Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni Jezuin—Mësoni me dashuri

Imitoni Jezuin—Mësoni me dashuri

Imitoni Jezuin—Mësoni me dashuri

«Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.»—GJONI 7:46.

1. Si reaguan njerëzit ndaj mënyrës si mësonte Jezui?

IMAGJINONI sa emocionuese duhet të ketë qenë të dëgjoje Jezuin teksa mësonte njerëzit! Bibla na tregon shkurtimisht për ndikimin e tij tek ata që e takuan. Për shembull, në Ungjillin e tij, Luka shkruan se njerëzit në vendlindjen e Jezuit «mrekulloheshin me fjalët plot hir që i dilnin nga goja». Mateu tregon se ata që e dëgjuan Jezuin gjatë Predikimit në Mal, ‘mbetën të mahnitur nga mënyra se si mësonte’. Kurse Gjoni thotë se rojat që u dërguan për të arrestuar Jezuin, u kthyen duarbosh dhe thanë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.»—Luka 4:22; Mat. 7:28; Gjoni 7:46.

2. Çfarë metodash përdorte Jezui në mësimdhënie?

2 Rojat nuk e kishin gabim. Jezui ishte pa dyshim Mësuesi më i madh që ka jetuar ndonjëherë. Ai mësonte qartë, thjesht dhe me një logjikë të pakundërshtueshme. I përdorte me mjeshtëri ilustrimet dhe pyetjet. Ua përshtaste mësimdhënien njerëzve që e dëgjonin, qoftë njerëzve me pozitë, qoftë njerëzve të thjeshtë. Të vërtetat që ai mësonte, kuptoheshin lehtë, edhe pse ishin mjaft të thella. Megjithatë, nuk ishin vetëm këto gjëra që e bënin Jezuin një Mësues aq të madh.

Dashuria—Cilësi kryesore

3. Si ndryshonte Jezui si mësues nga udhëheqësit fetarë të asaj kohe?

3 Ndër skribët dhe farisenjtë, kishte pa dyshim burra të zgjuar me mjaft njohuri dhe me aftësinë për t’ua dhënë edhe të tjerëve atë njohuri. Pse mënyra si mësonte Jezui ndryshonte kaq shumë nga mënyra si mësonin ata? Udhëheqësit fetarë të asaj kohe nuk kishin dashuri për popullin e thjeshtë. Madje, ata i përçmonin dhe i konsideronin «njerëz të mallkuar». (Gjoni 7:49) Kurse Jezui, ndryshe nga ata, ndiente keqardhje për njerëzit, pasi ishin «të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mat. 9:36) Ai ishte i ngrohtë, zemërdhembshur dhe mirëdashës. Përveç kësaj, udhëheqësit fetarë nuk kishin dashuri të vërtetë për Perëndinë. (Gjoni 5:42) Ndërsa Jezui e donte Atin e tij dhe gjente kënaqësi në bërjen e vullnetit të tij. Udhëheqësit fetarë i shtrembëronin fjalët e Perëndisë për interes të tyre, por Jezui e donte «fjalën e Perëndisë»—ua mësoi dhe ua shpjegoi të tjerëve, e mbrojti dhe jetoi në përputhje me parimet e saj. (Luka 11:28) Po, dashuria përshkonte gjithë qenien e Krishtit, e udhëhiqte në gjërat që u mësonte njerëzve, në mënyrën si sillej me ta dhe si ua përçonte ato mësime.

4, 5. (a) Pse është e rëndësishme të mësojmë me dashuri? (b) Pse janë të rëndësishme edhe njohuria e aftësia në mësimdhënie?

4 Ç’mund të themi për ne sot? Si dishepuj të Krishtit, dëshirojmë ta imitojmë atë në shërbim dhe në jetën tonë. (1 Pjet. 2:21) Prandaj, qëllimi ynë është jo vetëm të japim njohuri biblike, por edhe të pasqyrojmë cilësitë e Jehovait, në mënyrë të veçantë dashurinë e tij. Pavarësisht nëse kemi shumë ose vetëm pak njohuri, nëse jemi shumë ose pak të aftë në mësimdhënie, dashuria që tregojmë luan një rol të rëndësishëm për t’u prekur zemrën atyre që u predikojmë. Që të jemi vërtet të frytshëm në veprën e bërjes së dishepujve, duhet të imitojmë Jezuin duke mësuar me dashuri.

