Të sillemi me edukatë si shërbëtorë të Perëndisë
Të sillemi me edukatë si shërbëtorë të Perëndisë
«Bëhuni . . . imitues të Perëndisë.»—EFES. 5:1.
1, 2. (a) Pse është e rëndësishme sjellja me edukatë? (b) Ç’do të shqyrtohet në këtë artikull?
SHKRIMTARJA Su Foks shkruan kështu për sjelljen me respekt: «Nuk ka asnjë rast kur përjashtohet edukata e mirë. Mirësjellja funksionon kudo dhe kurdo.» Kur njerëzit e bëjnë zakon të jenë të sjellshëm, problemet me të tjerët pakësohen dhe shpesh zhduken fare. Por është e vërtetë edhe e kundërta. Nëse i trajtojmë të tjerët pa edukatë, kjo çon në mosmarrëveshje, mëri e trishtim.
2 Në përgjithësi, në kongregacionin e krishterë lulëzon edukata e mirë. Gjithsesi, duhet të ruhemi që të mos përvetësojmë sjelljen pa edukatë që është bërë normale për botën e sotme. Le të shohim se si zbatimi i parimeve biblike për mirësjelljen mund të na mbrojë në këtë drejtim e t’i afrojë njerëzit tek
adhurimi i vërtetë. Që të kuptojmë ç’përfshin sjellja me edukatë, le të shqyrtojmë shembujt e Perëndisë Jehova dhe të Birit të tij.Jehovai dhe Biri i tij—Shembuj të mirësjelljes
3. Çfarë shembulli ka lënë Perëndia Jehova për mirësjelljen?
3 Perëndia Jehova është shembulli i përsosur i mirësjelljes. Pavarësisht nga pozita e lartë si Sovrani i universit, ai i trajton njerëzit me shumë dashamirësi e respekt. Kur iu drejtua si Abrahamit, si Moisiut, Jehovai përdori një term hebraik që shpesh përkthehet «të lutem». (Zan. 13:14; Dal. 4:6) Kur shërbëtorët e tij bëjnë gabime, Jehovai është ‘i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt dhe është plot dashamirësi e besnikëri’. (Psal. 86:15) Është krejt ndryshe nga disa njerëz që shpërthejnë gjithë inat kur të tjerët nuk i përmbushin standardet që ata kanë vendosur.
4. Si mund ta imitojmë Jehovain kur na flasin të tjerët?
4 Mirësjellja e Perëndisë duket edhe në mënyrën si i dëgjon njerëzit. Kur Abrahami i bëri pyetje për banorët e Sodomës, me durim Jehovai iu përgjigj të gjithave. (Zan. 18:23-32) Nuk e konsideroi si humbje kohe merakun e Abrahamit. Jehovai i dëgjon lutjet e shërbëtorëve të tij dhe thirrjet e mëkatarëve të penduar. (Lexo Psalmin 51:11, 17.) A nuk duhet ta imitojmë, duke i dëgjuar të tjerët kur na flasin?
5. Si mund t’i përmirësojmë marrëdhëniet me të tjerët duke imituar mirësjelljen e Jezuit?
5 Mirësjellja ishte një ndër gjërat e shumta që mësoi Jezu Krishti nga Ati i tij. Ndonëse nganjëherë shërbimi i merrte shumë kohë dhe energji, Jezui ishte gjithnjë i duruar e i sjellshëm. Ishte gjithnjë gati t’i ndihmonte të lebrosurit, të verbrit që ishin katandisur lypësa dhe nevojtarët e tjerë. Nuk i shpërfillte, edhe pse shkonin tek ai pa lënë takim. Shpesh e linte atë që kishte në dorë, që të ndihmonte një njeri në hall. Jezui kishte konsideratë të jashtëzakonshme për ata që kishin besim tek ai. (Mar. 5:30-34; Luka 18:35-41) Si të krishterë, e ndjekim shembullin e Jezuit duke qenë të sjellshëm e gati për të ndihmuar. Kjo sjellje nuk kalon pa u vënë re nga të afërmit, fqinjët dhe të tjerët. Për më tepër, ajo i jep lavdi Perëndisë dhe na sjell lumturi.
