Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shfajësohet sundimi i Jehovait

Shfajësohet sundimi i Jehovait

Shfajësohet sundimi i Jehovait

«Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve.»—DAN. 4:17.

1, 2. Cilat janë disa arsye pse sundimi njerëzor ka dështuar?

SUNDIMI njerëzor ka dështuar! Për këtë s’ka asnjë dyshim. Një nga arsyet kryesore të këtij dështimi është se njerëzve u mungon mençuria për të sunduar me sukses. Dështimi i sundimit të njeriut duket qartë sidomos sot, sepse shumë sundimtarë kanë treguar se janë ‘të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, të pabesë, aspak të gatshëm për ndonjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë dhe të krekosur’.—2 Tim. 3:2-4.

2 Shumë kohë më parë, prindërit tanë të parë e refuzuan sundimin e Perëndisë. Kur vepruan kështu, ata mund të kenë menduar se do të ishin të pavarur. Por në të vërtetë po i nënshtroheshin sundimit të Satanait. Gjashtë mijë vjet keqadministrim nga njeriu—që është ndikuar fuqimisht nga «sundimtari i kësaj bote», Satanai—na kanë sjellë në këtë pikë të ulët të historisë njerëzore ku gjendemi sot. (Gjoni 12:31) Duke komentuar për gjendjen e njerëzimit sot, një libër historie thotë se është e kotë «të kërkosh një botë të përsosur». Libri shpjegon: «Ajo jo vetëm që nuk mund të gjendet, por përpjekjet për ta krijuar çojnë në shkatërrim, sundime totalitare dhe, më keq akoma, në luftë.» (The Oxford History of the Twentieth Century) Çfarë deklarate e qartë se sundimi njerëzor ka dështuar!

3. Ç’mund të themi për mënyrën si do të kishte sunduar Perëndia nëse Adami dhe Eva nuk do të kishin mëkatuar?

3 Sa tragjike që prindërit tanë të parë refuzuan të vetmin sundim të suksesshëm—sundimin e Perëndisë! Sigurisht, ne nuk e dimë saktë si do ta kishte organizuar Jehovai qeverisjen e tokës, nëse Adami dhe Eva do t’i kishin qëndruar besnikë. Por mund të jemi të sigurt se sundimi i Perëndisë, po të ishte pranuar nga i gjithë njerëzimi, do të karakterizohej nga dashuria dhe paanësia. (Vep. 10:34; 1 Gjon. 4:8) Duke pasur parasysh mençurinë e pashoqe të Perëndisë, mund të jemi gjithashtu të sigurt se të gjitha gabimet e bëra nga përkrahësit e sundimit njerëzor, do të ishin shmangur, në rast se njerëzimi do të kishte qëndruar nën sundimin e Jehovait. Sundimi i Perëndisë, pra teokracia, do të kishte arritur ‘të plotësonte dëshirën e çdo krijese’. (Psal. 145:16) E thënë shkurt, do të kishte qenë një sundim i përsosur. (Ligj. 32:4) Sa tragjike që njerëzit e refuzuan!

4. Deri në ç’masë është lejuar të sundojë Satanai?

4 Megjithatë, është mirë të kujtojmë që, edhe pse Jehovai i lejoi njerëzit të vetëqeveriseshin, ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga e drejta e tij për të sunduar mbi krijesat e veta. Madje edhe mbreti i fuqishëm i Babilonisë u detyrua të kuptonte se, në fund të fundit, «Më i Larti është Sundimtar në mbretërinë e njerëzve». (Dan. 4:17) Përfundimisht, vullneti i Perëndisë do të realizohet nëpërmjet Mbretërisë së tij. (Mat. 6:10) Vërtet, për një periudhë të shkurtër, Jehovai ka lejuar që Satanai të veprojë si «perëndia i kësaj bote», me qëllim që të sigurojë një përgjigje bindëse për çështjet e ngritura nga ai kundërshtar. (2 Kor. 4:4; 1 Gjon. 5:19) Prapëseprapë, Satanai kurrë s’ka arritur të shkojë përtej asaj që ia lejon Jehovai. (2 Kron. 20:6; krahaso Jobin 1:11, 12; 2:3-6.) Gjithmonë ka pasur disa individë që zgjodhën t’i nënshtroheshin Perëndisë, megjithëse jetonin në një botë të sunduar nga Kundërshtari më i madh i Perëndisë.

