Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Quhen të denjë për Mbretërinë e Perëndisë

Quhen të denjë për Mbretërinë e Perëndisë

Quhen të denjë për Mbretërinë e Perëndisë

«Kjo është provë e gjykimit të drejtë të Perëndisë, dhe kjo bën të quheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë.»​—2 SEL. 1:5.

1, 2. Ç’gjykim ka si qëllim të sjellë Perëndia dhe kush do ta bëjë atë?

RRETH vitit 50 të erës sonë, apostulli Pavël ishte në Athinë. I acaruar nga idhujtaria tejet e përhapur që pa, u nxit të jepte një dëshmi të shkëlqyer. Pika kulmore e fjalimit të tij ishte një deklaratë që duhet t’u ketë tërhequr vëmendjen dëgjuesve paganë. Ai tha: «Tani [Perëndia] po i thotë njerëzisë që të pendohen të gjithë kudo qofshin. Sepse ai ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar, dhe u dha garanci të gjithëve, duke e ringjallur atë nga të vdekurit.»​—Vep. 17:30, 31.

2 Të mendojmë pak: Perëndia ka caktuar një ditë të ardhme gjykimi për njerëzimin! Në fjalimin që mbajti në Athinë, Pavli nuk e përmendi atë që do të bëjë gjykimin, por ne e dimë se është Jezu Krishti i ringjallur. Gjykimi i Jezuit do të nënkuptojë jetë ose vdekje.

3. Pse Jehovai bëri një besëlidhje me Abrahamin dhe cila luan një rol të veçantë në përmbushjen e saj?

3 Ajo Ditë Gjykimi do të zgjatë 1.000 vjet. Atë ditë Jezui do të ushtrojë autoritetin në emër të Jehovait si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, por nuk do të jetë vetëm. Jehovai vendosi të zgjedhë të tjerë nga njerëzimi që të mbretërojnë me Jezuin dhe të gjykojnë gjatë ditës mijëvjeçare. (Krahaso Lukën 22:29, 30.) Pothuajse 4.000 vjet më parë, Jehovai hodhi themelin për atë Ditë Gjykimi kur bëri një besëlidhje me shërbëtorin e tij besnik, Abrahamin. (Lexo Zanafillën 22:17, 18.) Me sa duket, besëlidhja hyri në fuqi në vitin 1943 p.e.s. Natyrisht, Abrahami nuk mundi të kuptonte plotësisht se ç’do të thoshte ajo për njerëzimin. Megjithatë, ne sot mund të kuptojmë se në bazë të besëlidhjes, fara e Abrahamit luan një rol të veçantë në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë për të gjykuar njerëzimin.

4, 5. (a) Kush është pjesa kryesore e farës së Abrahamit dhe çfarë tha për Mbretërinë? (b) Kur iu dha plotësisht shpresa besnikëve që të bënin pjesë në Mbretërinë e Perëndisë?

Pjesa kryesore e farës së Abrahamit doli se ishte Jezui, që në vitin 29 të e.s. u miros me frymë të shenjtë dhe u bë Mesia i premtuar ose Krishti. (Gal. 3:16) Për tre vjet e gjysmë ai i predikoi kombit jude lajmin e mirë për Mbretërinë. Pas arrestimit të Gjon Pagëzorit, Jezui zbuloi se të tjerë mund të shpresonin të bënin pjesë në atë Mbretëri, kur tha: «Që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani, mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit nxitojnë me ngulm, dhe ata që nxitojnë përpara, po e kapin.»​—Mat. 11:12.

5 Është interesante që para se të fliste për ata që ‘do të kapnin’ Mbretërinë e qiejve, Jezui tha: «Ja ku po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.» (Mat. 11:11) Pse u shpreh kështu Jezui? Sepse besnikëve nuk iu dha plotësisht shpresa që të bënin pjesë në Mbretërinë e Perëndisë, derisa u derdh fryma e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Në këtë kohë Gjon Pagëzori kishte vdekur.​—Vep. 2:1-4.

Fara e Abrahamit shpallet e drejtë

6, 7. (a) Në ç’mënyrë fara e Abrahamit do të bëhej «si yjet e qiellit»? (b) Ç’bekim mori Abrahami dhe si bekohet në mënyrë të ngjashme edhe fara e tij?