6. Çfarë shembulli la Jezui për përzemërsinë dhe miqësinë?
6 Gjithashtu, Jezui u tregonte respekt njerëzve duke u përdorur emrin. A u jepnin dinjitet në këtë mënyrë të tjerëve mësuesit fetarë judenj? Jo. I konsideronin si «njerëz të mallkuar» ata që nuk e njihnin Ligjin dhe i trajtonin si të tillë. (Gjoni 7:49) Kurse Biri i Perëndisë s’i trajtonte kështu njerëzit. Marta, Maria, Zakeu dhe shumë të tjerë e dëgjuan t’u thërriste me emër. (Luka 10:41, 42; 19:5) Ndonëse kultura dhe rrethanat mund të diktojnë se si u drejtohemi njerëzve sot, shërbëtorët e Jehovait përpiqen të jenë miqësorë me të tjerët. * Nuk lejojnë që dallimet klasore t’u diktojnë respektin që meritojnë bashkëbesimtarët e tyre dhe të tjerët.—Lexo Jakovin 2:1-4.
7. Si na ndihmojnë parimet e Biblës t’u tregojmë mirësjellje njerëzve kudo që janë?
7 Mirësjellja me të cilën Perëndia dhe Biri i tij trajtojnë njerëzit e çdo kombi dhe grupi etnik, u jep dinjitet këtyre njerëzve dhe tërheq drejt së vërtetës ata që janë me zemër të sinqertë. Natyrisht, normat e mirësjelljes ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Prandaj, nuk ndjekim një kod të ngurtë për sa i përket mirësjelljes. Në vend të kësaj, lejojmë që parimet e Biblës të na bëjnë elastikë, që t’u japim dinjitet njerëzve kudo që janë. Le të shqyrtojmë se si trajtimi i njerëzve me mirësjellje mund të na bëjë më të suksesshëm në shërbimin e krishterë.
T’i përshëndetim njerëzit e të bisedojmë me ta
8, 9. (a) Cili zakon mund të merret si mungesë edukate? (b) Pse duhet t’i lejojmë fjalët e Jezuit te Mateu 5:47 të ndikojnë në mënyrën si i trajtojmë të tjerët?
8 Me ritmin e shpejtë që ka jeta sot në shumë vende, shpesh ndodh që dy njerëz shkëmbehen në rrugë pa thënë «mirëdita» ose «ç’kemi?». Natyrisht, nuk pritet që t’i flasësh kujtdo në një trotuar plot me njerëz. Por, në shumë situata, është e përshtatshme dhe e dëshirueshme t’i përshëndetim të tjerët. A e keni zakon t’i përshëndetni njerëzit? Apo shpesh u kaloni pranë pa u buzëqeshur e pa u thënë ndonjë fjalë të mirë? Ndonëse pa qëllime të këqija, dikush mund të zhvillojë një zakon që në të vërtetë është mungesë edukate.
9 Jezui na dha një përkujtues kur tha: «Nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk bëjnë njësoj edhe njerëzit nga bota?» (Mat. 5:47) Në lidhje me këtë, këshilltari Donald Uajs shkroi: «Njerëzve nuk u vjen mirë kur të tjerët bëjnë sikur s’i shohin. Asnjë justifikim që mund të nxjerrësh, nuk do t’i qetësojë ata që janë shpërfillur. Zgjidhja është e thjeshtë: përshëndeti njerëzit. Bisedo me ta.» Nëse nuk lejojmë që ftohtësia ose qëndrimi ynë i rezervuar të bllokojë komunikimin me të tjerët, do të kemi rezultate të mira.
10. Si mund të na ndihmojë mirësjellja që të kemi një shërbim të frytshëm? (Shih kutinë: «Fillo me një buzëqeshje të ngrohtë.»)
