Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të imitojmë Bërësin e Madh të Dishepujve

Të imitojmë Bërësin e Madh të Dishepujve

Të imitojmë Bërësin e Madh të Dishepujve

«Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.»​—LUKA 8:18.

1, 2. Pse duhet t’i kushtosh vëmendje mënyrës se si vepronte Jezui me njerëzit në shërbim?

JEZU KRISHTI po përmbushte rolin e tij si Mësuesi dhe Bërësi i Madh i Dishepujve kur u tha ithtarëve të tij: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.» (Luka 8:16-18) Ky parim zbatohet për shërbimin që kryen ti si i krishterë. Nëse u kushton vëmendje udhëzimeve që jepen për të, do t’i zbatosh dhe do të jesh një lajmëtar i efektshëm i Mbretërisë. Natyrisht sot nuk mund të dëgjosh zërin e Jezuit, por mund të lexosh gjërat që tha e që bëri ai, të cilat janë shkruar në Shkrime. Çfarë zbulojnë ato për mënyrën se si vepronte Jezui me njerëzit në shërbim?

2 Jezui ishte një predikues i shkëlqyer i lajmit të mirë dhe një mësues i jashtëzakonshëm i së vërtetës biblike. (Luka 8:1; Gjoni 8:28) Vepra e bërjes së dishepujve përfshin si predikimin, edhe mësimdhënien, por disa të krishterë që janë predikues të efektshëm e kanë të vështirë t’i mësojnë siç duhet njerëzit. Ndërsa predikimi përfshin shpalljen e një mesazhi, t’u mësosh njerëzve për Jehovain dhe për qëllimet e tij, zakonisht kërkon që lajmëtari të ndërtojë një marrëdhënie me ta. (Mateu 28:19, 20) Kjo mund të bëhet duke imituar Jezu Krishtin, Mësuesin dhe Bërësin e Madh të Dishepujve.—Gjoni 13:13.

3. Ç’rezultat do të kesh, nëse bën përpjekje që të imitosh Jezuin?

3 Nëse imiton metodat e mësimdhënies të Jezuit do të zbatosh këshillën e apostullit Pavël: «Vazhdoni të veproni me mençuri ndaj atyre që janë jashtë, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj. Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:5, 6) Të imitosh Jezuin në veprën e bërjes së dishepujve kërkon përpjekje, por si rrjedhim mësimdhënia jote do të jetë e efektshme, pasi do të të ndihmojë ‘t’i përgjigjesh gjithsecilit’ sipas nevojës.

Jezui i nxiste të tjerët të shpreheshin

4. Pse mund të themi se Jezui i dëgjonte me vëmendje të tjerët?

4 Që kur ishte fëmijë, Jezui e kishte zakon t’i dëgjonte njerëzit dhe t’i nxiste që të shprehnin pikëpamjet e tyre. Për shembull, kur ishte 12 vjeç, prindërit e gjetën në tempull në mes të mësuesve, «tek i dëgjonte dhe i pyeste». (Luka 2:46) Jezui nuk shkoi në tempull që t’i vinte në pozitë të vështirë mësuesit me njohurinë e tij. Ai shkoi atje për të dëgjuar, megjithëse bëri edhe pyetje. Prirja e tij për t’i dëgjuar me vëmendje të tjerët, mund të ketë qenë një cilësi që e bëri të fitonte pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve.—Luka 2:52.

5, 6. Si e dimë se Jezui i dëgjonte njerëzit që mësonte?

5 Pasi u pagëzua dhe u miros si Mesia, Jezui vazhdoi t’i dëgjonte me interes njerëzit. Ai nuk zhytej kaq shumë në gjërat që u mësonte të tjerëve, saqë t’i harronte ata që kishin ardhur për ta dëgjuar. Shpesh ndalej, i pyeste se çfarë mendonin dhe dëgjonte përgjigjen e tyre. (Mateu 16:13-15) Për shembull, Jezui i tha Martës pas vdekjes së vëllait të saj, Lazarit: «Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.» Pastaj e pyeti: «A e beson këtë?» E me siguri Jezui e dëgjoi Martën kur ajo iu përgjigj: «Po, Zotëri. Unë kam besuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.» (Gjoni 11:26, 27) Ç’kënaqësi do të ketë ndier Jezui kur dëgjoi Martën të shprehte besimin e saj në këtë mënyrë!

6 Kur shumë dishepuj e braktisën Jezuin, ai donte të dëgjonte pikëpamjen e apostujve. Prandaj i pyeti: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Simon Pjetri iu përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme dhe ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:66-69) Sa duhet ta kenë kënaqur Jezuin këto fjalë! Sigurisht edhe ti kënaqesh kur dëgjon shprehje të ngjashme besimi nga një student i Biblës.

