Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Jehovai është forca ime’

‘Jehovai është forca ime’

‘Jehovai është forca ime’

Treguar nga Xhoan Kovili

Linda në Hadërsfild të Anglisë, në korrik të vitit 1925. Isha fëmijë i vetëm dhe shëndetlig. Madje im atë më thoshte gjithnjë: «Ty edhe një fllad të sëmur!» Dukej se kishte të drejtë.

KUR isha fëmijë, klerikët luteshin me zjarr për paqe, por, kur shpërtheu Lufta II Botërore, luteshin për fitore. Kjo më hutoi dhe më lindën dyshime. Pikërisht në atë kohë erdhi te ne Eni Ratklifi, e vetmja Dëshmitare e Jehovait në zonën tonë.

Mësoj të vërtetën

Eni na la librin Shpëtimi dhe e ftoi mamanë të ndiqte një diskutim biblik që do të zhvillohej në shtëpinë e saj. * Mamaja më kërkoi ta shoqëroja. Më kujtohet si dje ai diskutim. U fol për shpërblesën dhe, për habinë time, nuk ishte fare i mërzitshëm. Mora përgjigje për shumë pyetje që kisha. Një javë më pas, shkuam përsëri. Këtë herë u shpjegua profecia e Jezuit për shenjën e ditëve të fundit. Duke pasur parasysh kushtet e këqija të botës, unë dhe mamaja e dalluam menjëherë tingullin e së vërtetës. Po atë ditë na ftuan të shkonim në Sallën e Mbretërisë.

Në sallë takova disa vajza të reja pioniere, pra që predikonin në kohë të plotë, ndër të cilat edhe Xhojs Barberin (tani Elis), e cila ende shërben në Bethelin e Londrës me të shoqin, Piterin. M’u krijua përshtypja se të gjithë ishin pionierë. Prandaj, menjëherë nisa të predikoja 60 orë në muaj, ndonëse isha ende në shkollë.

Pesë muaj më vonë, më 11 shkurt 1940, u pagëzova bashkë me mamanë në një asamble të zonës (që tani quhet asamble qarkore), në Bredford. Babai nuk e kundërshtoi fenë tonë të re, por vetë nuk u bë kurrë Dëshmitar. Rreth kohës kur u pagëzova, filloi dëshmia në cepat e rrugëve. Mora pjesë edhe unë, duke mbajtur një çantë revistash dhe pankarta. Një të shtunë më caktuan në pjesën më të populluar të një zone tregtare. Ende kisha turp nga njerëzit dhe tamam siç kisha pasur frikë, të gjitha shoqet e klasës dukej sikur kalonin nga cepi ku po rrija.

Në vitin 1940, kompania (siç quhej atëherë kongregacioni) së cilës i përkitnim, duhej të ndahej. Pas kësaj, pothuajse të gjitha moshataret e mia ishin në kompaninë tjetër. Iu ankova për këtë shërbëtorit të kompanisë (tani quhet mbikëqyrësi drejtues). Ai më tha: «Po të duash shoqe të moshës sate, shko e gjeji në shërbim.» Pikërisht kështu bëra dhe pak kohë më pas takova Elsi Noblin. Ajo pranoi të vërtetën dhe u bëmë shoqe të pandara.

Shërbimi si pioniere dhe bekimet e tij

Pasi mbarova shkollën, fillova punë te një llogaritar. Por, duke vënë re gëzimin që kishin shërbëtorët në kohë të plotë, m’u shtua dëshira t’i shërbeja Jehovait si pioniere. Në maj të vitit 1945 pata kënaqësinë të filloja shërbimin si pioniere speciale. Ditën e parë që fillova këtë shërbim, ra shi me gjyma gjithë ditën. Por unë isha kaq e lumtur që po predikoja, saqë s’doja t’ia dija fare për shiun. Madje qëndrimi jashtë çdo ditë dhe ushtrimet që bëja rregullisht ngaqë lëvizja me biçikletë në shërbim, më bënë mirë për shëndetin. Edhe pse asnjëherë s’kam peshuar më tepër se 42 kilogramë, kurrë s’më është dashur të ndërpres shërbimin si pioniere. Gjatë viteve, kam provuar në kuptim të mirëfilltë se ‘Jehovai është forca ime’.​—Psal. 28:7.

