Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Jezui kishte predikuar në të gjithë Izraelin. Atëherë si mund të thoshte Pjetri se judenjtë dhe krerët e tyre ‘vepruan në padije’ kur kërkuan ekzekutimin e Jezuit?—Vep. 3:17.
Duke i folur një grupi judenjsh për rolin e tyre në vdekjen e Mesisë, apostulli Pjetër tha: «E di se vepruat në padije, ashtu si bënë edhe krerët tuaj.» (Vep. 3:14-17) Disa judenj thjesht mund të mos kenë kuptuar se Jezui ishte Mesia dhe as mësimet e tij. Ndërsa për sa u përket të tjerëve, në motivet që qëndronin pas padijes së tyre frymore përfshiheshin edhe mungesa e dëshirës për t’i pëlqyer Perëndisë, paragjykimi, zilia dhe urrejtja.
Le të shohim se si mungesa e dëshirës për t’i pëlqyer Perëndisë ndikoi në pikëpamjen që shumë kishin për mësimet e Jezuit. Jezui shpesh mësonte me ilustrime, të cilat ua shpjegonte të gjithë atyre që donin të mësonin më shumë. Por disa nga ata që e dëgjuan Jezuin, u larguan pa bërë shumë përpjekje për të kuptuar. Në një rast, edhe disa dishepuj u fyen nga një figure letrare që përdori Jezui. (Gjoni 6:52-66) Ata nuk arritën të kuptonin se ilustrimet e Jezuit vinin në provë gatishmërinë e tyre për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit. (Isa. 6:9, 10; 44:18; Mat. 13:10-15) Gjithashtu, shpërfillën profecinë se Mesia do të përdorte ilustrime në mësimdhënien e tij.—Psal. 78:2.
Të tjerë i hodhën poshtë mësimet e Jezuit për shkak të paragjykimit. Kur mësonte në sinagogën e qytetit të tij, Nazaretit, njerëzit «u mahnitën». Por në vend që ta pranonin Jezuin si Mesia, ata ngritën pyetje për prejardhjen e tij: «Ku i gjeti ky njeri këto gjëra? . . . A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë dhe vëllai i Jakovit, i Jozefit, i Judës dhe i Simonit? Po motrat e tij, a nuk janë këtu me ne?» (Mar. 6:1-3) Për njerëzit e Nazaretit, fakti që Jezui vinte nga një familje e thjeshtë, i bënte të pavlera mësimet e tij.
Ç’mund të themi për udhëheqësit fetarë? Shumica prej tyre, për arsye të ngjashme, nuk ia vunë shumë veshin Jezuit. (Gjoni 7:47-52) Gjithashtu, ata i hodhën poshtë mësimet e Jezuit sepse e kishin zili, pasi po merrte vëmendjen e njerëzve. (Mar. 15:10) Dhe shumë nga këta udhëheqës të rëndësishëm, sigurisht reaguan keq kur ai i dënoi për hipokrizinë dhe mashtrimin e tyre. (Mat. 23:13-36) Jezui me të drejtë demaskoi padijen e tyre të vullnetshme, duke thënë: «Mjerë ju që e njihni mirë Ligjin, sepse e hoqët çelësin e njohurisë. Le që vetë nuk hytë [në Mbretëri], por i penguat edhe ata që hynin!»—Luka 11:37-52.
Për tre vjet e gjysmë, Jezui e predikoi lajmin e mirë në gjithë vendin. Gjithashtu, ai stërviti edhe shumë të tjerë në atë vepër. (Luka 9:1, 2; 10:1, 16, 17) Jezui dhe dishepujt e tij patën kaq shumë sukses, sa farisenjtë u ankuan: «Ja, bota po shkon pas tij.» (Gjoni 12:19) Pra, nuk është se shumica e judenjve nuk dinin asgjë fare. Por faktikisht ata mbetën «në padije» për Jezuin si Mesia. Ata mund ta kishin thelluar njohurinë dhe dashurinë e tyre për Mesinë, por nuk e bënë. Disa u bënë bashkëpunëtorë në vdekjen e Jezuit. Ja pse apostulli Pjetër u bëri thirrje shumicës prej tyre: «Pendohuni dhe kthehuni, që t’ju fshihen mëkatet, që nga vetë Jehovai të vijnë kohë freskuese e që ai të dërgojë Krishtin e emëruar për ju, Jezuin.» (Vep. 3:19, 20) Vlen të përmendet se mijëra judenj, përfshirë edhe «shumë priftërinj», filluan t’ia vinin veshin lajmit të mirë për Krishtin. Ata nuk vepruan më në padije. Përkundrazi, u penduan dhe fituan miratimin e Jehovait.—Vep. 2:41; 4:4; 5:14; 6:7.