Pika kryesore nga libri i Veprave
Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Veprave
LIBRI biblik i Veprave tregon historinë e plotë të themelimit të kongregacionit të krishterë dhe rritjen që pasoi. Ky libër që u shkrua nga mjeku Luka, përshkruan në mënyrë të gjallë aktivitetin e të krishterëve gjatë një periudhe 28-vjeçare, nga viti 33 i e.s. deri në vitin 61 të e.s.
Pjesa e parë e Veprave flet kryesisht për aktivitetin e apostullit Pjetër, ndërsa pjesa tjetër për aktivitetin e apostullit Pavël. Duke përdorur vetën e parë shumës, Luka tregon se ishte i pranishëm në disa nga ngjarjet që ndodhën. Teksa i kushtojmë vëmendje mesazhit të librit të Veprave, do të rritim çmueshmërinë për fuqinë e Fjalës së shkruar të Perëndisë dhe për frymën e tij të shenjtë. (Hebr. 4:12) Gjithashtu, do të motivohemi të jemi vetëmohues e të forcojmë besimin në shpresën e Mbretërisë.
PJETRI PËRDOR «ÇELËSAT E MBRETËRISË»
Pasi marrin frymën e shenjtë, apostujt japin një dëshmi të guximshme. Pjetri përdor të parin nga «çelësat e Mbretërisë së qiejve» për t’u hapur dyert e njohurisë dhe të mundësisë judenjve dhe prozelitëve që «përqafuan . . . fjalët e tij» për të hyrë në Mbretëri. (Mat. 16:19; Vep 2:5, 41) Dishepujt shpërndahen nga një valë përndjekjesh, por kjo çon në zgjerimin e veprës së predikimit.
Sapo dëgjojnë se fjala e Perëndisë është pranuar në Samari, apostujt që janë në Jerusalem, dërgojnë atje Pjetrin dhe Gjonin. Pjetri përdor çelësin e dytë duke u dhënë mundësi samaritanëve të hyjnë në Mbretëri. (Vep. 8:14-17) Ndoshta brenda vitit kur u ringjall Jezui, Sauli nga Tarsi bën një kthesë që të lë pa fjalë. Në vitin 36 të e.s., Pjetri përdor çelësin e tretë, dhe njerëz të parrethprerë nga kombet marrin frymën e shenjtë, dhuratën falas të Perëndisë.—Vep. 10:45.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
2:44-47; 4:34, 35—Pse besimtarët shitën zotërimet e tyre dhe i shpërndanë të ardhurat? Shumë nga ata që u bënë besimtarë, kishin ardhur nga vende mjaft të largëta dhe nuk kishin gjërat e nevojshme për të qëndruar më gjatë në Jerusalem. Megjithatë, ata dëshironin të rrinin edhe ca kohë atje për të mësuar më tepër për besimin e ri dhe për t’u dëshmuar të tjerëve. Për t’i ndihmuar, disa të krishterë shitën zotërimet, dhe të ardhurat ua shpërndanë atyre që kishin nevojë.
4:13—A ishin analfabetë ose të pashkolluar Pjetri dhe Gjoni? Jo, nuk ishin. I quajtën «të pashkolluar e të thjeshtë», sepse nuk kishin ndjekur shkolla rabinike ku studiohej feja.
5:34-39—Si e dinte Luka çfarë kishte thënë Gamalieli në një seancë të mbyllur të Sinedrit? Ka të paktën tri mundësi: (1) t’ia ketë thënë Pavli, një ish-nxënës i Gamalielit; (2) të jetë këshilluar me një nga anëtarët dashamirës të Sinedrit, si Nikodemi; (3) ta ketë marrë këtë informacion nën frymëzimin e Perëndisë.
