Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do të bësh çmos të mbash integritetin?

A do të bësh çmos të mbash integritetin?

A do të bësh çmos të mbash integritetin?

«Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—JOBI 27:5.

1, 2. Çfarë kemi nevojë të ndërtojmë dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

IMAGJINO sikur po shqyrton planin e një shtëpie. Mrekullohesh kur sheh sa praktik është projekti. Kënaqesh kur mendon për dobitë e shumta që shtëpia mund të të sjellë ty dhe familjes sate. Por, a nuk je dakord se plani i shtëpisë dhe çdo gjë që mund të mendosh për të, nuk të hyn shumë në punë nëse nuk e ndërton shtëpinë, nuk banon aty e pastaj nuk e mban mirë?

2 Po kështu, mund të mendojmë se integriteti është një cilësi jetësore që do të na sjellë shumë dobi neve dhe njerëzve që duam. Por, thjesht të mendojmë për dobitë e integritetit, nuk vlen shumë nëse nuk kemi integritet dhe nuk e mbajmë integritetin tonë të krishterë. Në botën e sotme, shpesh të ndërtosh një shtëpi, kushton. (Luka 14:28, 29) Po kështu, ta ndërtosh ose të arrish ta zotërosh këtë cilësi, kushton, domethënë kërkon kohë dhe përpjekje, e megjithatë ia vlen. Prandaj, le të shqyrtojmë tri pyetje: si mund të jemi njerëz me integritet? Si mund ta mbajmë integritetin tonë të krishterë? Çfarë mund të bëhet nëse dikush nuk e ka mbajtur integritetin për njëfarë kohe?

Si mund të jemi njerëz me integritet?

3, 4. (a) Në cilat mënyra na ndihmon Jehovai të ndërtojmë integritetin? (b) Si mund ta ndërtojmë integritetin, siç tregon shembulli i Jezuit?

3 Në artikullin e mëparshëm, pamë se Jehovai na nderon duke na dhënë të drejtën të vendosim nëse do të jemi apo jo njerëz me integritet. Por, jemi të lumtur që ai nuk na lë vetëm në këtë çështje. Na mëson si ta ndërtojmë ose të arrijmë ta zotërojmë këtë cilësi të çmuar dhe na jep bujarisht frymën e shenjtë, e cila na ndihmon të zbatojmë mësimet e tij. (Luka 11:13) Ai madje u siguron mbrojtje frymore atyre që përpiqen të ecin me integritet.—Prov. 2:7.

4 Si na ka mësuar Jehovai që të jemi njerëz me integritet? Para së gjithash, duke dërguar në tokë Birin e tij, Jezuin. Ai jetoi duke treguar bindje të përsosur. Jezui «u bind madje deri në vdekje». (Filip. 2:8) Në gjithçka që bëri, Jezui iu bind Atit të tij qiellor, edhe kur kjo ishte tejet e vështirë. Ai i tha Jehovait: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.» (Luka 22:42) Secili nga ne duhet të pyesë veten: «A kam edhe unë një frymë të ngjashme bindjeje?» Nëse bindemi vazhdimisht duke pasur motivin e drejtë, do të jemi njerëz me integritet. Le të shqyrtojmë disa fusha të jetës ku bindja është veçanërisht e rëndësishme.

5, 6. (a) Si e theksoi Davidi rëndësinë e mbajtjes së integritetit edhe kur nuk na shohin të tjerët? (b) Çfarë sfidash lidhur me integritetin hasin të krishterët sot kur janë vetëm?

5 Duhet t’i bindemi Jehovait edhe kur na duket se jemi vetëm. Psalmisti David theksoi rëndësinë e integritetit në rastet kur ndoshta ishte vetëm. (Lexo Psalmin 101:2.) Duke qenë mbret, Davidi ishte vazhdimisht me të tjerë. Pa dyshim, shumë herë ai ishte nën vëzhgimin e qindra, madje mijëra njerëzve. (Krahaso Psalmin 26:12.) Në këto raste ishte e rëndësishme të mbante integritetin, sepse mbreti duhej të linte një shembull të mirë për popullin. (Ligj. 17:18, 19) Megjithatë, Davidi mësoi se edhe kur ndoshta ishte vetëm—‘në shtëpinë e tij’—duhej të ecte me integritet. Po ne?

