Të izoluar por jo të harruar
Të izoluar por jo të harruar
APOSTULLI Pavël i këshilloi të bashkëkrishterët: «Le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Gal. 6:10) Edhe sot e ndjekim këtë këshillë të frymëzuar dhe kërkojmë mënyra që t’u bëjmë mirë bashkëbesimtarëve. Ndër ata që kanë nevojë e meritojnë dashurinë dhe interesimin e kongregacionit të krishterë, janë vëllezërit dhe motrat tona të dashura të moshuara që jetojnë në azile a në qendra për të sëmurë kronikë.
Vërtet, në disa vende është zakon që familjarët t’i mbajnë në shtëpi prindërit e moshuar e të kujdesen për ta. Megjithatë, në vende të tjera, shumë të moshuar shpesh banojnë në azile dhe varen nga kujdesi që u jepet atje. Ç’të themi për ata të moshuar që jetojnë në azile dhe janë pjesë e kongregacionit të krishterë? Çfarë vështirësish hasin? Si mund t’ia dalin nëse nuk kanë përkrahjen e familjarëve? Si mund t’i ndihmojë kongregacioni? Si nxjerrim dobi ne vetë kur i vizitojmë rregullisht?
Vështirësitë e jetës në azil
Kur të krishterët e moshuar shkojnë në ndonjë azil, mund të gjenden në territorin e një kongregacioni që nuk e njohin. Si pasojë, Dëshmitarëve të asaj zone mbase nuk u shkon mendja ta vizitojnë shpesh. Për më
tepër, në azil, kanë rreth e qark njerëz me bindje fetare të ndryshme. Kjo mund t’i vërë bashkëbesimtarët e moshuar në një situatë të vështirë.Për shembull, në disa vende, azilet marrin masa që aty të bëhen shërbesa fetare. Një ndihmësinfermier tha: «Disa Dëshmitarë të moshuar që nuk janë në gjendje të komunikojnë qartë, i kanë çuar me karrige invalidësh në shërbesa kishtare, pa i pyetur.» Gjithashtu, personeli i azileve shpesh i përdor ditëlindjet a festat e tjera si raste për të thyer monotoninë. Veç kësaj, disa Dëshmitarëve në azile u kanë çuar ushqime që ndërgjegjja nuk ua lejonte t’i hanin. (Vep. 15:29) Nëse i vizitojmë rregullisht vëllezërit dhe motrat e moshuara, do t’i ndihmojmë të përballojnë këto vështirësi.
Ndihmë nga kongregacioni
Të krishterët e hershëm ishin gati ta plotësonin përgjegjësinë ndaj të moshuarve që s’kishin familje që të kujdesej për ta. (1 Tim. 5:9) Edhe sot mbikëqyrësit e krishterë janë gati të marrin masa, që të moshuarit në azilet e zonës së tyre të mos lihen pas dore. * Roberti, një plak, thotë: «Do të ishte mirë që mbikëqyrësit e krishterë t’i takojnë vetë të moshuarit për të parë kushtet ku jetojnë dhe të luten me ta. Kongregacioni mund të ndihmojë shumë për të plotësuar nevojat e tyre.» Po të rezervojmë kohë që të vizitojmë të moshuarit, tregojmë se e kuptojmë sa e rëndësishme është në sytë e Jehovait që të kujdesemi për nevojtarët.—Jak. 1:27.
Kur është e nevojshme, pleqtë janë të gatshëm të marrin masa për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve dhe motrave në azilet e zonës së tyre. Roberti nxjerr në pah një nga nevojat e tyre: «Duhet t’i inkurajojmë vëllezërit dhe motrat e moshuara që, nëse janë në gjendje, të vijnë në mbledhjet e krishtere.» Megjithatë, për ata që nuk shkojnë dot në Sallën e Mbretërisë, pleqtë mund të marrin masa të tjera. Zhaklina, që është nga mesi i të 80-ave dhe vuan nga osteoartriti, i dëgjon mbledhjet me telefon. Ajo thotë: «Më bën shumë mirë t’i dëgjoj mbledhjet pikërisht në kohën që po mbahen. Nuk do t’i humbja sikur ç’të bëhej!»