10 Shqyrtoni rastin e një çifti të krishterë, Tomit dhe Karolës, që jetojnë në një qytet të madh të Amerikës së Veriut. Ata i kanë bërë pjesë të shërbimit bisedat e këndshme me njerëzit që takojnë. Si e bëjnë këtë? Duke iu referuar Jakovit 3:18, Tomi thotë: «Përpiqemi të jemi miqësorë e paqësorë me njerëzit. U afrohemi atyre që shohim jashtë shtëpive dhe që po punojnë në atë zonë. U buzëqeshim dhe i përshëndetim. Flasim për gjërat që u interesojnë atyre, për fëmijët, qenin, shtëpinë, punën. Me kalimin e kohës, na shohin si miq.» Karola shton: «Në një vizitë tjetër, u themi si quhemi dhe i pyesim për emrin. U tregojmë ç’po bëjmë në atë zonë, por nuk e zgjatim bisedën. Me kalimin e kohës, mund t’u japim dëshmi.» Tomi dhe Karola kanë fituar besimin e shumë njerëzve me të cilët flasin. Mjaft prej tyre kanë pranuar botime biblike dhe disa kanë treguar më tepër interes për të mësuar të vërtetën.
Të tregojmë mirësjellje në situata të vështira
11, 12. Pse duhet të presim që të na keqtrajtojnë ndërsa predikojmë lajmin e mirë, por si duhet të reagojmë?
11 Nganjëherë, kur predikojmë lajmin e mirë, na trajtojnë pa edukatë. E presim këtë, sepse Krishti Jezu i paralajmëroi dishepujt: «Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju.» (Gjoni 15:20) Por, po t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë atyre që na bëjnë komente përçmuese, s’do të kemi rezultate të mira. Si duhet të reagojmë? Apostulli Pjetër shkroi: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’u mbrojtur para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por bëjeni këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë.» (1 Pjet. 3:15) Nëse sillemi me njerëzi, duke u përgjigjur butë e me respekt, qëndrimi i atyre që na fyejnë mund të zbutet.—Titit 2:7, 8.
12 A mund të përgatitemi për t’u bërë ballë komenteve negative në një mënyrë që ka miratimin e Perëndisë? Po. Pavli rekomandoi: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolos. 4:6) Po ta bëjmë zakon të sillemi me edukatë me familjarët tanë, me shokët e shkollës, me kolegët e punës, me pjesëtarët e kongregacionit dhe me fqinjët, do të jemi më të përgatitur t’u bëjmë ballë talljeve e fyerjeve në një mënyrë të denjë për një të krishterë.—Lexo Romakëve 12:17-21.
13. Jepni një shembull që tregon se si sjellja me edukatë mund t’ua zbutë qëndrimin kundërshtarëve.
13 Sjellja me edukatë në situata të vështira, jep rezultate të mira. Për shembull, në Japoni një Dëshmitar u përball me tallje si nga i zoti i shtëpisë, edhe nga mysafiri i tij. Me një qëndrim të sjellshëm, vëllai u largua nga ajo shtëpi. Ndërsa vazhdonte të predikonte në territor, vuri re se mysafiri po e vëzhgonte nga një largësi e vogël. Kur vëllai iu afrua, burri tha: «Më vjen keq për atë që ndodhi. Edhe pse të thamë gjëra të këqija, vura re se ti vazhdoje
të buzëqeshje. Ç’duhet të bëj që të jem edhe unë ashtu?» Ky burrë kishte humbur punën dhe sapo i kishte vdekur e ëma, prandaj s’kishte asnjë shpresë të ishte i lumtur. Dëshmitari i ofroi një studim biblik dhe burri pranoi. S’kaloi shumë dhe po studionte dy herë në javë.Mënyra më e mirë për të mësuar sjelljen me edukatë
14, 15. Si i stërvitnin në kohët biblike shërbëtorët e Jehovait fëmijët e tyre?