6 Psalmin 101:3, gjejmë këto fjalë të Davidit: «Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër.» Sot ekzistojnë shumë mundësi për të vënë para syve gjëra të poshtra, sidomos kur jemi vetëm. Në këtë drejtim, Interneti përbën një sfidë për shumë veta. Është e lehtë të joshemi e të shohim materiale provokuese, madje pornografike. Por, a është ky një akt bindjeje ndaj Perëndisë, i cili frymëzoi Davidin të shkruante fjalët e mësipërme? Pornografia është e dëmshme, sepse ndez dëshira të gabuara e lakmitare, dëmton ndërgjegjen, gërryen martesën dhe zvetënon këdo që përfshihet.—Prov. 4:23; 2 Kor. 7:1; 1 Sel. 4:3-5.

7. Cili parim mund të na ndihmojë të mbajmë integritetin kur jemi vetëm?

7 Natyrisht, asnjë shërbëtor i Jehovait nuk është ndonjëherë vetëm fare. Ati ynë na vëzhgon me dashuri. (Lexo Psalmin 11:4.) Sa i kënaqur duhet të jetë Jehovai tek sheh se ti po u reziston tundimeve! Duke vepruar kështu, po i vë veshin paralajmërimit që nënkuptohet nga fjalët e Jezuit te Mateu 5:28. Ji i vendosur me çdo kusht të mos shohësh pamje që do të të tundonin të gaboje. Mos e shit integritetin tënd të çmuar për aktin e turpshëm të shikimit ose të leximit të materialeve pornografike!

8, 9. (a) Çfarë sfide lidhur me integritetin hasën Danieli dhe shokët e tij? (b) Si e gëzojnë Jehovain dhe bashkëbesimtarët të rinjtë e krishterë sot?

8 Gjithashtu, mund ta mbajmë integritetin duke iu bindur Jehovait kur jemi me jobesimtarët. Mendo për Danielin dhe tre shokët e tij. Kur ishin të rinj, i morën robër në Babiloni. Atje, të rrethuar nga jobesimtarë që e njihnin pak ose aspak Jehovain, katër hebrenjtë u vunë nën presion për të ngrënë ushqime që Ligji i Perëndisë i ndalonte. Po të donin, këta djem fare lehtë mund të kishin gjetur arsye për të bërë kompromis. Në fund të fundit, prindërit e tyre, pleqtë dhe priftërinjtë nuk mund të shihnin se ç’po bënin ata të katër. E kush do ta merrte vesh? Patjetër, Jehovai. Prandaj qëndruan të vendosur dhe iu bindën Atij, pavarësisht nga presioni dhe rreziku.—Dan. 1:3-9.

9 Anembanë botës, të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait po tregojnë të njëjtën vendosmëri, duke iu përmbajtur normave të Perëndisë për të krishterët dhe duke mos pranuar t’i dorëzohen presionit të dëmshëm të moshatarëve. Kur ju të rinj nuk pranoni të keni të bëni me drogën, dhunën, fjalët e pista, imoralitetin dhe veprime të tjera të gabuara, po i bindeni Jehovait. Kështu, po mbani integritetin. Keni dobi ju vetë dhe gëzoni Jehovain e të krishterët e tjerë.—Psal. 110:3.

10. (a) Cilat pikëpamje të gabuara për kurvërinë i kanë shtyrë disa të rinj të thyejnë integritetin? (b) Si sillet një njëri me integritet përballë rrezikut të kurvërisë?

