A po e lë frymën e Perëndisë të të drejtojë?
A po e lë frymën e Perëndisë të të drejtojë?
«Fryma jote është e mirë. Le të më çojë në vendin e drejtësisë.»—PSAL. 143:10.
1, 2. (a) Përmend disa raste kur Jehovai ka përdorur frymën e shenjtë në dobi të shërbëtorëve të tij. (b) A vepron fryma e shenjtë vetëm në raste të veçanta? Shpjego.
Ç’TË vjen në mendje kur mendon për veprimin e frymës së shenjtë? Mos vallë veprat e fuqishme të Gideonit dhe të Samsonit? (Gjyk. 6:33, 34; 15:14, 15) Ndoshta mendon për guximin e të krishterëve të hershëm ose për qetësinë e Stefanit teksa qëndronte para Sinedrit. (Vep. 4:31; 6:15) Ç’të themi për gëzimin që vërshon sot në kongreset ndërkombëtare, për integritetin e vëllezërve të burgosur për shkak të asnjanësisë dhe për rritjen e jashtëzakonshme të veprës së predikimit? Tërë këta shembuj dëshmojnë për veprimin e frymës së shenjtë.
2 A vepron fryma e shenjtë vetëm në raste të veçanta ose në rrethana të jashtëzakonshme? Jo. Fjala e Perëndisë thotë se të krishterët ‘ecin sipas frymës’, ‘drejtohen nga fryma’ dhe ‘jetojnë sipas frymës’. (Gal. 5:16, 18, 25) Këto shprehje tregojnë se fryma e shenjtë mund të ndikojë vazhdimisht në jetën tonë. Ditë për ditë duhet t’i përgjërohemi Jehovait që të na udhëheqë mendimet, fjalët dhe veprimet me anë të frymës së tij. (Lexo Psalmin 143:10.) Ndërsa e lëmë frymën të veprojë lirisht në jetën tonë, ajo do të japë te ne fryt që i freskon të tjerët, dhe kjo i sjell lavdi Perëndisë.
3. (a) Pse kemi nevojë të drejtohemi nga fryma e shenjtë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
3 Pse është jetësore të drejtohemi nga fryma e shenjtë? Sepse te ne përpiqet të mbizotërojë një forcë tjetër, e cila i kundërvihet veprimit të frymës së shenjtë. Në Shkrime kjo forcë quhet «mishi» dhe u referohet prirjeve mëkatare të mishit të papërsosur, papërsosmërisë që kemi trashëguar si pasardhës të Adamit. (Lexo Galatasve 5:17.) Atëherë, çfarë do të thotë ta lëmë frymën e Perëndisë të na drejtojë? A ka hapa praktikë që mund të ndërmarrim për t’iu kundërvënë ndikimit të mishit mëkatar? Le të shqyrtojmë këto pyetje ndërsa trajtojmë gjashtë aspektet e tjera të ‘frytit të frymës’, pra ‘shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin’.—Gal. 5:22, 23.
Butësia dhe shpirtgjerësia nxitin paqen në kongregacion
4. Si i kontribuojnë paqes së kongregacionit butësia dhe shpirtgjerësia?
4 Lexo Kolosianëve 3:12, 13. Në kongregacion, butësia dhe shpirtgjerësia punojnë dorë për dore që të nxitin paqen. Të dyja këto aspekte të frytit të frymës na ndihmojnë të sillemi me hir me të tjerët, të qëndrojmë të qetë kur na provokojnë dhe të mos ua kthejmë me të njëjtën monedhë të tjerëve kur thonë ose bëjnë gjëra të pakëndshme. Nëse kemi një mosmarrëveshje me një të krishterë, shpirtgjerësia ose durimi do të na ndihmojnë të mos ia vëmë vizën vëllait ose motrës, por të bëjmë çmos që të mbyllim hendekun e krijuar. A nevojiten vërtet butësia dhe shpirtgjerësia në kongregacion? Po, sepse të gjithë jemi të papërsosur.
5. Ç’ndodhi mes Pavlit e Barnabës dhe çfarë tregon kjo?
