Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kushtoji vëmendje ‘artit të mësimdhënies’

Kushtoji vëmendje ‘artit të mësimdhënies’

Kushtoji vëmendje ‘artit të mësimdhënies’

«Prediko fjalën, . . . qorto, hiq vërejtje, nxit gjithë shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje.»​—2 TIM. 4:2.

1. Cilin urdhër u dha Jezui dishepujve dhe çfarë shembulli u la?

EDHE pse Jezui kreu shumë shërime të mrekullueshme gjatë shërbimit të tij në tokë, ai nuk njihej kryesisht si shërues ose si mrekullibërës, por si mësues. (Mar. 12:19; 13:1) Për Jezuin vepra më e rëndësishme ishte të shpallte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, e po kështu është edhe për dishepujt e tij sot. Të krishterëve u është ngarkuar përgjegjësia që të vazhdojnë të bëjnë dishepuj duke i mësuar njerëzit të zbatojnë të gjitha gjërat që u urdhëroi Jezui.​—Mat. 28:19, 20.

2. Çfarë duhet të bëjmë që të përmbushim përgjegjësinë për të predikuar?

2 Ne përpiqemi vazhdimisht të përmirësojmë aftësinë tonë të mësimdhënies, që të përmbushim përgjegjësinë për të bërë dishepuj. Apostulli Pavël theksoi rëndësinë e kësaj aftësie kur i shkroi shokut të predikimit, Timoteut. Ai tha: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Tim. 4:16) Kur foli për mësimdhënien, Pavli nuk kishte ndër mend thjesht përcjelljen e njohurisë nga një njeri te tjetri. Të krishterët e efektshëm u prekin zemrën njerëzve dhe i nxitin të bëjnë ndryshime në jetë. Ky është një art. Si mund ta zhvillojmë ‘artin e mësimdhënies’ kur u japim të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë?​—2 Tim. 4:2.

Të zhvillojmë ‘artin e mësimdhënies’

3, 4. (a) Si mund ta zhvillojmë ‘artin e mësimdhënies’? (b) Si na ndihmon Shkolla e Shërbimit Teokratik të bëhemi mësues të efektshëm?

3 Një fjalor e përkufizon fjalën «art» si «aftësia që fitohet nëpërmjet studimit, praktikës dhe vëzhgimit». Që të bëhemi mësues të efektshëm të lajmit të mirë, kemi nevojë t’i kushtojmë vëmendje secilit prej këtyre tri elementeve. Vetëm me anë të studimit dhe lutjeve mund ta kuptojmë drejt një argument. (Lexo Psalmin 119:27, 34.) Kur vëzhgojmë të krishterët e tjerë të efektshëm ndërsa mësojnë njerëzit, kjo na ndihmon të përvetësojmë metodat e tyre dhe t’i imitojmë ata. Dhe, kur përpiqemi rregullisht që të praktikojmë gjërat që mësojmë, përmirësojmë aftësitë tona.​—Luka 6:40; 1 Tim. 4:13-15.

4 Jehovai është Mësuesi ynë i Madh. Nëpërmjet pjesës së dukshme të organizatës së vet, ai u jep drejtim shërbëtorëve të tij në tokë se si të përmbushin përgjegjësinë për të predikuar. (Isa. 30:20, 21) Për këtë qëllim, në çdo kongregacion mbahet javë për javë Shkolla e Shërbimit Teokratik. Kjo shkollë është përgatitur për t’i ndihmuar pjesëmarrësit që të bëhen lajmëtarë të efektshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Teksti kryesor i kësaj shkolle është Bibla. Fjala e frymëzuar e Jehovait na thotë se çfarë t’u mësojmë njerëzve. Për më tepër, tregon se cilat metoda të mësimdhënies janë të efektshme e të përshtatshme. Shkolla e Shërbimit Teokratik na kujton vazhdimisht se do të bëhemi mësues më të aftë nëse e bazojmë mësimdhënien te Fjala e Perëndisë, bëjmë pyetje me mjeshtëri, mësojmë thjesht dhe tregojmë interes të sinqertë për të tjerët. Le të shqyrtojmë një më një secilën pikë. Më pas do të shohim se si t’ia prekim zemrën studentit.

