«Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen»
«Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen»
Treguar nga Kristabel Koneli
Ishim zhytur kaq shumë në përgjigjet biblike që po i jepnim Kristoferit, saqë asnjëra nga ne nuk e kuptoi sa vonë kishte vajtur; madje as e vumë re fare që Kristoferi një e dy shihte nga dritarja. Në fund, ai u kthye nga ne dhe tha: «Tani s’ka rrezik. Mund të shkoni.» Kështu na shoqëroi jashtë te biçikletat tona dhe na uroi natën e mirë. Po çfarë kishte parë kaq të rrezikshme?
LINDA në Shefild të Anglisë në vitin 1927. Shtëpia jonë u bombardua gjatë Luftës II Botërore, kështu që më çuan të jetoja me gjyshen time derisa mbarova shkollën. Ndoqa një shkollë katolike për vajza ku gjithmonë i pyesja murgeshat se përse kishte kaq shumë ligësi dhe dhunë. As ato e as fetarë të tjerë që pyeta nuk ishin në gjendje të më jepnin një përgjigje bindëse.
Pasi mbaroi Lufta II Botërore, bëra një kurs për infermiere. U transferova në Londër ku fillova punë në Spitalin e Përgjithshëm të Pedingtonit, por në qytet shihja më shumë dhunë. Pikërisht pasi një nga vëllezërit e mi ishte nisur për në luftën e Koresë, pashë një grindje të dhunshme jashtë spitalit. Askush nuk e ndihmoi atë që po rrihej, dhe nga goditjet humbi shikimin. Në ato kohë mamaja më shoqëronte në seanca spiritiste, por prapëseprapë nuk arrija të kuptoja pse kishte kaq shumë ligësi.
Më inkurajojnë të studioj Biblën
Një ditë, vëllai i madh, Xhoni, që ishte bërë një Dëshmitar i Jehovait, erdhi për të më vizituar. Ai më pyeti: «E di pse ndodhin gjithë këto gjëra të këqija?» I thashë që jo. Ai hapi Biblën dhe më lexoi Zbulesën 12:7-12. Tani mund të kuptoja që Satanai dhe demonët janë përgjegjësit kryesorë për ligësinë në botë. Kështu, e pranova këshillën e Xhonit dhe menjëherë pas kësaj fillova një studim biblik. Por në atë kohë, nga frika e njeriut, ngurroja të pagëzohesha.—Prov. 29:25.
Edhe motra ime, Dorotia, ishte bërë Dëshmitare. Kur u kthye nga kongresi ndërkombëtar në Nju-Jork (1953) me të fejuarin, Bill Robertsin, u thashë se kisha bërë një studim biblik. Billi më pyeti: «I lexoje të gjitha shkrimet gjatë studimit? I nënvizoje përgjigjet në libër?» Kur i thashë jo, ai ma ktheu: «Atëherë mos thuaj që ke studiuar. Lidhu prapë me atë motrën dhe filloje studimin
nga e para!» Në ato kohë filluan të më mundonin demonët. Mbaj mend që i kërkoja Jehovait të më mbronte dhe të më lironte nga ndikimi i tyre.Shërbej si pioniere në Skoci dhe Irlandë
U pagëzova në 16 janar 1954. Në maj mbarova kontratën si infermiere dhe në qershor fillova shërbimin si pioniere. Tetë muaj më vonë, më dërguan si pioniere speciale në Greinxhmauth, Skoci. Atje e ndieja që engjëjt e Jehovait ‘fushonin përreth meje’ ndërsa predikoja në atë vend aq të izoluar.—Psal. 34:7.
Në vitin 1956, më ftuan të shërbeja në Irlandë. Më caktuan në qytetin Goluej me dy motra të tjera. Që ditën e parë të shërbimit atje, takova një prift. Brenda pak minutash, erdhi një polic dhe bashkë me shoqen e shërbimit na çuan në rajonin e policisë. Pasi na mori emrin dhe adresën e shtëpisë, shkoi menjëherë te telefoni. E dëgjuam të thoshte: «Po, Atë, e di ku banojnë.» Atë e kishte dërguar prifti. Qiradhënësit tonë i bënë presion që të na dëbonte nga shtëpia, kështu që zyra e degës na këshilloi të largoheshim prej asaj zone. Në stacionin e trenit mbërritëm dhjetë minuta me vonesë. Por treni nuk ishte nisur, pasi një burrë po priste që të sigurohej se do të hipnim në tren. Kishim qëndruar vetëm tri javë në Goluej.
