Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘T’i kundërvihemi Djallit’ siç bëri Jezui

‘T’i kundërvihemi Djallit’ siç bëri Jezui

‘T’i kundërvihemi Djallit’ siç bëri Jezui

«Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»​—JAK. 4:7.

1. Çfarë dinte Jezui për kundërshtimin që do të haste në tokë?

JEZU KRISHTI e dinte se do të haste kundërshtim nga Djalli. Kjo u duk qartë nga fjalët që Perëndia i tha gjarprit, të cilat faktikisht iu drejtuan rebelit të lig frymor që fliste nëpërmjet gjarprit: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas [pjesës qiellore të organizatës së Jehovait], mes farës sate dhe farës së saj. Ai [Jezu Krishti] do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zan. 3:14, 15; Zbul. 12:9) Plagosja e Jezuit në thembër nënkuptonte se do të pësonte vetëm një goditje të përkohshme duke u vrarë këtu në tokë, sepse Jehovai do ta ringjallte në lavdinë qiellore. Por shtypja e kokës së gjarprit do të nënkuptonte se Djalli do të pësonte një goditje vdekjeprurëse nga e cila nuk do ta merrte më veten.​—Lexo Veprat 2:31, 32; Hebrenjve 2:14.

2. Pse Jehovai ishte i sigurt se Jezui do t’i rezistonte me sukses Djallit?

2 Jehovai ishte i sigurt se, kur Jezui të ishte në tokë, do ta përmbushte me sukses caktimin e tij dhe se do t’i kundërvihej Djallit. Pse Jehovai mund të ishte kaq i sigurt për këtë? Sepse e kishte krijuar Jezuin në qiell shumë kohë më parë, e kishte vëzhguar dhe e dinte se ky «kryemjeshtër» dhe ‘i parëlindur i gjithë krijimit’ ishte i bindur dhe besnik. (Prov. 8:22-31; Kolos. 1:15) Prandaj, kur Jezui u dërgua në tokë dhe Djalli u lejua ta sprovonte deri në vdekje, Perëndia ishte i sigurt se Biri i Tij i vetëmlindur do të dilte fitimtar.​—Gjoni 3:16.

Jehovai i mbron shërbëtorët e tij

3. Ç’qëndrim mban Djalli ndaj shërbëtorëve të Jehovait?

3 Jezui e quajti Djallin «sundimtari i kësaj bote» dhe i paralajmëroi dishepujt se do të përndiqeshin siç ishte përndjekur edhe ai. (Gjoni 12:31; 15:20) Bota, e cila dergjet nën pushtetin e Satana Djallit, i urren të krishterët e vërtetë sepse i shërbejnë Jehovait dhe janë predikues të drejtësisë. (Mat. 24:9; 1 Gjon. 5:19) Në veçanti, Djalli ka në shënjestër mbetjen e të mirosurve që në fund do të sundojnë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. Satanai ka në shënjestër edhe Dëshmitarët e shumtë të Jehovait që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Fjala e Perëndisë na paralajmëron: «Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.»​—1 Pjet. 5:8.

4. Ç’gjë tregon se populli i Perëndisë në kohën tonë i është kundërvënë me sukses Djallit?

4 Si një organizatë që ka mbështetjen e Perëndisë Jehova, ne arrijmë t’i kundërvihemi Djallit. Shqyrtoni këto fakte: në 100 vitet e kaluara, disa nga diktaturat më të egra gjatë gjithë historisë, janë përpjekur t’i zhdukin Dëshmitarët e Jehovait. Por, numri i tyre vazhdon të rritet dhe, anembanë botës, tani janë gati 7.000.000 Dëshmitarë në më tepër se 100.000 kongregacione. Ato që janë zhdukur, në të vërtetë janë diktaturat mizore që përndiqnin popullin e Jehovait.

5. Si ka dalë i vërtetë shkrimi i Isaisë 54:17 në rastin e shërbëtorëve të Jehovait?

5 Duke e quajtur kongregacionin e Izraelit të lashtë ‘gruan’ e tij, Perëndia premtoi: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait dhe drejtësia e tyre vjen nga unë.» (Isa. 54:11, 17) Ky premtim ka dalë i besueshëm në rastin e popullit të Jehovait në mbarë tokën gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’. (2 Tim. 3:1-5, 13) Ne vazhdojmë t’i kundërvihemi Djallit dhe asnjë armë që ai përdor për të zhdukur popullin e Perëndisë nuk ka sukses, sepse Jehovai është në krahun tonë.​—Psal. 118:6, 7.