Ta bazojmë mësimdhënien te Fjala e Perëndisë

5. Cila duhet të jetë baza e mësimdhënies sonë dhe pse?

5 Jezui, mësuesi më i madh që ka ekzistuar në tokë, e bazonte mësimdhënien te Shkrimet. (Mat. 21:13; Gjoni 6:45; 8:17) Ai nuk fliste nga vetja, por në emër të Atij që e dërgoi. (Gjoni 7:16-18) Ky është shembulli që ndjekim. Prandaj, kur flasim shtëpi më shtëpi ose te studimet biblike, duhet të përdorim Fjalën e Perëndisë si autoritet. (2 Tim. 3:16, 17) Sado arsyetime të mençura të bëjmë, ato nuk mund të jenë kurrë kaq të efektshme dhe të fuqishme sa Shkrimet e frymëzuara. Bibla ka autoritet. Për çfarëdolloj pike që po e ndihmojmë një student ta kuptojë, metoda më e mirë është t’i themi të lexojë se ç’thonë Shkrimet për atë pikë.​—Lexo Hebrenjve 4:12.

6. Si mund të sigurohet një mësues që studenti të kuptojë materialin që po shqyrtohet?

6 Natyrisht kjo s’do të thotë se një mësues i krishterë nuk duhet të përgatitet për studimin biblik që drejton. Përkundrazi, duhet të mendojë me kujdes që të vendosë cilat shkrime të cituara do të lexojë ai ose studenti gjatë studimit. Në përgjithësi është mirë të lexohen ato shkrime që mbështetin bindjet tona. Gjithashtu studenti duhet ndihmuar të kapë kuptimin e çdo shkrimi që lexon.​—1 Kor. 14:8, 9.

Të bëjmë pyetje me mjeshtëri

7. Pse pyetjet janë një metodë mësimdhënieje e mirë?

7 Pyetjet që bëhen me mjeshtëri, e nxitin studentin të mendojë dhe e ndihmojnë mësuesin t’i prekë zemrën atij. Prandaj, në vend që t’ia shpjegosh studentit shkrimet, kërkoji atij që t’i shpjegojë. Disa herë, që studenti të arrijë t’i kuptojë drejt gjërat, mund të nevojitet një ose edhe disa pyetje shtesë. Kur e përfshin studentin në këtë mënyrë, në të vërtetë nuk po e ndihmon vetëm të kuptojë arsyet pse arrihet në një përfundim të caktuar, por edhe të bindet për këtë.​—Mat. 17:24-26; Luka 10:36, 37.

8. Si mund të dallojmë çfarë ka në zemër një student i Biblës?

8 Në botimet tona përdoret metoda me pyetje e përgjigje. Pa dyshim, shumica e njerëzve me të cilët studion Biblën mund t’u përgjigjet shpejt pyetjeve të shkruara në botim, duke u bazuar te paragrafët përkatës. Megjithatë, një mësues mendjemprehtë nuk do të mjaftohet me përgjigjet e sakta. Për shembull, një student mund të jetë i aftë ta shpjegojë drejt atë që thotë Bibla për kurvërinë. (1 Kor. 6:18) Por, kur me takt e pyesim që të kuptojmë pikëpamjen e studentit, mund të zbulojmë ç’mendon në të vërtetë për atë që po mëson. Kështu, mësuesi mund të pyesë: «Pse i dënon Bibla marrëdhëniet seksuale jashtë martesës? Çfarë mendon për këtë kufizim nga Perëndia? A mendon se kemi ndonjë dobi po të jetojmë sipas normave morale të Perëndisë?» Përgjigjet mund të zbulojnë se çfarë ka në zemër studenti.​—Lexo Mateun 16:13-17.

Të mësojmë thjesht

9. Çfarë duhet të kemi parasysh kur i përcjellim një studenti informacione biblike?

9 Shumica e të vërtetave të fjalës së Perëndisë janë relativisht të thjeshta. Gjithsesi, disa me të cilët studiojmë Biblën mund të jenë të pështjelluar nga doktrinat e fesë së rreme. Roli ynë si mësues është t’ua bëjmë të lehtë të kuptojnë Biblën. Mësuesit e efektshëm i përcjellin informacionet thjesht, qartë dhe saktë. Nëse ndjekim këtë udhëzim, nuk do ta ndërlikojmë më kot të vërtetën. Të shmangim hollësi të panevojshme. S’ka nevojë të diskutojmë për çdo aspekt të shkrimeve që lexojmë. Përkundrazi, të përqendrohemi vetëm tek ato gjëra që janë thelbësore për të sqaruar pikën që po shqyrtojmë. Ndërsa kuptueshmëria e studentit rritet, ai do të kuptojë edhe të vërteta biblike më të thella.​—Hebr. 5:13, 14.