7:59—A po i lutej Jezuit Stefani? Jo, nuk po i lutej atij. Adhurimi, e për pasojë edhe lutjet, duhet t’i drejtohen vetëm Perëndisë Jehova. (Luka 4:8; 6:12) Në rrethana të zakonshme, Stefani do t’i ishte lutur Jehovait në emër të Jezuit. (Gjoni 15:16) Por në këtë rast, ai pa në një vegim «Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë». (Vep. 7:56) Plotësisht i vetëdijshëm se Jezuit i ishte dhënë fuqia për të ringjallur, Stefani nuk iu lut, por i foli drejtpërdrejt duke i kërkuar të ruante frymën e tij.—Gjoni 5:27-29.
Mësime për ne:
1:8. Pa ndihmën e frymës së shenjtë adhuruesit e Jehovait s’mund ta kryejnë dot veprën e predikimit në mbarë botën.
4:36–5:11. Barnaba, që do të thotë «Bir i Ngushëllimit», ishte Jozefi nga Qipro. Apostujt mund t’i kenë vënë atë emër, sepse ai ishte i dashur, i mirë dhe i gatshëm për të ndihmuar. Ne duhet të jemi si Barnaba, dhe jo si Anania e Safira që shtireshin, ishin hipokritë e hileqarë.
9:23-25. T’u ikësh armiqve për të vazhduar predikimin nuk është burracakëri.
9:28-30. Nëse predikimi në disa lagje ose te disa individë paraqet rrezik fizik, moral ose frymor, duhet të tregohemi të matur e të kemi kujdes ku dhe kur predikojmë.
9:31. Gjatë periudhave relativisht të qeta, duhet të bëjmë çdo përpjekje për të forcuar besimin duke studiuar e medituar. Kjo do të na ndihmojë të ecim në frikën e Jehovait, duke zbatuar ato që mësojmë, dhe të jemi të zellshëm në shërbim.
SHËRBIMI I ZELLSHËM I PAVLIT
Në vitin 44 të e.s., Agabi shkon në Antioki, ku Barnaba dhe Sauli kishin mësuar «për një vit të tërë». Agabi parathotë ‘një zi buke të madhe’, e cila vjen dy vjet më vonë. (Vep. 11:26-28) «Pasi e kryen plotësisht shërbesën e shpërndarjes së ndihmave në Jerusalem», Barnaba dhe Sauli kthehen në Antioki. (Vep. 12:25) Në vitin 47 të e.s., rreth 12 vjet pas kthimit në besim të Saulit, ai dhe Barnaba dërgohen nga fryma e shenjtë në një udhëtim misionar. (Vep. 13:1-4) Në vitin 48 të e.s., ata kthehen përsëri në Antioki, «ku i ishin besuar dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë».—Vep. 14:26.
Rreth nëntë muaj më vonë, Pavli (që njihet edhe si Sauli) zgjedh Silën si shokun e tij, dhe niset në udhëtimin e dytë. (Vep. 15:40) Gjatë rrugës, me Pavlin bashkohen edhe Timoteu me Lukën. Luka qëndron në Filipi, kurse Pavli vazhdon rrugën për në Athinë, e më pas për në Korint, ku takon Akuilën e Prishilën dhe qëndron një vit e gjashtë muaj. (Vep. 18:11) Pasi lë Timoteun dhe Silën në Korint, në fillim të vitit 52 të e.s., Pavli merr me vete Akuilën e Prishilën për të nisur lundrimin drejt Sirisë. (Vep. 18:18) Akuila dhe Prishila e shoqërojnë deri në Efes dhe rrinë atje.
Pasi kalon njëfarë kohe në Antioki të Sirisë, në vitin 52 të e.s., Pavli nis udhëtimin e tretë. (Vep. 18:23) Në Efes, «fjala e Jehovait përhapej e ngadhënjente». (Vep. 19:20) Ai kalon rreth tre vjet atje. (Vep. 20:31) Aty nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 56 të e.s., Pavli gjendet në Jerusalem. Pasi e arrestojnë, u dëshmon autoriteteve pa iu trembur syri. Më pas, e çojnë në Romë dhe për dy vjet (rr. 59-61 të e.s.) e lënë në arrest shtëpie. Që atje gjen mënyra për të predikuar për Mbretërinë dhe për të mësuar «gjërat për Zotërinë Jezu Krisht».—Vep. 28:30, 31.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
14:8-13—Pse «Barnabën filluan ta quanin Zeus, kurse Pavlin Hermes» kur ishin në Listër? Në mitologjinë greke Zeusi ishte babai i zotave, kurse i biri, Hermesi, njihej për gojëtari. Përderisa Pavli mori drejtimin për të folur, banorët e Listrës e quajtën Hermes, kurse Barnabën, Zeus.