5 Të shqyrtojmë se çfarë ndodhi mes Pavlit Vep. 15:36-39) Kjo ndodhí tregon se edhe mes shërbëtorëve të kushtuar të Perëndisë, ndonjëherë lindin mosmarrëveshje. Nëse një i krishterë ka një keqkuptim me një bashkëbesimtar, ç’mund të bëjë që situata të mos përshkallëzohet në një debat të zjarrtë që do të sillte pasoja afatgjata?
dhe Barnabës. Ata kishin punuar krah për krah për vite të tëra, që të çonin përpara lajmin e mirë. Secili kishte cilësi të lavdërueshme. E megjithatë, në një rast, mes tyre pati «një shpërthim të madh zemërimi, kështu që u ndanë nga njëri-tjetri». (6, 7. (a) Cilën këshillë biblike mund të zbatojmë para se diskutimi me një bashkëbesimtar të bëhet i nxehtë? (b) Cilat dobi vijnë kur jemi ‘të shpejtë në të dëgjuar, nuk nxitohemi në të folur e nuk zemërohemi shpejt’?
6 Siç tregohet nga fraza ‘një shpërthim i madh zemërimi’, mosmarrëveshja midis Pavlit dhe Barnabës ishte e papritur dhe e flaktë. Në rast se një i krishterë po fillon të nxehet ndërsa diskuton një çështje me një bashkëbesimtar, tregohet i mençur po t’i vërë veshin këshillës që gjendet te Jakovi 1:19, 20: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt, sepse zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.» Në varësi të rrethanave, ai mund të përpiqet të ndryshojë temën, ta shtyjë për më vonë bisedën ose me mirësjellje të largohet para se diskutimi të bëhet i nxehtë.—Prov. 12:16; 17:14; 29:11.
7 Ç’dobi vijnë kur ndiqet kjo këshillë? Duke lënë kohë që të qetësohet, të lutet për çështjen dhe të mendojë se si të përgjigjet sa më mirë, një i krishterë lejon të drejtohet nga fryma e Perëndisë. (Prov. 15:1, 28) Nën ndikimin e frymës, ai mund të shfaqë butësi dhe shpirtgjerësi. Në këtë mënyrë është i pajisur që të zbatojë këshillën e Efesianëve 4:26, 29: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. . . . Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur, por vetëm fjalë të mira, që të ndërtojnë sipas nevojës, që t’u japin diçka të dobishme atyre që i dëgjojnë.» Po, kur vishemi me butësi dhe shpirtgjerësi, i kontribuojmë paqes e unitetit të kongregacionit.
Mirëdashja dhe mirësia e freskojnë familjen
8, 9. (a) Çfarë janë mirëdashja dhe mirësia? (b) Ç’ndikim kanë mirëdashja dhe mirësia në atmosferën familjare?
8 Lexo Efesianëve 4:31, 32; 5:8, 9. Ashtu si një fllad i ëmbël dhe një pije e ftohtë në një ditë të nxehtë, mirëdashja dhe mirësia të freskojnë. Brenda familjes, ato i kontribuojnë një atmosfere të këndshme. Mirëdashja është një cilësi tërheqëse që buron nga interesimi i sinqertë për të tjerët, interesim që shfaqet me vepra dobiprurëse dhe fjalë të menduara mirë. Mirësia, ashtu si mirëdashja, është një cilësi pozitive që shprehet me veprime të dobishme ndaj të tjerëve. Ajo karakterizohet nga një frymë bujarie. (Vep. 9:36, 39; 16:14, 15) Por, mirësia përfshin diçka më tepër.
9 Mirësia është shkëlqim moral. Ajo nuk përfshin vetëm çfarë bëjmë, por më e rëndësishmja, çfarë jemi. Është si një frutë, e cila është e gjitha e ëmbël dhe pa asnjë të metë brenda ose jashtë. Po kështu, mirësia që vjen nga fryma e shenjtë përshkon tërë mënyrën e jetesës së një të krishteri.
10. Ç’mund të bësh që t’i ndihmosh familjarët të kultivojnë frytin e frymës?
10 Ç’mund t’i ndihmojë pjesëtarët e një familjeje të krishterë që ta trajtojnë njëri-tjetrin me mirëdashje dhe mirësi? Njohuria e saktë për Fjalën e Perëndisë luan një rol të rëndësishëm. (Kolos. 3:9, 10) Disa kryefamiljarë përfshijnë një studim të frytit të frymës në mbrëmjen e Adhurimit Familjar. Nuk është e vështirë të organizohet një studim i tillë. Duke përdorur mjetet e kërkimit që keni në gjuhën tuaj, zgjidhni material për çdo aspekt të frytit të frymës. Mund të trajtoni vetëm disa paragrafë në javë, duke u përqendruar në çdo aspekt për disa javë. Ndërsa studioni materialin, lexoni dhe diskutoni shkrimet. Kërkoni mënyra për ta zbatuar atë që mësoni dhe lutjuni Jehovait që t’ju bekojë përpjekjet. (1 Tim. 4:15; 1 Gjon. 5:14, 15) A mund të ndikojë vërtet një studim i tillë në mënyrën si familjarët e trajtojnë njëri-tjetrin?