10 Duhet t’i bindemi Perëndisë edhe kur kemi të bëjmë me persona të seksit tjetër. E dimë se Fjala e Perëndisë e ndalon kurvërinë. Megjithatë, është e lehtë të lejojmë që fryma e bindjes të shndërrohet në një frymë tolerante. Për shembull, disa të rinj janë përfshirë në seks oral a në masturbim të ndërsjellë, me mendimin se këto akte nuk janë aq të këqija pasi, sipas tyre, teknikisht nuk «po kryejnë marrëdhënie seksuale». Këta të rinj harrojnë—ose zgjedhin të shpërfillin—faktin se fjala biblike e përkthyer kurvëri përfshin tërë këto praktika, që përbëjnë sjellje të gabuar për të cilën dikush mund të përjashtohet. * Por ç’është më e keqja, ata shpërfillin nevojën për integritet. Ne bëjmë çmos të mbajmë integritetin, prandaj nuk kërkojmë kleçka për të justifikuar sjelljen e papërshtatshme. Nuk përpiqemi t’i afrohemi sa më shumë kufirit të mëkatit e të mos ndëshkohemi. Nuk përqendrohemi vetëm te disiplina që mund të marrin në kongregacion si pasojë e një akti keqbërjeje. Përkundrazi, përqendrohemi në bërjen e gjërave që i pëlqejnë Jehovait, duke shmangur ato që e lëndojnë. Në vend që të shohim se deri ku mund t’i afrohemi mëkatit, qëndrojmë larg tij dhe ‘ikim nga kurvëria’. (1 Kor. 6:18) Kështu tregojmë se jemi njerëz me integritet të vërtetë.

Si mund ta mbajmë integritetin?

11. Pse është i rëndësishëm çdo akt bindjeje? Ilustroje.

11 Integriteti ndërtohet me anë të bindjes, kështu që e mbajmë atë duke qëndruar të patundur në udhën e bindjes. Një akt i vetëm bindjeje mund të duket i papërfillshëm, një gjë e vogël. Megjithatë, pak nga pak, akte të tilla ndërtojnë reputacionin tonë si njerëz me integritet. Të bëjmë një ilustrim: një tullë e vetme mund të duket e parëndësishme, por nëse vendosim me kujdes shumë tulla bashkë, mund të ndërtojmë një shtëpi të shkëlqyer. Kështu, duke vazhduar të kryejmë akte bindjeje, mbajmë integritetin tonë.—Luka 16:10.

12. Si la Davidi një shembull për mbajtjen e integritetit përballë keqtrajtimeve dhe padrejtësive?

12 Integriteti ynë shihet sidomos kur qëndrojmë përballë vështirësive, keqtrajtimeve ose padrejtësive. Të shqyrtojmë shembullin biblik të Davidit. Kur ishte i ri, ai duroi përndjekjen e një mbreti, i cili duhej të përfaqësonte autoritetin e Jehovait. Por ky mbret, Sauli, e kishte humbur miratimin e Jehovait dhe kishte një xhelozi të tërbuar ndaj Davidit, të cilin Perëndia e kishte miratuar. Megjithatë, për njëfarë kohe, Sauli vazhdoi të ishte mbret dhe përdori ushtrinë e Izraelit për të ndjekur Davidin. Jehovai lejoi që kjo padrejtësi të vazhdonte për disa vjet. A u zemërua Davidi me Perëndinë? A doli në përfundimin se nuk kishte arsye të duronte më? Përkundrazi. Ai ruajti respekt të thellë për pozitën e Saulit si i mirosuri i Perëndisë, duke mos pranuar të hakmerrej ndaj Saulit kur iu dha mundësia.—1 Sam. 24:2-7.

13. Si mund ta mbajmë integritetin nëse na lëndojnë ose fyejnë?

13 Sa fuqishëm na flet sot shembulli i Davidit! Jemi pjesë e një kongregacioni mbarëbotëror me njerëz të papërsosur, për pasojë ndonjë prej tyre mund të na trajtojë padrejtësisht e madje ndonjëri mund të mos mbetet besnik. Sigurisht, jemi të bekuar që jetojmë në një kohë kur populli i Jehovait si një i tërë nuk mund të korruptohet. (Isa. 54:17) Megjithatë, si do të reagojmë nëse një individ na zhgënjen ose na lëndon? Nëse lejojmë që zemërimi ndaj një bashkadhuruesi të na helmojë zemrën, integriteti ynë ndaj Perëndisë mund të jetë në rrezik. Sjellja e të tjerëve nuk na justifikon kurrë që të zemërohemi me Perëndinë ose të braktisim udhën e besnikërisë. (Psal. 119:165) Qëndrueshmëria edhe përballë sprovave do të na ndihmojë të mbajmë integritetin.

