Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Meqë Jehovai e ndalon idhujtarinë, pse nuk e ndëshkoi Aaronin kur bëri viçin e artë?
Kur Aaroni bëri viçin e artë, siç është dokumentuar te kapitulli 32 i Daljes, ai shkeli ligjin e Perëndisë në lidhje me idhujtarinë. (Dal. 20:3-5) Si pasojë, ‘Jehovait iu ndez zemërimi shumë kundër Aaronit, aq sa desh e shfarosi, kështu që në atë kohë Moisiu iu përgjërua për Aaronin’. (Ligj. 9:19, 20) A pati «shumë forcë» përgjërimi i të drejtit Moisi në rastin e Aaronit? (Jak. 5:16) Po. Falë atij përgjërimi, si edhe të paktën për dy arsye të tjera, duket se Jehovai iu përgjigj lutjes së Moisiut dhe nuk e ndëshkoi Aaronin.
Njëra arsye kishte të bënte me sa duket me besnikërinë që kishte shfaqur Aaroni në të kaluarën. Kur Moisiu u caktua të shkonte te faraoni dhe të nxirrte izraelitët nga Egjipti, Jehovai emëroi Aaronin që të shoqëronte Moisiun dhe të fliste si përfaqësues i këtij të fundit. (Dal. 4:10-16) Duke iu bindur Jehovait, të dy këta burra shkuan te mbreti i Egjiptit shumë herë, dhe duruan më tepër se kushdo zemërgurësinë e faraonit. Pra, që në Egjipt Aaroni ndërtoi reputacionin si një njeri që i shërbente Jehovait me besnikëri dhe qëndrueshmëri.—Dal. 4:21.
Shqyrtoni edhe arsyen pse Aaroni bëri viçin e artë. Moisiu ishte në malin Sinai për 40 ditë. Kur «populli pa që Moisiu po vononte të zbriste nga mali», ata e bindën Aaronin t’u bënte një idhull. Aaroni bashkëpunoi dhe bëri statujën prej ari të një viçi. (Dal. 32:1-6) Megjithatë, veprimet e mëpasshme të Aaronit tregojnë se zemra e tij nuk ishte me këta idhujtarë. Duket se ai e vetëm sa u dorëzua para presionit. Për shembull, në momentin më kritik kur Moisiu i vuri izraelitët para një vendimi në lidhje me këtë idhujtari, të gjithë bijtë e Levit, përfshirë edhe Aaroni, me vendosmëri morën anën e Jehovait. Tre mijë idhujtarët që mbanin përgjegjësinë kryesore për sjelljen idhujtare, u vranë.—Dal. 32:25-29.
Më pas Moisiu i tha popullit: «Ju keni kryer një mëkat të rëndë.» (Dal. 32:30) Kështu, Aaroni nuk ishte i vetmi që mbante një masë faji për keqbërjen. Edhe ai, edhe populli nxorën dobi nga mëshira e madhe e Jehovait.
Pas ngjarjes me viçin e artë, Jehovai urdhëroi që Aaroni të emërohej kryeprift. Perëndia i tha Moisiut: «Vishi Aaronit rrobat e shenjta, mirose dhe shenjtëroje. Kështu ai do të më shërbejë si prift.» (Dal. 40:12, 13) Është e qartë se Jehovai e fali Aaronin për dobësinë që tregoi. Në zemër Aaroni ishte një përkrahës besnik i adhurimit të vërtetë e jo një rebel idhujtar.