vite përpara se të pushtonte Judën. Në atë kohë, Danieli s’ishte në Babiloni për të interpretuar ëndrrën. Me sa duket, ‘viti i dytë’ llogaritet që nga viti 607 p.e.s., kur mbreti babilonas shkatërroi Jerusalemin dhe u bë sundimtar botëror.

2:32, 39—Pse mbretëria prej argjendi ishte më poshtë se koka prej ari, dhe pse mbretëria prej bakri ishte më poshtë se ajo prej argjendi? Perandoria Medo-Perse, e paraqitur nga pjesa prej argjendi e shëmbëlltyrës, ishte më poshtë se Babilonia, koka prej ari, sepse nuk u dallua për rrëzimin e Judës. Fuqia që e pasoi ishte Greqia, e paraqitur nga bakri. Greqia ishte edhe më poshtë, ashtu si bakri është më poshtë se argjendi. Ndonëse Perandoria Greke pushtoi një zonë shumë më të gjerë, nuk pati privilegjin të çlironte popullin e Perëndisë nga mërgimi, si Medo-Persia.

4:8, 9—A u bë Danieli prift që merrej me magji? Jo. Shprehja «kreu i priftërinjve që merren me magji» thjesht i referohet pozitës së Danielit si «kryeprefekt të të gjithë burrave të mençur të Babilonisë».​—Danieli 2:48.

4:10, 11, 20-22—Çfarë paraqiste pema gjigante që pa Nabukodonosori në ëndërr? Fillimisht pema paraqiste Nabukodonosorin si sundimtarin e një fuqie botërore. Por, meqë mbretëria shtrihej «deri në skajet e tokës mbarë», pema duhet të nënkuptojë diçka shumë më të madhe. Danieli 4:17 e lidh ëndrrën me sundimin e ‘Më të Lartit’ mbi njerëzimin. Pra, pema simbolizonte edhe sovranitetin universal të Jehovait, sidomos për sa i përket tokës. Kështu, ëndrra ka dy përmbushje: për sundimin e Nabukodonosorit dhe për sovranitetin e Jehovait.

4:16, 23, 25, 32, 33—Sa të gjata ishin ‘shtatë kohët’? Të gjitha ndryshimet që i ndodhën në paraqitjen e jashtme mbretit Nabukodonosor kërkonin që ‘shtatë kohët’ të ishin shumë më të gjata se shtatë ditë të mirëfillta. Në rastin e tij, këto kohë nënkuptonin shtatë vite me nga 360 ditë secili ose 2.520 ditë. Në përmbushjen më të madhe, ‘shtatë kohët’ janë 2.520 vjet. (Ezekieli 4:6, 7) Ato filluan me shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. dhe mbaruan me kurorëzimin e Jezuit si Mbret qiellor, në vitin 1914 të e.s.​—Luka 21:24.

6:6-10—Meqë nuk kërkohet ndonjë pozicion i veçantë kur i lutesh Jehovait, a nuk do të kishte qenë e matur nga ana e Danielit të lutej fshehurazi për periudhën 30-ditëshe? Të gjithë e dinin se Danieli lutej tri herë në ditë. Kjo ishte pikërisht arsyeja pse komplotuesve u lindi ideja që të nxirrnin një urdhër që ndalonte lutjet. Çfarëdo ndryshimi në rutinën e përditshme të Danielit lidhur me lutjet, do t’u dukej të tjerëve sikur ai po bënte kompromis, dhe kjo mund të kishte treguar se nuk ishte plotësisht i përkushtuar ndaj Jehovait.

Mësime për ne:

1:3-8. Vendosmëria e Danielit dhe e shokëve të tij për t’i qëndruar besnikë Jehovait, tregon shumë për vlerën e stërvitjes që duhet të kenë marrë nga prindërit. Kur prindërit me frikë Perëndie vënë në vend të parë në jetën e tyre aspektet që lidhen me adhurimin e Perëndisë dhe u mësojnë fëmijëve të bëjnë po njësoj, fëmijët ka shumë mundësi t’i rezistojnë çdo lloj tundimi dhe presioni që mund të kenë në shkollë ose gjetkë.

