Si të qëndrojmë të ndershëm në një botë të pandershme?
Si të qëndrojmë të ndershëm në një botë të pandershme?
ASHTU si ajri që thithim, pandershmëria është kudo. Njerëzit gënjejnë, mashtrojnë për çmimet, vjedhin, nuk i shlyejnë borxhet dhe mburren me praktikat hileqare të biznesit. Duke jetuar në këtë ambient, shpesh përballemi me situata që na vënë në provë vendosmërinë për të qenë të ndershëm. Si mund të vazhdojmë t’i rezistojmë prirjes për të qenë të pandershëm? Le të shqyrtojmë tre faktorë kyç që do të na ndihmojnë të veprojmë kështu: frika nga Jehovai, ndërgjegjja e mirë dhe kënaqja me atë që kemi.
Frika e shëndetshme nga Jehovai
Profeti Isaia shkroi: «Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Ligjdhënësi ynë, Jehovai është Mbreti ynë.» (Isa. 33:22) Pranimi i autoritetit të Jehovait bën që t’i frikësohemi atij dhe kjo është një forcë shtytëse që na bën të vendosur t’i rezistojmë frymës së pandershmërisë. Proverbat 16:6 thotë: «Duke iu frikësuar Jehovait, njeriu largohet nga e keqja.» (Prov. 16:6) Kjo frikë nuk është tmerr i sëmurë nga një Perëndi hakmarrës, por shqetësim i shëndetshëm se mos i shkaktojmë pakënaqësi Atit tonë qiellor, i cili interesohet thellësisht për mirëqenien tonë.—1 Pjet. 3:12.
Një përvojë ilustron ndikimin e mirë që ka një shqetësim i tillë i shëndetshëm ose frikë. Rikardoja dhe gruaja e tij, Fernanda, tërhoqën nga llogaria bankare një shumë të barazvlefshme me 500 euro. * Fernanda e futi tufën me para në çantë, pa i numëruar. Kur mbërritën në shtëpi, pasi kishin paguar disa fatura, u habitën që në çantën e Fernandës gjetën të njëjtën shumë që kishin tërhequr. «Arkëtarja duhet të na ketë dhënë pará tepër»,—menduan. Në fillim u tunduan t’i mbanin paratë, pasi kishin shumë fatura të tjera për të paguar. Rikardoja shpjegon: «Iu lutëm Jehovait për forcë që t’i kthenim. Nga dëshira për t’i pëlqyer atij, siç na bën thirrje te Proverbat 27:11, u nxitëm t’i kthenim paratë.»
Një ndërgjegje e stërvitur sipas Biblës
Mund të zhvillojmë një ndërgjegje të ndjeshme duke studiuar Biblën dhe duke u përpjekur fort të vëmë në praktikë atë që mësojmë. Kështu ‘fjala e Perëndisë, e cila është e gjallë dhe ushtron fuqi’, do të arrijë jo vetëm mendjen, por edhe zemrën tonë. Kjo do të na motivojë «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë».—Hebr. 4:12; 13:18.
Të shohim rastin e Zhuaut. Ai hyri në një borxh të madh, të barasvlefshëm me 3.600 euro. Pastaj, pa paguar borxhin, u transferua në një qytet tjetër. Tetë vjet më vonë, Zhuau njohu të vërtetën dhe ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës e nxiti të kontaktonte personin që i kishte dhënë borxhin, për ta shlyer. Ngaqë Zhuau kishte gruan dhe katër fëmijë për të mbajtur vetëm me një rrogë të vogël, ai person pranoi që t’i kthehej borxhi me këste mujore.
Kënaqja me atë që kemi
Apostulli Pavël shkroi: «Përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh. . . . Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Tim. 6:6-8) Marrja për zemër e kësaj këshille do të na ndihmojë të shmangim grackën e praktikave lakmitare dhe të dyshimta të biznesit ose skemat jorealiste për t’u pasuruar shpejt. (Prov. 28:20) Ndjekja e këshillës së Pavlit do të na ndihmojë edhe të vëmë në vend të parë Mbretërinë e Perëndisë, të sigurt se nevojat tona bazë do të na plotësohen.—Mat. 6:25-34.
Megjithatë, për shkak të ‘fuqisë mashtruese të pasurisë’, kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë rrezikun që të na mposhtë lakmia. (Mat. 13:22) Të kujtojmë rastin e Akanit. Ai e kishte parë me sytë e tij kur, falë një mrekullie, izraelitët kaluan lumin Jordan. Gjithsesi, i pushtuar nga lakmia, nuk i rezistoi dëshirës që të vidhte ca argjend dhe ar e një veshje të shtrenjtë nga plaçka e qytetit të Jerikosë. Ky veprim i kushtoi jetën. (Jos. 7:1, 20-26) S’është çudi që shekuj më vonë Jezui paralajmëroi: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie.»—Luka 12:15.
Të jemi të ndershëm në punë
Tani le të shqyrtojmë disa rrethana që mund të na sprovojnë vendosmërinë për të qëndruar të ndershëm në çdo gjë. Të jemi të ndershëm në punë do të thotë ‘të mos vjedhim’—edhe nëse kjo është normale për të tjerët. (Titit 2:9, 10) Xhurandiri, i cili ka një punë shtetërore, tregohej i ndershëm kur raportonte dietat e udhëtimeve. Por, kolegët raportonin më shumë se sa kishin shpenzuar. Mund ta bënin këtë pasi shefi i departamentit i mbulonte punëtorët e pandershëm. Në fakt, ai vetë e qortoi Xhurandirin ngaqë ishte i ndershëm, dhe nuk e dërgonte më në udhëtime pune. Sidoqoftë, me kalimin e kohës u bë një kontroll dhe Xhurandirin e lavdëruan për ndershmërinë e tij. Gjithashtu, e ngritën në detyrë.