Sundimi i Perëndisë në Izrael

5. Çfarë i premtoi Izraeli Perëndisë?

5 Që nga koha e Abelit e deri në formimin e kombit të Izraelit, shumë individë besnikë adhuruan Jehovain dhe iu bindën urdhërimeve të tij. (Hebr. 11:4-22) Në ditët e Moisiut, Jehovai bëri një besëlidhje me pasardhësit e patriarkut Jakob dhe ata u bënë kombi i Izraelit. Në vitin 1513 p.e.s., izraelitët premtuan se ata dhe pasardhësit e tyre do të pranonin Jehovain si sundimtar, duke thënë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që thotë Jehovai.»—Dal. 19:8.

6, 7. Nga çfarë karakterizohej sundimi i Perëndisë në Izrael?

6 Jehovai kishte një qëllim që i zgjodhi izraelitët si popullin e tij. (Lexo Ligjin e përtërirë 7:7, 8.) Kjo zgjedhje nuk kishte të bënte vetëm me mirëqenien e izraelitëve. Përfshiheshin emri dhe sovraniteti i Perëndisë, e këto gjëra kishin rëndësi më të madhe. Izraeli duhej të shërbente si dëshmitar i faktit se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë. (Isa. 43:10; 44:6-8) Kështu, Jehovai i tha atij kombi nëpërmjet Moisiut: «Ti je një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë tënd, dhe nga të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut, Jehovai të zgjodhi ty që të bëhesh populli i tij, një pronë e veçantë.»—Ligj. 14:2.

7 Ndërsa sundonte mbi izraelitët, Perëndia mbante parasysh se ata ishin të papërsosur. Në të njëjtën kohë, ligjet e Perëndisë ishin të përsosura dhe pasqyronin cilësitë e tij. Urdhërimet që Jehovai dha nëpërmjet Moisiut, theksonin qartë shenjtërinë e Tij, dashurinë e Tij për drejtësinë, gatishmërinë për të falur dhe durimin e Tij. Më vonë, në kohën e Josiut dhe të brezit të tij, kombi iu bind urdhërimeve të Jehovait dhe pati paqe e bekime frymore. (Jos. 24:21, 22, 31) Ajo periudhë e historisë së Izraelit tregoi sa i suksesshëm ishte sundimi i Jehovait.

Sundim njerëzor me një çmim

8, 9. (a) Ç’kërkesë jo të mençur bëri Izraeli? (b) Cilat qenë pasojat?

8 Por me kalimin e kohës, izraelitët e refuzuan shpesh sundimin e Perëndisë dhe vuajtën ngaqë nuk kishin mbrojtjen e tij. Si përfundim, Izraeli kërkoi një mbret të dukshëm, një mbret njerëzor, nëpërmjet profetit Samuel. Jehovai i tha Samuelit që t’ua plotësonte kërkesën, megjithatë shtoi: «Nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë mua, që të mos jem mbret i tyre.» (1 Sam. 8:7) Ndonëse Jehovai e lejoi Izraelin të kishte një mbret të dukshëm, ai i paralajmëroi se sundimi me anë të një mbreti njerëzor do të kishte një çmim.—Lexo 1 Samuelit 8:9-18.

9 Historia e tregoi sa i vërtetë ishte paralajmërimi i Jehovait. Sundimi njerëzor i solli probleme të rënda Izraelit, sidomos kur mbreti tregohej i pabesë. Me këtë shembull të Izraelit në mendje, nuk çuditemi që qeveritë në duart e njerëzve që nuk e njohin Jehovain, nuk kanë arritur të sjellin rezultate të mira të përhershme gjatë epokave. Edhe pse disa politikanë kërkojnë bekimin e Perëndisë ndaj përpjekjeve të tyre për paqe dhe siguri, a mund t’i bekojë Perëndia nëse nuk i nënshtrohen sundimit të tij?—Psal. 2:10-12.

Një komb i ri nën sundimin e Perëndisë

10. Pse Izraeli nuk ishte më kombi i zgjedhur i Perëndisë?

10 Kombi i Izraelit nuk u tregua i gatshëm t’i shërbente Jehovait me besnikëri. Përfundimisht, ata e hodhën poshtë Mesinë e emëruar nga Perëndia. Si pasojë, Jehovai i hodhi poshtë ata dhe vuri si qëllim t’i zëvendësonte me një grup njerëzish që formuan një komb të ri. Si rrjedhim, në vitin 33 të e.s., lindi kongregacioni i krishterë me adhurues të mirosur të Jehovait. Në të vërtetë, ky kongregacion ishte një komb i ri nën sundimin e Jehovait. Pavli e quajti ‘Izraeli i Perëndisë’.—Gal. 6:16.