1:10-12. Danieli e kuptoi pse «kreu i zyrtarëve të oborrit» kishte frikë nga mbreti dhe nuk shkoi më tek ai. Më vonë, Danieli iu afrua «rojtarit», i cili mund ta ketë pasur më të lehtë të lëshonte pe. Kur ballafaqohemi me situata të vështira, duhet të veprojmë me një gjykim të thellë, kuptueshmëri e mençuri të tillë.

2:29, 30. Ashtu si Danieli, edhe ne duhet t’ia japim Jehovait të gjithë meritën për njohurinë, cilësitë dhe aftësitë që mund të kemi marrë duke përfituar nga arsimimi biblik.

3:16-18. Vështirë që tre hebrenjtë të kishin vepruar me një bindje kaq të fortë, nëse më parë do të ishin treguar të gatshëm të bënin kompromis për çështjen e ushqimit. Edhe ne duhet të përpiqemi të jemi ‘të besueshëm në gjithçka’.​—1 Timoteut 3:11.

4:24-27. Shpallja e mesazhit të Mbretërisë, që përfshin edhe gjykimet e pafavorshme të Perëndisë, kërkon të njëjtin lloj besimi e guximi që shfaqi Danieli kur i bëri të ditur Nabukodonosorit se ç’do t’i ndodhte dhe se ç’duhej të bënte mbreti, që ‘mbarësia e tij të zgjaste’.

5:30, 31. ‘Shprehja tallëse kundër mbretit të Babilonisë’ doli e vërtetë. (Isaia 14:3, 4, 12-15) Satana Djalli, krenaria e të cilit është e ngjashme me krenarinë e dinastisë babilonase, do të ketë po ashtu një fund çnderues.​—Danieli 4:30; 5:2-4, 23.

ÇFARË ZBULOJNË VEGIMET E DANIELIT?

(Danieli 7:1–12:13)

Danieli është në të 70-at kur merr vegimin e parë me anë të një ëndrre në vitin 553 p.e.s. Ai sheh katër bisha të mëdha që paraqitin me radhë fuqitë botërore, që nga koha e tij e deri në kohën tonë. Në një vegim për një skenë në qiell, ai sheh «dikë si një bir njeriu», të cilit i jepet ‘një sundim që do të zgjatë përgjithmonë’. (Danieli 7:13, 14) Dy vjet më vonë, Danieli merr një vegim që ka të bëjë me Medo-Persinë, Greqinë dhe me një fuqi që bëhet «një mbret me fytyrë të egër».​—Danieli 8:23.

Jemi në vitin 539 p.e.s. Babilonia ka rënë dhe medi Dar është bërë sundimtar i mbretërisë të kaldeasve. Danieli i lutet Jehovait lidhur me rivendosjen e vendit të tij. Ai ende po lutet kur Jehovai dërgon engjëllin Gabriel që ta ndihmojë Danielin ‘të ketë gjykim të thellë dhe kuptueshmëri’ për ardhjen e Mesisë. (Danieli 9:20-25) Tani arrijmë në vitin 536-535 p.e.s. Një mbetje është kthyer në Jerusalem. Por aty po hasin kundërshtime për ndërtimin e tempullit. Kjo i shkakton ankth Danielit. Ai ia parashtron Jehovait në lutjet e tij këtë gjë dhe Jehovai dërgon te Danieli një engjëll të një rangu të lartë. Pasi i jep zemër e forcë Danielit, engjëlli tregon profecinë që paraqet një luftë për epërsi mes mbretit të veriut dhe mbretit të jugut. Konflikti mes dy mbretërve shtrihet nga koha kur mbretëria e Aleksandrit të Madh ndahet mes katër gjeneralëve të tij, e deri në kohën kur «ngrihet» Mikaeli, Princi i Madh.​—Danieli 12:1.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

8:9—Çfarë simbolizon ‘Stolia’? Në këtë rast, ‘Stolia’ simbolizon gjendjen e të krishterëve të mirosur në tokë, gjatë kohës së fuqisë botërore anglo-amerikane.