Si pioniere speciale më dërgonin në qytete ku s’kishte Dëshmitarë, me synimin që të formoheshin kongregacione të reja. Fillimisht shërbeva tre vjet në Angli e pastaj tre vjet në Irlandë. Ndërsa shërbeja si pioniere në Lisbërn të Irlandës, studiova Biblën me një burrë që ishte ndihmëspastor në një kishë protestante. Pasi mësoi të vërtetën për doktrinat themelore të Biblës, ai i tregoi kongregacionit të tij për këtë njohuri të re që kishte marrë. Disa prej tyre u ankuan tek autoritetet kishtare dhe natyrisht që këta i kërkuan shpjegime. Ai u tha se, si i krishterë, e ndiente për detyrë t’i thoshte kopesë se u kishte mësuar shumë gënjeshtra. Ndonëse familja e kundërshtoi ashpër, ai ia kushtoi jetën Jehovait dhe i shërbeu me besnikëri derisa vdiq.

Në Larn, caktimi im i dytë si pioniere në Irlandë, shërbeva e vetme për gjashtë javë, sepse shoqja ime e shërbimit po ndiqte asamblenë «Rritja e Teokracisë» në Nju-Jork, në vitin 1950. Qe vërtet një periudhë e vështirë, sepse dëshiroja me zjarr të isha në asamble. Megjithatë, gjatë atyre javëve pata disa përvoja në shërbim që më dhanë zemër. Takova një të moshuar i cili kishte pranuar një nga botimet tona para 20 vjetësh. Gjatë viteve e kishte lexuar kaq herë, sa e dinte pothuajse përmendësh. Ai bashkë me djalin dhe vajzën e vet, pranuan të vërtetën.

Stërvitem në Shkollën e Galaadit

Në vitin 1951 më ftuan bashkë me dhjetë pionierë të tjerë nga Anglia, të ndiqja klasën e 17-të të Shkollës së Galaadit në Lansingun Jugor, Nju-Jork. Sa më pëlqeu arsimimi biblik që morëm gjatë atyre muajve! Në atë kohë, nëpër kongregacione motrat nuk regjistroheshin ende në Shkollën e Shërbimit Teokratik, por në Galaad na dhanë caktime për të mbajtur fjalime e për të dhënë raporte. Të gjithave na zunë ethet. Në fjalimin e parë, dora ku mbaja shënimet më dridhej gjithë kohës. Instruktori, vëlla Maksuell Frendi, tha me shaka: «Jo vetëm që kishe emocione në fillim, siç kanë të gjithë oratorët e mirë, por vazhdove t’i kishe deri në fund.» Gjatë shkollës, të gjithë i përmirësuam aftësitë për t’u shprehur para klasës. Koha fluturoi shpejt dhe stërvitja jonë mbaroi, kështu që ne të diplomuarve na caktuan në disa vende të huaja. Mua më caktuan në Tajlandë.

«Vendi i buzëqeshjeve»

E quaj dhuratë nga Jehovai që si shoqe misionare në Tajlandë më caktuan Astrid Andersonin. Për të mbërritur atje, na u deshën shtatë javë udhëtim me një anije mallrash. Në kryeqytet, në Bangkok, pamë tregje që gumëzhinin dhe një rrjet kanalesh që shërbenin si rrugë kryesore. Në vitin 1952, në Tajlandë s’kishte as 150 lajmëtarë të Mbretërisë.