6. Çfarë thotë profecia e Danielit për të ardhmen e sundimit të Djallit?

6 Gjatë fundit të këtij sistemi të lig që po afrohet me shpejtësi, sundimi i Satanait do të zhduket në çdo aspekt. Nën frymëzimin e Perëndisë, profeti Daniel paratha: «Në ditët e atyre mbretërve [që ekzistojnë sot], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [në qiell] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [që ekzistojnë tani], dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Dan. 2:44) Kur të ndodhë kjo, do të zhduket edhe sundimi satanik, edhe sundimi i njerëzve të papërsosur. Çdo aspekt i sistemit të Djallit do të zhduket njëherë e përgjithmonë dhe Mbretëria e Perëndisë do të sundojë në mbarë tokën pa pasur më kundërshtarë.​—Lexo 2 Pjetrit 3:7, 13.

7. Si e dimë se shërbëtorët e Jehovait si individë mund t’i kundërvihen me sukses Djallit?

7 S’ka dyshim që organizata e Jehovait do të qëndrojë dhe do të lulëzojë frymësisht. (Lexo Psalmin 125:1, 2.) Po ne? Bibla thotë se mund t’ia dalim t’i kundërvihemi Djalli, pikërisht siç ia doli Jezui. Në të vërtetë, profecia që Krishti dha nëpërmjet apostullit Gjon, tregon se pavarësisht nga kundërshtimi satanik, ‘një shumicë e madhe’ e atyre që kanë shpresë tokësore do të mbijetojnë nga fundi i këtij sistemi. Sipas Shkrimeve, ata thërrasin: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit [Jezu Krishtit].» (Zbul. 7:9-14) Për të mirosurit thuhet se e mundin Satanain, e po ashtu edhe shokët e tyre, ‘delet e tjera’, i kundërvihen atij me sukses. (Gjoni 10:16; Zbul. 12:10, 11) Por kjo kërkon përpjekje të zellshme dhe lutje të zjarrta që ‘të çlirohemi nga i ligu’.​—Mat. 6:13.

Shembulli i përsosur për t’iu kundërvënë Djallit

8. Cili ishte tundimi i parë i dokumentuar që Djalli përdori kundër Jezuit në shkretëtirë dhe si u përgjigj Krishti?

8 Djalli u orvat t’i thyente integritetin Jezuit. Në shkretëtirë, Satanai përdori tundime për ta shtyrë Jezuin të mos i bindej Jehovait. Por, Jezui la një shembull të përsosur që na tregon si t’i kundërvihemi Satanait. Pasi agjëroi për 40 ditë e 40 net, kishte të ngjarë që Jezui ishte shumë i uritur. Satanai tha: «Nëse je bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.» Por Jezui nuk pranoi ta përdorte për interesin e vet fuqinë që i kishte dhënë Perëndia. Përkundrazi, Jezui tha: «Është shkruar: ‘Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.’»​—Mat. 4:1-4; Ligj. 8:3.

9. Pse duhet t’u rezistojmë përpjekjeve të Djallit për të shfrytëzuar dëshirat tona të natyrshme fizike?

9 Sot, Djalli kërkon të shfrytëzojë dëshirat e natyrshme fizike të shërbëtorëve të Jehovait. Prandaj, duhet të jemi të vendosur t’u rezistojmë tundimeve seksuale të paligjshme, të cilat janë më se të zakonshme në këtë botë imorale. Fjala e Perëndisë thotë me forcë: «Çfarë?! A nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, . . . nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1 Kor. 6:9, 10) Është e qartë, pra, se njerëzve që bëjnë një jetë imorale dhe nuk pranojnë të ndryshojnë, nuk do t’u lejohet të jetojnë në botën e re të Perëndisë.