Caktimi tjetër ishte në Limerik, një qytet tjetër ku kisha katolike kishte një ndikim të fuqishëm. Turma njerëzish na shanin vazhdimisht. Shumë njerëz kishin frikë të na e hapnin derën. Një vit më parë, një vëlla e kishin rrahur në një qytezë aty pranë, në Klunlara. Prandaj ishim të kënaqura që takuam Kristoferin, të cilin e përmenda në fillim. Ai na kërkoi të ktheheshim përsëri për të folur rreth pyetjeve të tij biblike. Gjatë vizitës sonë, një prift hyri në shtëpinë e tij dhe i tha Kristoferit që të na nxirrte jashtë. Duke iu kundërvënë priftit, i tha: «Këto vajza trokitën kur erdhën dhe i ftova vetë brenda. Ndërsa ti as trokite e as të ftova.» Prifti u nxeh dhe iku.
Ne nuk e dinim, por prifti kishte mbledhur një grup të madh burrash që na prisnin jashtë shtëpisë së Kristoferit. E dinte sa armiqësorë ishin ata, prandaj veproi siç thashë në fillim. Kristoferi na mbajti brenda derisa ata u shpërndanë. Më vonë dëgjuam se, pas kësaj që ndodhi, atë dhe familjen e tij e kishin detyruar të ikte nga vendi dhe emigruan në Angli.
Ftesë për në Galaad
Po planifikoja të shkoja në kongresin ndërkombëtar «Vullneti hyjnor» në Nju-Jork më 1958 kur mora ftesën për në klasën e 33-të të Galaadit. Kështu që, pas kongresit nuk u ktheva në shtëpi, por shërbeva në Kollinud, Ontario, të Kanadasë derisa të fillonte Shkolla e Galaadit më 1959. Por gjatë kongresit takova Erik Konelin. Ai e kishte mësuar të vërtetën në vitin 1957 dhe kishte filluar si pionier më 1958. Pas kongresit, më shkruante çdo ditë kur isha në Kanada dhe gjatë shkollës së Galaadit. Pyesja veten se çfarë do të ndodhte me ne pasi të diplomohesha.
Shkolla e Galaadit ishte një nga gjërat më të rëndësishme të jetës sime. Dorotia dhe i shoqi ishin në të njëjtën klasë me mua. Ata u caktuan si misionarë në Portugali. Kurse unë, për habinë time, u caktova në Irlandë. Isha vërtet e zhgënjyer që nuk do të shkoja në të njëjtin vend me motrën time. Pyeta një nga instruktorët e shkollës nëse kisha gabuar në ndonjë gjë. «Jo,—tha ai.—Ti dhe shoqja jote Ajlina Mahoni pranuat të shkonit në çfarëdo vendi në botë, dhe këtu futej edhe Irlanda.»
Kthehem në Irlandë
U ktheva në Irlandë në gusht 1959 dhe u caktova në kongregacionin e Dan-Lerës. Ndërkohë, Eriku ishte kthyer në Angli dhe ishte shumë i kënaqur që isha aq afër. Edhe ai donte të shërbente si misionar. Meqë Irlanda në atë kohë ishte një vend ku dërgoheshin
misionarë, mendoi të shërbente si pionier atje. Ai u transferua në Dan-Lerë dhe u martuam në vitin 1961.Gjashtë muaj më vonë, Eriku pësoi një aksident të rëndë me motoçikletë. Pësoi një krisje në kafkë dhe doktorët nuk ishin të sigurt nëse mund t’ia shpëtonin jetën. Pas tre javësh në spital, u kujdesa për të në shtëpi për pesë muaj derisa u shërua. Vazhdova shërbimin, duke bërë më të mirën.