14 Në kohët biblike, prindërit me frikë Perëndie siguroheshin që fëmijët të mësonin rregullat themelore të mirësjelljes në shtëpi. Shqyrtoni se me sa edukatë iu drejtuan njëri-tjetrit Abrahami dhe i biri, Isaku, te Zanafilla 22:7. Edhe në rastin e Jozefit, u duk qartë stërvitja e mirë që i kishin dhënë prindërit. Kur e burgosën, ai u soll me edukatë madje edhe me të burgosurit e tjerë. (Zan. 40:8, 14) Fjalët që i tha faraonit, tregojnë se e kishte mësuar mënyrën e duhur për t’iu drejtuar një njeriu me pozitë të lartë.—Zan. 41:16, 33, 34.
15 Në Dhjetë Urdhërimet që iu dhanë bijve të Izraelit, ishte dhe ky urdhër: «Ndero atin dhe nënën tënde, që të kesh ditë të gjata në tokën që po të jep Jehovai, Perëndia yt.» (Dal. 20:12) Një mënyrë se si fëmijët i nderojnë prindërit, është duke u sjellë me edukatë në shtëpi. E bija e Jefteut tregoi respekt të jashtëzakonshëm për të atin, duke plotësuar zotimin e tij në një situatë shumë stresuese.—Gjyk. 11:35-40.
16-18. (a) Ç’mund të bëhet për t’u mësuar fëmijëve normat e mirësjelljes? (b) Cilat janë disa dobi që vijnë kur u mësojmë fëmijëve normat e mirësjelljes?
16 Asnjëherë s’do të jetë e tepërt të theksohet vlera e stërvitjes së fëmijëve që të jenë me edukatë. Që t’u vejë mbarë kur të jenë të rritur, fëmijët duhet të mësojnë mënyrën e duhur për të përshëndetur vizitorët, për t’u përgjigjur në telefon dhe për të ngrënë në tryezë bashkë me të tjerë. Duhen ndihmuar të kuptojnë pse ta mbajnë derën hapur që të kalojnë të tjerët, pse të jenë të sjellshëm me të moshuarit e të sëmurët dhe pse t’u ofrojnë ndihmë atyre që kanë plaçka të rënda në dorë. Duhet të kuptojnë pse është e rëndësishme të thonë sinqerisht «të lutem», «faleminderit», «s’ka gjë», «a mund të të ndihmoj?» dhe «më fal».
17 Nuk ka pse të jetë e vështirë t’i stërvitim fëmijët që të jenë me edukatë. Mënyra më e mirë është të lëmë shembullin. Ja ç’thotë Kurti 25-vjeçar për mënyrën se si ai dhe tre vëllezërit e tij mësuan të jenë të sjellshëm: «Shikonim dhe dëgjonim se si mami dhe babi flitnin me mirëdashje me njëri-tjetrin dhe i trajtonin
të tjerët me durim e konsideratë. Në Sallën e Mbretërisë, babi më merrte me vete para dhe pas mbledhjeve, që t’u flitja vëllezërve e motrave më të mëdhenj në moshë. Dëgjoja si i përshëndeste dhe pashë respektin që kishte për ta.» Kurti vazhdon: «Me kalimin e kohës, m’u bë e natyrshme të sillesha me edukatë si ai. Të vjen vetvetiu t’i trajtosh njerëzit me mirësjellje. Jo se je i detyruar, por kështu dëshiron t’i trajtosh të tjerët.»18 Ç’mund të ndodhë nëse prindërit u mësojnë fëmijëve normat e mirësjelljes? Fëmijët do të kenë mundësi të zënë miq e të mbajnë paqen me të tjerët. Do të jenë më të përgatitur të punojnë me punëdhënësit dhe kolegët. Për më tepër, fëmijët që janë me edukatë, të sjellshëm e të drejtë, do t’u sjellin prindërve gëzim e kënaqësi.—Lexo Proverbat 23:24, 25.
