Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i shqyrtojmë «gjërat e thella të Perëndisë»

T’i shqyrtojmë «gjërat e thella të Perëndisë»

T’i shqyrtojmë «gjërat e thella të Perëndisë»

«Fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.»​—1 KORINTASVE 2:10.

1. Cilat janë disa të vërteta biblike që u sjellin gëzim studentëve të Biblës?

ME SIGURI, pothuajse të gjithëve në kongregacion na kujtohet sa u gëzuam kur mësuam të vërtetën. Kuptuam pse është i rëndësishëm emri i Jehovait, pse i lejon ai vuajtjet, pse disa njerëz shkojnë në qiell dhe ç’të ardhme ka pjesa tjetër e njerëzve besnikë. Ndoshta edhe më përpara e lexonim Biblën, por këto gjëra ishin të fshehura për ne, siç janë për shumicën e njerëzve. Mund ta krahasojmë me dikë që po noton dhe sheh poshtë nën ujë. Pa mjete ndihmëse, nuk do të arrijë t’i shohë bukuritë nënujore. Por kur vë pajisje zhytëse, mahnitet sepse sheh për herë të parë krijesa shumëngjyrëshe të botës detare, si peshq, korale dhe krijesa të tjera të mrekullueshme. Po kështu, kur dikush nisi të na ndihmonte që të kuptonim Shkrimet, pamë për herë të parë «gjërat e thella të Perëndisë».​—1 Korintasve 2:8-10.

2. Pse themi se gëzimi që provojmë kur shqyrtojmë Fjalën e Perëndisë mund të jetë i pafund?

2 Por, a duhet të mjaftohemi vetëm duke i hedhur një shikim së vërtetës biblike? Shprehja «gjërat e thella të Perëndisë» përfshin të kuptojmë mençurinë e tij, e cila u është zbuluar të krishterëve me anë të frymës së shenjtë, por është e fshehur për njerëzit e tjerë. (1 Korintasve 2:7) Mençuria e Perëndisë është e pafund, prandaj mund të gjejmë shumë gëzim duke e eksploruar atë. Kurrë nuk do të dimë gjithçka për mençurinë e udhëve të Perëndisë. Gëzimin që ndiem kur kuptuam për herë të parë mësimet themelore të Biblës mund ta provojmë gjithnjë, nëse vazhdojmë t’i shqyrtojmë «gjërat e thella të Perëndisë».

3. Pse na duhet t’i kuptojmë plotësisht arsyet që janë në themel të bindjeve tona?

3 Po pse duhet t’i kuptojmë këto ‘gjëra të thella’? Sepse besimi dhe bindja jonë forcohet, kur kuptojmë jo vetëm çfarë besojmë, por edhe pse e besojmë, pra arsyet që janë në themel të bindjeve tona. Shkrimet na thonë të përdorim ‘fuqinë për të arsyetuar’ që ‘të vërtetojmë se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë’. (Romakëve 12:1, 2) Kur kuptojmë pse na kërkon Jehovai që të jetojmë në një mënyrë të caktuar, jemi më të vendosur t’i bindemi. Pra, njohja e ‘gjërave të thella’ mund të na japë forcën t’i rezistojmë tundimit për të bërë gjëra të paligjshme dhe të na shtyjë të jemi «të zellshëm për vepra të shkëlqyera».​—Titit 2:14.

4. Çfarë përfshin studimi i Biblës?

4 Për të kuptuar gjërat e thella, duhet të studiojmë. Por studimi nuk është si të lexosh diçka në mënyrë sipërfaqësore. Ai përfshin ta shqyrtojmë me kujdes materialin për të parë si lidhet me modelin e të vërtetave që tashmë i dimë. (2 Timoteut 1:13) Përfshin të kapim arsyet pse janë thënë këto gjëra. Studimi i Biblës duhet të përfshijë edhe meditimin se si mund ta përdorim atë që po mësojmë për të marrë vendime të mençura e për të ndihmuar të tjerët. Gjithashtu, meqë «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», studimi duhet të përfshijë «çdo fjalë që del nga goja e Jehovait». (2 Timoteut 3:16, 17; Mateu 4:4) Të studiosh Biblën mund të kërkojë shumë punë, por mund të jetë edhe diçka e këndshme. «Gjërat e thella të Perëndisë» nuk janë tepër të vështira për t’u kuptuar.