Më 1965 u caktuam në një kongregacion me tetë lajmëtarë në Slajgo, port në bregun veriperëndimor. Tre vjet më vonë, shkuam në një kongregacion tjetër të vogël më në veri, në Landënderi. Një ditë, kur po ktheheshim nga shërbimi, rrugën ku banonim e gjetëm të bllokuar me tela me gjemba. Konflikti i Irlandës së Veriut kishte filluar. Grupe të rinjsh digjnin makina. Qyteti ishte ndarë tashmë në dy pjesë: zona e protestantëve dhe zona e katolikëve. Ishte e rrezikshme të kaloje nga njëra pjesë e qytetit në tjetrën.
Jetojmë dhe predikojmë në zemër të konfliktit
Për shkak të shërbimit, na duhej të shkonim gjithandej. Po prapë, ndienim që engjëjt fushonin përreth nesh. Kur gjendeshim në zona ku shpërthenin trazirat, iknim menjëherë dhe ktheheshim kur gjendja qetësohej. Njëherë, kur ndodhi një trazirë afër apartamentit tonë, i vunë flakën një dyqani bojërash dhe mbetjet e zjarrit erdhën deri në parvazin e dritares sonë. Ndenjëm zgjuar nga frika se mos merrte zjarr edhe pallati ynë. Pasi u transferuam në Belfast më 1970, dëgjuam se kishin hedhur një shishe me benzinë për t’i vënë zjarrin dyqanit të bojërave dhe pallati ynë i mëparshëm ishte djegur.
Në një rast tjetër, unë dhe një motër kishim dalë në shërbim dhe vumë re një copë të çuditshme tubi mbi parvazin e një dritareje. Vazhduam rrugën. Pas ca minutash, shpërtheu. Banorët që dolën për të parë, menduan se e kishim vënë ne atë bombë. Pikërisht në atë moment një motër që banonte aty afër na ftoi në shtëpinë e saj. Fqinjët e morën këtë si shenjë të pafajësisë sonë.
Në vitin 1971, u kthyem në Landënderi për të vizituar një motër. Kur i folëm për rrugën që kishim bërë dhe barrikadat që kishim kaluar, ajo na pyeti: «S’kishte njeri te barrikadat?» Ajo u habit kur i thamë: «Po, por nuk na kushtuan vëmendje.» Pse? Sepse ato ditë i kishin rrëmbyer dhe djegur makinat një doktori dhe një polici.
Më 1972, u transferuam në Kork. Më vonë shërbyem në Nas e pastaj në Arklou. Në fund, në vitin 1987, na caktuan në Kasëllbar, ku shërbejmë akoma. Këtu jemi ndjerë tejet të privilegjuar që kemi ndihmuar për ndërtimin e një Salle Mbretërie. Eriku u sëmur rëndë në vitin 1999. Por, me ndihmën e Jehovait dhe mbështetjen e dashur të kongregacionit, arrita përsëri t’ia dilja mbanë dhe u kujdesa për të derisa u shërua.
Eriku dhe unë e kemi bërë dy herë Shkollën e Shërbimit për Pionierë. Ai vazhdon të shërbejë si plak kongregacioni. Unë vuaj nga artriti i rëndë dhe më kanë vënë proteza në kockat e legenit dhe te gjunjtë. Edhe pse më është dashur të përballem me kundërshtime të hidhura fetare dhe kam jetuar në kohë trazirash politike dhe shoqërore, një nga sfidat më të mëdha për mua ishte kur më hoqën të drejtën për të ngarë makinën. Kjo ishte një sprovë sepse më ka kufizuar jashtë mase. Kongregacioni na ka ndihmuar dhe mbështetur shumë. Tani përdor një shkop për të ardhur vërdallë dhe triçikël me bateri për distanca më të largëta.
Së bashku, unë dhe Eriku kemi shërbyer si pionierë specialë për më shumë se 100 vjet, 98 prej tyre në Irlandë. Dhe as që kemi ndër mend të heqim dorë. Nuk presim ndonjë mrekulli, por besojmë se engjëjt e fuqishëm të Jehovait ‘fushojnë përreth’ atyre që i frikësohen atij dhe që i shërbejnë me besnikëri.