16:6, 7—Pse fryma e shenjtë i ndaloi Pavlin dhe shokët e tij të predikonin në krahinën e Azisë dhe në Bitini? Punëtorët ishin të paktë. Kështu, fryma e shenjtë i drejtoi në fusha më të frytshme.
18:12-17—Pse prokonsulli Galion nuk ndërhyri kur turma filloi të rrihte Sostenin? Ka të ngjarë që sulmin kundër Pavlit po e kryesonte Sosteni, prandaj Galioni mbase mendonte se ai po korrte atë që mbolli. Megjithatë, me sa duket, ky incident pati edhe një të mirë, pasi bëri që Sosteni të kthehej në besimin e krishterë. Më vonë, Pavli e quajti Sostenin «vëllai ynë».—1 Kor. 1:1.
18:18—Çfarë zotimi kishte marrë Pavli? Disa studiues janë të mendimit se Pavli kishte marrë zotimin e nazireut. (Num. 6:1-21) Megjithatë, Bibla nuk tregon çfarë zotimi kishte marrë Pavli. Për më tepër, në Shkrime nuk thuhet nëse zotimi ishte marrë para apo pas kthimit të Pavlit në besim, nëse sapo e kishte filluar apo ishte në fund të tij. Sido që të ishte, të merrje një zotim të tillë, nuk përbënte një mëkat.
Mësime për ne:
12:5-11. Ne mund dhe duhet të lutemi për vëllezërit tanë.
12:21-23; 14:14-18. Lavdinë që i takonte vetëm Perëndisë, Herodi e pranoi pa e bërë të gjatë. Sa ndryshonte ai nga Pavli dhe Barnaba që menjëherë dhe prerazi refuzuan nderimin dhe lavdinë që nuk u takonte! Ne s’duhet të dëshirojmë lavdi pavarësisht nga arritjet që mund të kemi në shërbim të Jehovait.
14:5-7. Gjykimi i shëndoshë mund të na ndihmojë të vazhdojmë aktivë në shërbim.—Mat. 10:23.
14:22. Të krishterët presin shtrëngime. Ata nuk përpiqen t’u dredhojnë atyre duke bërë kompromis me besimin.—2 Tim. 3:12.
16:1, 2. Të rinjtë e krishterë duhet të punojnë pa u lodhur në shërbim të Jehovait dhe t’i kërkojnë ndihmë atij të bëjnë një emër të mirë.
16:3. Pa shkelur parimet biblike, duhet të bëjmë çmos që lajmi i mirë të jetë i pranueshëm për të tjerët.—1 Kor. 9:19-23.
20:20, 21. Predikimi nga shtëpia në shtëpi është një aspekt jetësor i shërbimit tonë.
20:24; 21:13. Integriteti ndaj Perëndisë është më i rëndësishëm se jeta jonë.
21:21-26. Duhet t’i pranojmë këshillat e mira me gatishmëri.
25:8-12. Sot, të krishterët mund dhe duhet të shfrytëzojnë masat ligjore që janë në dispozicion ‘për të mbrojtur dhe themeluar ligjërisht lajmin e mirë’.—Filip. 1:7.
26:24, 25. Duhet të shpallim ‘fjalë të vërteta dhe nga një mendje e shëndoshë’, ndonëse për «një njeri fizik» ato janë marrëzi.—1 Kor. 2:14.
[Figura në faqen 30]
Kur i përdori Pjetri «çelësat e mbretërisë»?
[Figura në faqen 31]
Vepra e dëshmisë në mbarë botën s’mund të kryhet pa ndihmën e frymës së shenjtë