10. Sipas Mateut 4:5, 6, cili ishte një tundim tjetër që përdori Satanai në përpjekje për t’i thyer integritetin Jezuit?

10 Në lidhje me një nga tundimet që kaloi Jezui në shkretëtirë, Shkrimet thonë: «Djalli e mori me vete në qytetin e shenjtë, e çoi te bedenat e tempullit dhe i tha: ‘Nëse je bir i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: “Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty, dhe ata do të të mbajnë në duar, që këmba jote të mos përplaset kurrë në asnjë gur.”’» (Mat. 4:5, 6) Sipas Satanait, kështu Jezui do të tregonte në mënyrë spektakolare se ishte Mesia. Por, në të vërtetë, ky do të kishte qenë një akt i papërshtatshëm e arrogant që nuk do të kishte miratimin dhe mbështetjen e Perëndisë. Sërish Jezui mbajti integritetin ndaj Jehovait dhe u përgjigj duke cituar një shkrim. Ai tha: «Përsëri është shkruar: ‘Mos e vër në provë Jehovain, Perëndinë tënd.’»​—Mat. 4:7; Ligj. 6:16.

11. Si mund të na tundojë Satanai dhe cili mund të jetë rezultati?

11 Satanai mund të na tundojë që të kërkojmë lavdi në mënyra të ndryshme. Ai mund të përpiqet që të na nxitë të imitojmë trillet e botës në mënyrën si vishemi dhe rregullohemi ose që të na përfshijë në zbavitje të diskutueshme. Por, nëse shpërfillim këshillat e Biblës dhe imitojmë botën, a mund të presim që engjëjt të na mbrojnë nga pasojat e këqija të një sjelljeje të tillë? Megjithëse mbreti David u pendua për mëkatet në lidhje me Betshebën, Perëndia nuk e mbrojti nga pasojat e veprimeve të tij. (2 Sam. 12:9-12) Prandaj, të mos e vëmë në provë Jehovain në mënyra të papërshtatshme, ndoshta duke lidhur miqësi me botën.​—Lexo Jakovin 4:4; 1 Gjonit 2:15-17.

12. Cili ishte tundimi i përmendur te Mateu 4:8, 9 dhe si u përgjigj Biri i Perëndisë?

12 Djalli përdori një tundim tjetër në shkretëtirë duke i ofruar Jezuit pushtet politik. Satanai i tregoi Jezuit tërë mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, duke i thënë: «Të gjitha këto do të t’i jap, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.» (Mat. 4:8, 9) Ç’përpjekje e paskrupull për të marrë adhurimin që i përkiste Jehovait dhe për ta shtyrë Jezuin të mos tregohej besnik ndaj Perëndisë! Duke ushqyer dëshirën për t’u adhuruar, ai engjëll dikur besnik, ishte bërë tunduesi mëkatar, lakmitar dhe tejet i lig, Satana Djalli. (Jak. 1:14, 15) Por, krejt ndryshe nga ai, Jezui ishte i vendosur t’i qëndronte besnik Atit të tij qiellor, prandaj tha: «Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» Kështu Jezui iu kundërvu përsëri Djallit qartë dhe prerazi. Biri i Perëndisë nuk donte të kishte të bënte fare me botën e Satanait dhe nuk do ta adhuronte kurrë atë person të lig.​—Mat. 4:10; Ligj. 6:13; 10:20.

«Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju»

13, 14. (a) Çfarë po i ofronte Djalli Jezuit duke i treguar tërë mbretëritë e botës? (b) Si përpiqet të na korruptojë Satanai?

13 Duke i treguar Jezuit tërë mbretëritë e botës, Djalli po i ofronte pushtet njerëzor të jashtëzakonshëm. Satanai shpresonte që, ajo çka pa Jezui, do ta tërhiqte dhe do ta bindte se mund të bëhej udhëheqësi politik më i fuqishëm në tokë. Sot, Djalli nuk na ofron mbretëri, por ai përpiqet të na korruptojë zemrën nëpërmjet syve, veshëve dhe mendjes.

