Të rinj: Ç’do të bëni me jetën tuaj?
Të rinj: Ç’do të bëni me jetën tuaj?
«Mënyra se si i drejtoj goditjet, është e atillë që të mos jem duke goditur ajrin.»—1 KOR. 9:26.
1, 2. Ndërsa rritesh, për çfarë ke nevojë që të kesh sukses?
NËSE do të bësh një udhëtim, por nuk e di rrugën, ndoshta do të të duhet të marrësh me vete një hartë dhe një busull. Harta mund të të ndihmojë të kuptosh ku ndodhesh dhe të vendosësh cilën rrugë të ndjekësh. Ndërsa busulla mund të të ndihmojë të orientohesh. Megjithatë, si harta, edhe busulla nuk do të të hyjnë shumë në punë nëse nuk e di se ku do të shkosh. Që të mos endesh më kot, duhet ta kesh të qartë vendmbërritjen.
2 Si i ri, ti je në një situatë të ngjashme ndërsa rritesh. Ke në dispozicion një hartë të besueshme dhe një busull. Bibla është një hartë që mund të të ndihmojë të zgjedhësh rrugën që do të ndjekësh. (Prov. 3:5, 6) Ndërgjegjja e stërvitur si duhet do të të ndihmojë të qëndrosh në udhën e drejtë. (Rom. 2:15) Ajo mund të shërbejë si një busull. Por, që të kesh sukses në jetë, duhet të dish edhe se ku do të shkosh. Duhet të kesh synime të qarta.
3. Sipas fjalëve të Pavlit te 1 Korintasve 9:26, cilat dobi vijnë kur ke synime?
3 Apostulli Pavël i përmblodhi dobitë që vijnë kur vendos synime dhe përpiqesh t’i arrish, me këto fjalë: «Mënyra se si vrapoj nuk është e pasigurt, dhe mënyra se si i drejtoj goditjet, është e atillë që të mos jem duke goditur ajrin.» (1 Kor. 9:26) Nëse ke synime, mund të vraposh i sigurt. Shpejt do të të duhet të marrësh vendime të rëndësishme në lidhje me adhurimin, punën, martesën dhe familjen, vetëm për të përmendur disa. Ndonjëherë mbase ndihesh i pështjelluar, pasi ke një shumëllojshmëri mundësish. Por, nëse vendos që më përpara udhën që do të ndjekësh, duke i bazuar vendimet që merr në të vërtetat dhe parimet e Fjalës së Perëndisë, nuk do të tundohesh të shkosh në drejtimin e gabuar.—2 Tim. 4:4, 5.
4, 5. (a) Ç’mund të ndodhë nëse nuk i vë synime vetes? (b) Pse zgjedhjet e tua duhet të drejtohen nga dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë?
4 Nëse nuk i vë synime vetes, ka shumë të ngjarë që moshatarët dhe mësuesit e tu të të shtyjnë të bësh atë që sipas tyre është më e mira për ty. Sigurisht, edhe po të kesh synime të qarta, prapëseprapë disa mund të të japin opinionet e veta. Kur i dëgjon sugjerimet e tyre, pyet veten: «A do të më ndihmojnë synimet që më tregojnë, të kujtoj Krijuesin tim tani që jam i ri apo do të më shpërqendrojnë?»—Lexo Eklisiastiun 12:1.
5 Pse zgjedhjet e tua në jetë duhet të drejtohen nga dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë? Një arsye është se Jehovai na ka dhënë çdo gjë të mirë që kemi. (Jak. 1:17) Në të vërtetë, të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës atij. (Zbul. 4:11) Por, a ka mënyrë më të mirë për ta treguar mirënjohjen për Jehovain, sesa duke e mbajtur gjithnjë në mendje kur vendos synime? Le të shqyrtojmë tani cilat synime ia vlen të arrish dhe çfarë duhet të bësh për t’i arritur.
Ç’synime mund të vendosësh?
6. Cilat synime kryesore mund të vendosësh dhe pse?
6 Siç u tha në artikullin e mëparshëm, një synim kryesor që mund të vendosësh është të vërtetosh se ajo që thuhet në Bibël është e vërtetë. (Rom. 12:2; 2 Kor. 13:5) Moshatarët e tu mund të besojnë tek evolucioni ose në doktrina të rreme fetare, sepse të tjerët u kanë thënë se këtë duhet të besojnë. Megjithatë, ti nuk ke pse të besosh diçka vetëm sepse të tjerët duan që ta besosh. Kujto se Jehovai do që t’i shërbesh me gjithë mendjen tënde. (Lexo Mateun 22:36, 37.) Ati ynë qiellor dëshiron që ta ndërtosh besimin mbi prova.—Hebr. 11:1.