6 Abrahamit iu tha se fara e tij do të shumohej dhe do të bëhej «si yjet e qiellit» dhe si kokrrizat e rërës në breg të detit. (Zan. 13:16; 22:17) Me fjalë të tjera, në kohën e Abrahamit ishte e pamundur që njerëzit të dinin se nga sa veta do të përbëhej kjo farë. Por, së fundi u tregua numri i saktë i pjesëtarëve të farës së tij frymore. Përveç Jezuit, do të ishin edhe 144.000 veta.​—Zbul. 7:4; 14:1.

7 Për besimin e Abrahamit Fjala e Perëndisë thotë: «[Abrahami] tregoi besim te Jehovai, prandaj ky ia llogariti si drejtësi.» (Zan. 15:5, 6) Patjetër, asnjë njeri nuk është i drejtë në kuptimin absolut të fjalës. (Jak. 3:2) Megjithatë, Jehovai u soll me Abrahamin sikur ky të ishte i drejtë e madje e quajti mikun e Tij, falë besimit të jashtëzakonshëm që tregoi. (Isa. 41:8) Edhe ata që bashkë me Jezuin përbëjnë farën frymore të Abrahamit, janë shpallur të drejtë. Falë kësaj marrin bekime edhe më të mëdha sesa mori Abrahami.

8. Ç’bekime mund të marrin pjesëtarët e farës së Abrahamit?

8 Të krishterët e mirosur shpallen të drejtë, sepse kanë treguar besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. (Rom. 3:24, 28) Në sytë e Jehovait ata janë shfajësuar nga mëkati dhe mund të mirosen me frymë të shenjtë që të jenë bij frymorë të Perëndisë, vëllezër të Jezu Krishtit. (Gjoni 1:12, 13) Ata hyjnë në një besëlidhje të re dhe formojnë një komb të ri, «Izraelin e Perëndisë». (Gal. 6:16; Luka 22:20) Ç’privilegje të shkëlqyera janë të gjitha këto! Ngaqë Perëndia ka bërë këto gjëra për ta, të krishterët e mirosur nuk shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Ata e sakrifikojnë këtë mundësi për gëzimin e papërshkrueshëm që të jenë me Jezuin gjatë Ditës së Gjykimit dhe të sundojnë me të në qiell.​—Lexo Romakëve 8:17.

9, 10. (a) Kur u mirosën për herë të parë të krishterët me frymën e shenjtë dhe çfarë i priste? (b) Ç’ndihmë iu dha të krishterëve të mirosur?

9 Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., një grupi njerëzish besnikë iu dha mundësia të ishin midis atyre që do të sundonin me Jezuin gjatë Ditës së Gjykimit. Rreth 120 dishepuj të Jezuit u pagëzuan me frymë të shenjtë duke u bërë kështu të krishterët e parë të mirosur. Sidoqoftë, ky ishte vetëm fillimi për ta. Që nga ajo kohë e tutje ata duhej të tregonin besnikërinë ndaj Jehovait me gjithë sprovat që do t’u shkaktonte Satanai. Që të merrnin kurorën e jetës qiellore, duhej të qëndronin besnikë deri në vdekje.​—Zbul. 2:10.

10 Prandaj Jehovai u dha të krishterëve të mirosur nxitjen dhe inkurajimin e duhur nëpërmjet Fjalës së tij dhe kongregacionit të krishterë. Për shembull, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të mirosur në Selanik: «Ashtu siç bën ati me fëmijët e tij, ne vazhdimisht nxitëm secilin prej jush, ju ngushëlluam e ju dhamë dëshmi, që të vazhdoni të ecni denjësisht për Perëndinë, i cili po ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij.»​—1 Sel. 2:11, 12.

11. Çfarë pa të udhës Jehovai të shkruhej për pjesëtarët e ‘Izraelit të Perëndisë’?