Jezui dëgjonte me respekt

7. Pse shumë samaritanë treguan besim te Jezui?

7 Një arsye tjetër pse Jezui ishte bërës dishepujsh i efektshëm ishte se interesohej për njerëzit dhe i dëgjonte me respekt. Për shembull, në një rast, Jezui i dha dëshmi një gruaje samaritane pranë burimit të Jakobit në Sihar. Gjatë bisedës nuk fliste vetëm Jezui; ai dëgjonte edhe se çfarë mendonte ajo grua. Ndërsa e dëgjonte, Jezui vuri re se i interesonte adhurimi për Perëndinë, prandaj i tha se Perëndia kërkonte ata njerëz që e adhuronin me frymë dhe të vërtetë. Jezui tregoi interes të sinqertë dhe respekt për këtë grua, kështu që ajo u foli të tjerëve për të. «Shumë samaritanë të atij qyteti treguan besim tek ai, për shkak të dëshmisë së gruas.»—Gjoni 4:5-29, 39-42.

8. Si mund të të ndihmojë prirja e njerëzve për të shprehur pikëpamjet e tyre, që të nisësh biseda në shërbim?

8 Zakonisht njerëzve u pëlqen të shprehin pikëpamjet e tyre. Për shembull, banorëve të Athinës së lashtë u pëlqente të shprehnin mendimet dhe të dëgjonin gjëra të reja. Kjo bëri të mundur që apostulli Pavël të mbante një fjalim të efektshëm në Areopagun e atij qyteti. (Veprat 17:18-34) Edhe ti kur nis një bisedë me dikë në shërbim, mund të thuash: «Dëshiroj t’ju pyes se ç’mendoni për [një argument të caktuar].» Dëgjoje pikëpamjen e personit dhe shpreh mendimin tënd rreth saj ose bëji një pyetje. Më pas, me mirësjellje, thuaji se ç’thotë Bibla për atë argument.

Jezui dinte se çfarë të thoshte

9. Çfarë bëri Jezui para se ‘t’ia zbërthente plotësisht Shkrimet’ Kleopës dhe shokut të tij?

9 Jezuit kurrë nuk i ndodhte të mos gjente fjalët e duhura. Përveçse dëgjonte me vëmendje, shpesh ai e dinte se ç’mendonin njerëzit dhe dinte saktësisht se çfarë të thoshte në çdo rast. (Mateu 9:4; 12:22-30; Luka 9:46, 47) Le të japim një shembull: Jo shumë kohë pas ringjalljes së Jezuit, dy dishepuj të tij po shkonin nga Jerusalemi për në Emaus. Tregimi në Ungjill thotë: «Ndërsa po bisedonin dhe diskutonin, u afrua Jezui dhe filloi të ecte me ta, por atyre u ishin zënë sytë që të mos e njihnin. Ai i pyeti: ‘Për çfarë po diskutoni me njëri-tjetrin udhës?’ Ata u ndalën fytyrëngrysur. Ai që quhej Kleopa ia ktheu: ‘Mos je ti i vetmi i huaj në Jerusalem, që nuk e di ç’ka ndodhur atje këto ditë?’ Ai i pyeti: ‘Pse, ç’ka ndodhur?’» Mësuesi i Madh i dëgjoi teksa i shpjegonin se Jezui, nazareasi, i mësoi njerëzit, bëri mrekulli dhe e ekzekutuan. Por tani disa thoshin se ai ishte ringjallur. Jezui e la Kleopën dhe shokun e tij të shpreheshin. Pastaj u shpjegoi gjërat që duhej të dinin ‘duke u zbërthyer plotësisht Shkrimet’.—Luka 24:13-27, 32.

10. Si mund të zbulosh pikëpamjen fetare të dikujt që takon në shërbim?

10 Ndoshta ti nuk di asgjë për pikëpamjen fetare të dikujt. Për ta zbuluar, mund t’i thuash se dëshiron të dish se çfarë mendon ai për lutjen. Pastaj mund ta pyesësh: «A dëgjohen vërtet lutjet tona?» Përgjigjja mund të zbulojë shumë gjëra për pikëpamjen dhe formimin e tij fetar. Nëse është i prirur për çështjet fetare, mund të zbulosh më shumë se ç’mendon duke e pyetur: «A mendon se Perëndia i dëgjon të gjitha lutjet apo mund të ketë disa lutje që nuk i dëgjon?» Nga këto pyetje mund të nisë një bisedë e qetë. Kur është e përshtatshme, mund t’i tregosh se ç’thotë Bibla për atë çështje. Natyrisht, duhet ta bësh këtë me takt, duke mos kritikuar atë që beson ai. Në qoftë se kënaqet me bisedën, mund të dëshirojë që të rikthehesh. Por, po sikur të të bëjë një pyetje që nuk di t’i përgjigjesh? Mund të bësh ca kërkime dhe të rikthehesh për t’i dhënë ‘arsye për shpresën tënde, por bëje këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë’.—1 Pjetrit 3:15.