7, 8. (a) Cilat synime afatshkurtra do të të ndihmojnë të forcosh besimin? (b) Çfarë do të përjetosh teksa arrin disa nga këto synime?
7 Pse të mos vendosësh disa synime afatshkurtra që të forcosh besimin tënd? Një synim mund të jetë që të lutesh çdo ditë. Që lutjet e tua të jenë specifike dhe të mos bëhen mekanike, mund të mbash ndër mend ose të shkruash ngjarje konkrete të ditës, të cilat do që t’i përmendësh në lutje. Ki parasysh të mos përmendësh vetëm sfidat që ke hasur, por edhe gjërat e bukura që ke kaluar. (Filip. 4:6) Një synim tjetër është që ta lexosh Biblën çdo ditë. A e dije se po të lexosh rreth katër faqe në ditë, mund ta mbarosh të gjithë Biblën vetëm për një vit? * Te Psalmi 1:1, 2 thuhet: «Lum njeriu . . . që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë.»
8 Një synim i tretë afatshkurtër që mund të vendosësh, është të përgatitësh një koment për çdo mbledhje. Si fillim, mund të lexosh përgjigjen ose një shkrim. Më vonë, mund të synosh të përgjigjesh me fjalët e tua. Në të vërtetë, sa herë që komenton po i paraqit Jehovait një dhuratë. (Hebr. 13:15) Pasi të kesh arritur disa nga këto synime, do të të rritet siguria, si edhe çmueshmëria për Jehovain, dhe do të jesh gati të vendosësh synime afatgjata.
9. Cilat synime afatgjata mund të vendosësh, nëse ende nuk je një lajmëtar i Mbretërisë ?
9 Ç’synime afatgjata mund të vendosësh? Nëse ende nuk ke filluar të shpallësh publikisht lajmin e mirë, një synim afatgjatë mund të jetë që të bëhesh lajmëtar i Mbretërisë. Pasi ta kesh arritur këtë synim të lavdërueshëm, mund të dëshirosh të jesh i rregullt dhe i efektshëm, duke mos lënë asnjë muaj pa predikuar. Gjithashtu, mund të dëshirosh që të mësosh ta përdorësh Biblën në shërbim. Ndërsa bën kështu, mbase zbulon se tani të pëlqen më shumë vepra e predikimit. Pastaj mund të kalosh më tepër kohë në shërbimin shtëpi më shtëpi ose madje të përpiqesh të drejtosh një studim biblik. Si një lajmëtar i papagëzuar, synimi më i mirë që mund të vendosësh është të kualifikohesh për pagëzimin dhe të bëhesh një Dëshmitar i Perëndisë Jehova, i kushtuar dhe i pagëzuar.
10, 11. Cilat synime afatgjata mund të vendosin të rinjtë e pagëzuar?
10 Nëse tashmë je një shërbëtor i pagëzuar i Jehovait, ka edhe disa synime afatgjata që mund të arrish. Ndonjëherë, mund të ndihmosh kongregacionet duke predikuar atje ku territori punohet rrallë. Po ashtu, mund ta përdorësh forcën dhe shëndetin e mirë në shërbimin si pionier ndihmës ose i rregullt. Dhjetra mijë pionierët e lumtur do të të thoshin se shërbimi i plotkohor është mënyra më shpërblyese për të kujtuar Krijuesin tënd në ditët e djalërisë. Këto janë synime që mund t’i arrish ndërsa jeton ende në shtëpi me prindërit. Edhe kongregacioni yt do të nxjerrë dobi nëse ti i arrin këto synime.
11 Synime të tjera afatgjata mund t’u sjellin dobi edhe kongregacioneve të tjera. Për shembull, mund të planifikosh të shërbesh në një zonë ose shtet tjetër ku ka më shumë nevojë. Ndoshta do të të pëlqente të ndihmoje për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë ose të komplekseve të degëve në vende të huaja. Mund të kualifikohesh për të shërbyer në Bethel ose të bëhesh misionar. Por sigurisht, synimi i parë dhe i rëndësishëm që nevojitet të arrish para shumicës së synimeve afatgjata të përmendura këtu, është pagëzimi. Nëse ende nuk je pagëzuar, shqyrto se çfarë përfshin arritja e këtij synimi tejet të veçantë në jetën tënde.
Si ta arrish synimin e pagëzimit?