11, 12. Çfarë ngjashmërish lidhur me mbikëqyrjen ekzistojnë midis Izraelit dhe ‘Izraelit të Perëndisë’?

11 Midis kombit natyror të Izraelit dhe ‘Izraelit të ri të Perëndisë’ ka ndryshime dhe ngjashmëri. Ndryshe nga Izraeli i lashtë, kongregacioni i krishterë nuk ka një mbret njerëzor dhe nuk ka nevojë që të paraqitë flijime në kafshë për mëkatarët. Një ngjashmëri midis kombit të Izraelit dhe kongregacionit të krishterë është masa e pleqve. (Dal. 19:3-8) Këta burra të krishterë nuk sundojnë mbi kopenë. Përkundrazi, shërbejnë si barinj në kongregacion dhe pa u kursyer marrin drejtimin në veprimtaritë e krishtere. Sillen me dashuri me çdo individ në kongregacion, duke u dhënë nder e dinjitet të gjithëve.—2 Kor. 1:24; 1 Pjet. 5:2, 3.

12 Kur meditojnë për marrëdhënien e Perëndisë me Izraelin, pjesëtarëve të ‘Izraelit të Perëndisë’ dhe ‘deleve të tjera’, shokëve të tyre, u rritet çmueshmëria për Jehovain dhe sundimin e Tij. (Gjoni 10:16) Historia tregon se sundimtarët njerëzorë të Izraelit ndikonin shumë te nënshtetasit, qoftë për mirë, qoftë për keq. Ky fakt u ngulit në mendje atyre që marrin drejtimin mes të krishterëve se, megjithëse nuk janë sundimtarë si ata mbretër të lashtë, gjithnjë duhet të lënë një shembull të mirë besimi.—Hebr. 13:7.

Si sundon sot Jehovai?

13. Ç’ngjarje e rëndësishme ndodhi në vitin 1914?

13 Të krishterët sot i shpallin botës se sundimit njerëzor po i vjen fundi. Në vitin 1914, Jehovai vendosi Mbretërinë në qiej nën udhëheqjen e Mbretit të emëruar, Jezu Krishtit. Në atë kohë, ai i dha Jezuit autoritetin që ‘të dilte fitimtar për të plotësuar fitoren e tij’. (Zbul. 6:2) Mbretit të sapovendosur në fron iu tha: «Shko mes armiqve të tu dhe nënshtroji.» (Psal. 110:2) Mjerisht, kombet kanë refuzuar vazhdimisht t’i nënshtrohen sundimit të Jehovait. Ato kanë vepruar sikur «s’ka Jehova».—Psal. 14:1.

14, 15. (a) Si sundohemi sot nga Mbretëria e Perëndisë? (b) Duke pasur parasysh këtë, cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes? (c) Si duket që sot epërsia e sundimit të Perëndisë?

14 Në tokë kanë mbetur ende disa pjesëtarë të mirosur të ‘Izraelit të Perëndisë’ dhe, si vëllezër të Jezuit, ata vazhdojnë të veprojnë si «ambasadorë në vend të Krishtit». (2 Kor. 5:20) Ata janë emëruar si klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur që të kujdesen e t’u sigurojnë ushqim frymor të mirosurve dhe një shumice në rritje të krishterësh që tani janë miliona dhe që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Mat. 24:45-47; Zbul. 7:9-15) Bekimi i Jehovait ndaj kësaj mase duket qartë nga begatia frymore që gëzojnë sot adhuruesit e vërtetë.

15 Secili prej nesh duhet të pyesë veten: «A i kuptoj mirë përgjegjësitë që duhet të mbaj brenda kongregacionit të krishterë? A po e mbështes siç duhet sundimin e Jehovait? A ndihem krenar që jam nënshtetas i Mbretërisë së Jehovait që sundon? A jam i vendosur të vazhdoj t’u flas të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë për aq sa kam mundësi në mënyrë të arsyeshme?» Si grup, ne i nënshtrohemi me gatishmëri drejtimit që jep Trupi Udhëheqës dhe bashkëpunojmë me pleqtë e emëruar në kongregacione. Në këto mënyra, tregojmë se pranojmë sundimin e Perëndisë. (Lexo Hebrenjve 13:17.) Nënshtrimi me gatishmëri sjell një unitet mbarëbotëror që është i pashoq në këtë botë të përçarë. Gjithashtu, sjell paqe e drejtësi, si edhe lëvdon Jehovain, duke treguar se sundimi i tij është pa dyshim më i miri.