11, 12. Si nxorën dobi dy çifte të krishtere duke bërë një studim të cilësisë së mirëdashjes?
11 Një çift i ri që dëshironte të kishte një martesë të suksesshme, vendosi të bënte një studim të thellë të aspekteve të frytit të frymës. Si nxorën dobi? Gruaja thotë: «Ajo që kemi kuptuar më tej për mirëdashjen, ka ndikuar vërtet në mënyrën si e trajtojmë njëri-tjetrin deri sot e kësaj dite. Kemi mësuar të hapim rrugë dhe të falim njëri-tjetrin. Kemi mësuar edhe të themi ‘faleminderit’ dhe ‘më vjen keq’ kur është e përshtatshme.»
12 Një çift i krishterë që kishte probleme martesore, kuptoi se në lidhjen e tyre mungonte mirëdashja. Ata vendosën të studionin bashkë temën e mirëdashjes. Me ç’rezultat? Burri kujton: «Studimi i mirëdashjes na ndihmoi të kuptonim se, në vend që t’i vishnim njëri-tjetrit motive të këqija, duhej
të kishim besim te njëri-tjetri dhe duhej të shihnim anët e mira të secilit. Filluam të interesoheshim më shumë për nevojat e njëri-tjetrit. Të tregohesha mirëdashës, do të thoshte ta ftoja gruan të shprehte lirisht çfarë kishte në mendje, pa u fyer nga ajo që thoshte. Kjo nënkuptonte se duhej ta lija mënjanë krenarinë time. Pasi filluam të tregonim mirëdashje në martesë, dalëngadalë prirja për të mbrojtur secili mendimin e vet, u zhduk. Ndiheshim shumë të lehtësuar.» A do të nxirrte dobi familja jote nga një studim i frytit të frymës?Trego besim kur je vetëm
13. Nga cili rrezik për gjendjen tonë frymore duhet të ruhemi?
13 Të krishterët duhet ta lënë frymën e Perëndisë t’i drejtojë si në prani të të tjerëve, edhe kur janë vetëm. Sot, në botën e Satanait ka me mizëri pamje të fëlliqura dhe zbavitje të degjeneruar. Kjo përbën një rrezik për gjendjen tonë frymore. Çfarë duhet të bëjë një i krishterë? Fjala e Perëndisë na këshillon: «Flakni tej çdo fëlliqësi e atë gjë të padëshirueshme, domethënë të keqen, dhe pranoni me butësi që të rrënjoset brenda jush fjala, që është në gjendje të shpëtojë shpirtrat tuaj.» (Jak. 1:21) Le të shohim se si besimi, një aspekt tjetër i frytit të frymës, mund të na ndihmojë të qëndrojmë të pastër para Jehovait.
14. Si mund të çojë në sjellje të gabuar mungesa e besimit?
14 Në thelb, të besosh do të thotë të mendosh se Perëndia Jehova është real. Po të mos ishte real, vetëm një hap do të na ndante nga e keqja. Mendo se çfarë i ndodhi popullit të Perëndisë në kohët e lashta. Jehovai i zbuloi profetit Ezekiel se në fshehtësi po bëheshin gjëra të neveritshme: «Bir njeriu, a e pe se ç’po bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e brendshme ku ka shëmbëlltyrat e tij? Ata thonë: ‘Jehovai nuk na sheh. Jehovai e ka lënë vendin.’» (Ezek. 8:12) A e vure re ku ishte problemi? Ata nuk besonin se Jehovai e shihte ç’po bënin. Jehovai nuk ishte real për ta.
15. Si na mbron besimi i fortë te Jehovai?
15 Por, mendo për shembullin e Jozefit. Megjithëse ishte larg familjes dhe popullit të tij, Jozefi nuk pranoi të kryente kurorëshkelje me gruan e Potifarit. Pse? Ai tha: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zan. 39:7-9) Po, Jehovai ishte real për të. Nëse Perëndia është real për ne, s’do të zbavitemi duke parë gjëra të papastra ose s’do të bëjmë në fshehtësi asgjë tjetër që e dimë se nuk i pëlqen. Do të jemi të vendosur si psalmisti, i cili këndoi: «Në shtëpinë time do të eci me një zemër me integritet. Para syve të mi, nuk do të vë asgjë të poshtër.»—Psal. 101:2, 3.