Nëse një i krishterë i moshuar nuk është në gjendje t’i dëgjojë mbledhjet nëpërmjet telefonit, pleqtë mund të organizohen që mbledhjet t’i incizojnë. Kush ia çon këto incizime vëllait a motrës në azil, mund të bëjë edhe një bisedë inkurajuese me të. «Kur u tregojmë si po shkojnë pjesëtarët e kongregacionit, vëllezërit dhe motrat e moshuara ndiejnë se janë ende pjesë e familjes sonë frymore»,—thotë një mbikëqyrës.
Vazhdoni të komunikoni
Kuptohet se shumë të moshuar stresohen dhe çorientohen kur shkojnë në azil. Si rrjedhim, disa mbyllen në vetvete. Gjithsesi, po t’i vizitojmë menjëherë pas transferimit dhe t’ua shprehim se do të na kenë gjithmonë krah, do t’i ndihmojmë shumë të fitojnë sërish paqe të brendshme dhe gëzim.—Prov. 17:22.
Nëse vëllezërit dhe motrat e moshuara s’janë dhe aq të kthjellët, mezi dëgjojnë ose kanë probleme të tjera që ua vështirësojnë komunikimin, disa mund të mendojnë se është e kotë t’u shkosh. Sidoqoftë, përpjekjet tona për t’i vizituar, sado i vështirë qoftë komunikimi, tregojnë se vazhdojmë ‘të jemi të parët për t’u treguar nderim’ bashkëbesimtarëve. (Rom. 12:10) Në rast se një vëlla i moshuar po fillon të humbë kujtesën afatshkurtër, mund ta nxitim të na thotë përvoja më të hershme, ndoshta nga fëmijëria, ose të na tregojë si e mori të vërtetën biblike. Ç’mund të bëjmë nëse ai mezi i gjen fjalët? Ta dëgjojmë me durim e, po të jetë e përshtatshme, të përmendim dy a tri fjalë që s’po i gjen dot ose ta përmbledhim çka na tha dhe ta nxitim të vazhdojë. Po të jetë i pështjelluar ose ka problem me të folurit dhe mezi kuptohet, mund të përpiqemi ta kapim atë që do të thotë duke ia dëgjuar me kujdes tonin e zërit.
Nëse nuk është më e mundur të komunikojmë me fjalë, mund të përdoret ndonjë metodë tjetër. Lorenca, një pioniere, shkon rregullisht te Madalena, një motër 80-vjeçare që nuk flet dot. Lorenca shpjegon si komunikojnë: «I mbaj dorën Madalenës ndërsa lutemi bashkë. Ajo ma shtrëngon lehtas dhe pulit sytë për të treguar sa i çmon këto çaste të ngrohta.» Një kapje dore ose një përqafim i dashur mund t’u japë shumë zemër.
Vizitat tuaja kanë vlerë
Vizitat e rregullta te të moshuarit mund të ndikojnë te kujdesi që u tregohet në azil. Daniela, që ka rreth 20 vjet që i viziton Dëshmitarët në azile, thotë: «Kur personeli i azilit vëren se dikë e vizitojnë rregullisht, tregon më shumë kujdes për të.» Roberti, që përmendëm më sipër, thotë: «Personeli i azilit është më i gatshëm të dëgjojë një njeri që vjen rregullisht për vizitë. Ata mund të mos tregojnë po aq respekt për një vizitor të rastit.» Meqë shpesh infermieret kanë të bëjnë me familjarë që s’kënaqen kollaj, i çmojnë falënderimet. Për më tepër, po të krijojmë marrëdhënie të mira me personelin, ata mund të jenë më të prirur të respektojnë normat dhe bindjet e një Dëshmitari të moshuar që është në kujdesin e tyre.
Mund të ndërtojmë marrëdhënie të mira me personelin duke u treguar të gatshëm t’i ndihmojmë për disa punë të thjeshta. Në disa vende, numri i kufizuar i personelit të kualifikuar bën që të moshuarve të mos u tregohet aq kujdes sa duhet. Rebeka, një infermiere, sugjeron: «Në kohën e ngrënies është kulmi i punës. Pra, mund të jetë tamam koha për të vizituar një mik e për ta ndihmuar të hajë.» Nuk duhet të ngurrojmë të pyesim personelin si mund t’i ndihmojmë.
