Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Kujdesu për shërbimin që pranove si dishepull i Zotërisë’

‘Kujdesu për shërbimin që pranove si dishepull i Zotërisë’

‘Kujdesu për shërbimin që pranove si dishepull i Zotërisë’

«Ki kujdes ta përmbushësh si duhet shërbimin që pranove si dishepull i Zotërisë.»​—KOLOS. 4:17.

1, 2. Ç’përgjegjësi kanë të krishterët ndaj njerëzve?

KEMI një përgjegjësi serioze ndaj njerëzve që na rrethojnë. Vendimet që marrin tani, do të nënkuptojnë për ta jetë ose vdekje gjatë ‘shtrëngimit të madh’. (Zbul. 7:14) Shkrimtari i frymëzuar i librit të Proverbave tha: «Çliroji ata që po i shpien drejt vdekjes, dhe ruaji ata që po i çojnë drejt masakrës.» Vërtet fjalë mbresëlënëse! Nëse nuk e marrim përsipër përgjegjësinë që t’i lajmërojmë njerëzit për zgjedhjen që duhet të bëjnë, mund të bëhemi me faj gjaku. Në fakt, në vargun vijues thuhet: «Në rast se thua: ‘Ja, ne nuk e dinim këtë’, a nuk do ta kuptojë ai që vlerëson zemrat? A nuk do ta dijë ai që këqyr shpirtin tënd dhe a nuk ka për ta shpaguar njeriun sipas veprave të tij?» Patjetër, shërbëtorët e Jehovait nuk mund të thonë se ‘nuk dinë’ gjë për rrezikun që u kanoset njerëzve.​—Prov. 24:11, 12.

2 Jehovai e çmon jetën. Ai i nxit shërbëtorët e tij të bëjnë çdo përpjekje për të ndihmuar që të shpëtohen sa më shumë jetë. Çdo shërbëtor i Perëndisë duhet të shpallë mesazhin jetëshpëtues që gjendet në Fjalën e Tij. Detyra jonë është si ajo e një roje që lajmëron kur sheh se kanoset një rrezik. Nuk duam të bjerë mbi kokën tonë gjaku i atyre që rrezikojnë të vdesin. (Ezek. 33:1-7) Sa e rëndësishme është pra, të ngulmojmë teksa përpiqemi ‘të predikojmë fjalën’!​—Lexo 2 Timoteut 4:1, 2, 5.

3. Cilat argumente do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në dy artikujt vijues?

3 Ky artikull do të tregojë se si mund të kapërcesh pengesat në shërbimin tënd jetëshpëtues dhe si mund të ndihmosh edhe më shumë njerëz. Artikulli vijues do të shpjegojë se si mund të zhvillosh artin e mësimdhënies për sa u përket të vërtetave jetësore të Biblës. Artikulli i tretë i studimit do të paraqitë disa rezultate inkurajuese që po arrijnë lajmëtarët e Mbretërisë anembanë botës. Megjithatë, para se të shqyrtojmë këto argumente, është mirë të shohim disa arsye pse kohët tona janë kaq kritike.

Pse shumë njerëz janë pa shpresë?

4, 5. Çfarë po përjeton njerëzimi dhe si reagojnë mjaft njerëz?

4 Ngjarjet botërore tregojnë se po jetojmë në ‘përfundim të sistemit’ dhe se fundi është shumë afër. Njerëzimi po përjeton ngjarjet dhe po vuan nga kushtet që Jezui e dishepujt thanë se do të karakterizonin «ditët e fundit». ‘Dhembjet e lindjes’, përfshirë luftërat, mungesën e ushqimeve, tërmetet dhe fatkeqësi të tjera, po e mundojnë njerëzimin. Kudo vërehen prirje drejt paligjshmërisë, egoizmit dhe rebelimit kundër Perëndisë. Madje edhe për ata që përpiqen të jetojnë sipas normave të Biblës, këto janë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».​—Mat. 24:3, 6-8, 12; 2 Tim. 3:1-5.

5 Por pjesa më e madhe e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për domethënien e vërtetë të ngjarjeve botërore. Si pasojë, shumë janë në ankth për sigurinë e tyre dhe të familjes. Vdekja e të afërmve dhe tragjedi të tjera personale i lënë njerëzit të tronditur. Këta mbeten pa shpresë nëse nuk dinë saktësisht se përse ndodhin këto gjëra dhe ku mund të gjejnë zgjidhje.​—Efes. 2:12.