Edukata e mirë na bën të ndryshëm
19, 20. Pse duhet të jemi të vendosur të imitojmë Perëndinë tonë të sjellshëm dhe Birin e tij?
19 «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur»,—shkroi Pavli. (Efes. 5:1) Të imitojmë Perëndinë Jehova dhe Birin e tij përfshin të zbatojmë parimet biblike, si ato që shqyrtuam në këtë artikull. Duke vepruar kështu, nuk do të bëhemi hipokritë e të shfaqim mirësjellje vetëm sa për të fituar miratimin e dikujt me pozitë ose për ndonjë përfitim material.—Juda 16.
20 Në këto ditë të fundit të sundimit të tij të lig, Satanai po bën çmos të zhdukë normat e mirësjelljes që ka vendosur Jehovai. Por, Djalli nuk do të arrijë t’ua çrrënjosë mirësjelljen dhe edukatën të krishterëve të vërtetë. Qoftë i vendosur secili nga ne të ndjekë shembujt e Perëndisë tonë të sjellshëm dhe Birit të tij! Atëherë, fjalët dhe sjellja jonë do të jenë gjithnjë ndryshe nga veprimet e atyre që zgjedhin të jenë të paedukatë. Do t’i sjellim lavdi emrit të Perëndisë tonë të sjellshëm, Jehovait, dhe do të afrojmë njerëzit e sinqertë tek adhurimi i tij i vërtetë.
[Shënimi]
^ par. 6 Në disa kultura, konsiderohet e paedukatë t’i drejtohesh me emër një më të madhi, përveçse kur ai ta thotë vetë. Të krishterët duhet t’i respektojnë këto zakone.
A ju kujtohet?
• Çfarë mësojmë nga Jehovai dhe Biri i tij për mirësjelljen?
• Pse ndikon për mirë në emrin tonë si të krishterë kur i përshëndetim të tjerët me përzemërsi?
• Si na ndihmon mirësjellja që të kemi një shërbim të frytshëm?
• Ç’rol kanë prindërit për t’u mësuar edukatën fëmijëve?
[Pyetjet]
[Kutia në faqen 27]
Fillo me një buzëqeshje të ngrohtë
Shumë njerëz ngurrojnë të nisin një bisedë me dikë që s’e njohin. Por, për hir të dashurisë që kanë për Perëndinë e për të afërmin, Dëshmitarët e Jehovait bëjnë përpjekje të zellshme të mësojnë si të bisedojnë, që t’u japin të tjerëve të vërtetat e Biblës. Si të përmirësosh në këtë drejtim?
Një parim të vlefshëm e gjejmë te Filipianëve 2:4, ku thuhet: «[Shihni] me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.» Mendoji kështu këto fjalë: në qoftë se nuk e ke takuar kurrë më parë dikë, ai të konsideron të panjohur. Si ta bësh të ndihet rehat? Një buzëqeshje e ngrohtë dhe një përshëndetje miqësore mund të ndihmojnë. Por, ka edhe më tepër.
Kur përpiqesh të nisësh një bisedë me dikë, ndoshta i ke ndërprerë fillin e mendimeve. Nëse përpiqesh të trajtosh atë që ti ke ndër mend pa u interesuar se ç’ka ai në mendje, ndoshta nuk do të përgjigjet mirë. Prandaj, nëse ke mundësi të dallosh çfarë po mendonte, përse të mos e përdorësh për të nisur një bisedë me të? Kështu bëri Jezui kur takoi një grua te një burim në Samari. (Gjoni 4:7-26) Ajo po mendonte si të nxirrte ujë. Jezui e nisi bisedën mbi këtë bazë dhe shpejt e ktheu në një diskutim të gjallë për gjëra frymore.
[Figurat në faqen 26]
Kur jemi miqësorë me njerëzit, mund të japim dëshmi të mirë
[Figura në faqen 28]
Mirësjellja është gjithnjë me vend