10. Cilat gjëra e përcaktojnë se sa material duhet të trajtojmë gjatë një studimi biblik?

10 Sa material duhet të trajtojmë çdo herë që bëjmë studimin? Për këtë kërkohet aftësi dalluese. Aftësitë dhe rrethanat e studentit dhe të mësuesit ndryshojnë, por gjithmonë duhet të kemi parasysh se synimi ynë si mësues është që ta ndihmojmë studentin të ndërtojë një besim të fortë. Prandaj t’i lëmë kohë të mjaftueshme që të lexojë, të kuptojë dhe të pranojë të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Të mos trajtojmë më shumë material se sa mund të kuptojë, megjithatë, të mos ngecim me studimin. Kur studenti e ka të qartë një pikë, të kalojmë te një pikë tjetër.​—Kolos. 2:6, 7.

11. Ç’mësim nxjerrim nga apostulli Pavël në lidhje me mësimdhënien?

11 Apostulli Pavël e shpjegonte lajmin e mirë me një gjuhë të thjeshtë kur fliste me njerëzit që nuk e njihnin të vërtetën. Megjithëse ishte shumë i arsimuar, nuk përdorte fjalë të mëdha. (Lexo 1 Korintasve 2:1, 2.) Thjeshtësia e së vërtetës biblike i tërheq dhe i kënaq njerëzit e sinqertë. Askush s’ka nevojë të jetë intelektual që ta kuptojë të vërtetën.​—Mat. 11:25; Vep. 4:13; 1 Kor. 1:26, 27.

T’i ndihmojmë studentët të çmojnë atë që mësojnë

12, 13. Çfarë mund ta shtyjë një student të zbatojë atë që po mëson? Ilustrojeni.

12 Që mësimdhënia jonë të jetë e efektshme, duhet t’ia prekë zemrën studentit. Ai duhet të kuptojë se si zbatohet informacioni për të, ç’dobi i sjell dhe si do t’i përmirësohej jeta po të zbatonte udhëzimet nga Shkrimet.​—Isa. 48:17, 18.

13 Për shembull, ndoshta po shqyrtojmë Hebrenjve 10:24, 25 që i nxit të krishterët të mblidhen për t’u inkurajuar dhe për të treguar dashuri ndaj njëri-tjetrit. Nëse studenti nuk po i ndjek ende mbledhjet, mund t’i përshkruajmë shkurtimisht se si zhvillohen dhe çfarë trajtohet aty. Mund t’i themi se mbledhjet e kongregacionit janë pjesë e adhurimit tonë dhe t’i tregojmë se na sjellin dobi personalisht. Pastaj mund ta ftojmë studentin që të ndjekë mbledhjet. Motivi pse duhet të zbatojë urdhërimet biblike duhet të jetë dëshira për t’iu bindur Jehovait, e jo për hatër të personit me të cilin po bën studimin.​—Gal. 6:4, 5.

14, 15. (a) Çfarë mund të mësojë një student i Biblës për Jehovain? (b) Si mund t’i sjellë dobi studentit të Biblës njohuria për personalitetin e Perëndisë?

14 Një dobi thelbësore që nxjerrin studentët kur studiojnë Biblën dhe zbatojnë parimet e saj, është se arrijnë të njohin e të çmojmë Jehovain si person. (Isa. 42:8) Jo vetëm që është një Atë i dashur dhe Krijuesi e Zotëria i universit, por edhe ua zbulon personalitetin dhe aftësitë e veta atyre që e duan dhe i shërbejnë. (Lexo Daljen 34:6, 7) Para se Moisiu të udhëhiqte kombin e Izraelit jashtë Egjiptit, Jehovai e identifikoi veten me shprehjen: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Dal. 3:13-15) Kjo nënkuptonte se Jehovai do të bëhej gjithçka që ishte e nevojshme sipas tij, për të përmbushur qëllimet që kishte për popullin e vet të zgjedhur. Si rrjedhim, izraelitët arritën të njihnin Jehovain në rolet e Shpëtimtarit, të Luftëtarit, të Atij që u kujdes për ta, që i mbajti premtimet, si edhe në role të tjera.​—Dal. 15:2, 3; 16:2-5; Jos. 23:14.