14. Si reagojnë ata që mbajnë integritetin ndaj ndryshimeve organizative dhe përmirësimeve doktrinale?

14 Gjithashtu, mund ta mbajmë integritetin duke shmangur prirjen për të kërkuar të meta dhe për të qenë kritikues. Sigurisht, kjo tregon se jemi besnikë ndaj Jehovait. Tani më shumë se kurrë ai po e bekon popullin e tij. Kurrë më parë në histori adhurimi i pastër nuk është lartësuar kaq shumë mbi tokë. (Isa. 2:2-4) Kur bëhen përmirësime në shpjegimin e vargjeve biblike ose në mënyrën si bëhen gjërat, duhet t’i pranojmë. Jemi të kënaqur që shohim dëshmi se drita frymore po shtohet ende. (Prov. 4:18) Nëse e kemi të vështirë të kuptojmë një ndryshim, i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë ta kuptojmë. Ndërkohë, qëndrojmë të bindur duke mbajtur integritetin.

Po sikur dikush të mos e mbajë integritetin?

15. Kush është i vetmi që mund të të thyejë integritetin?

15 Kjo pyetje na bën të mendojmë seriozisht. Siç mësuam në artikullin e mëparshëm, integriteti është jetësor. Pa të nuk mund të kemi një marrëdhënie me Jehovain dhe një shpresë të vërtetë. Mbaj parasysh këtë: ka vetëm një person në univers që mund të të thyejë integritetin. Je ti vetë. Jobi e kuptoi mirë këtë të vërtetë. Ai tha: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.» (Jobi 27:5) Nëse ke të njëjtën vendosmëri dhe nëse qëndron afër Jehovait, nuk ke pse ta humbasësh kurrë integritetin.—Jak. 4:8.

16, 17. (a) Ç’gjë të gabuar mund të bëjë një person që ka kryer mëkat të rëndë? (b) Ç’gjë të drejtë duhet të bëjë?

16 Megjithatë, disa nuk arrijnë ta mbajnë integritetin. Ashtu siç ndodhi kur apostujt ishin ende gjallë, edhe sot disa kryejnë në mënyrë të përsëritur mëkate të rënda. Nëse edhe ti ke vepruar kështu, a është situata jote e pashpresë? Jo medoemos. Ç’mund të bësh? Së pari, le të shqyrtojmë se çfarë nuk duhet bërë. Prirja njerëzore është t’ua fshehim mëkatin prindërve, të bashkëkrishterëve ose pleqve. Por Bibla na kujton: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» (Prov. 28:13) Ata që përpiqen të mbulojnë mëkatet bëjnë një gabim fatal, sepse asgjë nuk mund t’i fshihet Perëndisë. (Lexo Hebrenjve 4:13.) Disa madje përpiqen të bëjnë një jetë të dyfishtë, duke u shtirur sikur i shërbejnë Jehovait ndërkohë që vazhdojnë të kryejnë mëkate të rënda. Kjo nuk është një jetë me integritet—faktikisht është e kundërta e integritetit. Jehovai nuk kënaqet me akte adhurimi të kryera nga individë që fshehin mëkate të rënda. Përkundrazi, një hipokrizi e tillë e zemëron atë.—Prov. 21:27; Isa. 1:11-16.