Jehovai i ndihmon zemërbutët që të kuptojnë

5. Cilët mund t’i kuptojnë «gjërat e thella të Perëndisë»?

5 Edhe sikur të mos kemi shkëlqyer në shkollë e të mos jemi mësuar të studiojmë, nuk duhet të mendojmë se «gjërat e thella të Perëndisë» janë të pakapshme për ne. Gjatë shërbimit të Jezuit në tokë, Jehovai nuk ua zbuloi të mençurve e të zgjuarve kuptueshmërinë për qëllimet e Tij, por njerëzve të thjeshtë e të pashkolluar, të cilët ishin të përulur dhe pranonin që një shërbëtor i Perëndisë t’i mësonte. Këta njerëz mund të dukeshin si fëmijë në krahasim me ata që ishin arsimuar nëpër shkolla. (Mateu 11:25; Veprat 4:13) Lidhur me «gjërat që Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan», apostulli Pavël u shkroi bashkëbesimtarëve: «Perëndia na i ka zbuluar neve nëpërmjet frymës së tij, pasi fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.»​—1 Korintasve 2:9, 10.

6. Si shqyrton fryma e Perëndisë «çdo gjë»?

6 Si shqyrton fryma e Perëndisë «çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë»? Jehovai nuk i jep çdo të krishteri më vete një zbulesë, por me anë të frymës drejton organizatën e tij, e cila i jep kuptueshmëri për Biblën popullit të tij që i shërben në unitet. (Veprat 20:28; Efesianëve 4:3-6) Të gjitha kongregacionet anembanë botës kanë të njëjtin program për studimin e Biblës. Për një periudhë disavjeçare, trajtohen të gjitha mësimet biblike. Fryma e shenjtë vepron nëpërmjet kongregacionit dhe i ndihmon njerëzit të kenë qëndrimin që nevojitet për të kuptuar «gjërat e thella të Perëndisë».​—Veprat 5:32.

Çfarë përfshihet në «gjërat e thella të Perëndisë»?

7. Pse shumë njerëz nuk i kuptojnë «gjërat e thella të Perëndisë»?

7 Të mos mendojmë se «gjërat e thella» duhet të jenë patjetër të vështira. Vërtet që shumica e njerëzve nuk ka njohuri për «gjërat e thella të Perëndisë», por kjo nuk ndodh ngaqë mençuria e tij është shumë e vështirë. Problemi është se Satanai i mashtron njerëzit dhe, si pasojë, ata refuzojnë ndihmën që siguron Jehovai me anë të organizatës së Tij.​—2 Korintasve 4:3, 4.

8. Për cilat gjëra të thella foli Pavli në kapitullin e tretë të letrës drejtuar efesianëve?

8 Nga kapitulli i tretë i letrës që u dërgoi Pavli efesianëve, kuptojmë se «gjërat e thella të Perëndisë» përfshijnë shumë të vërteta që pjesa më e madhe e shërbëtorëve të Jehovait i ka të qarta, të tilla si: identiteti i Farës së premtuar, zgjedhja e individëve me shpresë qiellore nga gjiri i njerëzimit dhe Mbretëria mesianike. Pavli shkroi: «Ky sekret nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve në brezat e tjerë, siç iu zbulua tani me anë të frymës apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve, domethënë, që njerëzit e kombeve duhej të ishin bashkëtrashëgimtarë e gjymtyrë të të njëjtit trup dhe pjesëmarrës me ne të premtimit në unitet me Krishtin Jezu.» Pastaj tha se ai ishte caktuar që ‘t’i bënte njerëzit të shihnin se si është administruar sekreti i shenjtë, të cilin Perëndia, që krijoi gjithçka, e kishte fshehur që nga kohët e shkuara’.​—Efesianëve 3:5-9.

9. Pse është një privilegj të kuptojmë «gjërat e thella të Perëndisë»?

9 Më tej Pavli shpjegoi se vullneti i Perëndisë është që edhe ‘qeverive dhe autoriteteve në vendet qiellore t’u bëhet e njohur, nëpërmjet kongregacionit, mençuria mjaft e larmishme e Perëndisë’. (Efesianëve 3:10) Engjëjt mësojnë duke parë e duke kuptuar mençurinë me të cilën vepron Jehovai me kongregacionin e krishterë. Është vërtet një privilegj për ne të kuptojmë gjëra që u interesojnë edhe engjëjve. (1 Pjetrit 1:10-12) Pavli vazhdon duke thënë se duhet të përpiqemi ‘të rrokim me mendje bashkë me gjithë të shenjtët se cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia’ e besimit të krishterë. (Efesianëve 3:11, 18) Tani do të shohim disa shembuj të gjërave të thella që mund të na e shtojnë kuptueshmërinë.

Disa gjëra të thella

10, 11. Sipas Shkrimeve, kur u bë Jezui pjesa kryesore e «farës» së «gruas» qiellore të Perëndisë?