Herën e parë që pamë Kullën e Rojës në gjuhën tajlandeze, pyetëm veten: «Si do të arrijmë ta flasim këtë gjuhë?» Sidomos të vështirë e kishim t’i thoshim fjalët me tonin e duhur. Për shembull, fjala khaù, kur e nis me ton të lartë dhe pastaj e ul tonin, do të thotë «oriz», kurse kur e thua me ton më të mbyllur, do të thotë «lajm». Kështu, në shërbim, fillimisht u thoshim tërë zell njerëzve «Po ju sjell oriz të mirë» në vend se «lajm të mirë». Por dalëngadalë, dhe pas shumë të qeshurave, ia dolëm mbanë.

Populli tajlandez është vërtet miqësor. Jo më kot Tajlanda është quajtur «Vendi i buzëqeshjeve». Si caktim të parë kishim qytetin Korat (që tani quhet Nakon-Raçasima), ku shërbyem dy vjet. Më vonë na caktuan në qytetin Çiang-Mai. Shumica e tajlandezëve janë budistë dhe nuk kanë njohuri për Biblën. Në Korat studiova Biblën me drejtorin e postës. Ndër të tjera folëm edhe për patriarkun Abraham. Meqë e kishte dëgjuar edhe më parë këtë emër, ai miratonte me kokë tërë entuziazëm. Por shpejt kuptova se nuk po flitnim për të njëjtin Abraham. Ai kishte ndër mend Abraham Linkolnin, ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Ishte një kënaqësi e madhe t’u mësonim Biblën tajlandezëve me zemër të sinqertë, por në të njëjtën kohë ata na mësuan si të ishim të lumtura duke bërë një jetë të thjeshtë. Ishte mësim i vlefshëm, pasi në shtëpinë e parë misionare në Korat s’kishim as energji elektrike, as ujë të rrjedhshëm. Në caktime të tilla, ‘mësuam të kishim me bollëk e të ishim në nevojë’. Ashtu si apostulli Pavël, mësuam ç’do të thotë ‘të kesh forcë falë atij që jep fuqi’.​—Filip. 4:12, 13.

Një shok i ri dhe një caktim i ri

Më parë, në vitin 1945, kisha qenë për vizitë në Londër. Gjatë asaj vizite, shkuam në Muzeun Britanik bashkë me disa pionierë të tjerë e bethelitë. Një ndër ta ishte Alan Kovili, i cili pak më pas ndoqi klasën e 11-të të Galaadit. E caktuan në Francë e pastaj në Belgjikë. * Më vonë, kur po shërbeja si misionare në Tajlandë, më propozoi për martesë dhe unë pranova.

U martuam në Bruksel të Belgjikës më 9 korrik 1955. E kisha pasur ëndërr të shkoja në Paris për muaj mjalti, kështu që Alani planifikoi të ndiqnim një asamble atje një javë pas dasmës. Por, sapo mbërritëm, Alanit i kërkuan të ndihmonte me përkthimin gjatë gjithë asamblesë. Çdo ditë duhej të ikte herët në mëngjes dhe ktheheshim natën vonë në banesë. Vërtet e kalova muajin e mjaltit në Paris, por Alanin e pashë kryesisht nga larg, domethënë në podium. Gjithsesi, isha e kënaqur që im shoq po u shërbente vëllezërve dhe motrave dhe s’kisha asnjë dyshim se po të kishim në qendër të martesës sonë Jehovain, do të ishim vërtet të lumtur.

Martesa më çoi edhe në një territor të ri predikimi, në Belgjikë. Gjithë sa dija për Belgjikën ishte se kishte qenë fushë beteje në disa luftëra, por shpejt mësova se shumica e belgëve e duan paqen. Në këtë caktim të ri duhej të mësoja edhe frëngjisht, që flitej në pjesën jugore të vendit.

