Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një sundimtar i pasur merr një vendim të cekët

Një sundimtar i pasur merr një vendim të cekët

Një sundimtar i pasur merr një vendim të cekët

SUNDIMTARI i ri e i pasur ishte i ndërgjegjshëm, i bindej ligjit dhe kishte besim te Perëndia. Ai erdhi drejt Jezuit, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: «Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»

Jezui iu përgjigj se për të fituar jetën, ai duhej të zbatonte urdhërimet e Perëndisë. Kur ai i kërkoi që t’i tregonte në mënyrë më të hollësishme, Jezui ia ktheu: «Mos vrit, mos kryej kurorëshkelje, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, ndero atin dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten.» Këto ishin urdhërime themelore që bënin pjesë në Ligjin që u dha nëpërmjet Moisiut. Atëherë ai burrë tha: «I kam bërë të gjitha këto. Çfarë më mungon akoma?»​—Mateu 19:16-20.

Jezui «ndjeu dashuri për të» dhe i tha: «Vetëm një gjë të mungon: shko, shit gjithçka që ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu ithtari im.»​—Marku 10:17-21.

Sundimtari i ri u gjend papritur përpara një vendimi të rëndësishëm. Çfarë do të bënte? A do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasuritë dhe të bëhej ithtar i Jezuit apo do të mbahej fort pas tyre? A do të kërkonte thesare në tokë apo në qiell? Ky duhet të ketë qenë një vendim i vështirë për të. Patjetër që për të kishte rëndësi marrëdhënia e tij me Perëndinë, sepse e zbatonte Ligjin dhe pyeti se ç’gjë më shumë mund të bënte për të fituar miratimin e Perëndisë. Por, ç’vendim mori? «Iku i hidhëruar, sepse kishte shumë zotërime.»​—Marku 10:22.

Sundimtari i ri mori një vendim të cekët. Nëse ai do të ishte bërë ithtar besnik i Jezuit, mund të kishte marrë atë që po kërkonte—jetën e përhershme. Nuk thuhet se ç’ndodhi me atë të ri. Por dimë se rreth dyzet vjet më vonë, ushtritë romake shkatërruan Jerusalemin dhe pjesën më të madhe të Judesë. Shumë judenj humbën pasuritë dhe jetën.

Ndryshe nga sundimtari i ri, apostulli Pjetër dhe dishepujt e tjerë morën një vendim të mençur. Ata ‘lanë gjithçka’ dhe e ndoqën Jezuin. Sa i dobishëm ishte ai vendim! Jezui u tha atyre se do të merrnin shumë herë më tepër sesa kishin lënë pas. Përveç kësaj do të trashëgonin jetën e përhershme. Më vonë, ata nuk patën arsye për të ndjerë keqardhje për vendimin që morën.​—Mateu 19:27-29.

Të gjithëve na ndodh të gjendemi përballë vendimeve në jetë: disa janë vendime të parëndësishme, disa të tjera janë të rëndësishme. Çfarë këshillash dha Jezui për vendime të tilla? A do t’i pranosh këshillat e tij? Duke vepruar kështu do të shpërblehesh me bollëk. Le të shqyrtojmë tani se si mund të ndjekim Jezuin dhe të nxjerrim dobi nga gjërat që tha.