10 Ne e dimë se Jezui është pjesa kryesore e «farës» që do të vinte nga ‘gruaja’ qiellore e Perëndisë, për të cilën flitet te Zanafilla 3:15. Tani, për të zgjeruar kuptueshmërinë, mund të pyesim veten: ‘Kur u bë Jezui Fara e premtuar: gjatë ekzistencës paranjerëzore, kur lindi si njeri, kur u pagëzua apo kur u ringjall?’

11 Perëndia kishte premtuar se nga pjesa qiellore e organizatës së tij, e cila në profeci quhet ‘gruaja’, do të vinte një farë që do t’i shtypte kokën gjarprit. Mirëpo kaluan mijëra vjet dhe nga ‘gruaja’ e Perëndisë nuk po vinte asnjë farë aq e fuqishme sa të shkatërronte Satanain dhe veprat e tij. Prandaj, në profecinë e Isaisë, ajo grua quhet «shterpë» dhe «e hidhëruar». (Isaia 54:1, 5, 6) Përfundimisht, lindi Jezui në Betlehem. Por, deklaratën ‘ky është Biri im’, Jehovai e bëri vetëm pasi Jezui u pagëzua dhe lindi nga fryma, duke u bërë bir i tij frymor. (Mateu 3:17; Gjoni 3:3) Më në fund kishte ardhur pjesa kryesore e «farës» së gruas! Më vonë, edhe dishepuj të Jezuit u mirosën dhe lindën nga fryma e shenjtë. ‘Gruaja’ e Jehovait, e cila për shumë kohë ishte ndier si një ‘shterpë që nuk lindte’, më së fundi mund ‘të lëshonte britma gëzimi’.​—Isaia 54:1; Galatasve 3:29.

12, 13. Cilat shkrime tregojnë se të gjithë të krishterët e mirosur në tokë përbëjnë ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’?

12 Si shembull të dytë të gjërave të thella që na janë zbuluar, do të marrim qëllimin e Perëndisë për të zgjedhur nga gjiri i njerëzimit 144.000 veta. (Zbulesa 14:1, 4) Ne e pranojmë mësimin se të gjithë të mirosurit që jetojnë në tokë në çfarëdo kohe specifike, përbëjnë ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ që Jezui e caktoi të siguronte «ushqim» në kohën e duhur për shërbëtorët e shtëpisë së tij. (Mateu 24:45) Po cilat shkrime të Biblës tregojnë se kjo kuptueshmëri është e saktë? Mos ndoshta Jezui e kishte fjalën në përgjithësi për çdo të krishterë që forcon vëllezërit e tij duke u dhënë ushqim frymor?

13 Perëndia i tha kombit të Izraelit: «Ju jeni dëshmitarët e mi . . . shërbëtori që kam zgjedhur.» (Isaia 43:10) Mirëpo, më 11 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui u tha udhëheqësve të Izraelit se Perëndia nuk e konsideronte më kombin e tyre si shërbëtorin e vet. Ai shpalli: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» Turmës që po e dëgjonte, i tha: «Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mateu 21:43; 23:38) Si skllavi i Jehovait, kombi i Izraelit nuk u tregua as i besueshëm, as i matur. (Isaia 29:13, 14) Pak më vonë po atë ditë, kur bëri pyetjen: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?», Jezui po pyeste me fjalë të tjera: ‘Cili komb i matur do ta zëvendësojë Izraelin për t’u bërë skllavi i besueshëm i Perëndisë?’ Përgjigjen e dha apostulli Pjetër, kur i tha kongregacionit të të krishterëve të mirosur: «Ju jeni . . . ‘komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë’.» (1 Pjetrit 1:4; 2:9) Rolin e skllavit të Jehovait tani e mori ky komb frymor, domethënë ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Të gjithë pjesëtarët e Izraelit të lashtë përbënin një «shërbëtor». Po kështu, të gjithë të krishterët e mirosur që jetojnë në tokë në çfarëdo kohe specifike, përbëjnë një ‘skllav të besueshëm dhe të matur’. Sa privilegj i madh është të marrim «ushqim» nëpërmjet skllavit të Perëndisë!

Studimi personal mund të jetë i këndshëm

14. Pse të sjell gëzim studimi i Biblës, jo thjesht leximi i saj?

14 Kur na zbulohet një kuptueshmëri e re e Shkrimeve, ndihemi vërtet të lumtur, sepse na forcon besimin, apo jo? Ja pse na sjell më shumë gëzim studimi i Biblës sesa thjesht leximi i saj. Prandaj, kur lexoni botimet e krishtere, pyetni veten: ‘Si ndryshon ky shpjegim nga ajo që kuptoja më parë për argumentin? Çfarë shkrimesh ose argumentesh të tjera më vijnë në mend, për të mbështetur më tej pohimet e paraqitura në këtë artikull?’ Nëse ju duhet të bëni kërkime të mëtejshme, mbajeni shënim pyetjen dhe bëjeni si projekt studimi për të ardhmen.