Andreas, një shitësi, punëdhënësi i tha që të ngarkonte në llogaritë e klientëve dyfishin e tarifës së shërbimit. Vëllai iu lut Jehovait për guxim që t’u përmbahej parimeve biblike. (Psal. 145:18-20) Po ashtu, u përpoq t’i shpjegonte punëdhënësit pse nuk mund të vepronte siç i kishte thënë ai—por më kot. Atëherë, Andrea vendosi ta linte atë punë me rrogë të mirë. Megjithatë, rreth një vit më vonë, ish-punëdhënësi e thirri sërish në punë dhe e siguroi se klientëve nuk u ngarkoheshin më tarifa më të larta se sa duhej. Andrean e bënë menaxher.
Të shlyejmë borxhet
Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Të mos i detyroheni askujt për asgjë.» (Rom. 13:8) Ndoshta përpiqemi të justifikojmë mosshlyerjen e një borxhi me mendimin se ai që na e ka dhënë, është i kamur dhe s’ka nevojë për para. Por Bibla paralajmëron: «I ligu merr hua, por nuk kthen.»—Psal. 37:21.
Megjithatë, po sikur për shkak të ‘një ngjarjeje të paparashikuar’ të mos jemi në gjendje të shlyejmë borxhet? (Ekl. 9:11) Fransisku mori hua nga Alfredoja një shumë të barazvlefshme me 500 euro, që të shlyente kredinë e shtëpisë. Por, për shkak të disa problemeve me biznesin, nuk mundi të paguante borxhin në datën e caktuar. Fransisku mori iniciativën ta diskutonte këtë gjë me Alfredon dhe ky ra dakord që t’ia shlyente borxhin me këste.
Të mos japim një përshtypje tjetër për tjetër
Të kujtojmë shembullin e keq të Ananisë dhe të Safirës, një çift në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë. Pasi kishin shitur një arë, ata sollën tek apostujt vetëm një pjesë të parave dhe thanë se ajo ishte e gjithë shuma që kishin marrë nga shitja. Donin t’u bënin përshtypje të tjerëve me bujarinë e tyre të shtirur. Gjithsesi, apostulli Pjetër, nën frymëzimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, e nxori në shesh mashtrimin e tyre dhe Jehovai i vrau që të dy.—Vep. 5:1-11.
Ndryshe nga Anania dhe Safira që ishin të pandershëm, shkrimtarët e Biblës ishin të çiltër e të ndershëm. Moisiu raportoi me ndershmëri se si e humbi vetëkontrollin e si pasojë iu ndalua të hynte në Tokën e Premtuar. (Num. 20:7-13) Po kështu, Jonai nuk e fshehu dobësinë që shfaqi para dhe pasi u predikoi ninevitëve. Përkundrazi, i hodhi me shkrim këto fakte.—Jon. 1:1-3; 4:1-3.
Sigurisht, nevojitet guxim për të thënë të vërtetën, edhe sikur të na kushtojë diçka, siç ilustrohet nga ajo që i ndodhi në shkollë 14-vjeçares Natalia. Ajo i hodhi një sy provimit me shkrim që kishte bërë dhe vuri re se një nga përgjigjet që mësuesi e kishte shënuar si të saktë, faktikisht ishte e gabuar. Megjithëse e dinte se kjo do të ndikonte për keq te notat, Natalia nuk ngurroi t’ia thoshte mësuesit. Ajo tha: «Prindërit më kanë mësuar gjithnjë se, që t’i pëlqej Jehovait, duhet të jem e ndershme. Do të më brente ndërgjegjja po të mos i kisha treguar mësuesit.» Mësuesi e vlerësoi ndershmërinë e Natalisë.
Ndershmëria—Një cilësi që i sjell lavdi Jehovait
Zhizela, një 17-vjeçare, gjeti një portofol me dokumente dhe një shumë të barazvlefshme me 25 euro. Me ndihmën e autoriteteve të shkollës arriti t’ia kthente portofolin të zotit. Një muaj më vonë, zëvendësdrejtori i shkollës lexoi një letër para klasës ku e lavdëronte Zhizelën për ndershmërinë e po ashtu edhe familjen e saj për stërvitjen e mirë dhe edukatën fetare që i kishin dhënë. «Veprat [e saj] të shkëlqyera» i sollën lavdi Jehovait.—Mat. 5:14-16.
Duhen përpjekje për të qenë të ndershëm ndërsa jetojmë mes atyre që janë ‘të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë dhe të pabesë’. (2 Tim. 3:2) Prapëseprapë, frika e shëndetshme nga Jehovai, ndërgjegjja e stërvitur sipas Biblës dhe kënaqja me atë që kemi, do të na ndihmojnë të qëndrojmë të ndershëm në këtë botë të pandershme. Po ashtu, do të kultivojmë një miqësi gjithnjë e më të ngushtë me Jehovain, i cili «është i drejtë dhe i do veprat e drejta».—Psal. 11:7.
[Shënimi]
^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.
[Figurat në faqen 7]
Frika e shëndetshme nga Jehovai na forcon vendosmërinë për të qenë të ndershëm
[Figura në faqen 8]
Sjellja jonë e ndershme i sjell lavdi Jehovait