11 Gjatë dekadave pas zgjedhjes së pjesëtarëve të parë të kongregacionit të mirosur, Jehovai e pa të udhës të hidheshin me shkrim hollësitë e shërbimit të Jezuit në tokë. Gjithashtu, u dokumentuan edhe marrëdhënia e Tij me të krishterët e mirosur të shekullit të parë dhe këshillat që u dha atyre. Në këtë mënyrë Shkrimeve të frymëzuara Hebraike, që tashmë ekzistonin, Jehovai u shtoi Shkrimet e Krishtere Greke. Shkrimet Hebraike u shkruan në radhë të parë për kombin natyror të Izraelit kur gëzonte një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë. Shkrimet e Krishtere Greke u shkruan kryesisht për «Izraelin e Perëndisë», ata që ishin mirosur si vëllezër të Krishtit dhe bij frymor të Perëndisë. Sigurisht, kjo nuk do të thoshte aspak se joizraelitët nuk mund të nxirrnin dobi duke studiuar Shkrimet Hebraike. Po kështu, të krishterët që nuk janë mirosur me frymën e shenjtë, nxjerrin dobi të pafund duke studiuar Shkrimet e Krishtere Greke dhe duke jetuar sipas këshillave që gjenden në to.​—Lexo 2 Timoteut 3:15-17.

12. Çfarë u kujtoi Pavli të krishterëve të mirosur?

12 Të krishterët e shekullit të parë u shpallën të drejtë dhe u mirosën me frymën e shenjtë, që t’u jepej mundësia të merrnin trashëgiminë qiellore. Fakti që u mirosën, nuk i bëri mbretër mbi të bashkëkrishterët e tjerë të mirosur ndërsa ishin ende në tokë. Me sa duket, disa të krishterëve të hershëm i humbi nga sytë kjo dhe në mënyrë të papërshtatshme donin të spikatnin mes vëllezërve në kongregacion. Për pasojë Pavli u shty të thoshte: «Tashmë jeni të ngopur, apo jo? Tashmë jeni të pasur, apo jo? Keni filluar të mbretëroni pa ne, apo s’është kështu? Do të desha të kishit filluar të mbretëronit, që edhe ne të mbretëronim me ju.» (1 Kor. 4:8) Prandaj Pavli u kujtoi të mirosurve të kohës së tij: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por se jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj.»​—2 Kor. 1:24.

Plotësimi i numrit të parathënë

13. Si vazhdoi zgjedhja e të mirosurve pas vitit 33 të e.s.?

13 144.000 të krishterët e mirosur nuk u zgjodhën të gjithë në shekullin e parë. Zgjedhja e tyre vazhdoi gjatë kohës së apostujve dhe me sa duket u ngadalësua më vonë. Megjithatë, ajo vazhdoi gjatë shekujve vijues deri në kohët tona. (Mat. 28:20) Së fundi, pasi Jezui nisi të mbretëronte në vitin 1914, gjërat ecën para me shpejtësi.

14, 15. Çfarë ka ndodhur në kohën tonë për sa i përket thirrjes së të mirosurve?

14 Në fillim Jezui pastroi qiejt nga çdo gjurmë kundërshtimi ndaj sundimit të Perëndisë. (Zbulesa 12:10, 12) Më pas u përqendrua te mbledhja e pjesëtarëve të tjerë të mundshëm të Mbretërisë së tij, që të plotësonte numrin 144.000. Në mes të viteve 30 të shekullit të 20-të, mbledhja e tyre me sa duket ishte pranë përfundimit dhe shumë nga ata që i përgjigjeshin veprës së predikimit, nuk provonin dëshirën të shkonin në qiell. Fryma nuk po jepte dëshmi se ishin bij të Perëndisë. (Krahaso Romakëve 8:16.) Përkundrazi, ata e shihnin veten mes ‘deleve të tjera’ që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. (Gjoni 10:16) Kështu, pas vitit 1935 vepra e predikimit u përqendrua te mbledhja e ‘shumicës së madhe’, pra, tek ata që pa në vegim apostulli Gjon e që do të mbijetojnë gjatë ‘shtrëngimit të madh’.​—Zbul. 7:9, 10, 14.

15 Mirëpo, pas viteve 30 të shekullit të 20-të, disa individë janë thirrur për shpresën qiellore. Pse? Në disa raste, mund të kenë zëvendësuar individët e thirrur më parë, por që nuk mbetën besnikë. (Krahaso Zbulesën 3:16.) Madje, Pavli foli për të njohur të tij që e kishin lënë të vërtetën. (Filip. 3:17-19) Cilët do të thërriste Jehovai si zëvendësues? Patjetër, këtë e vendos ai. Megjithatë, duket e arsyeshme se nuk do të thërriste ata që sapo ishin kthyer në besim. Përkundrazi, do të thërriste individë që tashmë e kishin provuar besnikërinë e tyre deri në njëfarë mase, ashtu si dishepujt të cilëve u foli Jezui kur themeloi kremtimin e Përkujtimit. *​—Luka 22:28.