15 Studentët tanë mund të mos përjetojnë ndihmën e Jehovait në jetën e tyre në atë mënyrë të mrekullueshme siç e përjetoi Moisiu. Sidoqoftë, teksa rritet besimi e çmueshmëria e studentëve për gjërat që mësojnë, dhe ata fillojnë t’i zbatojnë, pa dyshim kuptojnë se kanë nevojë të mbështeten te Jehovai për guxim, mençuri dhe drejtim. Në këtë mënyrë edhe ata do të arrijnë ta njohin Jehovain në rolet e një Këshilluesi të mençur e të besueshëm dhe të Atij që i mbron e kujdeset me bujari për të gjitha nevojat e tyre.​—Psal. 55:22; 63:7; Prov. 3:5, 6.

Të tregojmë interes të dashur

16. Pse aftësitë e natyrshme në mësimdhënie nuk përbëjnë faktorin më të rëndësishëm për të qenë mësues të efektshëm?

16 Në qoftë se mendon se nuk je aq i aftë në mësimdhënie sa do të dëshiroje, merr zemër. Jehovai dhe Jezui po mbikëqyrin programin e arsimimit që po kryhet në mbarë botën. (Vep. 1:7, 8; Zbul. 14:6) Ata mund t’i bekojnë përpjekjet tona në atë mënyrë që fjalët që themi të ndikojnë për mirë te një individ me zemër të drejtë. (Gjoni 6:44) Dashuria e sinqertë e mësuesit për studentin e Biblës mund të mbushë çdo mangësi në aftësitë e natyrshme në mësimdhënie. Apostulli Pavël ishte i vetëdijshëm se sa rëndësi ka t’i duam njerëzit që u mësojmë të vërtetën.​—Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.

17. Si mund të tregojmë interes të sinqertë për çdo student të Biblës?

17 Po njësoj, edhe ne mund të tregojmë interes të sinqertë për çdo student të Biblës, duke gjetur kohë për ta njohur. Ndërsa studiojmë parimet biblike me të, ka mundësi të njohim rrethanat e tij. Mund të vërejmë se ai tashmë jeton në përputhje me disa gjëra që ka mësuar nga Bibla. Në aspekte të tjera mund të ketë ende nevojë të përmirësojë. Duke e ndihmuar studentin të kuptojë se si zbatohet ajo që është trajtuar gjatë studimit, do t’i japim me dashuri ndihmën e duhur që të bëhet një dishepull i vërtetë i Krishtit.

18. Pse duhet të lutemi me studentin dhe ta përmendim gjatë lutjes?

18 Gjëja më e rëndësishme është që të lutemi me studentin dhe ta përmendim gjatë lutjes. Ai duhet ta ketë të qartë se duam ta ndihmojmë që të njohë më nga afër Krijuesin, t’i afrohet Atij dhe të nxjerrë dobi nga drejtimi i Tij. (Lexo Psalmin 25:4, 5.) Kur i lutemi Jehovait të bekojë përpjekjet e studentit për të zbatuar atë që mëson, studenti do të kuptojë rëndësinë që të bëhet ‘zbatues i fjalës’. (Jak. 1:22) Gjithashtu, kur studenti dëgjon lutjet tona të sinqerta, edhe ai do të mësojë si të lutet. Ç’gëzim provojmë kur i ndihmojmë studentët e Biblës të zhvillojnë një marrëdhënie personale me Jehovain!

19. Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

19 Inkurajohemi kur shohim që më tepër se gjashtë milionë e gjysmë Dëshmitarë në mbarë botën po zhvillojnë me zell ‘artin e mësimdhënies’. Synimi i tyre është t’i ndihmojnë njerëzit e sinqertë të zbatojnë të gjitha gjërat që urdhëroi Jezui. Çfarë rezultatesh po arrihen nga vepra jonë e predikimit? Në artikullin vijues do të trajtohet përgjigjja e kësaj pyetjeje.

A ju kujtohet?

• Pse të krishterët duhet të zhvillojnë ‘artin e mësimdhënies’?

• Cilat metoda mund ta bëjnë mësimdhënien tonë më të efektshme?

• Ç’gjë mund të mbushë çdo mangësi në aftësitë e natyrshme në mësimdhënie?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

A je regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik?

[Figura në faqen 10]

Pse është e rëndësishme ta ftosh studentin të lexojë drejtpërdrejt në Bibël?

[Figura në faqen 12]

Lutu me studentin dhe përmende gjatë lutjes