14 Djalli e ka nën kontroll këtë botë. Rrjedhimisht edhe median. Prandaj, nuk habitemi që materialet që na ofron bota për të parë, dëgjuar dhe lexuar, janë të stërmbushura me imoralitet e dhunë. Elementët reklamues të kësaj bote përpiqen të krijojnë te ne një dëshirë për të blerë një mori artikujsh konsumi që nuk na nevojiten. Në këtë mënyrë, Djalli vazhdimisht na tundon dhe na tërheq me gjëra materialiste që janë joshëse për sytë, veshët dhe mendjen. Por, kur nuk pranojmë të shohim, të dëgjojmë e të lexojmë materiale të papranueshme nga ana biblike, faktikisht po themi: «Ik tutje, Satana!» Kështu, imitojmë Jezuin duke qëndruar të patundur e të vendosur për të hedhur poshtë botën e papastër të Satanait. Fakti që nuk jemi pjesë e botës së Satanait, shihet edhe kur identifikohemi me guxim si Dëshmitarë të Jehovait dhe dishepuj të Krishtit në punë, në shkollë, në lagje dhe me të afërmit.​—Lexo Markun 8:38.

15. Pse për t’iu kundërvënë Satanait duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë?

15 Pas orvatjes së tretë e të pasuksesshme të Djallit për t’i thyer Jezuit integritetin ndaj Perëndisë, «Djalli e la». (Mat. 4:11) Megjithatë, Satanai nuk kishte ndër mend të mos e tundonte më Jezuin, sepse thuhet: «Atëherë, pasi mbaroi çdo tundim [në shkretëtirë], Djalli u largua nga ai, duke pritur një kohë tjetër të volitshme.» (Luka 4:13) Kur arrijmë t’i kundërvihemi Djallit, duhet të falënderojmë Jehovain. Por, gjithashtu duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë, sepse Djalli do të kthehet për të na tunduar në një kohë tjetër të volitshme për të​—e jo medoemos atëherë kur ne mund të mendojmë se do të vijë një tundim. Prandaj, duhet të qëndrojmë gjithnjë vigjilentë, gati për të ngulmuar në shërbimin e shenjtë ndaj Jehovait, pavarësisht nga sprovat që duhet të hasim.

16. Ç’forcë të fuqishme na jep Jehovai dhe pse duhet të lutemi për të?

16 Që të marrim ndihmë gjatë përpjekjeve për t’iu kundërvënë Djallit, duhet të lutemi për forcën më të fuqishme në univers, frymën e shenjtë të Perëndisë, të sigurt se do të na jepet. Ajo do të na ndihmojë të bëjmë gjëra që do të ishte e pamundur t’i bënim vetëm me forcën tonë. Jezui i siguroi dishepujt se do të kishin në dispozicion frymën e Perëndisë, kur u tha: «Nëse ju, edhe pse [të papërsosur e, prandaj, relativisht] të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:13) Le të vazhdojmë t’i lutemi Jehovait për frymën e tij të shenjtë. Me forcën më të fuqishme që na mbështet ndërsa jemi të vendosur për t’iu kundërvënë Djallit, do të jemi në gjendje të dalim fitimtarë. Përveçse të lutemi rregullisht e me zjarr, kemi nevojë të veshim armaturën e plotë frymore të Perëndisë që ‘të jemi në gjendje të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të Djallit’.​—Efes. 6:11-18.

17. Ç’gëzim e ndihmoi Jezuin t’i rezistonte Djallit?

17 Jezuin e ndihmoi edhe diçka tjetër që t’i kundërvihej Djallit, e kjo gjë mund të na ndihmojë edhe ne. Bibla thotë: «Për gëzimin që iu vu përpara [Jezuit], ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebr. 12:2) Mund të përjetojmë të njëjtin gëzim duke mbështetur sovranitetin e Jehovait, duke nderuar emrin e tij të shenjtë dhe duke mbajtur para syve shpërblimin e jetës së përhershme. Ç’gëzim do të provojmë kur Satanai bashkë me tërë veprat e tij të fshihen përgjithnjë, e ‘zemërbutët të trashëgojnë tokën dhe të kënaqen pa masë me paqen e pafund’! (Psal. 37:11) Prandaj, le të vazhdojmë t’i kundërvihemi Djallit, siç bëri Jezui.​—Lexo Jakovin 4:7, 8.

Si do të përgjigjeshit?

• Ç’prova ka se Jehovai e mbron popullin e tij?

• Si la një shembull Jezui për t’iu kundërvënë Satanait?

• Në cilat mënyra mund t’i kundërviheni Djallit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 29]

Miqësia me botën na bën armiq me Perëndinë

[Figura në faqen 31]

Jezui e hodhi poshtë ofertën e Satanait për të pasur tërë mbretëritë e botës