Mund të kemi një jetë me kuptim!
Mund të kemi një jetë me kuptim!
SHUMË njerëz jetojnë për para dhe për gjërat që mund të blihen me to. Disa jetojnë për të bërë emër në botë. Të tjerë jetojnë për të përsosur aftësitë e tyre në fushën e artit. Ka edhe nga ata që jetojnë për të tjerët. Por shumë nuk e dinë se për çfarë jetojnë ose përse ekzistojnë.
Po ju? A keni menduar seriozisht se përse ekzistoni? Shqyrtoni disa synime të zakonshme që kanë ndjekur njerëzit dhe shihni nëse i kanë bërë vërtet të ndihen mirë dhe të kënaqur. Ç’gjë i jep kuptim jetës?
Paraja dhe kënaqësitë kanë vendin e vet
Bibla thotë tek Eklisiastiu 7:12: «Mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» Po, paraja ka rëndësinë e vet. Paratë ju duhen për të jetuar, sidomos nëse keni përgjegjësinë për të mbajtur familjen.—1 Timoteut 5:8.
Disa kënaqësi në jetë mund të arrihen me para. Jezu Krishti, Themeluesi i Krishterimit, e pranoi se nuk kishte ku të mbështeste kokën, e megjithatë hera-herës ai kënaqej duke ngrënë ushqim të mirë ose duke pirë verë të zgjedhur. Gjithashtu, ai mbante rroba të shtrenjta.—Mateu 8:20; Gjoni 2:1-11; 19:23, 24.
E megjithatë, Jezui nuk jetoi për t’u dhënë pas kënaqësive. Ai e kishte të qartë se cilat gjëra Luka 12:13-21.
kishin përparësi. Jezui tha: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» Pastaj nisi të tregonte një ilustrim për një të pasur që kishte grumbulluar të korra të jashtëzakonshme e që arsyetoi me vete: «Ç’të bëj tani që s’kam ku t’i fut të korrat? . . . Do t’i shemb depot që kam e do të ndërtoj më të mëdha. Atje do të fut gjithë grurin dhe gjithë të mirat që kam dhe do t’i them shpirtit: ‘Shpirt, ti ke mbledhur shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj rehatohu, ha, pi dhe gëzohu.’» Çfarë nuk shkonte në këtë arsyetim? Ilustrimi vazhdon: «Perëndia i tha [këtij të pasuri]: ‘Njeri i paarsyeshëm, sonte do të kërkojnë shpirtin tënd. Të kujt do të jenë, atëherë, gjërat që grumbullove?’» Edhe pse ai njeri i grumbulloi të korrat në depo, kur vdiq, nuk mundi t’i gëzonte pasuritë që kishte mbledhur. Si përfundim Jezui u dha këtë mësim njerëzve që po e dëgjonin: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»—Po, njeriu ka nevojë për para, dhe kënaqësitë kanë vendin e tyre në jetë. Sidoqoftë, as paraja, as kënaqësitë nuk janë gjëja më e rëndësishme në jetë. Të jesh i pasur në sytë e Perëndisë, domethënë, të jetosh në atë mënyrë që të fitosh miratimin e Tij, është pa dyshim synimi më i rëndësishëm që duhet ndjekur.
A ka rëndësi të bësh emër?
Shumë njerëz jetojnë për të bërë emër. Dëshira për të bërë emër, për t’u kujtuar nga të tjerët, nuk është medoemos e gabuar. Bibla thotë: «Një emër është më i mirë se vaji i çmuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.»—Eklisiastiu 7:1.
Kur njeriu vdes, atë ditë, si të thuash, janë mbushur të gjitha faqet e librit të jetës së tij. Në qoftë se ka bërë gjëra të mira, dita e tij e vdekjes është shumë herë më e mirë se dita e lindjes, kur faqet e librit të jetës së tij ishin bosh.