12. Përse pagëzohen disa? Pse këto arsye nuk janë të mjaftueshme?
12 Si do ta përshkruaje qëllimin e pagëzimit? Disa mund të mendojnë se është një mbrojtje për të mos mëkatuar. Të tjerë ndoshta mendojnë se duhet të pagëzohen ngaqë edhe shokët e tyre janë pagëzuar. Kurse të rinj të tjerë mbase duan të kënaqin prindërit. Megjithatë, pagëzimi nuk është një kontratë që të ndalon të bësh gjëra që do të të pëlqenin t’i bëje; as nuk duhet bërë sepse të tjerët të bëjnë presion. Duhet të pagëzohesh kur të kesh kuptuar plotësisht se çfarë përfshin të jesh një Dëshmitar i Jehovait, dhe kur të jesh i sigurt se je gati e dëshiron ta pranosh këtë përgjegjësi.—Ekl. 5:4, 5.
13. Pse duhet të pagëzohesh?
13 Një arsye pse pagëzohemi, është se Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Bëni dishepuj . . . , duke i pagëzuar.» Gjithashtu, ai na la shembullin duke u pagëzuar edhe vetë. (Lexo Mateun 28:19, 20; Markun 1:9.) Përveç kësaj, pagëzimi është një hap i rëndësishëm për ata që duan të shpëtojnë. Apostulli Pjetër, pasi përmendi se Noeja ndërtoi një arkë me anë të së cilës ai dhe familja e tij shpëtuan gjatë Përmbytjes, tha: «Ajo që përkon me këtë, tani po ju shpëton edhe ju, domethënë pagëzimi, . . . nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit.» (1 Pjet. ) Megjithatë, kjo s’do të thotë se pagëzimi është si një siguracion që bën për raste nevoje. Përkundrazi, duhet të pagëzohesh sepse e do Jehovain dhe dëshiron t’i shërbesh me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde.— 3:20, 21Mar. 12:29, 30.
14. Pse disa ngurrojnë të pagëzohen, por çfarë sigurie ke?
14 Disa mbase ngurrojnë të pagëzohen ngaqë kanë frikë se mos më vonë përjashtohen. A e ke edhe ti këtë frikë? Nëse po, nuk do të thotë medoemos se është diçka e gabuar. Mund të tregojë se e kupton përgjegjësinë serioze që vjen kur je Dëshmitar i Jehovait. A mund të ketë edhe ndonjë arsye tjetër? Ndoshta ende nuk je i bindur se të jetosh sipas standardeve të Perëndisë është mënyra më e mirë e jetesës. Nëse është kështu, po të mendosh për pasojat që kanë ata që i shpërfillin standardet e Biblës, mund ta kesh më të lehtë të vendosësh. Nga ana tjetër, mbase të pëlqejnë standardet e Perëndisë, por nuk beson se je në gjendje të jetosh në lartësinë e tyre. Në fakt, kjo mund të jetë një shenjë e mirë, pasi tregon se je i përulur. Në fund të fundit, Bibla thotë për të gjithë njerëzit e papërsosur se zemra e tyre është e pabesë. (Jer. 17:9) Por mund t’ia dalësh mbanë nëse vazhdimisht ‘e ruan me fjalën e Perëndisë’ udhën tënde. (Lexo Psalmin 119:9.) Cilatdo qofshin arsyet pse po ngurron të pagëzohesh, është e nevojshme të bësh diçka në lidhje me këto çështje dhe shqetësime. *
15, 16. Si mund të kuptosh nëse je gati për t’u pagëzuar?
15 Por, si mund ta kuptosh nëse je gati për t’u pagëzuar? Një mënyrë është duke pyetur veten: «A jam në gjendje t’ua shpjegoj mësimet bazë të Biblës të tjerëve? A dal në shërbim edhe kur prindërit e mi nuk dalin? A përpiqem të shkoj në të gjitha mbledhjet e krishtere? Ka pasur raste kur i kam rezistuar presionit të moshatarëve? A do të vazhdoj t’i shërbej Jehovait edhe sikur prindërit ose miqtë e mi ta braktisin? A lutem që të forcoj marrëdhënien me Perëndinë? Dhe, në të vërtetë, a i jam kushtuar pa rezerva Jehovait në lutje?»