17 Kur një i krishterë përfshihet në një keqbërje të rëndë, e kemi të qartë se cila është gjëja e drejtë që duhet të bëjë. Është momenti që ai të kërkojë ndihmën e pleqve të krishterë. Jehovai ka siguruar një masë për të trajtuar rastet e sëmundjeve të rënda frymore. (Lexo Jakovin 5:14.) Mos lejo që frika nga disiplina ose ndreqja që mund të marrësh, të të pengojë të kujdesesh për sëmundjen tënde frymore. Në fund të fundit, mos vallë një njeri i mençur do të linte pas dore një problem shëndetësor të rrezikshëm për jetën, nga frika e dhembjes kalimtare të një gjilpëre ose madje edhe nga frika e një operacioni?—Hebr. 12:11.

18, 19. (a) Si tregon shembulli i Davidit se integriteti mund të rifitohet? (b) Ç’vendosmëri ke në lidhje me integritetin?

18 A ka ndonjë shpresë që të rimëkëmbet plotësisht? A mund të rifitohet integriteti pasi është humbur? Shqyrto sërish shembullin e Davidit. Ai kreu një mëkat të rëndë. Pa me lakmi gruan e një tjetri, kreu kurorëshkelje dhe organizoi vrasjen e bashkëshortit të pafajshëm. Është e vështirë të mendosh se në atë kohë Davidi ishte një njeri me integritet. Por, a ishte e pashpresë situata e tij? Davidi kishte nevojë dhe mori një disiplinë të fortë. Dhe falë pendimit të tij të sinqertë, Jehovai i tregoi mëshirë. Davidi mësoi nga disiplina dhe rifitoi integritetin duke iu bindur Perëndisë e duke qëndruar në këtë udhë bindjeje. Jeta e Davidit ilustron atë që thuhet te Proverbat 24:16: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.» Cili qe rezultati? Shqyrto çfarë i tha Jehovai Solomonit për Davidin, pasi ky i fundit vdiq. (Lexo 1 Mbretërve 9:4.) Perëndia e kujtoi Davidin si njeri me integritet. Jehovai mund t’i pastrojë vërtet mëkatarët, madje edhe nga njolla e mëkateve të rënda.—Isa. 1:18.

19 Po, do të jesh njeri me integritet nëse tregon bindje nga dashuria. Qëndro me besnikëri dhe, nëse ndodh që të bësh një mëkat të rëndë, trego pendim të sinqertë. Ç’margaritar i çmuar është integriteti! Pastë secili prej nesh të njëjtën vendosmëri si Davidi: «Unë do të eci me integritet.»—Psal. 26:11.

[Shënimi]

^ par. 10 Këtu përfshihet edhe seksi anal. Për përkufizimin e fjalës biblike të përkthyer «kurvëri», shih Kullën e Rojës të 15 shkurtit 2004, faqja 13, paragrafi 15.

Si do të përgjigjeshe?

• Si mund të jesh njeri me integritet?

• Në cilat mënyra mund ta mbash integritetin?

• Si mund të rifitohet integriteti?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 8]

‘NJË GJEST I BUKUR’

Një grua, që ishte shtatzënë prej pesë muajsh, i tha këto fjalë për mirësinë dhe integritetin e një të panjohure. Gruaja kishte qenë në një kafene dhe, disa orë më pas, kuptoi se kishte harruar portofolin atje. Në portofol kishte 2.000 dollarë, shumë më tepër para se sa mbante zakonisht. «Ndihesha përtokë,—i tha ajo më vonë një gazete vendëse.—Megjithatë, një vajzë e gjeti portofolin dhe kërkoi menjëherë personin që i përkiste. Ngaqë nuk e gjeti atë person, e çoi portofolin në polici dhe policia gjeti më në fund gruan shtatzënë. «Ishte një gjest shumë, shumë i bukur»,—tha me mirënjohje e zonja e portofolit. Por, pse ajo vajzë u përpoq kaq shumë të rikthente paratë? Gazeta thoshte se si Dëshmitare e Jehovait ajo «ia jep meritën për integritetin e saj fesë sipas së cilës është rritur».

[Figura në faqen 9]

Të rinjtë mund ta mbajnë integritetin kur janë nën sprova

[Figura në faqen 10]

Davidi nuk e mbajti integritetin për njëfarë kohe, megjithatë u rimëkëmb