5 Sigurisht, që të jemi mësues të mirë, na duhet njohuri për atë që u mësojmë të tjerëve dhe aftësi për ta dhënë këtë njohuri. Jezui i ndihmoi dishepujt e tij që t’i zotëronin të dyja, dhe sot Jehovai na ndihmon ta bëjmë këtë nëpërmjet organizatës së tij. (Lexo Isainë 54:13; Lukën 12:42.) Megjithatë, duhet të kemi si synim t’i mësojmë të tjerët jo vetëm me mendje, por edhe me zemër. Kur njohuria, aftësia dhe dashuria veprojnë së bashku, rezultatet mund të jenë mjaft të kënaqshme. Po në ç’mënyra mund të tregojmë dashuri kur mësojmë? Si e bënë këtë Jezui dhe dishepujt e tij? Le ta shohim.

Duhet të duam Jehovain

6. Si flasim për dikë që duam?

6 Na pëlqen të flasim për gjërat që duam. Kur flasim për diçka që e kemi për zemër, bëhemi më të gjallë dhe e gjithë sjellja jonë pasqyron entuziazëm dhe ngrohtësi. Kjo është e vërtetë sidomos kur është fjala për dikë që duam. Zakonisht, mezi presim t’u tregojmë edhe të tjerëve atë që dimë për atë person. E lavdërojmë, e nderojmë dhe e mbrojmë. Këtë e bëjmë sepse duam që edhe të tjerët, ashtu si ne, ta pëlqejnë atë person dhe cilësitë e tij.

7. Për çfarë e nxiste Jezuin dashuria që kishte për Perëndinë?

7 Para se të kultivojmë te të tjerët dashurinë për Jehovain, duhet ta njohim dhe ta duam së pari ne vetë. Në fund të fundit, adhurimi i vërtetë bazohet te dashuria për Perëndinë. (Mat. 22:36-38) Jezui la një shembull të përsosur. Ai e donte Jehovain me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën e tij. Jezui e njihte mirë Atin e tij qiellor, pasi kishte kaluar me të ndoshta miliarda vjet në qiell. E cili ishte rezultati? «Unë e dua Atin»,—tha Jezui. (Gjoni 14:31) Dhe kjo dashuri pasqyrohej në çdo gjë që thoshte e bënte Jezui. Ajo e nxiste të bënte gjithmonë gjërat që i pëlqenin Perëndisë. (Gjoni 8:29) E shtynte t’u çirrte maskën udhëheqësve fetarë, të cilët me hipokrizi hiqeshin sikur përfaqësonin Perëndinë. Gjithashtu, e nxiste të fliste për Jehovain dhe t’i ndihmonte të tjerët ta njihnin dhe ta donin atë.

8. Për çfarë i shtynte dishepujt e Jezuit dashuria për Perëndinë?

8 Ashtu si Jezui, dishepujt e shekullit të parë e donin Jehovain dhe kjo dashuri i shtynte ta predikonin lajmin e mirë me guxim e zell. Ata e mbushën Jerusalemin me mësimet e tyre, edhe pse udhëheqësit e fuqishëm fetarë iu kundërvunë. Dishepujt thjesht nuk mund të reshtnin së foluri për gjërat që kishin parë e dëgjuar. (Vep. 4:20; 5:28) Ata e dinin se Jehovai ishte me ta dhe se do t’i bekonte—dhe ai i bekoi! Në fakt, më pak se 30 vjet pas vdekjes së Jezuit apostulli Pavël mundi të shkruante që lajmi i mirë u ishte predikuar «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolos. 1:23.

9. Si mund ta forcojmë dashurinë për Perëndinë?

9 Nëse duam të jemi mësues vërtet të frytshëm, edhe ne duhet të vazhdojmë ta forcojmë dashurinë tonë për Perëndinë. Si mund ta bëjmë këtë? Duke komunikuar shpesh me Perëndinë nëpërmjet lutjes. Gjithashtu, e forcojmë dashurinë tonë për Perëndinë duke studiuar Fjalën e tij, duke lexuar botimet e bazuara në Bibël dhe duke ndjekur mbledhjet e krishtere. Ndërsa mësojmë më shumë për Perëndinë, zemrat tona do të mbushen me dashuri për të. Pastaj, teksa e shprehim dashurinë tonë për Perëndinë me fjalë e vepra, të tjerët do ta vënë re dhe mund t’i afrohen Jehovait.—Lexo Psalmin 104:33, 34.

Duhet të duam gjërat që mësojmë

10. Cila është një veçori dalluese e një mësuesi të mirë?

10 Një veçori dalluese e një mësuesi të mirë është dashuria e tij për gjërat që u mëson të tjerëve. Ai duhet të besojë se janë të vërteta, të rëndësishme dhe me vlerë. Nëse një mësues tregon kujdes për gjërat që mëson, entuziazmi i tij do të jetë i dukshëm dhe do të ketë ndikim të madh te studentët. Nga ana tjetër, nëse një mësues nuk i vlerëson vërtet gjërat që mëson, atëherë si mund të presë që studentët ta vlerësojnë atë që dëgjojnë? Mos e nënvlerësoni kurrë shembullin tuaj si mësues të Fjalës së Perëndisë. Jezui tha: «Kushdo që mësohet në mënyrë të përsosur, do të bëhet si mësuesi.»—Luka 6:40.