Shkrimtari i librit biblik të Eklisiastiut ishte mbreti Solomon. Vëllai i tij nga babai, Absalomi, donte të bënte emër. Mirëpo tre djemtë e Absalomit, nëpërmjet të cilëve mund t’ua kishte kaluar emrin e vet brezave të mëvonshëm, me sa duket vdiqën në moshë të re. Prandaj, çfarë bëri ai? Shkrimet thonë se Absalomi ngriti një shtyllë në Ultësirën e Mbretit, sepse thoshte: «‘Unë s’kam bir që ta ruajë kujtimin e emrit tim.’ Kështu, ai i vuri shtyllës emrin e vet.» (2 Samuelit 14:27; 18:18) Rrënojat e kësaj shtylle nuk janë gjetur. Kurse për ata që studiojnë Biblën, Absalomi është i njohur si një rebel famëkeq që thuri komplot për t’i zhvatur fronin të atit, Davidit.
Janë të shumtë ata që sot përpiqen të mbeten në kujtesën e të tjerëve me anë të gjërave që kryejnë. Ata kërkojnë lavdi në sytë e njerëzve, shijet e të cilëve ndryshojnë sa herë ndërrohen stinët. Megjithatë, ç’ndodh me famën e tyre? Autori Kristofer Lash shkruan në një libër: «Në kohën tonë, kur suksesi varet aq shumë nga të qenët i ri, tërheqës dhe origjinal, fama është më kalimtare se kurrë
më parë dhe ata që bëhen të famshëm shqetësohen vazhdimisht se mos e humbin këtë famë.» (The Culture of Narcissism) Për këtë arsye, mjaft njerëz të shquar jepen pas drogës dhe alkoolit, shpesh duke vdekur para kohe. Vërtet, të kërkosh famë është kotësi.Atëherë, para kujt duhet të fitojmë një emër të mirë? Duke folur për disa që zbatonin Ligjin e Tij, Jehovai tha nëpërmjet një profeti, Isaisë: «Unë do t’u jap në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një përmendore dhe një emër. . . . Unë do t’u jap një emër të përjetshëm, një emër që nuk do të fshihet.» (Isaia 56:4, 5) Ata që Perëndia miraton do të kenë «një përmendore dhe një emër», ngaqë i binden Atij. Perëndia do t’ua kujtojë emrin ‘në përjetësi’ dhe kështu nuk do të harrohen. Këtë lloj emri na nxit Bibla të bëjmë: një emër të shkëlqyer në sytë e Jehovait, Krijuesit tonë.
Isaia po profetizonte për kohën kur njerëzit besnikë do të marrin jetën e përhershme në Parajsën në tokë. ‘Jeta e përhershme’ në këtë Parajsë është ‘jeta e vërtetë’—ajo lloj jete që Perëndia kishte si qëllim t’u jepte njerëzve kur i krijoi. (1 Timoteut 6:12, 19) Në vend që të bëjmë një jetë kalimtare e që s’të kënaq, a nuk duhet të synojmë më mirë jetën e përhershme?
Të merresh me art ose bamirësi, nuk është gjithçka
Ka shumë artistë që dëshirojnë të përmirësojnë punën e vet për të arritur atë që e konsiderojnë përsosmëri në artin e tyre. Por jeta e tanishme është tepër e shkurtër për këtë. Kur ishte në të nëntëdhjetat, Hideoja, artisti i përmendur në artikullin e mëparshëm, u përpoq fort të përmirësonte aftësitë e tij artistike. Edhe sikur një artist të arrijë në atë pikë ku ndihet i kënaqur me punën e vet, ai mund të mos jetë më i aftë të prodhojë aq sa mund të kishte prodhuar kur ishte më i ri. Po sikur të kishte jetën e përhershme? Mendoni sa shumë mundësi do të kishte për ta përsosur artin e tij!