Sundimi i Jehovait është triumfues

16. Përballë cilit vendim gjendet çdo njeri sot?

16 Po afron me shpejtësi koha kur çështjet e ngritura në Eden do të zgjidhen. Prandaj, tani është koha që njerëzit të marrin një vendim. Secili duhet të vendosë nëse do të pranojë sundimin e Jehovait apo do të mbetet i lidhur pas sundimit njerëzor. Është privilegji ynë t’i ndihmojmë zemërbutët që të marrin vendimin e duhur. Së shpejti, në Harmagedon, sundimi i Jehovait do t’ua zërë njëherë e mirë vendin qeverive njerëzore nën ndikimin e Satanait. (Dan. 2:44; Zbul. 16:16) Sundimi njerëzor do të marrë fund dhe Mbretëria e Perëndisë do të sundojë në mbarë tokën. Në kuptimin më të plotë të fjalës, sundimi i Jehovait do të shfajësohet.—Lexo Zbulesën 21:3-5.

17. Cilat fakte i ndihmojnë zemërbutët të marrin një vendim të mirë për sundimin që do të zgjedhin?

17 Ata që deri tani nuk kanë vendosur përfundimisht të marrin anën e Jehovait, duhet të shqyrtojnë në lutje dobitë që do t’i sjellë njerëzimit sundimi i Perëndisë. Sundimi njerëzor nuk ka qenë i aftë të zgjidhë problemin e krimit, përfshirë edhe terrorizmin. Sundimi i Perëndisë do të zhdukë tërë të ligjtë nga skena tokësore. (Psal. 37:1, 2, 9) Sundimi i njeriut ka çuar në luftëra të pareshtura, por sundimi i Perëndisë do të bëjë ‘të pushojnë luftërat deri në skaj të dheut’. (Psal. 46:9) Madje, sundimi i Perëndisë do të rivendosë paqen midis njerëzve dhe kafshëve. (Isa. 11:6-9) Nën sundimin njerëzor ka pasur gjithnjë varfëri dhe uri, por sundimi i Perëndisë do t’i zhdukë ato. (Isa. 65:21) Edhe sundimtarët njerëzorë që kanë pasur qëllimet më të mira, nuk kanë mundur të zhdukin sëmundjet dhe vdekjen, por nën sundimin e Perëndisë, të moshuarit e të sëmurët do të gjejnë kënaqësi kur t’u kthehet gjallëria e rinisë. (Jobi 33:25; Isa. 35:5, 6) Po, toka do të bëhet një parajsë ku edhe të vdekurit do të ringjallen.—Luka 23:43; Vep. 24:15.

18. Si mund ta tregojmë se besojmë që sundimi i Jehovait është më i miri?

18 Po, sundimi i Perëndisë do të zhdukë çdo dëm që shkaktoi Satanai kur i shtyu prindërit tanë të parë të refuzojnë Krijuesin. Dhe mendoni që Satanai ka shkaktuar dëme për rreth 6.000 vjet, por Perëndia, nëpërmjet Krishtit, do të zhbëjë çdo dëm brenda 1.000 vjetëve. Ç’provë madhështore për epërsinë e sundimit të Perëndisë! Si Dëshmitarë të Perëndisë, ne e pranojmë atë si Sundimtarin tonë. Prandaj, le të tregojmë çdo ditë, madje çdo orë të jetës sonë, se jemi adhurues të Jehovait, nënshtetas të Mbretërisë së tij dhe se ndihemi krenarë që jemi Dëshmitarë të tij. Gjithashtu, le të përdorim çdo mundësi për t’i thënë kujtdo që është i gatshëm të dëgjojë se sundimi i Jehovait është më i miri.

Çfarë mësuam për sundimin e Perëndisë duke lexuar . . .

Ligjin e përtërirë 7:7, 8?

1 Samuelit 8:9-18?

Hebrenjve 13:17?

Zbulesën 21:3-5?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 29]

Jehovai gjithmonë e ka ruajtur sundimin e tij

[Figura në faqen 31]

Nënshtrimi i vullnetshëm ndaj sundimit të Jehovait, sjell unitet mbarëbotëror