11. Pse i donte Jezui gjërat që mësonte?

11 Jezui i donte gjërat që u mësonte njerëzve. Ai e dinte se po u jepte diçka të çmuar—të vërtetën për Atin e tij qiellor, vetë «fjalët e Perëndisë» dhe ‘fjalët e jetës së përhershme’. (Gjoni 3:34; 6:68) Si një dritë depërtuese, të vërtetat që mësoi Jezui zbuluan se çfarë ishte e keqe dhe nxorën në pah se çfarë ishte e mirë. Ato të vërteta u dhanë shpresë dhe ngushëllim njerëzve të përulur që ishin të mashtruar nga udhëheqësit e rremë fetarë dhe të shtypur nga Djalli. (Vep. 10:38) Dashuria që Jezui kishte për të vërtetën, nuk duket vetëm në mësimet e tij, por në gjithçka bëri.

12. Si ndihej apostulli Pavël për lajmin e mirë?

12 Ashtu si Jezui e donte të vërtetën, edhe dishepujt e donin dhe e vlerësonin kaq shumë të vërtetën për Jehovain dhe Krishtin, sa kundërshtarët nuk arritën t’i ndalonin të flisnin për të. Pavli u shkroi të bashkëkrishterëve në Romë: «Kam dëshirë të zjarrtë t’jua shpall lajmin e mirë. . . . Sepse mua nuk më vjen turp për lajmin e mirë. Në të vërtetë, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim.» (Rom. 1:15, 16) Pavli e konsideronte një nder të shpallte të vërtetën. Ai shkroi: «Mua . . . m’u dha kjo dashamirësi e pamerituar, që t’u shpall kombeve lajmin e mirë lidhur me pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit.» (Efes. 3:8) Nuk është e vështirë të imagjinosh entuziazmin e Pavlit ndërsa u mësonte të tjerëve për Jehovain dhe qëllimet e Tij.

13. Për ç’arsye duhet ta duam lajmin e mirë?

13 Lajmi i mirë që gjendet në Fjalën e Perëndisë na ndihmon të njohim Krijuesin dhe të kemi një marrëdhënie të dashur me të. Ky lajm i mirë u jep përgjigje bindëse pyetjeve të rëndësishme të jetës dhe ka fuqinë të transformojë jetën tonë, të na mbushë me shpresë dhe të na forcojë në kohë vështirësish. Për më tepër, ai na tregon rrugën drejt një jete domethënëse që nuk do të ketë mbarim. Nuk ka njohuri më të çmuar dhe më të rëndësishme sesa lajmi i mirë. Është një dhuratë tepër e çmuar për ne, e cila na jep gëzim të madh. Dhe na sjell më shumë gëzim kur ua japim edhe të tjerëve.—Vep. 20:35.

14. Si mund ta forcojmë dashurinë për gjërat që u mësojmë të tjerëve?

14 Çfarë mund të bëni për të forcuar edhe më shumë dashurinë tuaj për lajmin e mirë? Ndërsa lexoni Fjalën e Perëndisë, ndaloni herë pas here për të menduar për atë që lexoni. Për shembull, imagjinoni sikur po shoqëroni Jezuin gjatë shërbimit të tij në tokë ose sikur po udhëtoni me apostullin Pavël. Përfytyrojeni veten në botën e re dhe mendoni se sa ndryshe do të jetë jeta. Mendoni për bekimet që keni marrë si rrjedhojë e bindjes ndaj lajmit të mirë. Nëse e ruani të fortë dashurinë për lajmin e mirë, ata të cilëve u predikoni do ta ndiejnë këtë dashuri. Prandaj, kemi arsye të forta për të bluar në mendje gjërat që kemi mësuar dhe për t’i kushtuar vëmendje asaj që u mësojmë të tjerëve.—Lexo 1 Timoteut 4:15, 16.

Duhet të duam njerëzit

15. Pse duhet t’i dojë një mësues studentët e tij?

15 Një mësues i mirë bën që studentët të ndihen rehat, me qëllim që të përfshihen me dëshirë në mësim e të shprehen lirshëm. Një mësues i dashur u jep njohuri studentëve sepse interesohet vërtet për ta. Ai e përshtat mësimdhënien sipas nevojave dhe nivelit të kuptueshmërisë që kanë studentët. Merr parasysh aftësitë dhe rrethanat e tyre. Kur mësuesit kanë një dashuri të tillë, studentët e vërejnë dhe mësimi bëhet i këndshëm për të dyja palët.