15. Cilat projekte studimi mund t’ju sjellin kënaqësi dhe ç’duhet të bëni që të kenë vlerë edhe në të ardhmen?

15 Cilat projekte studimi do t’ju sillnin gëzim, sepse do t’ju shtonin kuptueshmërinë? Mund të mësoni më tepër duke analizuar me hollësi besëlidhjet e ndryshme që ka bërë Perëndia në dobi të njerëzimit, duke shqyrtuar kapitullin 19 të librit T’i afrohemi Jehovait. * Mund ta forconi besimin duke studiuar profecitë që të çonin te Jezu Krishti ose duke shqyrtuar varg për varg një nga librat profetikë të Biblës. Besimin mund t’jua forcojë edhe shqyrtimi i historisë së Dëshmitarëve të Jehovait në kohët e sotme, me anë të librit Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, nëse e keni në një gjuhë që e dini. * Gjithashtu, rishikimi i artikujve të rubrikës «Pyetje nga lexuesit», që botohet në Kullën e Rojës, me siguri do t’ju japë kuptueshmëri më të qartë për disa shkrime. Përqendrohuni sidomos tek arsyetimi që është bërë nga Bibla për të arritur deri në përfundimet e dhëna. Kjo do t’ju ndihmojë të stërvitni «aftësitë perceptuese» dhe të zhvilloni aftësinë dalluese. (Hebrenjve 5:14) Kur studioni, mbani shënime në Bibël ose në një fletë, që studimi të ketë vlerë edhe në të ardhmen për ju e për ata që mund të ndihmoni.

Ndihmojini fëmijët që ta pëlqejnë studimin e Biblës

16. Si t’i ndihmoni fëmijët që ta pëlqejnë studimin e Biblës?

16 Prindërit mund t’i ndihmojnë shumë fëmijët që të kenë oreks për gjërat frymore. Nuk duhet nënvlerësuar kurrë aftësia e tyre për të kuptuar gjërat e thella. Për shembull, mund t’u caktoni një temë për të bërë kërkime, ndërsa përgatiten për studimin familjar të Biblës, e pastaj t’i pyetni ç’kanë mësuar. Në studimin familjar mund të përfshini edhe situata praktike, me qëllim që fëmijët të mësojnë ta mbrojnë besimin e tyre dhe të japin prova se ajo që u është mësuar është e vërtetë. Gjithashtu, mund të përdorni broshurën ‘Të shohim vendin e mirë’ * për t’u mësuar veçoritë gjeografike të vendeve biblike e për të qartësuar atë që po trajtohet në leximin javor të Biblës.

17. Pse duhet të tregojmë ekuilibër me projektet e studimit personal të Biblës?

17 Natyrisht, projektet e studimit personal të Biblës janë tërheqëse dhe na e forcojnë besimin. Por të bëjmë kujdes që këto projekte të mos na marrin kohën që duhet t’i kushtojmë përgatitjes për mbledhjet e kongregacionit. Mbledhjet janë një nga mënyrat se si na udhëzon Jehovai me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. Gjithsesi, mund të bëjmë kërkime të mëtejshme për të dhënë komente domethënëse në mbledhje, si në Studimin e Librit të Kongregacionit ose gjatë pikave kryesore të leximit javor të Biblës, në Shkollën e Shërbimit Teokratik.

18. Pse ia vlen të bëjmë përpjekje për të studiuar «gjërat e thella të Perëndisë»?

18 Studimi i thellë personal i Biblës mund të na ndihmojë t’i afrohemi Jehovait. Vetë Bibla e tregon vlerën e këtij studimi: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» (Eklisiastiu 7:12) Prandaj, përpjekjet për të thelluar kuptueshmërinë për gjërat frymore ia vlejnë. Atij që vazhdon të kërkojë, Bibla i premton: «Do të gjesh njohurinë e Perëndisë.»​—Proverbat 2:4, 5.

[Shënimet]

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 15 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 16 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A mund të shpjegoni?

• Çfarë janë «gjërat e thella të Perëndisë»?

• Pse studimi i gjërave të thella s’duhet të mbarojë kurrë?

• Pse çdo i krishterë mund ta ketë kënaqësinë që të kuptojë «gjërat e thella të Perëndisë»?

• Si të nxjerrim sa më shumë dobi nga «gjërat e thella të Perëndisë»?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Kur u bë Jezui Fara e premtuar?

[Figura në faqen 31]

Prindërit mund t’u caktojnë fëmijëve tema për të bërë kërkime, kur përgatiten për studimin familjar