Kur shkojmë rregullisht në të njëjtin azil, do të kuptojmë për çfarë ka nevojë vëllai a motra dhe, me lejen e personelit, mund të marrim iniciativën t’i ndihmojmë. Për shembull, mund t’i krijojmë një ambient më të ngrohtë në dhomë, duke i vënë fotografi të njerëzve të dashur ose vizatime të bëra nga fëmijë. Duke pasur parasysh mirëqenien e të moshuarit, mund t’i çojmë një veshje të ngrohtë ose disa artikuj tualeti. Nëse azili ka një vend me gjelbërim, pse të mos e nxjerrim mikun tonë për pak ajër të freskët? Lorenca që përmendëm më sipër, thotë: «Madalena mezi i pret vizitat që i bëj çdo javë. Kur marr me vete fëmijë, fytyra i çelet menjëherë nga buzëqeshja dhe i ndrijnë sytë!» Kur marrim iniciativën për gjëra të tilla, kjo mund të ndikojë shumë tek ata që jetojnë në azil.—Prov. 3:27.
Dobi reciproke
Kur vizitojmë rregullisht një të moshuar mund të vihet në provë ‘çiltërsia e dashurisë sonë’. (2 Kor. 8:8) Në ç’mënyrë? Mund të jetë e dhembshme të shohim një mik që sa vjen e rëndohet. Lorenca pohon: «Në fillim, prekesha aq shumë kur e shihja Madalenën të ligësht, saqë qaja pas çdo vizite. Por mësova se lutjet e zjarrta mund të na ndihmojnë të kapërcejmë çdo frikë dhe të jemi më inkurajues.» Për vite me radhë, Roberti i ka bërë vizita Lerit, një vëllai që vuan nga sëmundja e Parkinsonit. Roberti thotë: «Leri është kaq i rënduar nga sëmundja, saqë nuk i kuptoj më asnjë fjalë. Por, kur lutemi bashkë, ende e ndiej besimin e tij.»
Kur i vizitojmë bashkëbesimtarët e moshuar, jo vetëm që ndihmojmë ata, por përfitojmë edhe vetë. Vendosmëria e tyre për të qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, edhe pse jetojnë me njerëz që kanë bindje të tjera, na mëson të kemi besim dhe të tregohemi të guximshëm. Etja e tyre për ushqimin frymor, pavarësisht nga problemet me dëgjimin dhe shikimin, tregon qartë se «njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait». (Mat. 4:4) Duke shijuar edhe gjërat e thjeshta, si buzëqeshjen e një fëmije ose një vakt së bashku, të moshuarit na kujtojnë të gjejmë kënaqësi në ato që kemi. Kur shohim sa për zemër e kanë miqësinë me Perëndinë, kjo na ndihmon të vëmë në radhë të parë gjërat më të rëndësishme.
Vërtet, tërë kongregacioni nxjerr dobi kur mbështet të moshuarit. Në ç’mënyrë? Ata që janë më të dobët fizikisht varen më shumë nga përzemërsia vëllazërore, dhe kështu i krijojnë mundësi kongregacionit të tregojë më tepër dhembshuri. Prandaj, të gjithë ne duhet ta shohim kujdesin për të moshuarit, qoftë edhe për periudha të gjata, si pjesë të shërbimit që i bëjmë njëri-tjetrit. (1 Pjet. 4:10, 11) Kur pleqtë marrin drejtimin për këtë çështje, i ndihmojnë pjesëtarët e kongregacionit të kuptojnë se ky aspekt i shërbimit të krishterë nuk duhet lënë kurrë pas dore. (Ezek. 34:15, 16) Duke i përkrahur me gatishmëri dhe dashuri bashkëbesimtarët e moshuar, i sigurojmë se nuk i kemi harruar.
[Shënimi]
^ par. 8 Sapo sekretari i kongregacionit merr vesh se një vëlla a motër ka shkuar në azilin e një zone tjetër, do të ishte e dobishme dhe e dashur të njoftonte menjëherë pleqtë e kongregacionit të asaj zone.
[Diçitura në faqen 28]
«Kur personeli i azilit vëren se dikë e vizitojnë rregullisht, tregon më shumë kujdes për të»
[Figura në faqen 26]
Lutjet e zjarrta mund ta ndihmojnë një Dëshmitar të moshuar të fitojë sërish paqe të brendshme
[Figura në faqen 26]
Shprehjet e ngrohta të përzemërsisë do t’i forcojnë bashkëbesimtarët e moshuar