6. Pse «Babilonia e Madhe» nuk ka mundur t’i ndihmojë përkrahësit e saj?

6 «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme, nuk i ka ngushëlluar njerëzit. Përkundrazi, me «verën e kurvërimit të saj» u ka shkaktuar vetëm pështjellim nga ana frymore. Për më tepër, duke u sjellë si prostitutë, feja e rreme i ka joshur dhe i ka mbajtur nën kontroll «mbretërit e tokës». E ka bërë këtë duke përdorur doktrina të rreme dhe praktika spiritiste që popujt të mbeten të nënshtruar verbërisht ndaj udhëheqësve të tyre politikë. Në këtë mënyrë, feja e rreme ka fituar pushtet dhe influencë, por njëkohësisht e ka hedhur poshtë plotësisht të vërtetën fetare.​—Zbul. 17:1, 2, 5; 18:23.

7. Çfarë e pret shumicën e njerëzve, por si mund të ndihmohen disa?

7 Jezui tregoi se shumica e njerëzve po ecin në rrugën e gjerë që të çon në shkatërrim. (Mat. 7:13, 14) Disa janë në atë rrugë sepse kanë vendosur të mos pranojnë çfarë mëson Bibla. Por shumë të tjerë gjenden në të sepse janë mashtruar ose mbajtur në errësirë në lidhje me gjërat që Jehovai kërkon vërtet prej tyre. Ndoshta disa mund ta ndryshonin mënyrën e jetesës nëse do t’u jepeshin arsye të shëndosha biblike. Por ata që qëndrojnë në Babiloninë e Madhe dhe vazhdojnë të hedhin poshtë normat biblike, nuk do të shpëtojnë gjatë ‘shtrëngimit të madh’.​—Zbul. 7:14.

Vazhdo të predikosh «pareshtur»

8, 9. Si reaguan të krishterët e shekullit të parë kur hasën kundërshtim dhe pse?

8 Jezui tha se dishepujt e tij do të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë dhe do të bënin dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Prandaj, të krishterët e vërtetë, pjesëmarrjen në veprën e predikimit e kanë parë gjithnjë si një çështje besnikërie ndaj Perëndisë dhe si një kërkesë thelbësore të besimit të tyre. Kështu, dishepujt e hershëm të Jezuit ngulmuan në këtë vepër, edhe kur hasën kundërshtim. Ata u mbështetën te Jehovai për forcë, duke u lutur t’i ndihmonte që të vazhdonin ‘ta thoshin fjalën e tij plot guxim’. Si përgjigje, Jehovai i mbushi me frymë të shenjtë dhe ata e thanë fjalën e tij me guxim.​—Vep. 4:18, 29, 31.

9 A u lëkundën dishepujt e Jezuit në vendosmërinë e tyre për të predikuar lajmin e mirë kur kundërshtimi u bë i egër? Aspak. Të inatosur nga predikimi i apostujve, udhëheqësit fetarë judenj i arrestuan këta, i kërcënuan dhe i rrahën. Megjithatë, apostujt mësuan dhe shpallën «pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin». Kuptuan qartë se duhej ‘t’i bindeshin Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.​—Vep. 5:28, 29, 40-42.

10. Çfarë sprovash hasin të krishterët sot, e megjithatë çfarë mund të vijë si rrjedhim i sjelljes së tyre të shkëlqyer?

10 Sot shumica e shërbëtorëve të Perëndisë mund të mos rrihen ose burgosen për shkak të predikimit. Gjithsesi, të gjithë të krishterët e vërtetë hasin sprova të ndryshme. Për shembull, ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës mund të të nxitë të sillesh në një mënyrë që nuk i pëlqen shumicës ose që të bën të dukesh i ndryshëm nga të tjerët. Kolegët, shokët e shkollës ose fqinjët mund të mendojnë se je i çuditshëm ngaqë i merr vendimet në bazë të parimeve biblike. Sidoqoftë, reagimi i tyre negativ nuk duhet të të sprapsë, sepse bota gjendet në errësirë frymore, kurse të krishterët duhet ‘të shkëlqejnë si ndriçues’. (Filip. 2:15) Ndoshta disa njerëz të sinqertë do të vërejnë dhe do të çmojnë veprat e tua të shkëlqyera, e kështu do t’i japin lavdi Jehovait.​—Lexo Mateun 5:16.

11. (a) Si mund të reagojnë disa ndaj veprës së predikimit? (b) Ç’lloj kundërshtimi hasi apostulli Pavël dhe si reagoi?