Jezui mësonte ata që e meritonin

11. Çfarë do të të ndihmojë të gjesh ata që e meritojnë të mësohen?

11 Si njeri i përsosur, Jezui kishte aftësinë dalluese që e ndihmonte të gjente ata që e meritonin t’i mësonte. Ne e kemi shumë më të vështirë të gjejmë njerëzit që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Veprat 13:48) Për këtë arsye, Jezui u tha apostujve: «Në çdo qytet ose fshat që të hyni, kërkoni atë që e meriton.» (Mateu 10:11) Ashtu si apostujt e Jezuit, ti duhet të kërkosh ata njerëz që duan të dëgjojnë dhe të mësojnë të vërtetën biblike. Mund t’i gjesh ata që e meritojnë duke dëgjuar me kujdes të gjithë njerëzit me të cilët flet dhe duke pasur parasysh qëndrimin e secilit prej tyre.

12. Si mund të vazhdosh ta ndihmosh një të interesuar?

12 Pasi largohesh nga dikush që ka treguar njëfarë interesi për mesazhin e Mbretërisë, është mirë të vazhdosh të mendosh se për çfarë të vërtetash biblike ka nevojë. Kur shënon se çfarë ke mësuar për dikë pas një bisede për lajmin e mirë, kjo të jep mundësinë që të vazhdosh ta ndihmosh frymësisht atë. Gjatë rivizitave duhet të dëgjosh me kujdes, për të ditur bindjet, qëndrimin ose rrethanat e individit.

13. Çfarë mund të të ndihmojë që të dallosh se ç’mendon dikush për Biblën?

13 Si mund t’i nxitësh njerëzit që të shprehen se çfarë mendojnë për Fjalën e Perëndisë? Në disa zona është e dobishme të pyesësh: «A ju duket Bibla e vështirë për ta kuptuar?» Shpesh përgjigjja për këtë pyetje zbulon qëndrimin që ka një njeri për gjërat frymore. Një mënyrë tjetër është të lexosh një shkrim dhe të bësh pyetjen: «Si ju duket kjo?» Ashtu si Jezui, mund të kesh shumë rezultate në shërbim duke bërë pyetje të përshtatshme. Megjithatë, duhet të tregojmë kujdes për diçka.

Jezui i përdorte pyetjet me mjeshtëri

14. Si mund të tregosh interes për njerëzit, pa i marrë në pyetje?

14 Trego interes për pikëpamjen e të tjerëve pa i vënë në siklet. Ndiq metodën e Jezuit. Ai nuk tregohej pa takt, duke i marrë në pyetje njerëzit. Përkundrazi, përdorte pyetje të përshtatshme që i nxitnin njerëzit të mendonin. Gjithashtu Jezui i dëgjonte me dashamirësi njerëzit duke i inkurajuar ata që ishin të sinqertë dhe duke i bërë të ndiheshin rehat me të. (Mateu 11:28) Çdo lloj njeriu mund të fliste lirisht me të për problemet e veta. (Marku 1:40; 5:35, 36; 10:13, 17, 46, 47) Që njerëzit të ndihen rehat me ty e të të thonë se ç’mendojnë për Biblën dhe mësimet e saj, nuk duhet t’i marrësh në pyetje.

15, 16. Si mund t’i tërheqësh njerëzit në biseda rreth temave fetare?

15 Përveçse t’i përdorësh pyetjet me mjeshtëri, mund të nxitësh bisedën duke thënë diçka interesante e më pas të dëgjosh përgjigjen. Për shembull, Jezui i tha Nikodemit: «Në qoftë se dikush nuk lind përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:3) Këto fjalë e tërhoqën kaq shumë Nikodemin, saqë u përfshi plotësisht në bisedën me Jezuin. (Gjoni 3:4-20) Mund të arrish t’i përfshish në biseda njerëzit në mënyrë të ngjashme.