8:25—Kush është ‘Princi i princave’? Fjala hebraike sar, e përkthyer «princ», kryesisht do të thotë «krye». Titullin ‘Princi i princave’ e mban vetëm Perëndia Jehova, që është Kreu i gjithë princave engjëllorë, ndër të cilët edhe «Mikaeli, një nga princat e parë».​—Danieli 10:13.

9:21—Pse Danieli e quan engjëllin Gabriel «njeriu»? Sepse Gabrieli iu shfaq atij në formë njeriu, siç i ishte shfaqur edhe më parë Danielit në një vegim tjetër.​—Danieli 8:15-17.

9:27—Cila besëlidhje ‘u mbajt në fuqi për shumë veta’ deri në fund të javës së 70-të vjetore, ose deri në vitin 36 të e.s.? Besëlidhja e Ligjit u hoq në vitin 33 të e.s., kur vunë në shtyllë Jezuin. Por, duke e mbajtur në fuqi besëlidhjen abrahamike për Izraelin natyror deri në vitin 36 të e.s., Jehovai e zgjati periudhën e favorit të veçantë ndaj judenjve, meqenëse ata ishin pasardhës të Abrahamit. Besëlidhja abrahamike mbetet ende në fuqi për «Izraelin e Perëndisë».​—Galatasve 3:7-9, 14-18, 29; 6:16.

Mësime për ne:

9:1-23; 10:11. Danieli ishte «njeri shumë i vyer», sepse ishte i përulur, me përkushtim hyjnor, studiues serioz dhe ngulmonte në lutje. Po këto cilësi e ndihmuan edhe t’i qëndronte besnik Perëndisë deri në fund të jetës. Le të jemi të vendosur që të ndjekim shembullin e Danielit.

9:17-19. Edhe kur lutemi që të vijë bota e re e Perëndisë, në të cilën «do të banojë drejtësia», a nuk duhet të jetë shqetësimi ynë kryesor shenjtërimi i emrit të Jehovait dhe shfajësimi i sovranitetit të tij, më tepër se fundi i vuajtjeve dhe i vështirësive që kemi?​—2 Pjetrit 3:13.

10:9-11, 18, 19. Duke imituar engjëllin që shkoi te Danieli, ne duhet t’i japim zemër e forcë njëri-tjetrit me ndihmë praktike e me fjalë ngushëlluese.

12:3. Gjatë ditëve të fundit, «ata që kanë gjykim të thellë», domethënë të krishterët e mirosur, ‘kanë shkëlqyer si ndriçues’ dhe kanë sjellë «shumë veta në drejtësi». Këtu përfshihet ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’. (Filipianëve 2:15; Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Të mirosurit «do të shndritin si yjet» në kuptimin më të plotë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, kur të bashkëpunojnë me të për të zbatuar dobitë e plota të shpërblesës te njerëzimi i bindur në tokë. ‘Delet e tjera’ duhet të vazhdojnë t’u qëndrojnë besnikë të mirosurve, duke i mbështetur me gjithë zemër në çdo mënyrë.

Jehovai ‘bekon ata që i frikësohen’

Çfarë na mëson libri i Danielit për Perëndinë që adhurojmë? Të mendojmë për profecitë që përmban ky libër: ato që tashmë janë përmbushur dhe ato që ende duhet të përmbushen. Sa fuqishëm e paraqitin ato Jehovain si Ai që përmbush fjalën e tij!​—Isaia 55:11.

Çfarë na tregon për Perëndinë tonë pjesa tregimtare e librit të Danielit? Katër të rinjtë hebrenj që nuk pranuan të bëheshin si zyrtarët e oborrit babilonas, morën ‘njohuri, gjykim të thellë dhe mençuri’. (Danieli 1:17) Perëndia i vërtetë dërgoi engjëllin e tij dhe i shpëtoi nga furra e zjarrtë Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon. Danielin e shpëtoi nga gropa e luanëve. Jehovai ‘ndihmon dhe mbron si mburojë ata që kanë besim tek ai’ dhe ‘bekon ata që i frikësohen’.​—Psalmi 115:9, 13.

[Shënimi]

^ par. 4 Për shqyrtimin varg për varg të librit të Danielit, shih Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 18]

Pse Danieli ishte «njeri shumë i vyer»?