16 Pagëzimi është një hap që të ndryshon jetën dhe nuk duhet marrë lehtë. A je aq i pjekur sa ta mendosh këtë hap seriozisht? Të jesh i pjekur do të thotë më shumë sesa vetëm të bësh fjalime të bukura nga podiumi ose komente mbresëlënëse gjatë mbledhjeve. Do të thotë të jesh i aftë të marrësh vendime të bazuara në kuptueshmërinë për parimet biblike. (Lexo Hebrenjve 5:14.) Nëse je në një fazë të jetës kur mund ta bësh këtë, atëherë para teje ke privilegjin më të madh që ekziston—t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër dhe të jetosh në një mënyrë që tregon se i je kushtuar vërtet atij.
17. Çfarë do të të ndihmojë të përballosh sprovat që mund të vijnë pas pagëzimit?
17 Menjëherë pas pagëzimit, ndoshta do të ndihesh shumë entuziast që po i shërben Perëndisë. Megjithatë, shpejt mund të hasësh sprova që do të vënë në provë besimin dhe qëndrueshmërinë tënde. (2 Tim. 3:12) Mos mendo se duhet t’i përballosh i vetëm këto sprova. Kërkoju këshilla prindërve. Kërkoju ndihmë edhe vëllezërve e motrave të pjekur në kongregacion. Mbaj miqësi me ata që do të të mbështetin. Kurrë mos harro se Jehovai interesohet për ty dhe do të të japë forcën e nevojshme për t’ia dalë mbanë në çdo rrethanë që mund të lindë.—1 Pjet. 5:6, 7.
Si mund t’i arrish synimet e tua?
18, 19. Si mund të nxjerrësh dobi nga shqyrtimi i përparësive të tua?
18 Pavarësisht nga qëllimet e mira që mund të kesh, a të duket se nuk të mjafton asnjëherë koha për të bërë atë që do dhe që ke nevojë të bësh? Nëse po, duhet të shqyrtosh përparësitë e tua. Të bëjmë një shembull: merr një kovë plastike dhe fut brenda ca gurë të mëdhenj. Pastaj mbushe kovën me rërë. Pra, ke një kovë të mbushur me gurë dhe rërë. Tani boshatise kovën, por mbaj të njëjtën sasi gurësh dhe rëre. Kësaj radhe mbushe njëherë kovën me rërë dhe pastaj provo të futësh gurët. S’ka vend për gurët? Po, sepse fute në fillim rërën.
19 E njëjta vështirësi është me shfrytëzimin e kohës. Nëse vë në radhë të parë gjëra të tilla, si zbavitja, do të të duket se nuk ke kurrë mjaft kohë për gjërat e mëdha—aktivitetet frymore. Por nëse ndjek këshillën e Biblës ‘që të sigurohesh për gjërat më të rëndësishme’, do të vëresh se ke kohë për të dyja, edhe për t’i shërbyer Perëndisë, edhe për ca zbavitje.—Filip. 1:10.
20. Ç’mund të bësh nëse ke ankth dhe dyshime teksa përpiqesh të arrish synimet e tua?
20 Teksa përpiqesh t’i arrish synimet e tua, përfshirë edhe pagëzimin, mbase ndonjëherë do të kesh ankth dhe dyshime. Në atë moment «hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë». (Psal. 55:22) Sot ke mundësinë të marrësh pjesë në veprën më entuziazmuese dhe të rëndësishme në historinë e njerëzimit, një fushatë mbarëbotërore predikimi dhe mësimdhënieje. (Vep. 1:8) Ti mund të zgjedhësh të jesh spektator e të shohësh të tjerët si e përmbushin këtë vepër ose mund të zgjedhësh të marrësh pjesë me zell në të. Mos ngurro t’i përdorësh talentet e tua për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të mbështetur Mbretërinë e tij! Nuk do të ndiesh kurrë keqardhje që i shërbeve ‘Krijuesit tënd të Madh në ditët e djalërisë sate’.—Ekl. 12:1.
[Shënimet]
^ par. 7 Shih Kullën e Rojës 1 gusht 2009, faqet 15-18.
^ par. 14 Për më shumë informacion, shih Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike vëllimi 2, kapitulli 34.
Si do të përgjigjeshe?
• Pse duhet të vendosësh synime?
• Cilat janë disa synime që ia vlen të arrish?
• Çfarë përfshin arritja e synimit për t’u pagëzuar?
• Si mund të të ndihmojë shqyrtimi i përparësive të tua për të arritur synimet?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 13]
A ke si synim ta lexosh Biblën çdo ditë?
[Figura në faqen 15]
Çfarë do të të ndihmojë të arrish synimin që të pagëzohesh?
[Figura në faqen 16]
Ç’mësim nxjerr nga ky shembull?