Por, ç’të themi për ata që merren me bamirësi? Është për t’u lavdëruar dikush që interesohet për të varfrit dhe e përdor pasurinë për të ndihmuar nevojtarët. Bibla thotë: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Njeriu mund të ndihet vërtet i kënaqur duke u interesuar për mirëqenien e të tjerëve. Sidoqoftë, sa mund të bëjë dikush për të tjerët, edhe sikur t’ia kushtojë gjithë jetën këtij synimi? Ajo që mund të bëjnë njerëzit për t’ua lehtësuar vuajtjet të tjerëve, është e kufizuar. Çfarëdo dhurate që mund të japë dikush, sado e madhe qoftë, nuk mund të plotësojë një nevojë themelore që shumica e njerëzve e shpërfillin dhe nuk e plotësojnë. Cila është kjo nevojë?
Një nevojë e lindur që duhet plotësuar
Në një fjalim të tij, Jezui përmendi një nevojë themelore dhe të lindur të njeriut: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mateu 5:3) Pra, sipas Biblës, lumturia e vërtetë nuk varet nga pasuria, fama, arritjet artistike ose nga veprat bamirëse. Përkundrazi, ajo varet nëse plotësojmë nevojën për të mësuar për Perëndinë—për ta adhuruar atë.
Një apostull i Jezuit, Pavli, i nxiti ata që nuk e njihnin Krijuesin që ta kërkonin Atë. Pavli tha: «Nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut, dhe dekretoi kohët e caktuara dhe caqet për banimin e njerëzve, që të kërkojnë Perëndinë, madje me ngulm dhe ta gjejnë vërtet, ndonëse, ai nuk është larg nga secili prej nesh. Sepse falë tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—Veprat 17:26-28.
Plotësimi i nevojës për të adhuruar Perëndinë e vërtetë është çelësi për të arritur lumturi të plotë në jetë. Duke plotësuar këtë nevojë, kemi shpresën për të fituar «jetën e
vërtetë». Mendoni për shembullin e Terezës, e cila u bë e famshme në televizion në vendin e saj, kur u bë aktorja e parë zezake që luante rolin kryesor në një serial dramatik njëorësh. Por, pak kohë më vonë ajo hoqi dorë nga e gjithë kjo. Pse? Ajo tha: «Jam e bindur se mënyra më e mirë për të jetuar është duke zbatuar këshillat e Fjalës së Perëndisë.» Tereza nuk donte të vinte në rrezik marrëdhënien e saj me Perëndinë duke luajtur një rol në një serial televiziv që lartësonte seksin dhe dhunën. Ajo nuk ishte më në qendër të vëmendjes së publikut, por nisi një jetë vërtet të lumtur. Tereza predikonte në kohë të plotë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t’i ndihmonte njerëzit që të arrinin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.Në lidhje me vendimin e Terezës për të lënë aktrimin, një ish-shok i saj tha: «M’u copëtua zemra kur e mora vesh, sepse s’duroja dot që ajo të hidhte tej gjithçka që sipas meje kishte. Por është e qartë se ajo gjeti diçka tjetër më të madhe e më të mirë.» Më vonë, Tereza vdiq. Por, pas vdekjes së saj, po i njëjti person tha: «Ajo ishte e lumtur; ç’mund të duash më shumë nga jeta. Sa prej nesh mund të thonë se janë të lumtur?» Për ata njerëz që vënë në vend të parë në jetë marrëdhënien e tyre me Perëndinë, por që vdesin, ekziston shpresa e mrekullueshme e ringjalljes kur të qeverisë Mbretëria e Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29.
Krijuesi ka një qëllim për tokën dhe për njerëzit. Ai dëshiron që ta kuptoni qëllimin e tij dhe të gëzoni jetën në Parajsën në tokë. (Psalmi 37:10, 11, 29) Tani është koha të mësoni më shumë për Jehovain, Krijuesin e qiejve dhe të tokës, si dhe për qëllimin që ka për ju. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj do t’ju ndihmojnë me kënaqësi që ta merrni këtë njohuri. Ju lutemi, flitni me ta ose shkruajuni botuesve të kësaj reviste.
[Figura në faqen 5]
Çfarë nuk shkonte në arsyetimin e të pasurit që përmendet tek ilustrimi i Jezuit?
[Figura në faqen 7]
A dëshironi të keni jetën e përhershme në Parajsën në tokë?