Gëzojmë për ‘fitoren e tij bashkë me Qengjin’
Gëzojmë për ‘fitoren e tij bashkë me Qengjin’
NË NJË letër që shkroi në vitin 1971, Keri U. Barberi komentonte për 50 vitet që kishte kaluar deri atëherë në shërbim të Perëndisë së vërtetë. Ai thoshte: «Vitet në shërbim të Jehovait kanë qenë jashtëzakonisht të bukura. Të jesh në shoqërinë e popullit të tij; të ndihesh i mbrojtur nga të ligjtë e botës së Satanait; të shpresosh në fitoren bashkë me Qengjin, Jezu Krishtin, dhe të kesh prova të dashurisë së Jehovait, që të gjitha këto së bashku sjellin atë paqe dhe kënaqësi të brendshme që të ruan zemrën dhe të jep shpresën e sigurt për triumfin përfundimtar.»
Gjashtë vjet më vonë, vëlla Barberi, një i krishterë i mirosur, filloi të shërbente si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjatë 30 viteve vijuese që shërbeu në këtë detyrë, ai vazhdoi të priste me padurim «fitoren bashkë me Qengjin». E arriti këtë fitore sepse qëndroi besnik derisa vdiq, të dielën më 8 prill 2007, në moshën 101-vjeçare.—1 Korintasve 15:57.
Keri Barberi lindi në Angli në vitin 1905 dhe u pagëzua në Vinipeg të Kanadasë, më 1921. Dy vjet më vonë, ai dhe vëllai i tij binjak, Normani, u transferuan në Bruklin, Nju-Jork, për të ndihmuar në një projekt të ri. Në atë kohë populli i Jehovait do të fillonte t’i prodhonte vetë librat për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë «në gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) Një nga caktimet e para të vëlla Barberit ishte të punonte me një makinë të vogël shtypi. Ndër artikujt që shtypeshin ishin përmbledhje të çështjeve ligjore që paraqiteshin në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Me kalimin e kohës, vëlla Barberi punoi në Repartin e Shërbimit, duke u përqendruar në çështjet e kongregacionit dhe në veprën e predikimit anembanë vendit.
Duke pasur këtë përvojë, në vitin 1948, vëlla Barberi ishte më se i kualifikuar të caktohej si mbikëqyrës udhëtues dhe të vizitonte asambletë dhe kongregacionet në të gjithë pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ai thoshte se i pëlqente në veçanti të ishte jashtë në ajër të pastër, në veprën e predikimit. Për shkak të këtij caktimi, vëlla Barberi takoi shumë vëllezër e motra. Ai ishte mendjemprehtë e kishte zell për shërbimin, dhe kjo i solli dobi kur më vonë ndoqi klasën e 26-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Gjatë shkollës, u njoh me një studente tjetër nga Kanadaja, Sidni Li Bruërin. U martuan pas diplomimit dhe si muaj mjalti patën udhëtimin e shkurtër nga Nju-Jorku në Çikago, Ilinois, për të shkuar që t’u shërbenin kongregacioneve në atë zonë. Motra Barber ishte një shoqe e çmuar dhe një burim i vazhdueshëm mbështetjeje për të shoqin gjatë njëzet vjetëve që ishin së bashku në veprën udhëtuese.
Kush e ka njohur vëlla Barberin gjatë dhjetëvjeçarëve që shërbeu si mbikëqyrës krahinor ose qarkor, a gjatë 30 vjetëve që shërbeu e udhëtoi si anëtar i Trupit Udhëheqës, do t’i kujtojë për një kohë të gjatë fjalimet dhe komentet e tij të gjalla. Kemi vërtet arsye për të gëzuar për ‘fitoren e tij bashkë me Qengjin’.