16. Në ç’mënyra Jezui tregoi dashuri për njerëzit?

16 Jezui tregoi këtë lloj dashurie. Shprehja më e madhe e dashurisë së tij ishte të jepte jetën e përsosur njerëzore që të shpëtonin të tjerët. (Gjoni 15:13) Gjatë shërbimit, Jezui u kujdes pa u lodhur për njerëzit nga ana fizike dhe sidomos nga ana frymore. Nuk priti që njerëzit të shkonin tek ai, por bëri qindra kilometra më këmbë që t’u çonte lajmin e mirë. (Mat. 4:23-25; Luka 8:1) Ai ishte i durueshëm dhe i kuptonte të tjerët. Kur dishepujt kishin nevojë për korrigjim, ua jepte me dashuri. (Mar. 9:33-37) I inkurajonte duke shprehur besimin se ata do të ishin predikues të frytshëm të lajmit të mirë. Asnjë njeri nuk ka qenë një mësues më i dashur sesa Jezui. Dashuria që u tregoi dishepujve bëri që edhe ata ta donin dhe të zbatonin urdhërimet e tij.—Lexo Gjonin 14:15.

17. Si shfaqnin dashuri për të tjerët dishepujt e Jezuit?

17 Ashtu si Jezui, dishepujt shfaqnin dashuri dhe përzemërsi të thellë për njerëzit që u predikonin. Duke duruar përndjekjet dhe duke rrezikuar jetën, ata u shërbyen të tjerëve dhe arritën t’u predikonin lajmin e mirë. Ç’përzemërsi ndienin për ata që ndihmonin nga ana frymore! Janë vërtet prekëse fjalët e apostullit Pavël, i cili shkroi: «U sollëm ëmbëlsisht me ju, ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj. Kështu, nga përzemërsia e butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.»—1 Sel. 2:7, 8.

18, 19. (a) Pse jemi gati të bëjmë sakrifica në veprën e predikimit? (b) Jepni një shembull që tregon se dashuria jonë vihet re nga të tjerët.

18 Po kështu, edhe në kohët e sotme, Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë në të gjithë tokën ata që duan ta njohin Perëndinë dhe t’i shërbejnë atij. Në fakt, 17 vitet e fundit, kemi kaluar më shumë se një miliard orë çdo vit në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve—dhe vazhdojmë në këtë vepër. Këtë e bëjmë me gatishmëri, edhe pse vepra e predikimit kërkon që të sakrifikojmë nga koha, energjitë dhe burimet tona materiale. Ashtu si Jezui, e kuptojmë se Ati ynë qiellor dëshiron që njerëzit të marrin njohurinë që të çon në jetën e përhershme. (Gjoni 17:3; 1 Tim. 2:3, 4) Dashuria na nxit t’i ndihmojmë ata me zemër të sinqertë që të njohin Jehovain dhe ta duan ashtu si ne.

19 Dashuria që tregojmë vihet re nga të tjerët. Për shembull, një motër pionere në Shtetet e Bashkuara shkruan letra për të ngushëlluar ata që u kanë vdekur njerëz të afërt. Një burrë iu përgjigj: «Në fillim u habita që një njeri do të mundohej kaq shumë, sa t’i shkruante letër një të panjohuri për ta ndihmuar në kohë të vështira. Mund të them vetëm se ju keni dashuri për njerëzit dhe për Perëndinë që i udhëheq në udhën e jetës.»

20. Sa e rëndësishme është t’i mësojmë të tjerët me dashuri?

20 Është thënë se kur dashuria dhe aftësia veprojnë së bashku, përfundimi mund të jetë një kryevepër. Në mësimdhënien tonë, përpiqemi t’i ndihmojmë studentët që jo vetëm ta njohin Jehovain, por edhe ta duan me gjithë zemër. Po, që të jemi mësues të frytshëm, na duhet një dashuri e trefishtë—dashuri për Perëndinë, dashuri për të vërtetën dhe dashuri për njerëzit. Ndërsa zhvillojmë këtë lloj dashurie dhe e shfaqim në shërbim, provojmë jo vetëm gëzimin që vjen kur japim, por edhe kënaqësinë që vjen nga dijenia se imitojmë Jezuin dhe kënaqim Jehovain.

Si do të përgjigjeshit?

• Ndërsa u mësojmë të tjerëve lajmin e mirë, pse është e rëndësishme të kemi . . .

dashuri për Perëndinë?

dashuri për gjërat që u mësojmë?

dashuri për ta?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Si ndryshonte mënyra si mësonte Jezui nga ajo e skribëve dhe e farisenjve?

[Figura në faqen 18]

Mësues i mirë është ai që ka njohuri, aftësi dhe, mbi të gjitha, dashuri