Ç’lloj njeriu dëshiron të jesh?
Ç’lloj njeriu dëshiron të jesh?
SHEFI i policisë në një qytet në Filipine, pyeti një pionier: «Si arritët ta ndryshonit atë njeri?» Duke bërë me gisht nga pirgu i letrave mbi tavolinën e tij, vazhdoi: «A e di se të gjitha këto janë dosjet e rasteve gjyqësore që janë ngritur kundër tij në të kaluarën? Na keni hequr një nga kokëçarjet në këtë qytet.» Njeriu për të cilin po fliste, kishte qenë një shamataxhi pijanec që gjithmonë hapte telashe. Çfarë e shtyu të bënte ndryshime kaq të mëdha? Ishte mesazhi i frymëzuar në Fjalën e Perëndisë, Biblën.
Shumë njerëz e kanë marrë për zemër këshillën e apostullit Pavël ‘për të flakur tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes së tyre dhe për të veshur personalitetin e ri të krijuar sipas vullnetit të Perëndisë’. (Efes. 4:22-24) Veshja e personalitetit të ri është pjesë e jetës si i krishterë, pavarësisht nëse ndryshimet që duhet të bëjmë janë të mëdha a të vogla.
Megjithatë, bërja e ndryshimeve dhe përparimi deri në pagëzim, është vetëm fillimi. Në momentin e pagëzimit, jemi si një copë druri i cili është gdhendur dhe i është dhënë formë në vija të përgjithshme. Mund të arrish të kuptosh se çfarë objekti është, por mbetet akoma shumë për të bërë. Gdhendësi duhet të punojë akoma me hollësitë përfundimtare që të dalë diçka e bukur. Kur pagëzohemi, kemi cilësitë bazë që kërkohen nga një shërbëtor i Perëndisë. Megjithatë, personaliteti ynë i ri është akoma në hapat e parë. Duhet të vazhdojmë ta përmirësojmë atë duke bërë ndryshimet e duhura.
Edhe Pavli e kuptonte nevojën për të përmirësuar. Ai pranoi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Rom. 7:21) Pavli patjetër e dinte se si ishte dhe si donte të bëhej. Po ne? Edhe ne duhet të pyesim veten: «Si jam në të vërtetë thellë brenda meje? Ç’lloj njeriu jam? Dhe ç’lloj njeriu dua të bëhem?»
Si jam në të vërtetë?
Kur meremetojmë një shtëpi të vjetër, nuk mjafton vetëm ta lyejmë nga jashtë nëse brenda ka trarë të kalbur. Shpërfillja e defekteve në strukturë, më vonë do të nxirrte vetëm probleme. Po kështu, nuk mjafton vetëm të dukemi të drejtë nga jashtë. Duhet të shkojmë në thelb të personalitetit tonë dhe të kuptojmë problemet që duhen zgjidhur. Përndryshe, tiparet e personalitetit të vjetër do të nxjerrin kokë përsëri. Pra, vetëshqyrtimi është i domosdoshëm. (2 Kor. 13:5) Duhet të dallojmë tiparet e padëshirueshme dhe t’i ndreqim. Për këtë, Jehovai na ka siguruar ndihmë.
Pavli shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebr. 4:12) Mesazhi i shkruar në Fjalën e Perëndisë, Biblën, mund të ketë një ndikim të fuqishëm në jetën tonë. Depërton thellë brenda nesh, në kuptim të figurshëm deri në palcë, në pjesën më të brendshme të kockës. Zbulon mendimet dhe motivet tona, duke nxjerrë në pah atë që jemi vërtet nga brenda në krahasim me atë që dukemi nga jashtë ose me atë që mendojmë se jemi. Ç’ndihmë që na jep Fjala e Perëndisë për të kuptuar problemet tona!
Kur rregullojmë një shtëpi të vjetër, zëvendësimi i materialeve të dëmtuara mund të mos mjaftojë. Nëse kuptojmë shkaqet e defekteve, kjo na ndihmon të marrim masat që të mos përsëriten të njëjtat probleme. E po kështu, dallimi jo vetëm i tipareve tona negative, por edhe i shkaqeve të tyre, mund të na ndihmojë t’i mbajmë dobësitë tona nën kontroll. Ka shumë faktorë që ndikojnë në formimin e personalitetit tonë. Ndër to renditen: shtresa shoqërore, gjendja ekonomike, mjedisi, kultura, prindërit, shoqëritë dhe prejardhja fetare. Edhe programet televizive e filmat që shohim, si dhe format e tjera të zbavitjes, lënë gjurmët e tyre. Nëse kuptojmë cilat janë gjërat që ndikojnë negativisht në personalitetin tonë, jemi më në gjendje të zvogëlojmë ndikimin e tyre.