16. Për çfarë i jemi mirënjohës Jehovait në lidhje me të mirosurit dhe për çfarë mund të kemi besim?

16 Megjithatë, ata që janë thirrur për shpresën qiellore që pas viteve 30 të shekullit të 20-të, duket se nuk janë të gjithë zëvendësues të individëve që janë larguar nga e vërteta. Me sa duket, Jehovai ka dashur që midis nesh të ketë të krishterë të mirosur gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi derisa të shkatërrohet «Babilonia e Madhe». * (Zbul. 17:5) E mund të jemi të sigurt se numri 144.000 do të plotësohet në kohën e caktuar nga Jehovai dhe se së fundi të gjithë do të zënë vendin e tyre në Mbretëri. Gjithashtu, mund të kemi besim te Fjala profetike se shumica e madhe gjithnjë në rritje, do të vazhdojë të tregohet besnike si grup. Së shpejti ajo ‘do të dalë nga shtrëngimi i madh’ që do të vijë mbi botën e Satanait dhe me gëzim do të hyjë në botën e re të Perëndisë.

Qeveria qiellore e Perëndisë pothuajse është plotësuar!

17. Çfarë ka ndodhur me të krishterët e mirosur që kanë vdekur besnikë, sipas 1 Selanikasve 4:15-17 dhe Zbulesës 6:9-11?

17 Që nga vitit 33 i e.s., dhjetëra mijë të krishterë të mirosur kanë treguar besim të fortë dhe kanë qëndruar besnikë deri në vdekje. Këta tashmë janë quajtur të denjë për Mbretërinë dhe—me sa duket, duke filluar që nga vitet e para të pranisë së Krishtit—kanë marrë shpërblimin qiellor.​—Lexo 1 Selanikasve 4:15-17 dhe Zbulesën 6:9-11.

18. (a) Për çfarë janë plotësisht të sigurt të mirosurit që janë ende në tokë? (b) Ç’mendojnë delet e tjera për vëllezërit e tyre të mirosur?

18 Të mirosurit që ndodhen ende në tokë, janë plotësisht të sigurt që, nëse mbeten besnikë, shumë shpejt do të marrin shpërblimin e tyre qiellor. Miliona dele të tjera, kur mendojnë për besimin e vëllezërve të tyre të mirosur, janë në një mendje me apostullin Pavël që tha për të mirosurit në Selanik: «Ne ndihemi krenarë për ju nëpër kongregacionet e Perëndisë, falë qëndrueshmërisë dhe besimit tuaj në të gjitha përndjekjet dhe shtrëngimet që po duroni. Kjo është provë e gjykimit të drejtë të Perëndisë, dhe kjo bën të quheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, për të cilën edhe vuani.» (2 Sel. 1:3-5) Kur të vdesë i mirosuri i fundit në tokë, kurdo që të ndodhë, atëherë do të jetë plotësuar qeveria qiellore e Perëndisë. Ç’gëzim që do të sjellë kjo—në qiell e në tokë!

[Shënimet]

^ par. 15 Shih Kullën e Rojës, 15 shkurt 1998, faqja 20, paragrafi 10.

^ par. 16 Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës, 1 maj 2007.

A mund të shpjegoni?

• Çfarë i zbuloi Perëndia Abrahamit që kishte lidhje me Ditën e Gjykimit?

• Pse u shpall i drejtë Abrahami?

• Ç’mundësi u jepet pjesëtarëve të farës së Abrahamit nga fakti që shpallen të drejtë?

• Për çfarë janë të sigurt të gjithë të krishterët?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 20]

Jezui i inkurajoi dishepujt të synonin Mbretërinë

[Figura në faqen 21]

Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai nisi të zgjidhte pjesëtarët dytësorë të farës së Abrahamit

[Figurat në faqen 23]

Delet e tjera janë mirënjohëse që të krishterët e mirosur janë me to gjatë ditëve të fundit