11 Që të vazhdojmë të predikojmë lajmin për Mbretërinë duhet guxim. Disa njerëz, madje edhe të afërmit, mund të tallen me ty ose mund të përpiqen të të shkurajojnë në ndonjë mënyrë. (Mat. 10:36) Apostullin Pavël e rrahën disa herë ngaqë predikonte me besnikëri. Vër re se si reagoi ai ndaj këtij kundërshtimi: «Pasi fillimisht vuajtëm dhe u trajtuam në mënyrë fyese në Filipi, morëm guxim nga Perëndia t’ju thoshim lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh.» (1 Sel. 2:2) Patjetër Pavlit iu desh guxim që të vazhdonte të thoshte lajmin e mirë pasi e kapën, e zhveshën, e rrahën me thupër dhe e futën në burg. (Vep. 16:19-24) Ku e mori guximin që të vazhdonte? Atë e shtynte dëshira për të kryer detyrën që i kishte caktuar Perëndia.​—1 Kor. 9:16.

12, 13. Çfarë vështirësish hasin disa dhe si janë përpjekur t’i kapërcejnë?

12 Gjithashtu mund të jetë e vështirë të ruajmë zellin në territore ku njerëzit rrallë gjenden në shtëpi ose ku tregojnë fare pak interes për mesazhin e Mbretërisë. Çfarë mund të bëjmë në këto rrethana? Mund të na duhet edhe më tepër guxim që të flasim me njerëzit në mënyrë joformale. Ndoshta duhet të përshtatim programin ose t’i përqendrojmë përpjekjet për të predikuar në zona ku mund të gjejmë më shumë njerëz.​—Krahaso Gjonin 4:7-15; Veprat 16:13; 17:17.

13 Disa vështirësi të tjera për mjaft shërbëtorë të Perëndisë vijnë nga mosha e thyer dhe shëndeti jo i mirë, të cilat mund t’i kufizojnë në veprën e predikimit. Nëse edhe ti po kalon këto vështirësi, mos u shkurajo. Jehovai i di mirë kufizimet e tua dhe e çmon atë që mund të bësh. (Lexo 2 Korintasve 8:12.) Çfarëdolloj vështirësish që po has—kundërshtim, apati ose sëmundje—bëj gjithçka që të lejojnë rrethanat për t’u dhënë njerëzve lajmin e mirë.​—Prov. 3:27; krahaso Markun 12:41-44.

‘Kujdesu për shërbimin’

14. Çfarë shembulli la apostulli Pavël për të bashkëkrishterët dhe ç’këshillë dha ai?

14 Apostulli Pavël e merrte seriozisht shërbimin dhe ai i nxiti bashkëbesimtarët që të kishin të njëjtin qëndrim. (Vep. 20:20, 21; 1 Kor. 11:1) Një individ të cilin Pavli donte ta inkurajonte veçanërisht ishte Arkipi, një i krishterë në shekullin e parë. Në letrën drejtuar kolosianëve, Pavli shkroi: «I thoni Arkipit: ‘Ki kujdes ta përmbushësh si duhet shërbimin që pranove si dishepull i Zotërisë.’» (Kolos. 4:17) Ne nuk e dimë kush ishte Arkipi ose në ç’rrethana ishte, por me sa duket ai kishte pranuar të përmbushte një caktim shërbimi. Nëse je i krishterë i kushtuar, edhe ti ke pranuar të përmbushësh shërbimin e krishterë. A po vazhdon të kujdesesh që ta përmbushësh si duhet shërbimin?

15. Çfarë përfshin kushtimi i krishterë dhe çfarë pyetjesh lindin?

15 Para se të pagëzoheshim, ia kushtuam jetën Jehovait me një lutje të përzemërt. Kjo do të thoshte se ishim të vendosur të bënim vullnetin e tij. Prandaj, tani duhet të pyesim veten: ‘A është vërtet bërja e vullnetit të Perëndisë gjëja më e rëndësishme në jetën time?’ Mund të kemi përgjegjësi të ndryshme që Jehovai pret t’i përmbushim, si për shembull, të mbajmë familjen. (1 Tim. 5:8) Por si e përdorim më pas kohën dhe energjitë që na mbeten? Ç’gjë ka përparësi në jetën tonë?​—Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.

16, 17. Cilat mundësi mund të shqyrtojnë të rinjtë e krishterë ose ata që kanë relativisht pak përgjegjësi?