Ruaj zemrën duke treguar vetëkontroll
16, 17. (a) Siç përshkruhet në librin e Proverbave, si bie në grackën e mëkatit ‘një djalë i ri, zemra e të cilit ishte pa gjykim të mirë’? (b) Siç tregohet në faqen 26, si mund t’i ndodhë dikujt diçka e ngjashme sot pavarësisht nga mosha?
16 Vetëkontrolli, aspekti i fundit i frytit të frymës, na ndihmon t’u themi jo gjërave që Perëndia i dënon. Ai mund të na ndihmojë të ruajmë zemrën. (Prov. 4:23) Mendo për situatën që përshkruhet te Proverbat 7:6-23, ku ‘një djalë i ri, zemra e të cilit ishte pa gjykim të mirë’, dorëzohet para joshjeve të një prostitute. Ai bie në grackë pasi ‘kalon rrugës pranë qoshes së saj’. Ndoshta nga kureshtja rrezikon, duke shkuar pranë shtëpisë së saj. Befas harron se po shkon në një rrugë të pamendë ku «është në lojë vetë shpirti i tij».
17 Si mund ta kishte shmangur ai i ri gabimin fatal? Duke i vënë veshin këshillës: «Mos u end drejt rrugëve të saj.» (Prov. 7:25) Nxjerrim një mësim nga kjo: nëse duam të na drejtojë fryma e Perëndisë, duhet të mos ta çojmë veten në shtegun e tundimit. Një mënyrë si dikush mund të endet në udhën e pamendë të ‘djalit të ri, zemra e të cilit ishte pa gjykim të mirë’, është duke e shtypur telekomandën e televizorit sa në një stacion në tjetrin ose duke lundruar kuturu në Internet. Me ose pa dashje, mund të rastisë në skena që ngjallin dëshira seksuale. Dalëngadalë mund të zhvillojë zakonin e papastër të shikimit të pornografisë, me pasoja shkatërrimtare për ndërgjegjen dhe marrëdhënien e tij me Perëndinë. Kështu do të vinte në lojë vetë jetën e tij.—Lexo Romakëve 8:5-8.
18. Çfarë masash mund të marrë një i krishterë që të ruajë zemrën dhe si përfshihet vetëkontrolli?
18 Natyrisht, ne mund dhe duhet të tregojmë vetëkontroll duke ndërmarrë veprime të menjëhershme nëse gjendemi përballë një pamjeje provokuese. Por, sa më mirë do të ishte sikur ta shmangnim fare situatën! (Prov. 22:3) Që të vendosim kufijtë e duhur dhe t’u përmbahemi atyre, kërkohet vetëkontroll. Për shembull, mund të jetë një mbrojtje nëse e mbajmë kompjuterin në një vend ku shihet nga të tjerët. Disa e kanë më mirë ta përdorin kompjuterin ose të shohin televizor vetëm në prani të të tjerëve. Disa të tjerë kanë vendosur të mos kenë Internet. (Lexo Mateun 5:27-30.) Le të marrim çfarëdo mase të nevojshme për të mbrojtur veten dhe familjen, që të mund ta adhurojmë Jehovain «nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga besimi pa hipokrizi».—1 Tim. 1:5.
19. Ç’dobi kemi kur e lëmë frymën e shenjtë të na drejtojë?
19 Fryti i frymës së shenjtë sjell shumë dobi. Butësia dhe shpirtgjerësia i kontribuojnë paqes në kongregacion. Mirëdashja dhe mirësia nxitin lumturinë familjare. Besimi dhe vetëkontrolli na ndihmojnë të qëndrojmë pranë Jehovait dhe të jemi të pastër para tij. Për më tepër, Galatasve 6:8 na siguron: «Ai që mbjell për frymën, do të korrë nga fryma jetë të përhershme.» Po, në bazë të shpërblesës së Krishtit, Jehovai do të përdorë frymën e shenjtë që t’u japë jetë të përhershme atyre që e lënë frymën t’i drejtojë.
Si do të përgjigjeshe?
• Si nxitin paqen në kongregacion butësia dhe shpirtgjerësia?
• Çfarë mund t’i ndihmojë të krishterët të shfaqin mirëdashje dhe mirësi në shtëpi?
• Si e ndihmojnë një të krishterë besimi dhe vetëkontrolli që të ruajë zemrën?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 24]
Ç’mund të bësh për të mos lejuar që një diskutim të bëhet i nxehtë?
[Figura në faqen 25]
Një studim i aspekteve të frytit të frymës mund t’i sjellë dobi familjes
[Figura në faqen 26]
Cilat rreziqe shmangim duke treguar besim dhe vetëkontroll?