Pas një vetëshqyrtimi, mund të kemi prirjen të themi: «Kështu jam unë.» Ky është arsyetim i gabuar. Duke folur për ata në kongregacionin e Korintit që kishin qenë kurvarë, homoseksualë, pijanecë e kështu me radhë, Pavli tha: «Të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo jeni larë, . . . me frymën e Perëndisë tonë.» (1 Kor. 6:9-11) Me ndihmën e frymës së shenjtë të Jehovait, edhe ne mund të arrijmë të bëjmë ndryshimet e nevojshme.
Të shohim rastin e Markosit, * që jeton në Filipine. Duke folur për të kaluarën e tij, Markosi tha: «Prindërit e mi ishin gjithë kohës duke u zënë. Për këtë arsye, kur isha 19 vjeç, u rebelova.» Markosi u bë famëkeq si bixhozçi, hajdut e grabitës. Madje, me disa të tjerë kishte ndër mend të grabiste një avion, por plani nuk u realizua. Markosi nuk hoqi dorë nga këto gjëra as pas martese. Në fund, humbi gjithçka në bixhoz. Pak pas kësaj, Markosi u bashkua me gruan e tij në studimin biblik që ajo bënte me Dëshmitarët e Jehovait. Në fillim ai nuk ndihej i denjë për t’u bërë një Dëshmitar. Megjithatë, duke zbatuar atë që po mësonte dhe duke shkuar në mbledhje, Markosi arriti të braktiste mënyrën e mëparshme të jetesës. Tanimë, ai është një i krishterë i pagëzuar që rregullisht i ndihmon të tjerët të ndryshojnë edhe ata.
Ç’njeri dëshiron të jesh?
Çfarë ndryshimesh mund të nevojiten për të përmirësuar cilësitë tona të krishtere? Pavli i këshillon të krishterët: «Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë. Mos e gënjeni njëri-tjetrin. Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij.» Pastaj apostulli vazhdon: «Vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi.»—Kolos. 3:8-10.
Prandaj, qëllimi ynë kryesor është të flakim personalitetin e vjetër dhe të veshim të riun. Çfarë cilësish duhet të kultivojmë që ta arrijmë këtë? Pavli thotë: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolos. 3:12-14) Nëse bëjmë përpjekje të vetëdijshme për të kultivuar këto cilësi, do të arrijmë ‘të fitojmë pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve’. (1 Sam. 2:26) Kur ishte në tokë, Jezui shfaqi në mënyrë të jashtëzakonshme cilësi të perëndishme. Duke studiuar dhe imituar shembullin e Krishtit, mund t’i ngjajmë më shumë atij dhe, si rrjedhojë, bëhemi «imitues të Perëndisë».—Efes. 5:1, 2.
Një ndihmë tjetër për të dalluar ndryshimet që mund të duhet të bëjmë, është të studiojmë tiparet e personalitetit të personazheve biblike dhe të shqyrtojmë çfarë i bënte tërheqës e çfarë jo. Për shembull, mendo pak për Jozefin, birin e patriarkut Jakob. Me gjithë padrejtësitë që kishte hequr, Jozefi ruajti një frymë pozitive dhe një bukuri të brendshme. (Zan. 45:1-15) Ndërsa biri i mbretit David, Absalomi, shtirej sikur merakosej shumë për popullin dhe merrte shumë lëvdata për bukurinë e tij. Por, në të vërtetë, ai ishte tradhtar dhe vrasës. (2 Sam. 13:28, 29; 14:25; 15:1-12) Mirësia e shtirur dhe bukuria e jashtme, nuk e bëjnë dikë vërtet tërheqës.
Mund t’ia dalim?
Që të ndryshojmë për mirë dhe që të jemi të bukur në sytë e Perëndisë, duhet t’i kushtojmë vëmendje njeriut të brendshëm. (1 Pjet. 3:3, 4) Bërja e ndryshimeve në personalitet, kërkon që të dallojmë tiparet tona negative dhe faktorët që i shkaktojnë ose ndikojnë tek ato, si edhe të kultivojmë cilësi të perëndishme. A mund të kemi besim se përpjekjet tona për të bërë këto përmirësime do të kenë sukses?
Po, me ndihmën e Jehovait mund të bëjmë ndryshimet e nevojshme. Ashtu si psalmisti, mund të lutemi: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!» (Psal. 51:10) Mund të kërkojmë që fryma e Perëndisë të veprojë brenda nesh, duke rritur dëshirën për ta përputhur sa më shumë jetën tonë me vullnetin e tij. Vërtet, mund të arrijmë të bëhemi më tërheqës në sytë e Jehovait!
[Shënimi]
^ par. 11 Ky nuk është emri i tij i vërtetë.
[Figura në faqen 4]
A do të mjaftonte vetëm ta lyeje nga jashtë këtë shtëpi të dëmtuar nga stuhia?
[Figura në faqen 5]
A ke një personalitet si ai i Krishtit?