16 Sot shfaqja e shumë feve të reja është temë bisedash në vende të tilla, si Afrika, Evropa Lindore dhe Amerika Latine. Në këto vende shpesh mund ta nisësh bisedën duke thënë: «Jam i shqetësuar që sot ka kaq shumë fe. Por shpresoj që së shpejti njerëzit e të gjitha kombeve të bashkohen në fenë e vërtetë. Po juve, a do t’ju pëlqente kjo?» Duke thënë diçka mahnitëse për shpresën tënde, mund t’i nxitësh njerëzit që të shprehin pikëpamjen e tyre. Dhe pyetjet janë më të lehta nëse ka dy përgjigje të mundshme. (Mateu 17:25) Pasi dikush të jetë shprehur për pyetjen, jep përgjigjen tënde me një ose dy shkrime. (Isaia 11:9; Sofonia 3:9) Duke dëgjuar me kujdes dhe duke i kushtuar vëmendje përgjigjes së personit, mund të arrish të përcaktosh se për çfarë të flasësh herën tjetër kur të kthehesh përsëri.

Jezui i dëgjonte fëmijët

17. Ç’gjë e tregon se Jezui interesohej për fëmijët?

17 Jezui nuk interesohej vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët. Ai i njihte lojërat e fëmijëve dhe gjërat që thoshin ata. Disa herë i ftonte fëmijët pranë vetes. (Luka 7:31, 32; 18:15-17) Shumë fëmijë ishin mes turmave që dëgjonin Jezuin. Kur djemtë po lëvdonin me zë të lartë Mesinë, Jezui u kushtoi vëmendje dhe tregoi se Shkrimet e kishin parathënë këtë. (Mateu 14:21; 15:38; 21:15, 16) Në ditët tona shumë fëmijë po bëhen dishepuj të Jezuit. Si mund t’i ndihmosh ata?

18, 19. Si mund ta ndihmosh fëmijën tënd që të bëhet dishepull?

18 Që ta ndihmosh fëmijën tënd të bëhet dishepull duhet ta dëgjosh. Duhet të kuptosh nëse ka pikëpamje që mund të mos përputhen me mendimet e Jehovait. Pavarësisht se si shprehet fëmija, është mirë që fillimisht t’i thuash diçka inkurajuese. Më pas mund të përdorësh shkrime të përshtatshme që ta ndihmosh fëmijën të kuptojë se ç’mendon Jehovai për këto gjëra.

19 Pyetjet kanë rolin e tyre. Ashtu si të rriturit, edhe fëmijëve nuk u pëlqen t’i marrësh në pyetje. Për një fëmijë mund të jetë një barrë që t’u përgjigjet pyetjeve të vështira. Në vend të kësaj, pse të mos i thuash shkurtimisht diçka për veten? Në varësi të çështjes që po diskutoni, mund t’i tregosh se çfarë ndieje ti dikur dhe t’i shpjegosh përse. Më pas mund ta pyesësh: «A ndihesh edhe ti kështu?» Përgjigjja e fëmijës tënd mund t’i hapë rrugë një bisede të dobishme dhe inkurajuese të bazuar në Fjalën e Perëndisë.

Vazhdo të imitosh Bërësin e Madh të Dishepujve

20, 21. Pse duhet t’i dëgjosh me vëmendje njerëzit ndërsa përpiqesh të bësh dishepuj?

20 Pavarësisht nëse po diskuton një temë me fëmijën tënd ose me dikë tjetër, është jetësore të dëgjosh me vëmendje. Në të vërtetë, kjo tregon se ke dashuri për individin. Duke dëgjuar, po tregon përulësi, respekt dhe konsideratë për të. Pa dyshim, të dëgjosh, kërkon që t’u kushtosh vëmendje fjalëve të atij që po të shprehet.

21 Teksa merr pjesë në shërbim, vazhdo t’i dëgjosh me kujdes njerëzit. Nëse u kushton shumë vëmendje fjalëve të tyre, mund të dallosh aspektet e së vërtetës biblike që do t’i tërheqin në mënyrë të veçantë. Pas kësaj, përpiqu t’i ndihmosh duke përdorur metodat e ndryshme të mësimdhënies që përdori Jezui. Duke vepruar kështu, do të provosh gëzim dhe kënaqësi, pasi po imiton Bërësin e Madh të Dishepujve.

Si do të përgjigjeshe?

• Si i nxiste të tjerët Jezui që të shprehnin mendimet?

• Pse Jezui i dëgjonte ata që i mësonte?

• Si mund t’i përdorësh pyetjet në shërbim?

• Ç’mund të bësh për t’i ndihmuar fëmijët që të bëhen dishepuj?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Kur predikon, dëgjo me vëmendje

[Figura në faqen 30]

E imitojmë Jezuin kur i ndihmojmë fëmijët të bëhen dishepuj