Në vitin 1955, në Belgjikë kishte rreth 4.500 lajmëtarë. Për gati 50 vjet, unë dhe Alani shërbyem në Bethel dhe në veprën udhëtuese. Fillimisht, për dy vjet e gjysmë, udhëtuam me biçikletë poshtë e përpjetë kodrave, me diell e me shi. Gjatë viteve kemi ndenjur për të fjetur në mbi 2.000 shtëpi Dëshmitarësh. Shpesh takoja vëllezër e motra që nuk ishin të fortë fizikisht, por gjithsesi i shërbenin Jehovait me gjithë forcën që kishin. Shembulli i tyre më dha zemër që të mos hiqja dorë nga shërbimi. Gjithnjë ndiheshim të inkurajuar në fund të javës që kalonim me një kongregacion. (Rom. 1:11, 12) Alani ishte një shok i vërtetë për mua. Sa të drejta janë fjalët e Eklisiastiut 4:9, 10: «Dy janë më mirë se një, . . . sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.»

Bekime të një jete duke shërbyer ‘me forcën e Jehovait’

Ndër vite, unë dhe Alani kemi pasur plot përvoja të bukura teksa ndihmonim të tjerët që t’i shërbenin Jehovait. Për shembull, në vitin 1983 vizituam kongregacionin francez në Anversë, ku qëndruam te një familje që kishte si mysafir edhe Benxhamin Bandiuilën, një vëlla të ri nga Zaireja (tani Republika Demokratike e Kongos). Benxhamini kishte ardhur në Belgjikë për të vazhduar studimet e larta. Na tha: «Ju kam zili për jetën që bëni, krejt të përkushtuar në shërbim të Jehovait.» Alani ia ktheu: «Ti thua se na ke zili, por vetë po ndjek një karrierë në botë. Nuk të duket paksa kontradiktore?» Kjo përgjigje e drejtpërdrejtë e bëri Benxhaminin të mendonte për jetën e tij. Më vonë, pasi u kthye në Zaire, nisi shërbimin si pionier dhe sot shërben si anëtar i Komitetit të Degës.

Në vitin 1999 iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjike për të hequr një ulcerë nga ezofagu. Që atëherë, kam peshuar vetëm 30 kilogramë. Vërtet që jam një «enë balte» e brishtë. Por i jam mirënjohëse Jehovait që më ka dhënë ‘fuqi përtej normales’. Pas operacionit, ai më dha mundësi të vazhdoja ta shoqëroja Alanin në veprën udhëtuese. (2 Kor. 4:7) Më pas, në mars të vitit 2004, Alani vdiq në gjumë. E ndiej shumë mungesën e tij, por më ngushëllon mendimi që ai është në kujtesën e Jehovait.

Sot jam 83 vjeçe dhe kam kaluar më shumë se 63 vjet në shërbim të plotkohor. Ende dal në shërbim, drejtoj një studim biblik në shtëpi dhe përdor çdo ditë mundësitë për të folur për qëllimin e mrekullueshëm të Jehovait. Nganjëherë pyes veten: «Ç’jetë do të kisha pasur po të mos kisha filluar si pioniere në vitin 1945?» Në atë kohë, shëndeti i dobët dukej një arsye e vlefshme për të mos shërbyer si pioniere. Por jam e kënaqur që e nisa këtë shërbim kur isha e re. Kam pasur privilegjin të provoja në jetën time se, po ta vëmë Jehovain në vend të parë, ai do të jetë forca jonë.

[Shënimet]

^ par. 6 Libri Shpëtimi u botua në vitin 1939, por tani nuk shtypet më.

^ par. 22 Jetëshkrimi i vëlla Kovilit u botua në Kullën e Rojës, 15 mars 1961, anglisht.

[Figura në faqen 18]

Me shoqen time misionare, Astrid Andersonin (djathtas)

[Figura në faqen 18]

Në veprën udhëtuese me tim shoq, më 1956

[Figura në faqen 20]

Me Alanin në vitin 2000