16 A je një i krishterë i kushtuar rreth moshës 18-vjeçare që ke mbaruar shkollën ose je në prag të mbarimit? Ndoshta nuk ke përgjegjësi familjare të mëdha. Atëherë, çfarë ke ndër mend të bësh me jetën tënde? Cilat vendime do të të ndihmojnë që ta mbash premtimin për të bërë sa më mirë vullnetin e Jehovait? Shumë veta i kanë organizuar gjërat që të shërbejnë si pionierë dhe si rrjedhim kanë përjetuar mjaft gëzim e kënaqësi.​—Psal. 110:3; Ekl. 12:1.

17 Ndoshta je një i rritur, në një moshë relativisht të re. Ke një punë në kohë të plotë dhe, përveçse të mbash veten, nuk ke shumë përgjegjësi të tjera. Pa dyshim të pëlqen të marrësh pjesë në veprimtaritë e kongregacionit për aq sa ta lejon programi. Mos ndoshta mund të provosh edhe më tepër gëzim? A ke menduar të marrësh pjesë edhe më shumë në shërbim? (Psal. 34:8; Prov. 10:22) Në disa zona ka ende mjaft punë për t’u dhënë të gjithëve mesazhin jetëshpëtues të së vërtetës. A mund të bësh ndryshime në jetë, mbase duke shërbyer në ato zona ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?​—Lexo 1 Timoteut 6:6-8.

18. Ç’ndryshime bëri një çift i ri dhe me ç’rezultate?

18 Shqyrtoni shembullin e Kevinit dhe të Elenës, nga Shtetet e Bashkuara. * Në zonën e tyre është e zakonshme që të sapomartuarit të blejnë një shtëpi. Kështu bënë edhe ata. Të dy punonin në kohë të plotë dhe kishin një jetë të rehatshme. Por, ngaqë puna dhe shtëpia u merrnin shumë kohë, u mbetej fare pak për shërbimin. E kuptonin se po e harxhonin shumicën e kohës dhe të energjive për gjërat që zotëronin. Mirëpo, kur panë jetën e thjeshtë që bënte një çift i lumtur pionierësh, Kevini dhe Elena vendosën të ndryshonin përparësitë në jetë. Pasi i kërkuan drejtim Jehovait me anë të lutjes, shitën shtëpinë dhe u transferuan në një apartament. Elena punonte më pak orë dhe u bë pioniere. I inkurajuar nga përvojat e bukura që përjetonte e shoqja në shërbim, Kevini e la punën në kohë të plotë dhe filloi të shërbente si pionier. Disa kohë më vonë u transferuan në një vend të Amerikës Jugore që të shërbenin atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Kevini thotë: «Gjithnjë kemi pasur një martesë të lumtur, por që kur jemi dhënë pas synimeve frymore, jemi edhe më të lumtur.»​—Lexo Mateun 6:19-22.

19, 20. Pse predikimi i lajmit të mirë është vepra më e rëndësishme sot?

19 Predikimi i lajmit të mirë është vepra më e rëndësishme që po bëhet sot në tokë. (Zbul. 14:6, 7) Ai ndihmon për të shenjtëruar emrin e Jehovait. (Mat. 6:9) Çdo vit mesazhi i Biblës ua përmirëson jetën mijëra e mijëra njerëzve që e pranojnë, dhe kjo mund të çojë në shpëtimin e tyre. Për këtë arsye apostulli Pavël pyeti: «Si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?» (Rom. 10:14, 15) A nuk është kështu? Prandaj, ji i vendosur që të bësh çmos për ta përmbushur si duhet shërbimin tënd!

20 Një mënyrë tjetër si mund t’i ndihmosh njerëzit që të kuptojnë rëndësinë e këtyre kohëve kritike dhe të pasojave të vendimeve të tyre, është duke përmirësuar aftësitë e tua të mësimdhënies. Në artikullin vijues do të trajtohet se si mund të bëhet kjo.

[Shënimi]

^ par. 18 Emrat janë ndryshuar.

Si do të përgjigjeshit?

• Ç’përgjegjësi kanë të krishterët ndaj njerëzve?

• Si duhet t’i përballojmë pengesat ndaj veprës së predikimit?

• Si mund ta përmbushim si duhet shërbimin që kemi pranuar?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 5]

Nevojitet guxim për të predikuar përballë kundërshtimit

[Figura në faqen 7]

Çfarë mund të bësh nëse predikon në territore ku njerëzit rrallë gjenden në shtëpi?